BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH…
Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha & Prof. Dr. Tefik Basha
Shpesh, fjalët janë ato që mbushin hapësirat tona, duke kapur copëza përvojash që rrinë fshehur në thellësitë e shpirtit. Njerëzit flasin për vendet që u kanë lënë gjurmë, ato që shkojnë përtej peizazhit të dukshëm dhe hyjnë në një botë të padukshme, ku emocionet zgjohen. Kam dëgjuar shumë për Parisin, qytetin e dritave që ndrin natën dhe qëndron krenar mbi historinë e tij. Ishte një emër që gjithmonë qëndronte në majë të listës sime të dëshirave, një vend që mban në gjirin e tij magjepsjen e artit, kulturës dhe dashurisë së humbur në rrugët e tij të pavdekshme.
Herën e parë kur u gjenda aty, nuk isha një vizitore e lirë, por pjesë e një grupi deputetësh nga Parlamenti i Kosovës. Ndërsa shpirti im kërkonte të ndiqte rrjedhën e rrugëve të fshehura të qytetit, detyrat zyrtare ma përmbytën kohën. Monumentet madhështore, bukuritë që flasin pa fjalë, mbeteshin të shikueshme vetëm për një çast të shkurtër, si një ëndërr që humbet në zgjim. Vështrimet tona kalonin mbi to si një hije që nuk prek thellësinë, vetëm për të shënuar se “kemi qenë aty”. Në atë kohë më dukej sikur as qielli i Parisit nuk ndizej plotësisht për mua, sikur qyteti ruante magjinë e tij për një moment tjetër, për një vizitë të dytë kur do të isha e lirë nga oraret e ngushta dhe detyrimet pa fund.
Më ngushëllonte mendimi se do të vinte ajo ditë kur do të kthehesha sërish, jo si një e zënë me angazhime, por si një udhëtare që ndalet në çdo cep të qytetit, e përthith çdo aromë dhe ndriçim që i ofronte Parisi. Një ditë vjeshte, kur dritat e artë të qytetit do të pasqyroheshin mbi rrugët e ngjyrosura nga gjethet e rëna, dhe aroma e qiellit të kthjellët do të përzihej me frymëmarrjen e ngadaltë të Sekinës, atëherë do të shijoja çdo çast, një nga një, siç kisha ëndërruar gjithmonë.
Shpesh, me burrin tim flisnim për udhëtimet që do të bënim, për vendet që ruajnë në
gjirin e tyre një histori të thellë dhe një të kaluar të magjepsur. Egjipti, me piramidat që sfidojnë kohën dhe sfinksin që ruan sekretet e lashtësisë, ishte i pari në listën tonë. Më pas, Izraeli, me misteret e tij të larta mbi ujërat e Detit të Vdekur, dhe Barcelona, që rridhte në rrugët e saja si një lumë jetë, me “La Ramblan” që digjet nga dritat dhe zhurmat e përditshme.
“E Parisi?” mund të pyesë dikush. Ah, Parisi… Ai mbetej për një ditë të qetë, për një pasdite vjeshte kur çdo hap do të shkonte në harmoni me frymëmarrjen e qytetit, dhe çdo dritë do të ndizej me ngadalësi mbi zemrën time. Parisin e kisha ruajtur për një moment të lumtur, kur do të kishte kohë, hapësirë dhe qetësi për ta përqafuar në tërësi.
Tefik Basha & Sabile Keçmezi-Basha, para Kullës së Ajfelit, 2014
Parisi është një qytet që shkëlqen në çdo stinë, ku ngjyrat dhe ndjesitë ndërrohen si një vallëzim i përhershëm që vetëm ky qytet mund ta krijojë. Megjithatë, për ne, vjeshta ishte koha më e përshtatshme për të përjetuar magjinë e tij. 22 shtatori i vitit 2014 mbante një peshë të veçantë, një datë që do të mbetej e paharrueshme në kujtesën tonë. Ky nuk ishte një udhëtim i planifikuar nga unë, por një dhuratë që erdhi me dashuri, e përgatitur me kujdes nga Arta, Agoni dhe Tefiku, një surprizë e ëmbël që më la pa fjalë, veçse të pranoja dhe të përqafoja çdo çast të kësaj aventure të papritur.
Më shumë se një muaj përgatitje, ngazëllim dhe pritje të lumtura, ku çdo ditë më sillte një dritë të re, si një pranverë e vonuar që shfaqet me ngrohtësinë e saj në mes të shtatorit. Dhe ja ku erdhi ajo ditë – 22 shtatori, një e hënë e përshkruar nga rrezet e arta të diellit, dukej si dita ideale për një udhëtim të tillë. Qielli ishte i kthjellët, dhe ne ishim gati për të nisur drejt qytetit të ëndrrave, Parisit.
Por surprizat nuk ndaluan këtu – Agoni, i cili fillimisht hezitonte, vendosi të na bashkohej në këtë aventurë të papritur. Kisha kohë që mendoja se do të ishte mirë për të të udhëtonte me ne, pas gjithë lodhjes së doktoratës që i kishte rënduar shpirtin. Dhe ndonëse në fillim refuzoi, më në fund pranoi, ndoshta nga këmbëngulja ime që s’e lë rehat. Kur ai më në fund tha “po”, zemra mu mbush me një gëzim të papërshkrueshëm, e dija që ky udhëtim do të merrte një tjetër dimension me të pranë nesh, një ndjenjë më të plotë dhe të përkryer.
U nisëm nga Prishtina drejt Shkupit në mesditë, për të kapur fluturimin e orës pesë. Agoni, me qetësinë dhe kujdesin e tij të zakonshëm, na voziti me siguri drejt aeroportit, dhe çdo gjë ishte menduar me detaje. Lëmë makinën në parking, duke ditur se kjo zgjidhje praktike do të na lehtësonte kthimin, pasi nga Parisi do të ktheheshim në Shkup pas mesnate, kur akrepat do të preknin orën një të mëngjesit.
Me çdo hap të planifikuar dhe zemra plot gëzim, nisëm fluturimin tonë drejt Parisit – qyteti i dritave, qyteti i dashurisë dhe i kujtimeve të papërsëritshme që do të mbushnin shpirtin tonë për një kohë të gjatë.
Në orën 15:30, me një lëvizje të lehtë dorëzuam bagazhin, si të lëmë prapa barrën e ditës, dhe, saktësisht në orën 17:00, u gjendëm në vendet tona në aeroplan. Por në atë fluturim, një hije e vogël trazoi qetësinë – mungesa e vendeve të përcaktuara në biletat tona krijoi një trazirë të kotë, një rrëmujë mes pasagjerëve që më prishi magjinë e fillimit. Aeroplani i VIS-it, megjithatë, fluturoi i qetë, si një zog që përshkon qiejt pa mundim, dhe ngadalë, çdo udhëtar gjeti vendin e tij, ndërsa ne u përqafuam nga qetësia e kaltërsisë së pafundme.
Qielli na mbështolli me qetësi, ndërsa zëri i altoparlantit, si një pëshpërimë e largët, na lajmëroi për lartësinë që do të preknim – aq lart sa dukeshim të vegjël përballë madhështisë së hapësirës. Stjuardesat, me hapat e tyre të lehtë, si flutura të heshtura, na ofronin kafe dhe lëngje, duke ruajtur këtë paqe të ajrit. Njëra prej tyre filloi të demonstrojë rregullat e sigurisë me lëvizje elegante, si një koreografi e heshtur në mes të qiejve, por në atë moment çdo gjë u qetësua – pasagjerët nisën të bisedonin me zë të ulët, sikur të ishin duke ndarë sekrete të lashta.
Agoni, gjithmonë i kujdesshëm të mos e prishte këtë qetësi të mbushur me përsiatje, më tregoi disa foto nga një revistë që kishte gjetur. Por, si gjithë të tjerët, ai shpejt u zhyt në heshtje, duke respektuar atë paqe të paqtë të fluturimit. Tefiku, me një kureshti të thellë, vështronte përtej dritares, duke kërkuar majat e maleve dhe qytetet e largëta që kalonim poshtë nesh. Ndërsa për mua, qetësia më përfshiu butësisht, duke më ftuar në një dremitje të ëmbël, një prekje e lehtë e gjumit që më mbështolli ngadalë si një përqafim i paqetë i natyrës së qetë.
Por kjo heshtje e magjishme u thye papritmas, si një tingull që shpon qiellin. Një vaj fëmije, i fortë dhe i dhimbshëm, më zgjoi nga ëndrrat e mia. Ishte një tingull trishtues, që përshkoi zemrën time si një gjëmim i largët, duke më lënë pa fjalë. Një fëmijë i vogël, i përpëlitur në krahët e prindërve, qante me një dhimbje që ndjehej në çdo notë të zërit të tij të butë. Fytyra e tij ishte e skuqur, sikur një flakë e brendshme e digjte pa mëshirë, dhe prindërit, të rinj dhe të pafuqishëm, përpiqeshin ta qetësonin, por më kot.
Tefik Basha & Sabile Keçmezi-Basha, pranë lumit Siena, 2014
Vaji i tij më goditi në zemër, më tronditi shpirtin. E ngrita kokën dhe dallova se nëna fliste shqip, një tingull i njohur, që për një çast më afroi me ta: “Shiko, po digjet nga temperatura…” Zëri i saj dridhej, një përzierje e shqetësimit dhe dashurisë së pafund, një përpjekje e dëshpëruar për të shuar atë zjarr të brendshëm që digjte të voglin e saj.
Ndërsa dëgjoja, ndjeva një dhembshuri të thellë, si një valë që më mbushi zemrën me dëshirën për ta ndihmuar, për të bërë diçka, por edhe unë, si ata, mbeta e pafuqishme para kësaj skene njerëzore të prekshme. Në atë çast, një mendim më përshkoi si një dritë e papritur – kisha me vete një paracetamol, një ilaç që mund të lehtësonte dhimbjen e fëmijës. I kërkova Agonit të ma nxirrte nga çanta, por ai, me shqetësim të madh, pyeti me nxitim, duke menduar se mos isha unë e sëmurë.
Kur i shpjegova se ilaçi ishte për atë fëmijë të vogël që po qante pa pushim, ai shpejt zgjati kokën, duke parë gruan që përpiqej ta qetësonte me gjithë shpirt. Me një prekje të lehtë në krah, ai i ofroi barin, dhe në atë çast, gruaja e lodhur ktheu kokën dhe njohu Agonin – ishte shoqja e tij nga shkolla e mesme. Përshëndetjet e tyre të përzemërta u ndjenë si një rreze drite në atë qetësi të tensionuar, ndërsa ajo na tregoi, me një zë të ngrohtë, se fëmija i saj kishte një temperaturë të lartë që e kishte kapluar papritmas gjatë fluturimit.
Atëherë, diçka ndryshoi në ajrin e avionit – ndjenja e përbashkët mes nesh, udhëtarëve, u bë më e prekshme, më e thellë. Ndihma e vogël, miqësia dhe kujdesi u shndërruan në pjesë të pandashme të këtij udhëtimi të gjatë. Nën kujdesin e prindërve të tij dhe ndihmën tonë, fëmija filloi ngadalë të qetësohej, duke lënë pas atë vaj të dhimbshëm që përshkonte çdo cep të avionit.
Shikimi im u përqendrua tek ajo grua shtatzënë, e cila dukej sikur mbante mbi supe lodhjen e botës. Hapat e saj ishin të rëndë, të mbushur me përkushtimin e një nëne që nuk lëkundet përballë vështirësive. Burri i saj, me gjithë zemër e përkushtim, përpiqej të qetësonte fëmijën që nuk ndalej, dhe zëri i tij përhapej në çdo skaj të kabinës. Vura re se vogëlushi ishte veshur trashë, dhe me një fjalë të butë i sugjerova t’i hiqte disa rroba, që t’i sjellë lehtësi atij trupi të vogël të përfshirë nga zjarri i temperaturës.
Por, gruaja kujtoi se kishte me vete suposte dhe hezitonte t’i përdorte. Me një fjalë ngushëlluese, i sugjerova të shkonte në tualetin e avionit për ta ndihmuar fëmijën e saj. Dhe ashtu bëri. Pas një kohe që dukej sikur zgjati një përjetësi, vajtimi i fëmijës u ndal, dhe mbi avion ra një qetësi e thellë, e ngjashme me një oqean pa dallgë, e plotësuar nga frymëmarrja e lehtë e udhëtarëve të lodhur.
Si një perde e butë, qetësia mbështolli çdo gjë përreth, dhe për një moment gjithçka u ndje në paqe. E vetmja që theu këtë heshtje ishte stjuardesa, zëri i saj i lehtë na njoftoi se së shpejti do të ateronim. Në atë çast, ndjeva se udhëtimi, me të gjitha emocionet e tij të ndërlikuara dhe të papritura, po afrohej drejt fundit, dhe një ndjenjë lehtësimi e qetë më përfshiu.
Rreth meje, udhëtarët qëndronin në ulëset e tyre, fytyrat e tyre të njohura nga vendi im, të gjithë bashkëkombës të nisur drejt rrugës së largët të mërgimit. Në këtë avion të madh, përplot me shpresë dhe brenga, gruaja pranë meje, pa asnjë hezitim, nisi të rrëfente historinë e saj. Ajo po shkonte te vëllai, një premtim për një jetë më të mirë e priste atje, në tokën e huaj, ku ajo dhe burri i saj do të gjenin punë dhe siguri. Në sytë e saj, një dritë qëndronte pezull mes lumturisë dhe trishtimit, një dritë që përpiqej të fshihte dhimbjen e një largimi të gjatë, ndoshta të përhershëm.
U befasova nga gëzimi që ndjeva tek ajo, por një hije e rëndë preku shpirtin tim. Shikoja ata njerëz që po largoheshin, që me zemër të lehtë i thoshin lamtumirë atdheut të tyre, ndërsa brenda meje rridhnin kujtimet e errëta të vendeve të huaja. Pyetjet e brengosura më ndjekin në heshtje: A do të ktheheshin ata ndonjëherë? A do të riktheheshin në atdheun e tyre, në vendin që po e braktisnin me kaq shpresë? Varfëria e pamëshirshme i kishte shtyrë drejt një udhëtimi pa kthim, duke lënë pas gjithçka që kishin njohur e dashur. Dhe ndërsa ata udhëtonin drejt së panjohurës, ndjeva zemrën time të dridhej, por pa asnjë zë, duke qarë me lot të fshehur që rridhnin në thellësitë e shpirtit tim.
Tefik Basha& Sabile Keçmezi-Basha,Para teatrit Moulin Rouge, 2014
Kur pasditja e vonë po zbriste mbi Paris, avioni ynë preku tokën në aeroportin “Orly”, dhe si një lumë i heshtur, të gjithë udhëtarët filluan të renditen për të dalë, njësoj siç ishim ngjitur në bord. Pasaportat tona u dorëzuan në duart e ftohta të autoriteteve, dhe në atë çast e ndjemë veten se ishim zyrtarisht në tokën franceze. Desha t’i them Agonit se nuk na priste askush, por para syve tanë u shfaqën dy vajza me pamje të hijshme, me një buzëqeshje të ëmbël që vetëm francezet dinë ta dhurojnë.
Agoni kishte marrë me qira një shtëpi në zemër të Parisit për të kaluar më shumë se një javë, dhe këto vajza ishin pronaret e saj, të gatshme të na udhëzonin drejt banesës sonë të përkohshme. Sapo u rehatuam në makinë, unë, e magjepsur nga mrekullitë që rrethoheshin, fillova të eksploroj me sytë çdo peizazh që na kalonte pranë. Çdo
kilometër më afronte më shumë drejt zemrës së Parisit, por periferia e qytetit nuk la ndonjë përshtypje të veçantë. Ishin pamje të njohura, si ato që kisha parë në shumë udhëtime të tjera – shtëpi të vogla, njerëz të zënë me jetën e tyre, vetura të parkuara para dyerve të shtëpive. Dhe mendova me vete, me një buzëqeshje të lehtë: “Kjo botë, në fund të fundit, nuk është aq e madhe sa na është dukur dikur.”
Ndërsa përqafova me shpirt çdo pamje që shtrihej përpara meje, një pyetje e thellë më mundonte: Çfarë na ndan ne nga ky qytet, nga këta njerëz që e mbushin me jetë? Asgjë, mendova me vetëdije të qetë. Asnjë dallim nuk ndan përvojat tona, as pamjet që i shohim, as mënyra si ndjekim rrjedhën e përditshmërisë, as jetët që jetojmë. E vërteta ishte se çdo ndarje që mendonim se ekzistonte, ishte një iluzion i krijuar nga perceptimet tona, sepse në thelb, gjithçka që ne ndjejmë dhe përjetojmë është një reflektim i përbashkët i njerëzve dhe vendeve që na rrethojnë.
Vajzat, me buzëqeshje të gjera dhe qeshje të ngazëllyer, bisedonin me Agonin, ndërsa ne, pa ndjenja të qarta për rrethin, hynim në thellësinë e qytetit që ndryshonte me çdo hap të tij. Rruga, që fillimisht dukej e gjerë, tani më dukej e ngushtë dhe të ngarkuar me vetura që lëviznin ngadalë. Herë pas here, ndonjë klithmë e bezdisur nga vozitësit e shqetësuar ndërpriste qetësinë.
Vajzat na udhëhoqën drejt zemrës së qytetit, pranë lumit Sena, dhe u ndalën në një lagje që shndriste me bukuri dhe qetësi të veçantë. Tefiku, i cili kishte qenë më parë në Paris për studimet e tij, më tha me një buzëqeshje të qetë, “Ky është Parisi i dritave.” Unë, e habitur nga madhështia e qytetit, iu përgjigja se ai ishte gjithçka që kisha imagjinuar, por ai më bëri të kuptoja se magjia e tij do të zbulohej më plotësisht kur të binte nata.
Agon Basha & Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, para Portes Triumfale, 2014
Vajzat na çuan në banesën tonë, në katin e tretë, dhe kur hapëm derën, u ndjemë të mahnitur. Para nesh shfaqej një apartament i gjerë dhe i bukur, i mbushur me dritë dhe ngrohtësi. I zbukuruar me gjithçka që një familje mund të kishte nevojë, ishte një vend që ndihmonte të krijonim një ndjenjë të menjëhershme rehatie. Vajzat, me një ndjesi të ngrohtë dhe të kujdesshme, na treguan gjithçka që nevojitej – jorganët, peshqirët dhe artikujt e tjerë të nevojshëm – dhe, pas një përshëndetjeje të përzemërt, u larguan duke na lënë me një çelës që duhej të kthehej në kutinë e postës kur të vendosnim të niseshim.
Më dukej një besim i papritur dhe i çuditshëm. Shikoja me vëmendje çdo detaj të apartamentit, i vendosur në zemrën e qytetit, shumë pranë “Quartier Latin.” Tefiku kishte kërkuar që gjatë ditës të shijonim qytetin pa ndihmën e automjeteve, për të shmangur ngarkesën e tepërt të rrugëve parisiene.
Sabile Keçmezi-Basha& Tefik Basha, Sheshi i Sorbonës, 2014
Vendosëm të pushonim fillimisht, pasi zgjoheshim nga gjumi i thellë i një dite të gjata udhëtimi, të mbushur me ëndrrat e ndritshme dhe lodhjen e së ngjarës. Pas një çlodhjeje të thellë dhe rikuperimit të emocioneve, ne, si tre musketaret me çantat tona të ngarkuara, dolëm të shijonim qytetin e ëndrrave.
Rruga nga aeroporti deri në apartament kishte qenë e gjatë dhe, për të qenë të sinqertë, nuk kishte lënë ndonjë gjurmë në kujtesën time gjatë udhëtimit. Por tani, kur po e ecja me këmbët e mia, çdo gjë ndryshoi. Parisi më përqafoi menjëherë me jetën dhe gjallërinë që e mbushte. Rrugët e tij të bukura, ndërtesat e vjetra dhe të përkulura nga koha, gjithçka më bëri për vete. Njerëzit, të kapur në ritmin e përditshmërisë, ecën pa shikuar prapa, secili duke ndjekur drejtimin e vet. Në mbrëmjen e hershme, kafiteritë e vogla ishin të mbushura me klientë të ngazëllyer, dhe dyqanet e shumta ishin të hapura, duke pritur blerësit me dorë të hapur. Ky ishte Parisi që e kisha ëndërruar.
Por edhe tani, nuk e kam të qartë se si e kisha imagjinuar këtë qytet. A ishte ai siç e përshkruante Balzaku në librat e tij, apo siç e përshkruante Bodlleri në poezitë e tij të bukura? Apo ndoshta siç e paraqiste Tuluz Lotreku në pikturat e tij? Apo siç e këndonte Edit Piafi me zërin e saj magjik? Parisi ishte, në të vërtetë, qyteti i ëndrrave të mia. Ecja dhe çdo gjë doja ta ndjeja, ta prekja, të shija dhe të përjetoja thellësisht këtë qytet.
Agon Basha & Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Parku i Luksemburgut, 2014
Nga çdo kënd të qytetit, Kulla e Ajfelit shfaqej si një simbol i gjallë i Parisit. Parisi ishte Kulla e Ajfelit dhe Kulla e Ajfelit ishte vetë Parisi. Që nga ajo ditë, i propozuam të vizitonim këtë strukturë madhështore. Agoni, duke qeshur, më tha, “Mam, kemi kohë sa të duam. Do ta vizitojmë gjithsesi, por të shkojmë dhe ta shohim.” Unë kisha përshtypjen se ajo ishte shumë afër, duke lëvizur rreth saj, por isha gabuar. Për të arritur aty, na duhej të përballeshim me shumë kohë dhe shumë rrugë për të kaluar.
Ndërsa Tefiku propozoi me zgjuarsi, vendosëm që së pari të përfundojmë darkën dhe të pimë një kafe, e më pas të nisim të eksplorojmë qytetin me qejf. Në Kuartin Latin, ku restorantet ishin të panumërta dhe të mbushura me njerëz, më në fund gjetëm një vend të lirë dhe porositëm ushqimet tona të preferuara. Koha kaloi pa e vërejtur, dhe kur vendosëm të shkonim te Kulla e Ajfelit, orët ishin tashmë shumë vonë.
Parisi, ose “Qyteti i Dritës” siç e quajnë të huajt, është një nga qytetet më të rëndësishme në botë dhe një destinacion turistik i frekuentuar nga miliona vizitorë çdo vit. Më shumë se 33 milionë turistë e vizitojnë këtë qytet çdo vit, një numër që përkthehet në më shumë se një vizitor në sekondë. Ndërsa ne shijonim Parisin nga brenda, koha na sugjeronte që të pushonim dhe të përgatiteshim për eksplorimet e nesërme.
Me entuziazëm të papërmbajtur nga qyteti, as gjumi nuk na merrte, dhe ne endeshim pranë lumit Sena, duke u kënaqur me gëzimin që shihnim në fytyrat e njerëzve. Pas një kohe, mbërritëm në apartamentin tonë të ri, që na mbushi me emocione dhe na përqafoi me ngrohtësinë e saj.
Ndërkohë, Agoni, duke lexuar nga interneti, na parafrazoi fjalët mbi Francën dhe Parisin. “Dëgjoni, mam e baba, ja çfarë shkruan këtu,” tha ai dhe vazhdoi, “Republika Franceze është një shtet i vendosur në Evropën Perëndimore. Për shkak të disa territoreve të saj bregdetare, Franca ka zonën më të madhe ekonomike ekskluzive në botë. Kufizohet me Belgjikën, Luksemburgun, Gjermaninë, Zvicrën, Monakon, Italinë, Andorrën dhe Spanjën në Evropë, dhe me Holandën, Surinamin dhe Brazilin në Amerikë përmes territorit të saj jashtë shtetit në Guajanën Franceze.
Në jug-lindje, Franca është e lagur nga Deti Mesdhe, në perëndim nga Oqeani Atlantik dhe në veri-perëndim nga Kanali i La Manshit. Kryeqyteti i Francës është Parisi, qyteti më i madh dhe qendra kryesore kulturore dhe tregtare. Zona të tjera kryesore urbane përfshijnë Marsejën, Lionin, Tuluzin, Lillen, Bordon dhe Nicën. Franca është një nga themeluesit e Bashkimit Evropian, e zonës së Euro-s dhe e hapësirës Schengen. Ajo është gjithashtu anëtare e disa organizatave ndërkombëtare të rëndësishme, përfshirë NATO-n, nga e cila u tërhoq në vitin 1966. Sipërfaqja totale e Francës është 547,030 km², duke përfshirë 545,630 km² tokë dhe 1,400 km² ujë, dhe ka një vijë bregdetare prej 3,427 km. Sipas
regjistrimit të vitit 2010, Franca kishte një popullsi prej 65.4 milion banorësh, me një dendësi mesatare prej 110 banorësh për km², duke u renditur në vendin e 20-të në botë për nga popullsia.
Sabile Keçmezi-Basha, Muzeu i Luvrit, para pikturës së Monalizës, 2014
Klima e Francës është përgjithësisht kontinentale, me dimra të ftohtë dhe vera të buta, përveç bregdetit të Mesdheut, ku dimri është më i butë dhe vera më e nxehtë. Pika më e ulët e relievit është nën nivelin e detit në zonën e lumit Ronë (-2 m), ndërsa pika më e lartë është maja e Mont Blanc, që arrin një lartësi prej 4,807 metrash mbi nivelin e detit.”
Parisi, kryeqyteti i Francës dhe qyteti më i madh i këtij shteti, shtrihet si një gërshet i mrekullueshëm mbi dy brigje të lumit Sena, që e ndan atë në dy pjesë: bregun verior, të quajtur “bregu i djathtë,” dhe bregun jugor, “bregu i majtë.” Në këtë qytet të ndritur, zyrtarisht numërohen mbi 2.138.551 banorë, ndërsa bashkë me rrethin e tij, Parisi e mbush me 11.564.680 shpirtëra, sipas vlerësimeve të vitit 2005.
Që nga shekulli i 12-të, Paris ka qenë një qendër e ndritshme për arsim dhe art, duke u shndërruar në qytetin më të madh të botës perëndimore deri në fillim të shekullit të 18-të. Sot, ky qytet i mahnitshëm është një nga qendrat më të rëndësishme të biznesit dhe kulturës në botë, me ndikime të thella në politikë, arsim, argëtim, media, shkencë dhe art. Si një qytet i gjelbër dhe i pëlqyer për të jetuar, Parisi dhe rajoni i tij janë destinacioni kryesor turistik në botë, me katër vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe shumë organizata ndërkombëtare që i japin vlerë dhe rëndësi.
Parisi, që shtrihet në harkun verior të lumit Sena, përfshin dy ishuj të veçantë: Ishullin Saint-Louis dhe më të madhin, Ishullin e Qytetit, që përbëjnë pjesën më të vjetër të qytetit. Në përgjithësi, qyteti është relativisht i sheshtë, me pikën më të ulët që ndodhet 35 metra mbi nivelin e detit. Megjithatë, disa kodra ngrihen mbi qytet, ku më e larta është Montmartre, që arrin 130 metra.
Përveç parqeve të gjëra periferike, si Bois de Boulogne dhe Bois de Vincennes, Paris mbulon një sipërfaqe ovale prej 86,928 km². Klima e Parisit është tipike për oqeanin evropian perëndimor, e ndikuar nga rrymat e Atlantikut Verior, dhe gjatë vitit përshkruhet si e butë dhe me lagështi.
Në verë, Paris shpërthen në ngrohtësi dhe kënaqësi, me ditë të ndritura dhe temperatura që vallëzojnë mes 15 dhe 25°C, duke ndarë diellin e tij të artë. Megjithatë, çdo vit ka ditë kur termometri ngrihet mbi 32°C, dhe herë pas here, gjatë viteve të nxehta, si vala e të nxehtit e vitit 2003, temperaturat mund të shkojnë deri në 40°C, dhe natën pak ftohet.
Pranvera dhe vjeshta janë periudha të buta dhe freskuese, por gjithashtu të ndryshueshme dhe të paqëndrueshme, duke na habitur me ndryshime të shpejta të motit, ku ngrohtësia dhe ftohtësia bëjnë shpesh ndryshime të papritura.
Në dimër, dielli është një i mik që shfaqet rrallë. Ditët janë të ftohta, me temperatura që zakonisht janë rreth 7°C, duke u mbajtur mbi nivelin e ngrirjes. Ngricat gjatë natës janë të zakonshme, dhe temperaturat e ulëta mund të bien nën -5°C, ndonjëherë, vetëm për disa ditë në vit. Dëbora është e rrallë, por ndonjëherë bie një shtresë e lehtë e bardhë që zbukuron qytetin.
Shi bie gjatë gjithë vitit, dhe edhe pse Parisi nuk është një qytet me shumë shi, është i njohur për shira të lehta e të papritur. Reshjet mesatare vjetore janë 652 mm, shpërndarë me delikatesë gjatë gjithë vitit. Temperatura më e lartë e regjistruar është 40,4 °C më 28 korrik 1948, dhe më e ulëta është -23,9 °C më 10 dhjetor 1879.
Që nga dita e parë e qëndrimit tonë, ne filluam të eksplorojmë atraksionet më të ndritshme të qytetit. Kulla e Ajfelit, e bukur dhe madhështore, qëndronte krenare në qendër të Parisit dhe na thirri që të fillonim aventurat tona. Ajo ishte pikërisht nisja më e përshtatshme për ekskursione tona. Gjatë qëndrimit tonë, e kuptuam se shumica e atraksioneve ishin të grumbulluara pranë njëra-tjetrës, që e bënte vizitën shumë më të lehtë, pa nevojën për transport.
Kullën e Ajfelit e vizituam që në mëngjes, dhe megjithëse prisnim një kohë të gjatë për të siguruar biletat, arritëm të hyjmë aty diku pas mesditës. Në brendësi, pamja ishte e mrekullueshme, përveç tollovisë që krijonin turistët e shumtë. Dy ashensorët ishin të ngarkuar dhe, ndonëse nuk e shprehnim me zë, ndjehej si një katastrofë e mundshme.
Kur mbërritëm në katet e sipërme, ishte një kënaqësi të pinim një kafe në restorantin e kullës.
Nga aty, Paris dukej si në shuplakë të dorës: mund të shihnim Luvrin, Noterdamin, Senën, parkun Luksemburg dhe shumë vende të tjera. Lexova në Google se Kulla Eifel është prej hekuri dhe 300 metra e lartë, si një rrokaqiell me afërsisht 75 kate. Ajo është një nga simbolet më të njohura të qytetit dhe të Francës në përgjithësi. Fillimisht e konsideruar një tallje dhe e quajtur “asparagu i hekurt,” me kalimin e kohës, Kulla Eifel fitoi vend në zemrat e parisianëve dhe të publikut botëror.
Në vitin 1889, kur Parisi shpërthente në festë për Ekspozitën Universelle, u lartësua një strukturë magjike që do të mbetej përherë në kujtesën e qytetit. Kjo vepër e jashtëzakonshme, e krijuar nga mjeshtri i inxhinierisë Gustave Eiffel, mori emrin e tij dhe u bë atraksioni më i madh i ekspozitës, duke shërbyer si portë e hyjshme në hapësirat e saj të ndritshme.
Kulla e Ajfelit është një simfoni metalike e ndërtuar nga 7300 ton hekuri, ndërsa pesha totale e saj arrin në 10100 ton. E ndërtuar me miliona thumba, ajo është një
Tefik Basha& Sabile Keçmezi-Basha, në Panteon, 2014 strukturë që kërkon kujdes të vazhdueshëm, duke u lyer çdo shtatë vjet për të ruajtur shkëlqimin e saj. Në momentet e erës më të fuqishme, maja e kullës lëkundet deri në 12 centimetra, dhe lartësia e saj ndryshon deri në 8 centimetra në përputhje me ndryshimet e motit.
Kulla është e ndarë në tre nivele, dhe për të arritur në majë, do të kaloni 2652 shkallë, megjithatë, për t’u ngjitur në katin e dytë, mund të përdorni ashensorin. Në krye të saj, Gustave Eiffel ndërtuan një apartament të veçantë, ku ai ndonjëherë ftonte mysafirë të shquar, ndonëse ai vetë e mbante atë si një vend të veçantë dhe të privuar nga qiraja.
Ky monument i lavdishëm, ndonëse fillimisht u përball me kritikë dhe madje mendime për prishjen, sot është një magnet i vërtetë për rreth 7 milion vizitorë që çdo vit vijnë për të admiruara pamjet e tij mahnitëse. Tre katet e Kullës ofrojnë një panoramë të jashtëzakonshme të Parisit dhe përreth saj, dhe një restorant i mrekullueshëm shërben me ushqime dhe pije që shtojnë magjinë e këtij vendi të veçantë.
Pas përjetimeve të jashtëzakonshme në Kullën e Ajfelit, ne u nisëm për të eksploruar në anën tjetër të qytetit dhe për të vizituar Muzeun e Luvrit. Qëndrimi në radhë është një provë e zakonshme këtu, dhe pas një pritjeje të gjatë, ne arritëm të futemi në muze me biletat në dorë. Radhët ishin të gjata, dhe ndërsa prisnim, ndihesha i lodhur nga pritjet dhe i kërkova Agonit të shihte vetëm Mona Lizën dhe asgjë tjetër.
Sabile Keçmezi-Basha, kafiteria “Prokop”, 2014
Kur u futëm në muze, një reklamë e vazhdueshme për Mona Lizën na udhëhoqi drejt saj. I habitur nga madhështia e saj, kisha pritur të shihja një pikturë të madhe që mbushte një mur të tërë, por në vend të kësaj, ajo ishte një vepër e vogël që mbante një emër të madh. Buzëqeshja e saj dhe mjeshtëria e Leonardo da Vincit që e bëri të pavdekshme gruan e njohur në të gjithë botën, më mahnitën. Muzeu i Luvrit, një vend i lidhur thellësisht me Parisin dhe një nga muzetë më të vizituar në botë, ruan 35,000 vepra arti dhe artefakte që nga kohërat parahistorike deri në shekullin e 21-të. Ndërsa shëtisnim pranë, vizituam gjithashtu kompleksin Palais-Royal, që siç thonë ata, është “Parisi në miniaturë”, dhe u mahnitëm nga instalacioni i famshëm i artit Colonnes de Buren.
Nëse udhëton në Paris dhe nuk i jep një përqafim të ngrohtë lumin Sena, është si të mos kesh shkelur fare në këtë qytet magjik. Ne patëm fatin të shihnim këtë lumin me sy të mrekulluar dhe të ndjehej prekje e ujit të tij të ftohtë, duke e përjetuar kështu një pjesë të vërtetë të shpirtit parizian. Sena, me shëtitoret e saj të përshkruara si më romantiket në botë, është si një damar i gjallë që lëviz nëpër zemrën e Parisit, dhe brigjet e saj të mbushura me pasuri kulturore janë të shpallura si Trashëgimi Botërore.
Ajo është e mbushur me urat që kanë krijuar legjendë dhe historinë e qytetit. Nga 37 urat e saj, Pont Alexandre III është shpesh e lavdëruar si një nga më të bukurat në botë, e shoqëruar me një elegancë që shkon përtej imagjinatës. Ura Pont De Bir-Hakeim ofron një pamje të mahnitshme të Kullës së Eiffelit, ndërsa Pont Neuf, e quajtur Ura e Re, është më e vjetra që ka mbijetuar dhe e mbushur me histori. Po ashtu, Pont Des Arts, e njohur si ‘ura e dashurisë’, një vend ku çiftet e dashuruar linin dry për të ruajtur betimet e tyre të përjetshme.
Ndërsa ecnim nëpër rrugët e Parisit, na tërhoqi Qendra Pompidou, e hapur në vitin 1977, me një dizajn të diskutueshëm për atë kohë, e cila tani është qendra e artit bashkëkohor parizian. Ky monument modern strehon një koleksion të jashtëzakonshëm prej 100,000 veprash që përfshijnë të gjitha periudhat artistike nga Picasso deri tek instalimet moderne të videove.
Në përvojën tonë parisiane, Musée d’Orsay, muzeu i dytë më i vizituar në Paris, na ofroi një tjetër dimension të artit, i ndërtuar mbi një stacion të vjetër hekurudhor nga fundi i shekullit të 19-të. Ky muze është i njohur për koleksionin e tij të madh të impresionizmit dhe Post-Impresionizmit, duke e bërë atë një thesar të artit francez.
Harku Triumfal, një tjetër nga monumentet që duhet patjetër të vizitohen, është një dëshmi e lavdisë dhe kujtimit të luftëtarëve që dhanë jetën për Francën. I ndërtuar sipas porosisë së Napoleonit në 1806 për të festuar fitoren e tij në Betejën e Austerlitz, ky monument qëndron në qendër të Place Charles de Gaulle, ku 12 rrugët më të ngarkuara parisiane përplasen. Me 284 shkallë që çojnë në majë, dhe një pamje të jashtëzakonshme të Champs-Élysées, Harku Triumfal është një prej strukturave më të mëdha dhe të mëdha në botë, dhe ndërtimi i tij zgjati plot 30 vjet.
Nëse ndodhin të kalosh disa ditë në Paris, dhe nuk e viziton lagjen Monmartrin, duket sikur i je shmangur një pjesë të rëndësishme të shpirtit të qytetit. Montmartre, kjo lagje e mbushur me ndjenja artistike dhe nostalgji, e ka mbajtur përherë një bukuri të jashtëzakonshme në duar të bardha. Bazilika e Shenjtë, e njohur si “Zemra e Shenjtë,” është si një kështjellë e bardhë që ngrihet mbi qytet, një monument i pafund i shpirtit bohem që dikur e mbushte këtë lagje me ngjyrat e pasionit dhe imagjinatës.
Në rrugët e Montmartre, ndodhet Muri i Dashurisë, ku fjalët “Të dua” janë të shkruara në më shumë se 350 gjuhë, një monument për universalitetin e ndjenjës më të pastër dhe më të bukur që njerëzit mund të ndajnë. Po ashtu, ky lagje ishte vendi ku ka lindur tradita e kabareve, me Le Chat Noir që hapi dyert e tij në vitin 1881 dhe Moulin Rouge që ndriçoi skenën e natës parisiene nga 1889.
Në afërsi të Kuartit Latin, ku ne ishim ndodhur, çdo ditë ishte një aventurë e re në këtë mekë studentore. Quartier Latin, me kafene dhe restorante të mbushura me histori, është një vend ku Ernest Hemingway, Jean-Paul Sartre, dhe Simone de Beauvoir, dikur e zinin jetën e tyre me ndriçim dhe ide të mëdha. Ajo ofron gjithashtu një atmosferë të ngjeshur me emocion dhe të papërsëritshme.
Arta, e cila na kishte rekomanduar parkun e Luksemburgut, na e zbuloi këtë mrekulli të natyrës dhe arkitekturës. Ky park, me bukurinë e tij të mahnitshme dhe ndjenjën e qetësisë që ofron, është një oazë mes zhurmës së qytetit. E mbushur me turistë që kërkojnë një vend për të pushuar dhe për të shijuar bukurinë e pishinës artificiale, ajo përfaqëson një jetë tjetër, të ndarë nga ritmi i shpejtë i Parisit.
Paris është gjithashtu qyteti i parqeve, me më shumë se 450 hapësira të gjelbërta që ofrojnë mundësi për relaksim dhe reflektim. Po ashtu, ndër atraksionet e shumta që e bëjnë këtë qytet të paharrueshëm është Katedralja Notre-Dame, një nga simbolet më të rëndësishme të Parisit. Kjo katedrale gotike, e ndërtuar mbi rrënojat e dy kishave të mëparshme, është një ndërtesë madhështore që ngrihet në 130 metra gjatësi dhe 36 metra lartësi. Ajo përmban dy kulla të ndryshme, ku e veriorja është pak më e lartë, dhe një pllakë metalike në dysheme që shënon pikën zero kilometrike të Parisit.
Katedralja Notre-Dame, e prekur nga zjarri në vitin 2019, është një pasuri e madhe e qytetit, e cila i mbledh vizitorët më shumë se Kulla Eifel, një tjetër monument i qytetit. Në çdo hap që hedhim në Paris, çdo ndalesë dhe çdo shikim, jeta dhe historia e këtij qyteti na ndihmojnë të ndjejmë thellësisht për bukurinë dhe pasurinë që e bëjnë atë të veçantë.
Në mes të përvojave që mund të ofronte Paris, një perlë e veçantë ishte kafiteria më e vjetër në botë – Café Procope, një tempull i kulturës dhe historisë që ndodhej në lagjen e 6-të të Parisit. Ky vend i shenjtë, që u hap për herë të parë në vitin 1686 nga kuzhinieri sicilian Procopio Cutò, i njohur gjithashtu si Francesco Procopio dei Coltelli dhe François Procope, u bë një qendër e rëndësishme për jetën artistike dhe letrare të qytetit në shekullin 18 dhe 19.
Tefik Basha, para hyrjes në Pallatin e Versajës, 2014
Në këto mure të lashta, qëndronin bashkë të famshmit e kohës. Gjatë Revolucionit Francez, kur kapela frigjiane, simboli i Lirisë, shfaqej për herë të parë, Procope ishte një vend ku u takuan figura të shquara si Kordelierët, Robespierre, Danton dhe Marat. Në periudhën e Restaurimit, Alexander von Humboldt frekuentonte këtë kafene me besnikëri, duke shijuar drekën e tij çdo ditë nga ora 11:00 deri në mesditë.
Në këtë tempull të letrave dhe ideve, personalitete të tjera si Alfred de Musset, George Sand, Gustave Planche, Pierre Leroux, Anatole France dhe Mikael Printz ishin të pranishëm për t’i dhënë frymë vendit. Është thënë se edhe Voltaire, një nga titanët e mendimit, përpiqej të shijonte deri në 90 kafe në një ditë të vetme këtu.
Në vitet 1860, Café Procope shërbeu si një podium për Konferencën Mole, një vend ku Léon Gambetta dhe oratorë të tjerë francezë zhvillonin artin e tyre të të folurit publik. Emrat e tjerë aktivë gjatë kësaj periudhe përfshinin Ernest Picard, Clément Laurier dhe Léon Renault. Po ashtu, ky vend i shenjtë ishte frekuentuar nga La Fontaine, Voltaire dhe Enciklopedistët: Benjamin Franklin, Danton, Marat, Robespierre, Napoleon Bonaparte, Balzac, Victor Hugo, Verlaine dhe Anatole France.
Parisi, i njohur për modën dhe blerjet, është një qytet që ofron një spektër të gjerë për çdo shije. Pjesë e këtij spektakli janë dyqanet luksoze si Lafayette Haussmann, një nga dyqanet më të njohura dhe të vizituara në kryeqytetin francez. Po ashtu, Le Bon Marché, dyqani më i vjetër në Paris që daton që nga vitet 1850, dhe Forum des Halles me çatinë e saj të veçantë, La Canopée, janë destinacione që tërheqin vëmendjen.
Një tjetër vend i veçantë është libraria “Shakespeare and Company,” e vendosur përballë Notre Dame, përtej lumit Seine. Kjo librari, e hapur në vitin 1951 nga amerikanin George Whitman, është e njohur për ndihmën që i ofron shkrimtarëve të rinj dhe për ndërtimin e një qendre letrare në Paris. Në rafte të saj kanë kaluar emra të mëdhenj të shekullit të 20-të si Ezra Pound, Gertrude Stein, Ernest Hemingway dhe F. Scott Fitzgerald, duke e bërë atë një vend ku historia dhe literatura e Parisit janë të ndërthurura në një mënyrë të veçantë dhe magjike.
Libraria Shakespeare and Company, një oazë për shpirtërat krijues dhe të hutuar, ka qenë gjithmonë më shumë se një thjesht vend ku blihen libra. Ajo shërbente si një bujtinë për shkrimtarët dhe boemët që kërkonin një strehë të përkohshme, dhe kjo traditë e mikpritjes vazhdon edhe sot. E ndërtuar për të nderuar 400 vjetorin e lindjes së Shekspirit, kjo librari mbart një emër të njohur dhe një histori të veçantë. Emri i saj është një homazh ndaj librarisë legjendare të Sylvia Beach, e cila ishte një vend i takimeve të mrekullueshme dhe që u mbyll gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë tempull të fjalës, deri më tani, 30 mijë shpirtra janë gjetur një natë qetësie dhe frymëzimi, duke kaluar netët në një vend që është bërë më shumë se një librari – një strehe për ëndrrat dhe aspiratat e atyre që e kanë vizituar.
Ajo që na la pa fjalë të treve ishte madhështia e Universitetit të Sorbonës, një vend që e kërkonim me ngulm ta shihnim nga afër, sikur një thesar të fshehur të dijes. Në kohën e drekës, nisëm rrugën që na shpinte drejt tij, me zemrat plot emocion. Para hyrjes, pamë një grumbull studentësh të zënë me llafe, duke shkëmbyer ide, mendime, e ndoshta ëndrra të mëdha për të ardhmen. Përreth ndërtesës së universitetit, kafiteritë gumëzhinin nga zërat, por ajo që më tronditi thellë ishte prania e të pastrehëve, të shtrirë para portave të dijes.
Ata kishin zënë vend me batanije të holla, disa prej tyre pa asnjë mbulesë, duke bërë gjumin e tyre të qetë në mes të rrëmujës së qytetit. Një kontrast që më preku në shpirt dhe më la të habitur. Ishte një dukuri që e hasnim në çdo hap që bënim nëpër rrugët e Parisit. Të pastrehët ishin kudo: në rrugët kryesore, në ato dytësore, para dyqaneve, shpesh jo vetëm të vetëm, por me familje të tëra, të shoqëruar ndonjëherë nga ndonjë qen i vogël, si një shok besnik në këtë udhëtim të vështirë.
E çuditshme ishte se askujt nuk i bënin përshtypje. Studentët dhe profesorët hynin e dilnin, të zhytur në mendime, pa u shqetësuar aspak nga kjo panoramë e trishtë. U afruam tek hyrja e universitetit, por roja na ndali, duke na thënë se nuk mund të hynim brenda. Pikërisht në atë çast, fati na buzëqeshi. Një i moshuar, me siguri profesor në Sorbonë, kaloi aty pranë dhe, duke i folur rojës, tha: “Këta duhet të hyjnë.” Tefiku i tregoi se edhe ne ishim profesorë, dhe pa asnjë problem u gjendëm brenda asaj ndërtese të madhe, të mbushur me dijen dhe shkencën e botës.
U zhytëm në një magji të pazakontë, teksa vështrimi im endej mbi muret e larta të Universitetit të Sorbonës, ku reflektimet e dijes vallëzonin mes dritës dhe hijes. Universiteti ishte një thesar i ndritur me tavane madhështore që dukeshin sikur mbanin peshën e shekujve. Informacione të shkruara në fletë të varura në tablo zbukuronin sallat, ndërsa katedrat monumentale shfaqeshin si gurë të çmuar të arkitekturës. Hapat tanë kalonin mes këtyre mrekullive të fshehura, derisa arritëm në bibliotekën e madhe, ku mbretëronte një heshtje hyjnore, një qetësi që të përqafonte dhe të ftonte në përsiatje. Studentët lëviznin lehtë, pa zhurmë, me një gjallëri të brendshme që përcillej nga librat në duart e tyre.
Teksa ecja nëpër këto korridore të dijes, mendja më shkonte te Marije Kyri, e para shkencëtare që mbajti ligjërata në këto mure të lashta. E ndjeva veten krenare që po ecja në hapat e saj, ndjekur gjurmët e asaj që kishte ndriçuar me zbulimet e saj, shumë vite më parë. Frymëzimi i atij vendi na mbërtheu, dhe pas disa orësh të mbushura me magjinë e dijes, dolëm të heshtur, të thelluar në mendime. Mendimet tona u kthyen tek Universiteti i Prishtinës, dhe një ndjenjë e thellë krenarie më pushtoi, duke ndjerë se edhe ai kishte një vend të merituar pranë kësaj madhështie.
Sabile Keçmezi – Basha, në Pallatin e Versajës, 2014
Por vizita jonë në Paris nuk do të ishte e plotë pa ndalur në Panteon, monumenti i shpirtit francez, vendi ku pushonin ata që kishin dhënë gjithçka për letërsinë, artin, kulturën, politikën, e shkencën. Kur morëm biletat dhe u futëm brenda, një ndjenjë freskie e trishtimi na përshkoi. Në hollin e tij, fotografitë e dietarëve dhe artistëve që pushonin aty të kujtonin madhështinë e tyre të përjetshme. Me hapa të ngadaltë, futeshim thellë në këtë shpellë të historisë, kërkonim figurat që na preknin zemrën më së shumti: Marie Kyri, Balzakun, Zhan Poll Sartërin e të tjerë. Korridoret e nëndheshme ishin të pafund, dhe me secilin emër që lexonim, ndjenim peshën e kulturës dhe dijes që këta njerëz kishin dhuruar botës.
Në këtë vend, ku fryma e të mëdhenjve mbretëronte, çdo hap ishte një përkulje para madhështisë së tyre, dhe ne ndjeheshim si pelegrinë të dijes, duke iu përkulur historisë së përbashkët të njerëzimit.
Panteoni, një emër që buron nga greqishtja e lashtë, simbol i një tempulli të të gjitha perëndive, qëndron si një kurorë e lavdishme në zemrën e Parisit, në rrethin e pestë, atje lart mbi Montagne Sainte-Geneviève, në një lagje të mbushur me histori dhe jetë intelektuale – lagjen Latine. E ngritur mes viteve 1758 dhe 1790, me dizajnet e Jacques-Germain Soufflot-it dhe nën urdhrin e mbretit Luigji XV, ajo ishte menduar si një kishë madhështore, e përkushtuar për Shën Gjenovefën, shenjtoren mbrojtëse të Parisit, duke planifikuar që reliket e saj të preheshin aty.
Por revolucioni e ndërroi fatin e kësaj ndërtese. Në kohën kur ndërtimi përfundoi, shpërthimi i Revolucionit Francez e përmbysi qëllimin e saj fillestar. Asambleja Kushtetuese e 1791-shit vendosi që kisha e Shën Gjenovefës të shndërrohej në një mauzoleum të përjetshëm për qytetarët e shquar të Francës. Inspiruar nga Panteoni i Romës, i cili prej shekullit të 17-të ruante eshtrat e të mëdhenjve, ky monument francez do të bëhej vendi i prehjes së figurave më të ndritura të kombit. Ndërsa periudhat e ndryshme të historisë përfshinë ndryshime të njëpasnjëshme në qëllimin e saj – herë kishë, herë mauzoleum – më në fund, Republika e Tretë vendosi që ai do të mbetej përjetësisht një mauzoleum në vitin 1881.
Një nga momentet më të rëndësishme të historisë së tij ishte vendosja e eshtrave të Viktor Hygosë në kriptën e Panteonit në vitin 1885, duke shënuar një hap të madh drejt nderimit të figurave letrare të kombit. Kjo ndërtesë madhështore, me arkitekturën e saj të neoklasicizmit të hershëm, me kubenë që kujtonte Tempietto-n e Bramantes, ndryshoi me kohë, duke përjetuar modifikime në skulpturat e saj dhe në atmosferën e brendshme, e cila u bë më e errët dhe më solemne. Kjo ndërlikoi sadopak përpjekjen fillestare të Soufflotit për të kombinuar hijeshinë e katedrales gotike me parimet klasike.
Madje, Panteoni u bë edhe skena e një eksperimentit të famshëm: në vitin 1851, Léon Foucault vendosi të tregonte lëvizjen e përditshme të tokës duke pezulluar një lavjerrës nga tavani i tij, një kopje e të cilit ende qëndron atje sot, si një kujtim i përhershëm i kërkimit për të vërtetën shkencore.
Në Panteon, që nga dhjetori i vitit 2021, prehen eshtrat e 81 personave të mëdhenj – 75 burra dhe 6 gra – të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë franceze. Pjesa më e madhe e këtyre emrave të përjetësuar në Panteonizime u vendosën gjatë sundimit të Napoleonit, kur Perandoria e Parë ngrihej mbi botën. Ky tempull i përjetësisë dhe madhështisë, në heshtjen e tij solemne, mbetet dëshmi e lavdisë së një kombi që nderon dijetarët, artistët dhe heronjtë e tij me një përjetësi monumentale.
Pas vizitës sonë në Panteon, me një mendim të përbashkët vendosëm të ndalonim për një çast të qetë, për një kafe, në kafiterinë që qëndronte përballë madhështisë së Katedrales Notre-Dame. Ishte një moment ku do të merrnim frymë thellë përpara udhëtimit tjetër, dhe kështu porositëm kafen tonë të zakonshme, një kafe të thjeshtë, “nes kafe”. Koha na ikte shpejt, dhe për këtë arsye rrufitëm me ngut atë kafene të shkurtër. Kur erdhi momenti për të paguar, u ndjemë të befasuar – një kafe e thjeshtë na kushtoi 11 euro secila!
Kështu nxorëm një mësim të ri, një nga ato që mësohet vetëm përmes përvojës: nëse dëshiron të kursesh, qëndro larg kafeneve përballë monumenteve. Por nëse dëshiron të ndjesh luksin e fshehur në hijet e historisë, uluni aty dhe do të shihni faturën që ngrihet në lartësitë e ndërtesave antike. Një luks i paimagjinueshëm mund të të befasojë, por ja që ishte pjesë e ëndrrës sonë për Parisin.
Një ëndërr tjetër ishte Pallati i famshëm i Versajës, një ikonë e një bote të shkuar që ndërlidh madhështinë dhe pushtetin mbretëror. Një ditë të tërë ia dedikuam këtij monumenti të famshëm, duke e ditur se nuk ishte afër, por në periferi të Parisit. U nisëm me metro, që në Paris është udhëtimi më i thjeshtë dhe më i përshtatshëm. Teksa metroja lëvizte, fytyrat e turistëve tregonin se shumica ishin nisur për të njëjtën destinacion. Dhe kur zbritëm në stacionin e fundit, u drejtuam pas tyre, duke ndjekur rrugën drejt madhështisë që na priste.
Nga larg, Pallati i Versajës u shfaq i rrethuar me një gardh prej hekuri, që reflektonte fuqinë dhe shkëlqimin e së kaluarës. Hyrja na la pa fjalë – aq e madhe, aq e bukur, sa nuk dinim nga të fillonim për të zbuluar çdo cep të saj. Ecnim ngadalë, duke mos dashur që asnjë detaj të na shpëtonte pa parë. Tefiku, me një përkujdesje të veçantë, kapte çdo pamje, çdo skulpturë, çdo sallë nëpërmjet objektivit të aparatit të tij.
Ndërsa shëtisnim nëpër korridoret e pallatit, ndjenim sikur po preknim një pjesë të historisë franceze, duke ecur në hapat e mbretërve dhe mbretëreshave që kishin jetuar aty. I ndërtuar nga Luigji XIV, Mbreti Diell, pallati ishte projektuar si një simbol i fuqisë absolute, larg komplotit dhe intrigave të Parisit. Princër, ministra dhe oborrtarë jetonin bashkë me mbretin në këtë vend të bekuar me shkëlqim dhe luks të pa përshkruar.
Sot, Pallati është kthyer në një muze, dhe çdo vizitë të bën të kuptosh rëndësinë historike dhe kulturore të këtij vendi. Aty, në vitin 1919, u nënshkrua Traktati i Versajës që i dha fund Luftës së Parë Botërore. Me rëndësinë e tij në historinë botërore, më 1979, Pallati dhe Parku i Versajës u futën në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
I hapur për publikun, Versaja është kështjella më e vizituar në Francë, me miliona turistë që vijnë çdo vit për të parë këtë monument të mrekullueshëm. Dhe çfarë të tërheq më shumë se gjithçka tjetër është Salla e Pasqyrave – 357 pasqyra të vendosura në një sallë që reflekton dritën dhe luksin e një epoke të harruar. Kur u ndërtua në vitin 1678, pasqyrat ishin një luks i madh, dhe artizanët francezë duhej të josheshin për t’i krijuar këto pasqyra, të cilat sot janë simbol i bukurisë së Versajës.
Pallati është gjithashtu i rrethuar nga kopshte të mahnitshme, me qindra mijëra lule, pemë dhe shatërvanë që rrjedhin ujëra magjepsëse. Një mrekulli për syrin dhe shpirtin. Nuk mund ta lavdërosh vizitën në Paris, nëse nuk ke shkelur në Pallatin e Versajës, në këtë vend ku historia dhe arti bashkohen për të të lënë pa fjalë.
Të nesërmen udhëtonim drejt Belgjikës, dhe një pushim i gjatë në banesën tonë ishte vërtet i mirëpritur, si një moment qetësie përpara rrugës që na priste në horizont.