NDSH-isti QË U BËRI BALLË FURTUNAVE TË KOHËS (Faik Mehmeti, 1928-1994)

0
Prishtina e vjetër

Sadri Rexhepi

Faik Mehmeti u lindur në fshatin Vranidoll të Komunës së Prishtinës në vitin 1928. Rrjedh nga një familje e ndershme dhe patriotike, punëtore dhe bujare, me tradita patriotike, përparimtare dhe arsimdashëse të Llapit. Fëmijëria e tij shkollore përkon me kohën e sundimit të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene(SKS), apo më mirë të themi Jugosllavisë versajiste. Atëherë kur përdoreshin metodat më të egra diskriminuese e më çnjerëzore nga regjimi pushtues i sundimtarit antishqiptar Nikolla Pashiqit, ndaj popullit shqiptar në përgjithsi e ndaj arsimit në veçanti.

Faiku shkollën fillore e fillon në gjuhen serbe, por krahas kësaj shkollle ai vijoi mësimet edhe në mejtepin të cilin e kishte hapur Mulla Emin Statovci, ku gjysma e orarit mësimor zhvillohej për fe islame e gjysma për mësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, gjuhes më të bukur për ne, siç e portretizonte në poezitë e tij i madhi ynë Naim Frshëri e shumë poetë e shkrimtarë të tjerë pas tij. Ndërsa pas pushtimit të mbretërisë jugosllave nga forcat nazi-fashisnë në prill të vitit 1941 ai mësimet në gjuhën shqipe i vijoi në shkollën e Besisë e cila ishte hapur në vitin 1941 nga kryetari i komunës së Besisë Shaban Tenezhdolli. Në vitin 1943 e mbaron progjimnazin në Prishtinë, kurse të mesmen e kryen me kurse të ndryshme në Prishtinë në vitin 1948.

Ai fillimisht ka punuar me nxënës në Kishnarekë në moshën 14 vjeçare, e në disa shkolla tjera të Drenicës. Pastaj në Slivovë, më vonë në Siqevë, e në ndërkohë ka punuar në Koliq, Brezhnicë dhe Halabak. Një kohë ka punuar edhe në shkollën fillore të Metohisë paralele e ndarë e Kërrpimehit. Ishte shokë i ngusht i heroit të kombit, Shaban Shalës, ndërkaq pas vitit 1957 kur Shaban Shala emërohet kryetar NDSH-së, Faiku emërohet këshilltar dhe sekretar i NDSH-së të cilën e udhëhiqte Shaban Shala. Në kryesinë udhëheqse të asaj organizate që numronte rreth 300 veta, bënte pjesë edhe Rexhep Musliu, Mustafë Kikaj, Ramadan Rekaj, Sadik e Jahja Maloku etj.

Pas zbulimit të anëtarve të organizatës në vitin 1962 ai burgoset bashkë me Shabanin dhe shokët tjerë të organizatës, mirëpo pas tetë muajve në seancën e pare, pasi Shaban Shala e merr përgjëgjsinë e gjithë grupit, Faiku bashkë me të gjithë shokët e tij lirohen nga përgjegjësia për veprimtari armiqësore sipas regjimit në fuqi, edhe pse të gjithë kishin kryer veprimtari të ngjeshur atdhetare. Ka punuar në regjione të largta nga vendlindja ku nuk kishin mundësi ta shpiunonin ata që e nihnin.

Ndërkaq, pas ardhjes së Miftar Beqirit për drejtor shkolle në Besi e ku gravitonin edhe tetë shkolla tjera në njërën nga këto shkolla, në Sharban Faiku emërohet mësues. Më vonë vjen në Rimanisht, pastaj shkon në Barilevë e pastaj vjen në Besi dhe në fund vendoset në Vranidoll prej ku edhe pensionohet. Vlen të përmendet se në kohën sa ishte drejtor Miftar Beqiri, Shkolla Fillore “Nexhmi Mustafa” e Besisë ishte bërë çerdhe për të punësuar të burgosurit politik, si Nuhi Gashi, Faik Mehmeti, Selman Berisha, Adil Pireva, Rexhep Musliu, Zeqir Gërvalla etj, pas rehabilitimit që iu kishte berë nga Asllan Fazlia. Të gjithë mësuesit e komunës së Prishtinës janë rehabilituar nga Asllan Fazlia.

Së këndejmi, Faiku ishte një pishtar i dritës dhe diturisë në mjedisin ku ka punuar dhe vepruar.

Ai kishte një grua të mrekullueshme e cila i rriti dhe edukoi fëmijët e tij dhe e ruajti familjen dersa ishte Faiku në burg dhe gjithashtu edhe deri sa punoi në vende largëta larg vendlindjes së tij të dashur.

Ajo ja punoi një shtrojë që quhej “janë”’ me një Shqiponje në mes. Mirëpo, ajo Shqiponjë u bë “mollë sherri” pas vitit 1981 në mes tij dhe një kolegu të tij në kolektivin ku punonte, sepse kolegu e akuzonte veç tjerash edhe për shqiponjën në “janin”, që e shtrote në odë.
Faiku ishte shumë i urtë por kur nervozohej shumë ishte vështirë të qëtsohej. Ai pas kësaj akuze u ngrit në këmb dhe tha se “sa te kam jetë”, atë jan asnjë njeri nuk guxon ta largojë nga oda e tij.

Po ashtu edhe për një shqiponjë prej metali pa yllin pesëcepësh që e kishte vendosur në dyert e oborrit, është intervistuar disa herë nga policia shqipfolëse që ishin në shërbim të regjimit serbosllav. Edhe më e rëndë ishte kur disa shqipfolës ia organizonin nxënësit që t’ia bojkotonin mësimin me “arsyetimin” se nuk duam të na mësoj armiku i shtetit tonë!?

Shtrohet pyetja a e dinin nxënësit kush ishte aemiku i shtetit? Përgjigjëja është jo. Mirëpo nxënësit i organizonin veglat shqipfolse të sigurimit shtetëror të UDB-së serbosllave. Por këto veprime absurde, banale, idioteske i hidhte poshtë këshilli i mësimdhënësve i shkollës ku punonte.

Në vitin 1990 anëtarët e NDSH-së që kishin mbetur gjallë deri në këtë kohë, janë tubuar disa herë në odën e autorit dhe në odat e atyre të tjerëve nëpër vendet e ndryshme të Kosovës, prej të cilëve i kam mbledhur shënimet lidhur me mënyrën e organizimit të aktiviteteve që i kanë kryer në kuadër të NDSH-së nga viti 1957 e deri në vitin 1962, derisa janë zbuluar nga rrjeti i spiunimit i UDB-së.

Faiku gjatë punës në procesin edukativo arsimor ka arritur suksese të konsiderushme në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të kësaj treve, për çka është shperblyer me dekorata dhe mirënjohje.

Ai ishte një model i mësuesit të përkushtuar dhe kishte veprime të ndershme dhe sjellje korrekte. Edhe ky si shumë mësuesë të tjerë vuri një gur të madh në kështjellën e pamposhtur të arsimit shqip në Besi dhe më gjerë. Së këndejmi, të gjithë nxënësit që i edukoi dhe arsimoi e donin e çmonin dhe kishin respekt të vaçantë ndaj tij.

Faiku ishte aktiv edhe në aktivitetet tjera jashtëmesimore, si në aktivitete të lira, po ashtu edhe në organet qeverisëse të shkollës. Ai ishte edhe anëtar Pleqësie, Tubimit të punëtorëve dhe Sindikatës.

Faiku vdiq me 1994 dhe u varros me nderime të larta, në fshatin e tij të lindjes, në Vranidoll. Ai shkoi në amshim me sytë çelë, siç kanë shkuar para dhe pas tij edhe shumë atdhetarë të tjerë anë e kënd Kosovës, për ta parë Kosovën të lirë e të pavarur.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.