Një bisedë jashtë politikës, me biznesmenin e suksesshëm Besim Kuka

0
Besim Kuka

Ibrahim Kabili Me Besimin si person jam njohur pas viteve ’90. Familja e tij është larguar herët në Tufinë dhe unë nuk kam pasur kontakte me të. Kjo nuk do thotë, që më ka munguar shkalla e njohjes për familjen dhe fisin e tij. Babai i Besimit, Mexhiti ka qenë një njeri i mirë, punëtor, i zoti, i drejtë dhe shumë mikpritës. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Zyhranë rritën dhe edukuan shtatë fëmijë. Cilësitë dhe virtytet e mira ai i ka trashëguar nga familja. Familja e madhe në Bastar, ka pasur burra të përmendur dhe me tradita.

Ajo ka qenë familje me zë dhe shumë e kamur falë punës dhe aktivitetit të saj, kryesisht në blektori. Vetëm bagëti të imta kishte deri në 1500 kokë. Kjo familje ka qenë shumë e njohur në zonë, krahinë dhe më gjerë. Duke pasur ekonomi të fortë ka ndihmuar shumë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ajo ka pritur, strehuar dhe ushqyer si partizanët ashtu edhe nacionalistët. Mbas luftës filloi ndëshkimi. Familjes i’u morën triskat e frontit dhe u shpallën kulakë. Kjo pati pasojat e saj deri në vitet ’90…

Motivi kryesor që më bëri të shkruaj për Besimin ka qenë angazhimi i tij për të ndihmuar financiarisht dhe promovuar vlerat e krahinës sonë. Ai ka sponsorizuar në botimin e librit të parë për krahinën “Benda në rrjedhën e historisë”, “Sofrën e Bendës” 2016, si edhe disa veprimtari të tjera në kuadër të Shoqatës “Atdhetare Kulturore Benda”. Ai është modest dhe me vështirësi pranon të bëhet ky shkrim për të.

Me datën 15.08.2022 bëmë një bisedë te lokali i tij, Bar restorant “Shkalla e Tujanit”. Biseda qe miqësore, sa qe e mundur jashtë politikës, dhe pavarësisht pikpamjeve tona disi të ndryshme, qe objektive dhe shumë realiste…

Besim Kuka ka lindur më 01.01.1963. Arsimin fillor dhe atë tetëvjecar e ka mbaruar në shkollën e Tufinës në vitin1979 me rezultate shumë të mira. Ish -drejtori shkollës së Tufinës Skënder Jata, tani në pension, shprehet:

“Besimi qe nxënës shumë i mirë i në mësime. Krahas mësimit ai kishte edhe një sjellje shumë të mirë në shkollë dhe komunitet. Unë kam ruajtur marrdhënie të mira me atë dhe familjen e tij”.

Besimi duke u kthyer prapa në kohë, shton: “Shkollën e kujtoj me nostalgji të madhe. Mësuesit i patëm shumë të mirë, por unë dua të veçoj zyshë Vivin e fillores dhe mësuesen e mirë dhe të veçantë Qefsere Bodinaku”. Shkollën e mesme nuk mundi ta vazhdonte ditën për arsyet që u thanë më sipër. Për këtë, ai shton: “Bëra kërkesë sipas rregullave për shkollën e mesme ditën në tre degë; për pedagogjike, liceun artistik dhe veterinari. Nuk më doli asnjëra prej tyre.

Shkaku ishte biografia. U dëshpërova shumë, babai më mbante me “shpresë”, pasi më sqaroi shkaqet… Ndërkohë që unë fillova punë në kooperativën e Tufinës, unë vazhdova shkollën e mesme bujqësore pa shkëputje nga puna fillimisht në Tufinë dhe më pas në Babrru. Atë e mbarova me nota të mira. Kjo shkollë pati shumë kërkesa ndaj nesh dhe mësuesit ishin kërkues dhe shumë të mirë. Këtu veçoj mësuesin Agim Kazazi, një Tiranas shumë i mirë”.

Në vitet 1999-2005 Besimi ka mbaruar pa shkëputje nga puna, Insitutin e Lartë Bujqësor, në Fakultetin e Agronomisë, dega Agronomi. Veçoj pedagogët Fatbardh Sallaku, Ilir Kristo, Seit Shallari. Ka mbaruar edhe masterin në vitin 2006-2007 dhe është diplomuar për Inxhinier Agrar, i profilizuar për Frutikulturë.

Në vitin 1981, ndërkohë që punonte për të siguruar të ardhura për familjen, ai fillon sportin e mundjes në klubin “17 Nëntori”, sot “Sportklub Tirana”. Pranë këtij klubi është stërvitur 15 vjet radhazi si mundës. Nga puna dhe veprimtaria me këtë ekip ai ka patur rezultate shumë të mira. Po kështu ka patur edhe privilegje në punë që ja garantonte ligji për sportin. Për këtë, Besimi shprehet: “Këto qenë vite të bukura të miat, për mua vitet e sportit kanë qenë një shkollë e vërtetë. Kujtoj me respekt të madh profesorët e mi të mundjes Petrit Agalliu, Hasip Omuri, Viron Bezhani. Ekipi ynë ka pasur rezultate shumë të mira dhe kujtoj me shumë respekt shokët e mi të ekipit; Sokol Xheja, Izmir Hajdari, Izmir e Petrit Hajdari, Ndoc Qokaj, Shpëtim Grori, Vasfi Hoxha, etj.

Unë për nëntë vite kam zënë vendin e dytë, dhe katër vite kam dalë kampion vendi. Krahas veprimtarive në shkallë vendi kemi bërë edhe disa turne ndërkombëtare, si: Turne botëror në Krasno-Jaska, Siberi; turne botëror në Mançester, Angli ku unë kam zënë vendin e dytë në botë Jam vlerësuar me “Medaljen e Argjendë”; në kampionat evropian në Ostjo, Itali; turne botëror në Vankuver, Kanada ku kam zënë vendin e pestë në botë. Falë rezultateve të mia të larta brenda dhe jashtë vendit, jam vlerësuar me titujt, “Mjeshtër sporti”, dhe “Mjeshtër i merituar sporti”.

Për shkakun e marrjes me sport Besimi në vitet 1982-1984 punon në NNI. Ndërsa në vitet 1985-1986 kryen shërbimin ushtarak në repartin 929281 në Kodrës e Kuqe, Tiranë. Për këtë ai, vijon: “Prej sportit në repart kisha privilegje. Prej rezultateve në sport në repart më trajtonin shumë mirë”.

Në vitet 1987-1990 ai punon në Ndërmarrjen “Dekor Funeral” në Tiranë. Besimi në vitet ’90 përkrahu ndryshimet demokratike dhe mori pjesë aktive në to. Në vitet 1991-1992 ka qenë Kryetar i Këshillit në fshatin Tufinë dhe më pas Kryetar i Këshillit të Bashkuar Pluralist të Dajtit. Në vitet 2000-2002 ai ka qenë President i Federatës Shqiptare të Mundjes. Nga shtatori i vitit 2002 deri shkurt 2007 ka qenë Kryetar i Komunës Dajt. Për këtë periudhe, ai pohon: “Gjatë kohës si kryetar komune ndër të tjera, kam arritur: Të bëj një administratë komune efiçente, në 13 fshatrat e Komunës Dajt kam arritur të bëj një punë të mirë në infrastrukturën e rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve, kabinave dhe linjave elektrike etj.

Sipas mundësisë ka bërë apo rikonstruktuar disa objekte private të njerëzve në nevojë me fondet e mia. Gjatë kësaj periudhe jam marrë edhe me artin dhe veprimtaritë kulturore e artistike. U ngrit Ansambli “Dajti”, Gazeta “Dajti”. Kemi organizuar shumë veprimtari artistike dhe ndeshje futbolli në rang zone dhe jashtë saj. Vite të bukura them!”. Natyrisht këto veprimtari kulturore, artistike dhe sportive që ruajnë dhe promovojnë kulturën dhe u hapin rrugë talentëve të rinj në kulturë dhe sport, i kalojnë kufijtë e së bukurës dhe mbeten në kujtesën e brezave.

Në vitet 2013-2015 Besimi ka qenë Drejtor në Bashkinë Tiranë në Drejtorinë e Shërbimeve Funerale.

Krahas punës dhe veprimtarisë në sektorin publik Besimi ka qenë shumë i suksesshëm edhe në sektorin privat si biznesmen. Ai në vitin 1996 krijoi Firmën “Besa Universal” ku si aktivitet kryesor kishte në fushën e ndërtimit. Në këtë sektor ai punësoi për çdo vit deri në 50 e më shumë punëtor. Zgjerimi i këtij aktiviteti rriti edhe më shumë të ardhurat e firmës dhe u bë garanci për të vazhduar më tej. Këtë aktivitet ai e mbylli në vitin 2015. Në vitin 2016 ndërtoi dhe hapi Bar-Restorantin “Shkalla e Tujanit” dhe një biznes të vogël në, përpunim mermeri. Në këto dy aktivitete që ai punon aktualisht, ka të punësuar deri në 37 punëtorë.

Ky aktivitet privat vazhdon edhe tani, në këtë aktivitet falë mirmenaxhimit të tij vihet re një sukses edhe më i madh. Ai ka bërë investim të madh në lokal dhe përrreth tij. Ka krijuar ambiente kreative dhe shumë joshëse. Kjo garanton jetëgjatësi dhe zgjerim të aktivitetit. Kjo është në të mirë të familjes, punëtorëve dhe komunitetit të gjerë. E pyes Besimin: – Kush është “çelësi” i suksesit? Ai përgjigjet: Suksesi në biznes vjen nga puna serioze, ndershmëria dhe përkushtimi.

Pjesë e suksesit tim në biznes, ka qenë dhe mbetet edhe kontributi i bashkëshortes time, Mirandës. Pa të, nuk do të arrija deri këtu”. Nuk thuhet kot, që pranë një burri të sukseshëm, qëndron një grua e suksesshme… Besimi ka tre vajza dhe një djalë që kanë mbaruar arsimin e lartë. Shqetësim për Besimin është largimi në emigracion i fëmijëve. Dëshira e tij është rikthimi i fëmijëve në Shqipëri pasi ai i ka vetë mundësitë e punësimit të tyre në biznesin familjar!

Ibrahim Kabili
Tiranë më 17.08.2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.