Nuk është fajtore pasqyra, që dalim ashtu si jemi

0
Nail Draga

Ese

Në vendet me traditë demokratike, zgjedhjet janë çështje normale e çdo mjedisi, ku qytetarët me votën e tyre shprehin vullnetin për subjektin politik dhe individët të cilët ata i përfaqësojnë, duke dëshmuar mbeshtetje për pushtetin aktual, apo dënuar ate për mos realizimin e premtimeve ndaj qytetarëve, që paraqet reflektim për të ndryshuar, sepse askush nuk është i përhershëm në skenën politike

Dr. Nail Draga

Nga miratimi i pluralizmit edhe në vendet e ish kampit socialist janë organizuar zgjedhje në nivele të ndryshme ku ekziston një përvojë e mjaftueshme që mund të trajtohet jo vetëm nga aspekti i sociologjisë politike. Ne këtë aspekt edhe shqiptarët në hapësirën e tyre etnogjeografike kanë realizuar një numër të konsideruar zgjedhjesh duke dëshmuar kapacitetin e tyre politik në mjedisin përkatës, ku në këtë aspekt as shqiptarët në Mal të Zi nuk janë përjashtim.

Dimensioni i dyfishtë i përfaqësuesëve të politikës

Duke marrë parasysh se në plurarizëm zhvillohen zgjedhjet për të qeverisur si në nivelin lokal dhe atë shtetëror, çështje të veçantë paraqet përfaqësimi në pushtetet përkatëse. Në krahasim me kohën e monizmit në pluralizëm përbërja e pushtetit varet nga formimi i shumicës parlamentare. Pikërisht kemi të bëjmë me përgjegjësinë e subjektëve përkatëse për emërimin e kuadrove sipas resorëve.

Edhe pse aty emërohen individë të profileve të ndryshme të tillët kanë dimension të dyfishtë, sepse ata fillimisht përfaqësojnë subjektin i cili i ka emëruar dhe së dyti edhe vetën e tyre. Në saje të përvojës së deritashme del së në resorët përkatëse, me përjashtime të rastit, nuk janë emëruar personat e qëlluar në aspektin profesional, nga del se kemi të bëjmë me përgjegjësinë e subjektëve politike përkatësisht me keqpërdorimin e demokracisë pluraliste.

Rastet e tilla dëshmojnë se kemi të bëjmë më deformimin e parimeve elementare sepse në vend që të vlerësohen vlerat profesionale e meritokracia, parësore janë përkatësia partiake, ku jo rrallë depërtojnë militantët dhe të dëgjueshmit të cilët janë bërë dukuri e kohës.

Grupet e interesit

Pikërisht nga qasjet e tilla në partitë politike, të cilat ma tepër iu ngjajnë grupeve të interesit apo të klanëve të ndryshme në ato anëtaresohen individë të ndryshëm jo për shkaqe programore apo ideologjike, por për interesa e ambicie personale të cilat ua mundëson partia ti realizojë kur të vie në pushtet. Të tillët nuk vijnë aty për të dhënë kontributin në qeverisjen e pushtetin lokal apo në qeverisjen qendrore, por për të realizuar interesat e veta personale, familjare e pastaj ata partiake. Dhe në sajë të rasteve të tilla del qartë se nuk është fajtore pasqyra qe dalim ashtu si jemi.

Dualizmi i mendimit politik

Përvoja e deri tashme në pluralizëm dëshmon se nuk mund të jemi të kënaqur në lidhje me ekzistimin e mendimit kritik për dukuritë e ndryshme shoqërore e ato politike. Madje këtu duhet cekur se kemi të bëjmë me një dualizëm politik, sepse kemi të bëjmë me partitë politike të cilat kanë qasje tjetër kur janë në opozitë e ndryshe kur janë në pushtet. Një qëndrim i tillë dëshmon se kemi të bëjmë me individë pa parime me interesa të rastit dhe si të tillë janë të politizuar dhe të dëmshëm për shoqërinë por përfitues të rastit.

Ndërsa një qëndrim i tillë nuk vlen për intelektualët në kuptimin e plotë të fjalës, sepse ata kanë mendim kritik të vazhdueshëm, për të prezantuar çështjet kontestuese shoqërore e politike me argumente, e jo duke anuar sipas shijes së klaneve apo preferencave të subjekteve në skenën politike.

Nuk ka dilemë se për intelektualë të tillë ka nevojë çdo mjedis, sepse mendimi kritik është në favor të avancimit të çështjeve shoqërore dhe politike. E kundërta ndodhë me intelektualët pasiv, përkatësisht oportunist, të cilët janë peng i vetvetes dhe i mjedisit si rezultat i interesit personal apo klaneve të ndryshme, andaj të tillët do mbesin individë të amortizuar përkatësisht anonimus pa autoritet shoqëror në mjedisin ku punojnë e jetojnë.

Presioni publik përmes guximit intelektual

Përfundimisht intelektuali nuk duhet të jetë spektator ndaj devijimeve shoqërore, por me guxim duhet ngritur zërin, duke qenë shëmbull për të tjerët. Ndërsa duke marrë parasysh mjedisin ku jeton duhet cekur se reagimi individual nuk ka peshën e duhur sikurse mund ta ketë përmes të një subjekti nga shoqëria civile, siç janë shoqatat e ndryshme si p.sh. të shkrimtarëve, artistëve, pedagogëve, sociologëve, gjuhëtarëve, arkitektëve, ekologëve, mediat etj. Qëndrimi për mes një subjekti të tillë nuk humb në vlerë, përkundrazi ka peshë të veçantë për të bërë presion publik për çështjet kontestuese shoqërore dhe si i tillë është më i pranueshëm në opinionin e gjërë.

Madje në saje të një qëndrimi të tillë do të dëshmohet se opinioni shoqëror nuk duhet të mbes peng vetëm nga përfaqësuesit e pushtetit apo të kumtesave të partive politike që janë kryesisht nga opozita parlamentare.

Vetëm me qasje konstruktive, në një ambient me kapacitet demokratik mund të arrihet konsenzusi i cili është i domosdoshëm për avancimin e çështjeve preokupuese shoqërore për të tashmen dhe të ardhmen.

(Nëntor 2023)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.