Shkruan Luan – Asllan Dibrani
“Kur shteti hesht, ekstremizmi flet. Dhe kur ekstremizmi flet me armë, viktimë është shteti.”
Një realitet që nuk mund të mohohet më
Kosova ndodhet sot përballë një rreziku të brendshëm, të heshtur, por të thellë – radikalizmi islamik i importuar, që po përhapet me një shpejtësi alarmante, duke goditur vetë strukturat e shtetit dhe jetën e qytetarit të zakonshëm. Ky nuk është një fenomen sporadik, por një projekt i mirëmenduar që kombinon ndikimin e jashtëm me vakumin institucional dhe heshtjen vendore. “Radikalizmi fetar po talebanizon Kosovën – Koha për ta shpallur armik të Republikës”.
Dikur përmendej me krenari: “Kaçanikë, he shkëmb e gurë”. Sot, ai është bërë sinonim i rrjeteve të fshehta, i ndikimeve të huaja ideologjike dhe i heshtjes së frikshme institucionale. Në këtë qytet kanë vepruar kampe militante, kanë predikuar imamë të lidhur me axhenda të huaja, dhe janë rekrutuar të rinj për luftërat në Siri dhe Irak.
Kur në mars 2024 u dogj Gjykata e Kaçanikut, reagimi institucional mungoi. As hetime, as të arrestuar. Vetëm një heshtje që i jep forcë më tej rrjeteve radikale.
Turp për shtetin që nuk ngriti zërin për të nderuar këtë njeri të madh!
Turp për gjykatat dhe institucionet që nuk mbajtën as një ditë zie, as një protestë simbolike, për të treguar respekt për atë që dha jetën për rend dhe siguri!
Muhamed Lika meritonte më shumë se heshtje – ai meritonte një nderim që reflektonte sakrificat e tij për lirinë dhe paqen e Kosovës. Pa një veprim të shtetit, pa një simbolikë të fuqishme, ajo që ndodhi është një dështim i papranueshëm i atyre që duhet të kujdesen për integritetin dhe vlerat që ai përfaqësonte.
Ky nuk është thjesht humbja e një njeriu të ndershëm, por një dështim i shoqërisë dhe institucioneve tona që nuk i japin rëndësinë që meritojnë ata që kontribuojnë për këtë vend. Kur shteti hesht, e vrasim respektin që kemi për ata që luftuan për të.
Lavdi Muhamed Likës! U prehtë në paqe dhe kujtimi i tij qoftë dritë për brezat që vijnë!
Radikalizmi që ka emër dhe adresë
Nuk mund të flasim më për radikalizëm pa emër. Sot, zëri i qytetarëve dhe i ekspertëve ngre alarmin për rolin që ka luajtur Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) në lejimin – dhe shpeshherë në mbështetjen indirekte – të përhapjes së kësaj ideologjie. Nëse një institucion fetar lejon përhapjen e ekstremizmit dhe glorifikimin e dhunës, ai nuk është më shtyllë shpirtërore, por kërcënim kombëtar.
Kërkesë për shpallje si organizatë terroriste
Bazuar në faktet e deritanishme, kërkohet:
- Shqyrtimi ligjor për shpalljen e BIK dhe strukturave të saj ekstremiste si organizatë terroriste, nëse vërtetohen lidhjet me ideologji radikale, grupe të dhunshme dhe qendra destabilizuese të huaja.
- Ndjekja penale e individëve përgjegjës, brenda dhe jashtë vendit.
- Bashkëpunim ndërkombëtar për identifikimin e rrjeteve në diasporë.
Kjo nuk është ndëshkim. Kjo është mbrojtje e Kushtetutës dhe e vetë jetës së qytetarëve tanë.
Çfarë duhet të bëjmë?
Kosova nuk mund të heshtë më. Kërkohet veprim i menjëhershëm:
- Plan kombëtar për deradikalizim dhe edukim qytetar.
- Largimi nga arsimi dhe administrata i çdo individi që shpërndan urrejtje fetare.
- Monitorim i rreptë i çdo predikimi në xhami.
- Ligje të forta kundër rrjeteve me prirje ekstremiste.
- Pjesëmarrje e hapur e intelektualëve dhe medias në luftën kundër talebanizmit të Kosovës.
Përfundim: Heshtja është bashkëfajësi
Çdo ditë pa veprim është një ditë që ekstremizmi fiton terren. Nuk është më koha për retorikë diplomatike. Është koha për veprim ligjor dhe qëndrim kombëtar.
❗️Radikalizmi nuk është fe. Është armë. Dhe Kosova nuk mund ta tolerojë më asnjë ditë më tepër.