O TASH O KURRË

0
Ryzhdi Baloku

Nga: Ryzhdi Baloku

Meqë në vitin 1999 Serbia e humbi luftën në Kosovë, iu kthye strategjisë së ripushtimit me metoda politike e diplomatike dhe luftës hibride. Por, nëse ky variant do t’ju dështojë, atëherë nën pretekstin se “Kosova është territor i Serbisë i okupuar nga NATO”, planifikon ta sulmojë edhe ushtarakisht në një moment të volitshëm, sikurse Azerbajxhani që e rimori Nagorno Karabakh-un, është kërcënuar me këto fjalë Presidentit Vuçiq, nëpërmjet mjeteve të informimit publik.

Vuçiq po harron se Kosova nuk është “Nagorno Karabakh” dhe se Serbia u ka borxh shqiptarëve, ngase para vitit 1878, Kosova shtrihej në sipërfaqen tokësore deri përtej Nishit, respektivisht deri te Molla e Kuqe, Sanxhak dhe Luginë të Preshevës, e që me 1912 u pushtua me ndihmën e Rusisë edhe pjesa tjetër e këtij territori, me disa periudha të shkurta çlirimi gjatë luftës së Austro-Hungarisë me Serbinë që përkrahej nga Rusia dhe invazionit të Gjermanisë mbi Jugosllavinë mbretërore.

Për ta kuptuar më mirë temën e parashtruar, do t’i referohem kujtesës nga e kaluara jo e largët për disa ngjarje të rëndësisë së veçantë që kanë të bëjnë me Kosovën dhe rreth saj. Mirëpo, kësaj here në këtë opinion timin nuk do t’i përfshij me emra politikanët e Kosovës dhe Shqipërisë, edhe pse shumica nga ta nuk janë edhe aq pa mëkate, për të cilët do të shkruaj me një rast tjetër.

Nën pretekstin e mirëqenies së popullatës në Kosovë dhe Serbi, me 2011 nisën bisedimet teknike përmes ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, që pastaj me 2012 evoluuan në ato politike, ku si “shpërblim” Kosova e “fitoi” fusnotën.

Më vonë, në këtë kontekst, në Kosovë nisën të formohen komunat e reja, në ato vendbanime ku kishte popullatë serbe, të cilat në ca raste për ta rritur numrin e popullsisë, ato u plotësuan me nga disa fshatra shqiptare, që do të konsideroheshin popullatë pakicë e atyre territoreve.

Çfarë ndodhi pas kësaj faze ?! Serbia kërkoi vetëqeverisjen një-etnike të këtyre Komunave, si një tërësi territoriale, me emërtimin “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe”, edhe pse sipas kushtetutës Kosova kishte statusin e shtetit shumë-etnik.

Përballë kësaj gjendjeje, politikanët e Kosovës nuk u treguan edhe aq të zgjuar, ngase, derisa serbët me 4 % të popullatës privilegjoheshin me 10 vende të rezervuara në Parlament dhe konsideroheshin popull shtet-formues i Kosovës, ku gjuha serbe kishte statusin e gjuhës zyrtare, në Luginën e Preshevës zhvillohej një presion i paparë ndaj shqiptarëve, ku shteti serb madje i çregjistronte nga regjistri i vendbanimeve dhe shtëpive të veta, me qëllim të pastrimit etnik të këtyre territoreve shqiptare.

Duke parë ecurinë e zhvillimeve të cekura karshi faktorit ndërkombëtar, kam bindjen se sipas sugjerimeve të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është hartuar draft Statuti për komunat me shumicë serbe i prezantuar tani në Kosovë si projekt i Diplomacisë Evropiane, edhe pse më herët është thënë se Statuti për Asociacionin duhet të hartohet nga ekspertët vendorë, si çështje e brendshme e Kosovës.

Përkundër telasheve që u përmenden më lart, është për t’u çuditur se si politikanët shqiptarë, me vëllezërit e vet, të një gjuhe e një gjaku, ende s’po ia dalin të gjejnë gjuhë të përbashkët për çështjet që e preokupojnë kombin !

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës, ende po dalin në votime për zgjedhjet lokale e parlamentare, të përçarë e të shkapërderdhur nëpër parti të ndryshme politike, thuaj se janë aq shumë në numër, sa që iu duket vetja sikur s’ka gjasa që t’iu cenohen të drejtat njerëzore e kombëtare dhe po-ashtu t’iu rrezikohet pjesëmarrja për t’u përfaqësuar denjësisht në organet e shtetit ku jetojnë !

Veç kësaj, shqiptarët e ndarë në disa shtete, në vend që t’iu ndihmojnë bashkëkombësve të vet përtej kufijve, ata me politikën e tyre amatore ka ndodhur që të veprojnë pa kurrfarë përgatitje diplomatike për arritjen e synimeve politike.

Përpos të përmendurave, në kohën e fundit ndoshta edhe pa qëllim është vepruar edhe kundër interesave të përbashkëta kombëtare (Kosovë – Shqipëri,) si me rastin “Ballkani i Hapur”, ide kjo e Aleksandar Vuçiqit për formimin e Jugosllavisë së re !

Për t’i sqaruar më mirë disa prej çështjeve të parashtruara në këtë shkrim, do të përpiqem t’i shoshit ato me një kujdes të shtuar.

Për mos shqyrtim në mbledhje nga ministrat në Këshillin e Evropës të vendimit për anëtarësimin e Kosovës, që ishte miratuar paraprakisht në Prill të vitit 2024 nga delegatët e Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate, e që sipas transmetimeve radio televizive dhe portalit “Klan Kosova” të dt. 17.05.2024, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, në fjalimin e tij aty, deklaron: “Është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi për t’i përmbushur zotimet që ka marrë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët dhe përkrahësit e saj të vendosur ndërkombëtarë”.

Sipas mediumeve të cekura më lart dhe këtij portali, ai po-ashtu në vazhdim të fjalimit të tij thotë: “Kosova nuk është futur në agjendën e Komitetit të Ministrave, pasi Qeveria e Kosovës nuk e ka përfillur kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë që ta dërgojë në Kushtetuese një draft-statut për Asociacionin”.

Mos të harrojmë se edhe Aleksandar Vuçiq ishte zotuar se pajtohet me përmbajtjen e Marrëveshjes së Ohrit, por pastaj nuk e ka nënshkruar, dhe për këtë askush “nuk i ka hipur në qafë”.

Pra, me një lexim apo dëgjim të kujdesshëm të fjalimit të këtij ministri, mund të kuptojmë se, duke e udhëzuar Qeverinë e Kosovës dhe duke e vënë në shënjestër “shkaktarin”, ai në një mënyrë, dashtë e pa-dashtë ia ka dhënë krahun Serbisë në Këshillin e (Ministrave të) Evropës, pa i përmendur aty obligimet e këtij shteti gjenocidal për mos zbatimin e marrëveshjeve të deridjeshme.

Bazuar në këtë fjalim të ministrit Igli Hasani, shihet qartë se ai s’është “lodhur fort” për Kosovën që të pranohet në Këshillin e Evropës pa kushte shtesë, por i sugjeron asaj që ta miratojë “gangrenën e shtetësisë”, respektivisht ta aprovojë “statutin e Lajçakut”, për asociacionin e komunave me shumicë serbe, në këmbim të asgjëje.

Ai njëherazi në atë fjalim harron ta përmendë se sipas kushtetutës së Serbisë, Kosova pa të drejtë figuron si pjesë e këtij shteti hegjemonist.

Pos të lartë cekurave, njashtu ai bëhet sikur nuk e di se kush ishin ndërmjetësuesit ndërkombëtarë për lehtësimin e dialogut Kosovë – Serbi, të cilët me ngulm insistonin për ta futur në jetë “zajednicën serbe” të hartuar sipas sugjerimeve të Vuçiqit.

Sipas asaj që kemi parë kohëve të fundit në dialogun e deritashëm, ku në vend se ndërmjetësuesit ndërkombëtarë të mbanin qëndrim neutral, apo madje edhe në një mënyrë t’ia jepnin krahun Kosovës si viktimë e luftës së atij shteti hegjemonist, përkundrazi, atë agresor ata e miklonin dhe e ndihmonin, duke ia miratuar kërkesat që mund të çonin në mos funksionimin e shtetit të Kosovës, si në Bosnje e Hercegovinë të shkaktuar nga “Republika Srpska”, gjegjësisht “Republika e serbëve”.

Se kush ishte njëri nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë për dialogun Kosovë – Serbi, më së miri e dëshmon “Bota Sot” e dt. 22.09.2023, me publikimin e një shkrimi nga “arkiva” e Josep Borellit, i cili në vitin 2018 e mbështeste hapur Serbinë dhe realizonte takime të afërta me Ivica Daçiqin, me ç’rast kishte deklaruar: “Në margjina të konferencës së OSCEMed pata një takim të këndshëm me zv. kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq. Biseduam për marrëdhëniet e shkëlqyera në mes dy vendeve tona. Ia përcolla mbështetjen e Spanjës në mosmarrëveshjen për statusin e territorit të Kosovës”.

Pos tij, edhe ndërmjetësuesi tjetër, Miroslav Lajçak vinte njëjtë nga një shtet që Kosovën e shihte dhe e sheh si pjesë përbërëse të Serbisë !

Përpos të përmendurve, Borell dhe Lajçak, gjatë bisedimeve të deritashme Kosovë – Serbi, ka pasur raste kur ndërmjetësuesi ka vepruar ndoshta edhe në mënyrë autonome.

Një rast i tillë ishte Richard Grenell, si i deleguar special për bisedimet Kosovë – Serbi i Presidentit Donald Trump, i cili me dt. 25.10.2023 u dekorua nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë drejtim mund të themi se, gati të njëjtat qëndrime i kishte edhe ndërmjetësuesi tjetër i SHBA-së, Gabriel Escobar (tani i liruar nga kjo detyrë, sipas VOAL. ch. dt. 05.05.2024 dhe portaleve tjera), bashkëshortja e të cilit e hapi ekspozitën në Beograd, që iu promovua nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.

Tash frik, në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill thotë: “Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura me politikën e qeverisë serbe ndaj dialogut me Kosovën dhe bashkëpunimin me Ukrainën”.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, i cili në publikimin e tij në “facebook” shkruan: “Ambasadori Hill tregoi anën e keqe të diplomacisë: duke parë vetëm gjërat pozitive (të cilat janë të pakta), por duke injoruar zhvillimet e këqija, si zgjedhjet e ashpra dhe kërcënimet ushtarake ndaj Kosovës. Jo shumë gjë e mirë për një diplomat me përvojë”, përcjell “Bota Sot” e dt. 07.06.2024.

Sa i përket Evropës, e cila kohë më parë i pat vënë sanksione Kosovës, kinse për veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara me faktorin ndërkombëtar, ma përkujtoi fabulën, kur ujku nga lart e kërcënonte qengjin që ishte poshtë rrjedhës së lumit, se po ia turbullonte ujin !

Nga ky këndvështrim mund të thuhet se edhe Kosova nga poshtë, “po ia turbullon ujin Serbisë”, atje lart rrjedhës së lumit !

Në vend se Evropa t’ia vejë sanksionet Serbisë për sulmin terrorist në “Banjska”, respektivisht në “Banjë” të Zveçanit, ajo jo vetëm se heshti, por “as që ia vuri veshin” kërkesës së Qeverisë Kurti për ndëshkimin e Serbisë dhe heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.

Të gjithëve na është e qartë, se shumica e politikanëve serbë dhe Aleksandar Vuçiq dëshirojnë që t’i shohin shqiptarët të përçarë, me qëllim që sa më lehtë t’i arrijnë synimet e tyre ekspansioniste.

Pos kësaj, tani dihet botërisht se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk e ka hallin për serbët e Kosovës, por përmes pretendimit të autonomisë territoriale, po tenton t’i gllabërojë tokat me pasuritë e shumta nëntokësore dhe mbitokësore që i ka veriu i vendit tonë.

Për ta ruajtur shtetin dhe kombin në të dy anët e Drinit dhe më gjerë, duhet ta kultivojmë dhe ruajmë sa më shumë miqësinë me SHBA përmes lobimeve të pandërprera.

Si përfundim të këtij shkrimi mund të them: Për të qenë faktor i rëndësishëm në regjion, mbi të gjitha, politikanët e të gjitha trojeve shqiptare, “o tash o kurrë” duhet të vetëdijesohen, sepse vetëm të bashkuar, shqiptarët do të respektohen e çmohen edhe nga shtetet përreth dhe përtej.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.