9.5 C
Tirana
E shtunë, 15 Nëntor 2025
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

Për vendosjen e bustit të Komandantit Legjendar Adem Jashari në kryeqytetin e Republikës së Kosovës

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

KËRKESË PUBLIKE!

Drejtuar të gjithë kandidatëve për kryetar të Komunës së Prishtinës, në kuadër të fushatës zgjedhore lokale për vendosjen e bustit të Komandantit Legjendar Adem Jashari në kryeqytetin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Të nderuar kandidatë për udhëheqjen e Komunës së Prishtinës!

Në prag të kësaj fushate zgjedhore, në të cilën qytetarët e Prishtinës do të vendosin për drejtimin e së ardhmes së kryeqytetit, ne, si qytetarë të lirë, të vetëdijshëm dhe të lidhur fortësisht me identitetin historik dhe moral të Republikës së Kosovës, ju drejtohemi publikisht me një kërkesë konkrete dhe të pazvarritshme, e cila përfaqëson jo vetëm një vullnet qytetar, por një detyrim moral që kërkon veprim të menjëhershëm dhe angazhim të qartë nga të gjithë ju që kërkoni ta udhëhiqni Prishtinën.

Ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, të vetëdijshëm për dimensionin historik dhe sakrificën madhore të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të tërë Familjes Jashari, simbol i qëndresës, lirisë dhe ndërtimit të shtetësisë sonë ju drejtohemi me këtë kërkesë publike, duke i qëndruar pas një ideje të drejtë dhe të vonuar dhe thellësisht të nevojshme për ndërgjegjen kombëtare dhe institucionale të këtij vendi. Në emër të respektit të pakushtëzuar për figurën emblematike të Adem Jasharit, i cili nuk përfaqëson vetëm një kapitull të lavdishëm të historisë sonë të afërt, por mishëron në mënyrë të përkryer shpirtin e sakrificës kolektive, të identitetit kombëtar dhe të aspiratave tona për liri dhe dinjitet, kërkojmë me ngulm dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë që në një hapësirë publike qendrore dhe të denjë në zemër të Prishtinës, të ngrihet busti i tij si shenjë e përhershme e përkujtimit dhe nderimit institucional për atë që për ne mbetet themeli moral i shtetit të Kosovës. Adem Jashari nuk është thjesht një emër në histori apo një figurë e ndritshme e një periudhe të lavdishme të popullit shqiptar; ai është vetë simboli i qëndresës, i bashkimit kombëtar dhe i ndërgjegjes sonë historike, një figurë që kapërcen kufijtë e përkatësisë regjionale apo politike, dhe që përfaqëson për të gjithë shqiptarët një burim frymëzimi të pashterrshëm për brezat që do të vijnë. Prandaj, vendosja e bustit të tij në kryeqytet nuk do të ishte një akt formal apo simbolik i zakonshëm, por një gjest madhor i mirënjohjes kombëtare, një testament i përhershëm që Prishtina, si qendra politike, kulturore dhe shoqërore e Kosovës, e njeh dhe e afirmon figurën e tij si themel të shtetësisë dhe lirisë që sot e gëzojmë.

Duke e ditur se figura e Adem Jasharit tashmë është nderuar në mënyrë të denjë në Prekaz përmes Kompleksit Memorial, dhe duke qenë të vetëdijshëm për praninë e emrit të tij në shumë rrugë, (vendosja e busrit në shumë qytete), institucione, shkolla dhe objekte publike në gjithë hapësirën shqiptare, megjithatë, mbetet një zbrazëti simbolike dhe emocionale në vetë kryeqytetin e vendit një zbrazëti që duhet të plotësohet me urgjencë, sepse një Prishtinë pa një shenjë të tillë fizike të figurës së tij mbetet e paplotë në narrativën kombëtare që përpiqemi ta ndërtojmë për brezat që rriten këtu çdo ditë. Prandaj, kërkojmë me përgjegjësi qytetare dhe me vetëdije historike, që të gjithë kandidatët që aspirojnë drejtimin e Komunës së Prishtinës, të përfshijnë zyrtarisht në programet e tyre elektorale zotimin për vendosjen e bustit të Komandantit Legjendar Adem Jashari në një hapësirë publike qendrore, të përzgjedhur me kujdes dhe dinjitet, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, si: Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës. Kërkesa jonë nuk ka prapavijë politike dhe nuk shërben si instrument për promovime individuale; ajo buron nga një ndjenjë kolektive e detyrës dhe borxhit moral ndaj një figure që nuk kërkon lëvdata, por drejtësi historike, respekt institucional dhe vendin që i takon në memorien e gjallë publike të kryeqytetit të vendit që ai ndihmoi ta krijojë.

Vendosja e bustit të tij do të ishte:
1) Një akt nderimi zyrtar nga ana e kryeqytetit ndaj njeriut që mishëron idealin e sakrificës kombëtare.
2) Një mësim i përditshëm për brezat e rinj që jetojnë e rriten në Prishtinë, për të mos harruar kurrë çmimin e lirisë.
3) Një shenjë konkrete se kujtesa historike nuk është vetëm fjalë, por edhe vepër publike e përbashkët. Në këtë frymë, kërkesa jonë mbetet e hapur për përkrahjen e qytetarëve të ndërgjegjshëm, e institucioneve që e ndiejnë përgjegjësinë morale dhe kombëtare për të mos lejuar që figurat themelore të shtetësisë sonë të mungojnë në hapësirat më të rëndësishme publike të vendit, e në mënyrë të veçantë në Prishtinë.

Me besimin se do të ketë përgjigje të denjë për një figurë të përmasave të Komandantit Legjendar Adem Jashari, qëndrojmë me respekt të thellë dhe vendosmëri qytetare për të mos lejuar që koha të kalojë mbi përgjegjësinë tonë të përbashkët.

Me nderim dhe përkushtim njezëzor:
Safet Sadiku, qytetar i Republikës së Kosovës

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit