Remzije Jashar Zekolli
Anton Nikë Berisha: “Prushi i Bukurisë”. Përsiatje poetike për artin e fjalës. Botimi i dytë i plotësuar, Gjilan 2018
Autori i shumë veprave letrare e shkencore, Anton Nikë Berisha, në vitin 2018 i dhuroi lexuesit botimin e dytë të plotësuar të poemës “Prushi i Bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës[1]”.
Poemës i paraprin një parathënie shkruar nga shkrimtari i njohur italian, Dante Maffia, me titullin “Vepër me përmbajtje të fuqishme e me identitet të shquar”.
Si mendim prijës për këtë vepër poetike autori ka vënë atë të Gjergj Fishtës për poezinë, ndërsa në “Shënimin paraprak” sjell mendimin e Jeronim De Radës për të bukurën dhe rëndësinë e saj.
Teksti i poemës është shtjelluar në katërmbëdhjetë pjesë, ndërsa në vijim janë botuar punime të disa shkrimtarëve të njohur shqiptarë dhe italianë për poemën dhe vlerat e saj, si: Xhyzepe Naploletano, Sergoi Paolo Foresta. Albana Alia, Alessanndro Gaudio, Sabit Rrustemi, Flavio Nimpo, Vincenzo Bruno dhe Prend Buzhala.
Njëri nga vlerësuesit e kësaj poeme më plot të drejtë ka theksuar se ajo është një shtegtim mahnitës në dhuntitë e mendjes, duke pasur parasysh fakti se lexuesi shtegton duke u mahnitur me magjinë e vargjeve të poemës, e cila është një mozaik i të shprehurit poetik për artin e fjalës. Poeti beson në të bukurën dhe në ndikimin që mund të bëjë arti i fjalës. Në Shënimin paraprak autori thekson mes të tjerash: Mund të thuhet se në të gjitha kohët letërsia shprehu qenësinë dhe misterin e ndikimit të saj, që vështirë shprehet mirëfilli me fjalë. Gjuha –fjala, përmes së cilës krijohet-shprehet e bukura, bënë thelbin e letërsisë.
Përmasa e magjisë poetike
Pjesë e librit “Prushi i Bukurisë” janë mendimet e dy kolosëve të letërsisë sonë, atë Gjergj Fishtës (nga shkrimi i tij “A janë të zot shqyptarët me u mbajt shtet n’veti”, të botuar në revistën “Hylli i Dritës”, n. 3 në Shkodër 1913) dhe Jeronim De Radës (marrë nga vepra e tij “Parime të estetikës”, botuar në 1861).
Në poemën “Prushi i Bukurisë” na shpërfaqet një ngjashmëri me mendimin e atë Gjergj Fishtës për poezinë: E per me i dhânë edhè mâa fuqië fjalës, lshon zânin(kanga), e zânin e pëlqen me tingullim t’veglave t’kumueshme (muzika), e per me dishmue edhè mâa plotnisht gzimin e shpirtit, nkcim i shndrron kâmët mas t’rames s’kangës e t’muzikës (vallja). E kshtû leen Poezia. Mirëpo, në veprën e vet Berisha i jep ngjyrim dhe thellësi asaj që e shpreh përmes një gjuhe poetike të zgjedhur, duke theksuar dhe fuqinë magjike të artit në një përmasë të madhe:
Sa edhe këngën e shpendëve e bënë të tyre
Bukurinë e kaltërsisë dhe të fluturimit,
Edhe mendimi i Jeronim De Radës: E bukura, kjo pjesë e ndritur shpirtërore na ishte dhënë ta mbështesim, ta zhvillojmë dhe ta bëjmë të jep fruta të jap lule […] Kultivimi i bukurisë paraqitet si kërkesa e domosdoshme, më e lartë se çdo vepër arti, dhe ka një peshë të madhe për të mirën ose të keqen në jetën e njeriut, ndërlidhet me vetë natyrën e tekstit të “Prushit të Bukurisë” dhe me mënyrën e krijimit të së bukurës.
Në tekstin e poemës është futur dhe rëndësia dhe simbolika e veprimit të bijës së madhe të kombit tonë, Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, e cila u flijua për njerëzit më të varfër, duke dëshmuar një dashuri të pazakonshme për njeriun, pa marrë parasysh prejardhjen, racën dhe përkatësinë fetare.
Je dëshmi e qenësisë së heshtjes
Të lutjes së Agnjeze Bojaxhiut-
Që bota e quajti Nëna Tereze-
Kur i lutej Hyjit t’ia dhuronte hirin
Për t’i dashur njerëzit me dashurinë e Tij
Në këtë poemë autori përmend rëndësinë e Fjalës, që shpërfaqet dhe në Bibël, më konkretisht në Ungjillin e Gjonit, ku thuhet: Në fillim ishte Fjala- e Fjala ishte me Hyjin. E Fjala ishte Hyji….Prej saj u bë gjithçka.
Nga Fjala e krijuar nga Zoti u krijua jeta, vdekja dhe gjithçka tjetër. Në Kuran Fjalën e hasim qysh në fillet e tij: Lexo me emrin e Zotit tënd i cili krijoi. Fjalën e ka bekuar Zoti, dhe ajo është krijuar nga hiri i tij.
Pikërisht kjo Fjalë kur është poetike bëhet edhe më e vlefshme, siç dëshmohet nga teksti i poemës “Prushi i Bukurisë”.
Folja Je, mbisundon hapësirën në poemë
Folja Je zë një hapësirë të dukshme në këtë poemë. Ajo na shpërfaqet herë në fillim të vargut herë në brendësi të tij. Vetë fakti që folja jam në tekst paraqitet në kohën e tashme flet se ajo do të jetë çdo herë deri në pafundësinë e jetës.
Je prush i heshtur që i ngroh
Pejzat e shpirtit që përherë gjakojnë
plimin e rrezeve në fillesë të agut,
kur vesa e mëngjesit edhe bimësia
zgjohen nga gjumi dhe nga ëndrrat
për t’u njësuar në ujëvarën e dritësimit.
Prushi nënkupton vazhdimësi, pambarim; ai në heshtje i ngroh damarët e zemrës që shprehin dëshirën e flaktë për të bukurën. Pra, Fjalia lartësohet edhe në kaltërsinë e kreshtave.
Je jehu i zërit të shqiponjave
Që foletë i bëjnë në maja lisash
Për t’i lindur e rritur me dashuri të vegjlit.
Arti, e bukura dhe bukuria i prapësojnë të këqijat në jetën e njeriut dhe shkaktojnë prehje shpirtërore.
Je ilaçi që i prapëson të këqijat
Kur dhembjet përdhëmbëzohen ndjeshëm
Dhe me pahir synojnë të na gjunjëzojnë
Përball vetes dhe përballë të tjerëve.
Fjala është ilaç që shëron plagët, qoftë kur ia themi dikujt, qoftë kur na e thotë dikush. Ajo nuk di për hapësirë dhe për kohë; është e gjithmonshme.
Kështu ishe e kështu do të jesh-Mbretëreshe
Deri në pafundësi të kohëve.
Fjala është mbretëri në letrën e bardh, kam shkruar në një nga poezitë e mia. Fjala do ta sundojë botën deri sa të ekzistojë njerëzimi.
Në tekstin e kësaj poeme lexuesi sikur ndien një lloj dialogu, ku trekëndëshi autori, teksti e lexuesi gërshetohen. Në këtë mënyrë lexuesi hyn në magjinë e të bukurës të shprehur përmes vargjeve të hartuar me një mjeshtri të rrallë.
E madhërishmja dhe Fjala poetike
Poema “ Prushi i bukurisë” është vepë poetike, ku e gjitha i kushtohet Fjalës, e cila është himni i të bukurës. Figuracioni brenda poemës na bën ta admirojmë më shumë artin e fjalës së shkruar. Prushi ka simbolikën edhe të vazhdimësisë së jetës, ku pas flakës prushi mbetet, por nuk shuhet, ngërthen ringjalljen e jetës.
Përtej harrimit e pate djepin-Bukuri
Kur njerëzit zunë dhe i përfituan Fjalët
i vunë njërën pranë tjetrës, i ballafaquan
me përkushtim e dije dhe i qëndisën
me aftësinë e mendjes, me ngrohtësinë e zemrës
dhe i përshkuan me dufin e frymësisë.
Vargjet e lartcekura dëshmojnë për një përmasë sa të gjerë aq dhe të thellë të simbolikës dhe të figuracionit të tekstit të pasur të veprës. Edhe atëherë kur mendon dikush se Fjala është e harruar, djepi është ai që e rrit dhe lartësoi; ajo është çelës i zbulimit të fshehtësive. Fjala, arti dhe bukura kanë cilësinë e prushit, që nuk fiket, por na dhuron ndjenjën e fuqishme për të bukurën; na dhuron pamje mahnitës netëve, po dhe në përfytyrimet tona.
E tërë poema është shprehur në vetën e dytë njëjës duke i paraprirë disa vargjeve me foljen je e cila është thelbi dhe udhërrëfyesja e poemës.
Akrostiku mahnitës i poemës
Një përmbyllje mahnitëse të poemës “Prushi i Bukurisë” e bënë akrostiku me vargjet e para të katërmbëdhjetë njësive tekstore. Fjala e bukur ta shuan etjen, të sjellë pasurim dhe prehje shpirtërore. Njeriu ka e do të ketë nevojë për fjalën poetike si sot ashtu edhe nesër, deri në përjetësi.
Udhërrëfyese je që bukurinë e mbëlton.
Fjala është dhuratë, udhërrëfyese që rrezaton magji, dashuri dhe mirësi. Kjo poemë na fut natyrshëm në magjinë a artit poetik dhe si e tillë lexohet dhe përjetohet thellësisht.
Vushtrri, korrik 2022
[1] Botimi i parë dygjuhësorë Anton Nikë Berisha, Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës. Il fulgore della bellezza. Riflessioni poetiche sull’arte della parola. Traduzione in italiano Albana Alia. Luigi Pellegrini Editore, Cosenza 2014.