“OFIÇINA” e të vërtetave të pamëshirshme

0
Arben Çokaj - Ofiçina - tregime - kop

[ Porosit librin online: OFIÇINA dhe tregime të tjera nga Arben Çokaj]

Sa herë si lexues apo edhe si shkrimtar, gjendesh para një libri të ri, pyetja e para që të vjen në mendje, është se përse duhet lexuar ky libër? A është ky libër vërtetë i ri, një identitet unik, apo një klithmë e mbytur në korin e zërave pa identitet, që vijnë nga të gjitha anët në këtë botë të mbizotëruar nga zërat anonimë. Para këtyre pikë-pyetjeve u gjenda duke marrë në dorë dorëshkrimin e librit më titull më së prozaik dhe të vrazhdë “Ofiçina dhe tregime të tjera” të autorit Arben Çokaj.

Leximi i librit, tregim pas tregimi, vjen në vetvete si një zbulesë, që të bind se Arben Çokaj, ka histori për të rrëfyer dhe se këto histori, janë të mëvetësishme, histori që mund të rrëfehen vetëm nga ai. Aristoteli thoshte, që të shkruash duhet të kesh një histori për të rrëfyer. Dhe jo vetëm duhet të kesh një histori, por duhet të kesh një histori nga fillimi në fund. Dhe njeriu që ka bërë shumë gabime në filozofi, fizikë dhe kimi, kur është fjala për letërsinë është tepër i saktë. Nuk mund të këtë letërsi, pa rrëfim, pa ngjarje, pa histori. Shumë shkrimtarë të kohëve moderne e kanë harruar këtë rregull të artë aristotelian. Ndërkaq Arben Çokaj shkruan sepse ka histori për të rrëfyer.

E dyta, dhe që është po kaq e rëndësishme për shkrimtarin, ndërsa ulet të shkruajë një tregim, apo një prozë të gjatë, është se sa e veçantë është kjo histori, a mundet, që kjo histori të jetë e ngjashme dhe a mund të shkruhet kjo edhe nga autorë të tjerë. Ne nuk mund ta dimë, se çfarë shkruajnë mijëra e miliona autorë anembanë globit, por e dimë se çdo qenie njerëzore është unikale, e papërsëritshme, midis miliarda e miliarda njerëzve që kanë ekzistuar dhe ekzistojnë në këtë tokë. Secili individ është një qenie e përvetshme dhe përbën një histori të veçantë, të papërsëritshme, pavarësisht rrethanave të ngjashme, në të cilat jetojmë, periudhës histo¬rike në të cilën jemi lindur, jemi rritur dhe kemi jetuar.

Arben Çokaj nuk supozon të çudisë botën kur ulet të shkruajë; ai shkruan sepse ka historitë e tij për të rrëfyer, ka të vërtetën e tij për të dëshmuar, pa zbukurime e iluzione, të zhveshur nga sentimentalizmi dhe mëshira.

Në histori ka dy mënyra se si njerëzit i janë qasur të së vërtetës. Një mënyrë poetike, ku e vërteta gati konsiderohet si atribut i tjetërkujt, atribut hyjnor ndoshta, që i krijon një lloj imuniteti njeriut nga tragjizmi i ekzistencës dhe mënyrën tjetër, atë të ashprën të pamëshirshmen, brutalen, ku e vërteta, sado e frikshme dhe mizore të jetë, shqiptohet pa ndruajtje sipas konceptit të Kantit se “nëse e vërteta do t’i vrasë, le të vdesin”.

Në tregimet e tij, Arben Çokaj afrohet më këtë parim kantian, rrëfen të vërtetën mizore të ekzistencës njerëzore, në këtë botë, në të cilën jetojmë dhe në veçanti të vërtetën e shqiptarëve, në një periudhe krize dhe rrënimi. Edhe kur flet për “ngjyrat e dashurisë”, edhe kur rrëfen për ofiçinën kafkiane, autori shqipton po njësoj të vërtetën ngjethëse të ekzistencës, krizën e qenieve të trullosura nga liria, në kërkim të një identiteti dhe të një kuptimi të ri ekzistencial. Dhe këtë nuk e bën duke argumentuar, duke filozofuar, por duke rrëfyer histori, çka është edhe atributi i letërsisë.

Është kjo mënyrë e perceptimit dhe e shkrimit, që i bën tregimet e Arben Çokajt të veçantë, që të befasojnë me origjinalitetin, freskinë dhe thellësinë e tyre.

Lazër Stani

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.