Portret:
SABRIJE GJOSHAJ, (22.07.1960 – 16.03.1999)
Sivjet, në muajin gusht 2022, gjenerata jonë, nga Shkolla e Mesme Teknike në Kastriot (ish Obiliq), Dega Kimiko-Teknologjik, ka vendosur me u takuar për të parën herë. Kjo ngjarje do të ndodhë pas plotë 43 vitesh, ndërsa në atë takim do të mungoj një shoqe e klasës, Sabrije Gjoshaj, e cila që prej 23 vitesh nuk jeton më.
Sabrije Gjoshaj, ishte shoqja ime e klasës të cilën e kujtojë me pietet. Bashkë me mua, Sabrijen e kujtojnë edhe shokët tjerë, shoqet e klasës gjithsesi, të cilët nuk e kanë harruar kurrë. Ajo ishte vajzë e sjellshme dhe me kulturë, kishte edukatë dhe kishte të formuar personalitetin e saj, qoftë si nxënëse e rregullt, pedante, me veshje elegante dhe sjellje shembullore, që ia patën zili e tërë gjenerata.
Sabrije Gjoshaj me Kl. II – Kimi-Teknologji, 1976-77
Më një fjalë ajo ishte shembulli më pozitiv i shkollares së asaj kohe. Ajo banonte në Rrugën “Bledi” në Prishtinë, përballë Parkut të Gërmisë, rruga për te Shkolla e dikurshme Normale. Në të njëjten rrugë banonin edhe Sanije dhe Agim Dakaj, andaj për në shkollë vinin sëbashku. Këtij grupi të Sabrijes dhe Sanijes i takonte edhe Hylkije Kicaj nga Suhareka, si dhe Hajrie Vitia, që ishte e Prishtinës. Natyrisht, shpeshherë edhe ndonjë shok a shoqe tjetër, që bashkë shkonin në shkollë, në relacionin Prishtinë – Obiliq dhe anasjelltas.
Sabrije Gjoshaj me shokë
Sabrija, ishte me origjinë nga Sankoci i Drenicës, e bija Muharrem Gjoshajt, punëtor në Hekurudhën e Kosovës. Gjatë asaj kohe, më kujtohet takimi i rastësishëm me motren e saj, (diku katër vjet më e madhe), Merrushe Gjoshaj. Ajo ishte studente në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, kurse në vitin 1977, asaj iu botua libri i parë me poezi “Stinë lulesh”, i cili për kohën është pritur mjaftë mirë. Poezitë e Merrushes, botoheshin në gazetën “Rilindja” dhe gazetën e studentëve “Bota e re”, si dhe nëpër revista të tjera, të cilat Sabrija, ato gazeta na i sillte në shkollë, dhe gjithnjë fliste me admirim për motrën e saj Merrushen.
Sabrije Gjoshaj
Qysh në vitin e parë, sa ishim në shkollën e mesme, Sabrija qe njoftuar me Nuhi Namanin, i cili atëherë ishte në vitin e katërt, po në shkollën tonë. Nuhiu, i përkiste gjeneratës së Fazli Maçastenës, të cilin e njihja nga shkolla fillore, pastaj në këtë gjeneratë, mbaj mend se kanë qenë edhe, Mehmet Ajeti, Sabit Restelica, Naim Maloku, (ushtraku), Isuf Qerimi, Xhafer Durmishi dhe ndonjë tjetër, të cilët tashmë nuk po më kujtohen.
Sabrije Gjoshaj
Ndoshta ndikoi njohja ime me Fazli Maçastenën, por ajo gjeneratë, mua më ka pranuar e respektuar tejmase, së këndejmi edhe Nuhi Namani, bile në mënyrë edhe më të veçantë se të tjerët. Prandaj Sabrije Gjoshaj, ka qenë mjaftë e afërt edhe me mua, dhe për më tepër pasi kisha miqësi të mirë me Nuhiun.
Sabrije Gjoshaj
Nuhi Namani, për vite me radhë ka punuar në Fakultetin e Shkencave Natyrore, departamenti i kimisë, në Universitetin e Prishtinës, si Zyrtar për dhënien e Analizave. I theksova këto kujtime, të cilat po i ilustrojë edhe me dy kartolina urimi për Vitin e Ri 1978, të cilat, njërën ma ka dërguar shoqja e klasës Sabrije Gjoshaj dhe tjetrën, i dashuri i saj, miku im Nuhi Namani.
Sabrije Gjoshaj
Pas mbarimit të Shkollës së Mesme, për një kohë të caktuar, Sabrija ka punuar në Entin e Statistikave të Kosovës, kurse në vitin 1983 është martuar me Nuhi Namanin, me të cilin i kanë tre djem: Valoni (1984), ka kryer Fakultetin Ekonomik, Dritoni (1986), ka studiuar Gjuhën dhe Letërsinë dhe Visari (1991), po ashtu ka mbaruar Fakultetin Ekonomik. Djali i dytë i Sabrijes, Dritoni i ka dy fëmijë, djalë e vajzë, si trashëgimtar të saj të cilët janë rritur pa përkëdheljen e gjyshës.
Sabrije Gjoshaj – Kartolinë
Sabrije Gjoshaj, më 16 mars 1999, në moshën 39 vjeçare, vdiq nga një sëmundje e rëndë, duke lënë kujtimin e mirë e të përhershëm për bashkëshortin e saj Nuhiun dhe tre fëmijët që janë rritur me kujtimin e përhershëm për nënën e tyre. Natyrisht edhe për farefisin e gjerë dhe për ne shoqet dhe shokët e gjeneratës, që do ta kujtojmë sivjet!
Sabrije Gjoshaj – Kartolinë
Shoqja jonë e klasës, Sabrije Gjoshaj që aq shumë e ëndrroi lirinë e Kosovës nuk e priti atë, as nuk priti t’i shohë e përjetoj sukseset e fëmijëve të saj dhe as ta njohë nipin dhe mbesën. Ajo ishte vjazë me plot entuziazëm dhe përplot pozitivitet. Prandaj ky shënim, është përkujtimi më i mirë për të. Ne gjenerata e Sabrijes, në takimin e muajit gusht, do ta kujtojmë me pietet, si shoqën më të mirë e më të sjellshme të klasës sonë. Andaj, në emër të gjeneratës uroj që ëndërrat e Sabrijes, po edhe të Nuhiut, të realizohen përmes suksesit të djemëve të saj, të mbesave dhe nipërve, që tashmë janë duke u rritu.
Shpirti i Sabrije Gjoshajt u prehtë në Paqe!
Amen!…
Zvicër / St. Gallen, 29 maj 2022.
Shefqet Dibrani
Legjenda:
Fotografitë dhe kartolinat janë të atyre viteve.