Sean Rayford/Getty Images
PAUL SACCA, 7 janar 2022 – TheBlaze.com – Përktheu Arben Çokaj
Administratës së Ushqimit dhe Barnave iu tha se nuk mund të duhen 75 vjet për të nxjerrë të dhënat e vaksinës COVID-19. Të enjten, një gjykatës federal në Teksas urdhëroi FDA-në që të rrisë shumë numrin e dokumenteve, që lëshon çdo muaj, që kanë të bëjnë me procesin e miratimit të agjencisë për vaksinën Pfizer-BioNTech COVID-19.
Profesionistët e Shëndetit Publik dhe Mjekësisë për Transparencë nisën një padi kundër FDA-së në gusht. Grupi ndërkombëtar përbëhet nga “profesionistë të shëndetit publik, profesionistë mjekësorë, shkencëtarë dhe gazetarë“, duke përfshirë akademikë dhe ekspertë mjekësorë nga Yale, Shkolla Mjekësore e Harvardit dhe UCLA.
Organizata jofitimprurëse “ekziston vetëm për të marrë dhe shpërndarë të dhënat mbi të cilat mbështetet FDA për të licencuar vaksinat kundër COVID-19” dhe “nuk mban asnjë pozicion mbi të dhënat, përveç se ato duhet të bëhen publike, për të lejuar ekspertë të pavarur të kryejnë rishikimin dhe analizat e tyre.”
Kërkesa FOIA i kërkoi FDA-së të përshpejtojë lëshimin e rreth 450,000 faqeve të materialit në lidhje me vaksinën COVID-19, që u përdor nga agjencia shëndetësore gjatë procesit të miratimit të licencimit të vaksinës COVID-19 të Pfizer.
FDA tha se mund të lëshonte vetëm 12,000 faqe deri në fund të janarit dhe një “minimum” prej 500 faqesh në muaj pas kësaj – që do të thotë se mund të jetë viti 2097 përpara se të gjitha dokumentet të bëhen publike.
FDA fajësoi problemet e personelit si arsye për ritmin e ngadaltë të publikimit të dokumenteve, duke pretenduar se ka vetëm 10 punonjës për të shqyrtuar kërkesat për FOIA.
“Është e rëndësishme që FDA të kryejë një rishikim të kujdesshëm rresht pas rreshti, fjalë për fjalë të të gjitha të dhënave të përgjegjshme përpara se t’i prodhojë ato në përgjigje të një kërkese FOIA,” tha Suzann Burk – e cila drejton Divizionin e Zbulimit dhe Mbikëqyrjes së Menaxhimit të FDA–së në një deklaratë të dorëzuar në gjykatë.
Burk vuri në dukje se një punonjësi i duhen tetë minuta për faqe për të kryer një rishikim nga afër të dokumenteve.
Gjykatësi i qarkut i SHBA Mark Pittman në Fort Worth urdhëroi FDA-në të rriste ndjeshëm prodhimin e publikimit të të dhënave.
“Gjykata arrin në përfundimin se kjo kërkesë për FOIA është e një rëndësie të madhe publike,” deklaroi Pittman – i cili u emërua në atë pozicion nga ish-presidenti Donald Trump në 2019.
Në urdhrin e tij prej katër faqesh, Pittman citoi një deklaratë që James Madison shkroi në një letër drejtuar WT Barry në 1822, “Një qeveri popullore, pa informacion popullor, apo mjetet për ta përvetësuar atë, nuk është veçse një prolog për një farsë ose një tragjedi; ose, ndoshta, të dyja. Njohuria do të sundojë përgjithmonë injorancën: Dhe një popull që synon të jetë guvernator i vetvetes, duhet të armatoset me fuqinë që i jep dija.”
Pittman citoi gjithashtu një thënie të vitit 1962 nga ish-presidenti John F. Kennedy, “Një komb që ka frikë t’i lejojë njerëzit e tij të gjykojnë të vërtetën dhe gënjeshtrën në një treg të hapur, është një komb që ka frikë nga njerëzit e tij“.
Pittman urdhëroi FDA-në të prodhonte 55,000 faqe çdo 30 ditë, “me prodhimin e parë që do të duhej më ose para 1 marsit 2022, derisa prodhimi të përfundojë“. Kjo detyron FDA-në të publikojë të gjitha të dhënat e vaksinës Pfizer deri në fund të verës në vend të vitit 2097.
Avokati Aaron Siri – i cili përfaqëson Profesionistët e Shëndetit Publik dhe Mjekësisë për Transparencë – reagoi ndaj vendimit të gjykatësit federal.
“Kjo është një fitore e madhe për transparencën dhe heq një nga pengesat, që kanë pasur autoritetet federale ‘shëndetësore’ mbi të dhënat e nevojshme për shkencëtarët e pavarur, për të ofruar zgjidhje dhe për të adresuar çështje serioze me programin aktual të vaksinave – çështje që përfshijnë rënien e imunitetit, variantet që shmangin vaksinën, imunitetin, dhe, siç ka konfirmuar CDC, se vaksinat nuk parandalojnë transmetimin”, shkroi Siri në llogarinë e tij në Substack.
“Asnjë person nuk duhet të detyrohet të përfshihet në një procedurë të padëshiruar mjekësore,” shtoi ai. “Dhe ndërsa është mjaft keq, që qeveria shkeli këtë të drejtë bazë të lirisë duke mandatuar vaksinën Covid-19, qeveria gjithashtu donte të fshihte të dhënat, duke pritur të prodhonte plotësisht atë, në të cilën u mbështet për të licencuar këtë produkt, derisa pothuajse çdo amerikan i gjallë sot të jetë. Kjo formë qeverisjeje është shkatërruese për lirinë dhe në kundërshtim me hapjen e kërkuar në një shoqëri demokratike.”
Reuters raportoi, “Departamenti i Drejtësisë, i cili përfaqësoi FDA në proces gjyqësor, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të enjten në mbrëmje. Pfizer, jo palë në padi, gjithashtu nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.”