Ndryshime në Strategjinë e Arsimit Parauniversitar: Perspektiva dhe Sfidat e Reja

0
Studimi parauniversitar
Leke Pepkolaj
Leke Pepkolaj

Nga Prof. Asoc. Dr. Lekë Pepkolaj

Para se të fillojmë!

Para se të bëhen ndërhyrje apo ndryshime në sistemin parauniversitar, që koha i kërkon, duhet të kryhen studime pilot të vërteta dhe nga specialistët e fushës, duke përfshirë aktorë të ndryshëm si kërkues shkencor, pedagog, mësues, drejtues shkollash.

Po çfarë qasje filozofike duhet ndjekur, ose më saktë, cili duhet të jetë rendi i tyre?

Duhet nisur nga qasjet jokonjitive: kompetencat ndërdisiplinore, administrimi i stresit, empatia, motivimi, etj., më pas ato metakonjitive: çfarë dimë të bëjmë me atë që dimë, vetëkontrolli, vetëadministrimi, aplikime në jetën e përditshme dhe në fund qasjet konjitive, tipike lëndore. Madje, rekomandoj që ky të jetë edhe rendi i ndërhyrjeve.

E parë nga ky këndvështrim, ndërhyrjet kanë qenë pothuajse të gjitha lëndore. Tani, me rastin e PISA-s, ka një tentativë për qasjet metakonjitive. Ndërkohë, qasjet tipike jokonjitive janë lënë plotësisht në harresë, dhe madje ka shumë pak studime mbi to.

Megjithatë, bazuar në përvojën e kërkuesit shkencor dhe njohjen e mirë të sistemit parauniversitar, do të përpiqem të jap disa rekomandime për ndërhyrjet. Do të filloj nga radhitja e duhur e tyre dhe, aty ku është e mundur, do të sugjeroj edhe ndonjë zgjidhje konkrete.

  1. Rikuperimi ose rikthimi i dinjitetit të mësuesit

Mësuesi është një shtyllë shumë e rëndësishme e procesit të mësimdhënies dhe nxënies. Ky është një problem delikat, jo vetëm në vendin tonë. Por si mund ta zgjidhim? Më poshtë paraqesim disa pika ku mund të ndërhyhet:

Çmime në nivel lokal – Përzgjedhja e “Mësuesit më të mirë të shkollës”, kuptohet që duhet të funksionojë meritokracia.

Punimi më i mirë shkencor i mësuesit – Me udhëzimin e ri mbi trajnimet, punime të tilla janë të akredituara dhe njihen si kredite pë zhvillim profesional.

Paraqitje pozitive në media dhe rrjete sociale – Për shembull, të krijohen dokumentarë mbi Ministrat e Arsimit shqiptar, si rasti i Mirash Ivanajt, si dhe të ketë vazhdimësi për emisione të tilla që sjellin pozitivitet.

Rritja e respektit reciprok në binomin mësues-prind – Të realizohen takime më të shpeshta mes tyre për të diskutuar problemet e arsimit, duke krijuar një klimë respekti dhe besimi ndaj mësuesve.

Mësuesi të mos ketë stresin për vendin e punës – Dihet që ka shkolla me numër të vogël nxënësish, por gjithashtu edhe klasa me mbi 35 nxënës. Duhet rishikuar mundësia e uljes së numrit të nxënësve për klasë ose përdorimi i dy mësuesve në një klasë, ai me përvojë të jetë pedagogjisti, tjetri seminaristi.

  1. Strategji e re për Digjitalizimin e Shkollës

Është e domosdoshme një strategji e veçantë për digjitalizimin e shkollës. Është krijuar Manuali për përdorimin e TIK në procesin e mësimdhënies/nxënies, por kjo nuk mjafton. Ja disa pika kyçe:

Aplikacioni SELFIE (Self-reflection on Effective Learning by Fostering the use of Innovative Educational Technologies – Vetë-reflektim mbi mësimin efektiv duke nxitur përdorimin e teknologjive arsimore novatore. Përmendet në Strategjinë e Arsimit Parauniversitar si një mjet që do të pilotohet, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë informacion konkret mbi zbatimin e tij. Ky aplikacion gjeneron një raport “SELFIE” që identifikon pikat e forta dhe të dobëta të shkollave në lidhje me përdorimin e teknologjive digjitale, duke ndihmuar në përcaktimin e rrugës për përmirësim. Për aplikacionin tjetër, SELFIEforTEACHERS, nuk është bërë asnjë përmendje. Ky aplikacion funksionon ngjashëm me SELFIE, por fokusohet në vlerësimin e kompetencës digjitale të mësuesve.

Një tjetër hap i rëndësishëm do të ishte krijimi i një chatbot-i administrativ ose një mjeti tjetër teknologjik që të ndihmojë mësuesit në lehtësimin e ngarkesës së tyre. Sot, gjithnjë e më shumë, mësuesit po largohen nga procesi mësimor për shkak të barrës administrative, dhe kjo është një problematikë me përmasa ndërkombëtare.

Fazat e integrimit të teknologjive digjitale në arsim

Përdorimi i teknologjisë digjitale në arsim kalon nëpër tre faza kryesore:

Aplikimi i Modelit TAM (Technology Acceptance Model) ose modelit të pranimit të teknologjisë
Në vendet perëndimore, kjo fazë është tejkaluar prej më shumë  se 25 vitesh, ndërsa ne jemi ende në dilemë: A na duhet apo jo teknologjia në mësimdhënie? Kjo vjen për shkak të ndikimit të fortë të kurrikulës së vjetër, një shkollë tipike bihevioriste. Kujtoj rastin e Suedisë, e cila realizoi një pilotim për përdorimin e tabletave në shkollën fillore dhe më pas i hoqi ato. Në vendin tonë, pati shumë lajme që e interpretuan këtë si një provë se “ne e dinim që tabletat nuk duheshin”, pa një analizë më të thelluar mbi arsyet e këtij vendimi.

Përdorimi i teknologjisë dhe mjeteve të saj. Për shembull, paketa office, mjetet digjitale të mësimdhënies dhe platformat interactive të e-learning. Ka përparime në këtë drejtim, por ende mbetet shumë punë për të bërë.

Ndërtimi me anë të teknologjisë. Kjo është faza më e avancuar, që përfshin krijimin e drejtimeve të personalizuara të nxënies. Shumë vende, si Franca dhe Suedia, po punojnë intensivisht për këtë, duke integruar Inteligjencën Artificiale në Arsimin Parauniversitar. Në këtë drejtim, vendi ynë është jashtëzakonisht mbrapa dhe ka nevojë për hapa konkretë për të mos mbetur prapa zhvillimeve globale.

  1. Kurrikula

Kjo kurrikul, e cila është futur në vitin 2014, ende quhet “kurrikul e re”. Nga një studim që kemi realizuar disa vite më parë, rezulton se 70% e mësuesve preferojnë kurrikulën e vjetër. Kjo lidhet me faktin se pilotimi fillestar dhe trajnimet e vazhdueshme nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndihmuar mësuesit të kuptojnë filozofinë e kurrikulës së sotme. Tani, rikthimi i kurrikulës së vjetër nuk mund të jetë më një opsion, por duhet investuar në burimet njerëzore dhe infrastrukturore për një zbatim sa më efektiv të kurrikulës aktuale. Në fakt, ndikimi i kurrikulës së vjetër mbetet ende shumë i fortë. Mësuesit me përvojë janë formuar dhe kanë dhënë mësim për vite me atë qasje, ndërsa mësuesit e rinj nuk dalin të përgatitur me filozofinë e kurrikulës së re.

Disa pika që duhen rishikuar për një zbatim më të suksesshëm të kurrikulës:

Integrimi i teknologjisë sipas Modelit TAM (Technology Acceptance Model). Për të përmirësuar pranimin dhe përdorimin e teknologjisë në mësimdhënie, është e rëndësishme të fokusohemi në dy faktorë kryesorë: Perceptimi i dobisë – Nëse një teknologji shihet si e dobishme për procesin mësimor, ka më shumë gjasa të pranohet nga mësuesit dhe nxënësit. Lehtësia e përdorimit – Nëse teknologjia është e thjeshtë për t’u përdorur, shanset për ta pranuar dhe për ta integruar në mësimdhënie rriten ndjeshëm. Kjo qasje do të ndihmonte në lehtësimin e tranzicionit nga një model tradicional drejt një qasjeje më të avancuar dhe të përshtatur me nevojat e kohës.

Krijimi i Zonës Future Classroom Lab: Future Classroom Lab është një model edukativ i krijuar nga European Schoolnet, i cili ofron një mjedis inovativ për të nxënit, të dizajnuar për të mbështetur qasjet moderne didaktike të integruara me teknologjinë. Ky model bazohet në gjashtë zona të të nxënit: Hulumtimi: Eksplorimi i temave dhe analizimi i informacioneve. Krijimi: Zhvillimi i ideve dhe projekteve përmes metodave inovative. Shkëmbimi – Ndërtimi i një komuniteti mësimor për ndarjen e njohurive dhe përvojave. Prezantimi – Paraqitja e koncepteve dhe rezultateve të punës në mënyrë krijuese. Ndërveprimi – Përdorimi i teknologjisë për të rritur pjesëmarrjen dhe angazhimin. Zhvillimi – Përmirësimi i vazhdueshëm i kompetencave dhe aftësive. Pjesë e këtij laboratori mund të jenë nxënësit, mësuesit, drejtuesit e shkollave, pedagogët dhe kërkuesit shkencorë. Ky mjedis është krijuar posaçërisht për të nxitur bashkëpunimin midis grupeve të ndryshme, duke shfrytëzuar fleksibilitetin e zonave të të nxënit dhe integrimin e teknologjisë në procesin arsimor.

Veprimtari ekstrakurrikulare të tipit jo-konjitiv, sidomos në arsimin e detyruar dhe për lëndet që nuk pëlqehen. Qëllimi i këtyre veprimtarive është të shtojmë dashurinë për lëndët shkencore si matematika, fizika dhe kimia. Rekomandohen veprimtari të tilla si: Shkenca në jetën e përditshme – Demonstrime dhe eksperimente praktike. Historia e shkencëtarëve – Rrugëtimi dhe sfidat e tyre për të frymëzuar nxënësit. Lojëra me tematika shkencore – Puzzle, kuize dhe sfida logjike. Shkencat përmes artit – Teatër shkencor ku nxënësit luajnë skena të bazuara në koncepte shkencore.

Arsimimi në ambient të hapur natyror: Ky lloj arsimimi ndihmon në lidhjen e teorisë me praktikën dhe nxit eksplorimin. Disa ide për veprimtari: Biodiversiteti – Eksplorimi i pyjeve dhe parqeve për të studiuar bimët, insektet dhe kafshët. Mësime ndërdisiplinore në natyrë: Art – Pikturë ose skulptura me materiale natyrore (degë, gurë, lule). Matematikë – Llogaritja e distancave ose matja e pemëve me mjete të thjeshta. Letërsi – Leximi i poezive ose tregimeve në natyrë për të nxitur krijimtarinë. Teatër në natyrë – Interpretimi i veprave artistike në ambient të hapur.

Mendimi kritik: Edhe pse janë organizuar trajnime të shumta për mendimin kritik, ai ende nuk zbatohet në mënyrë efektive në mësimdhënie. Një pengesë kryesore është ndikimi i kurrikulës së vjetër, e cila favorizon një qasje të bazuar në modele absolute dhe shembuj idealë (p.sh. mësuesi më i mirë, mjeku më i mirë i Tiranës, etj.). Zgjidhja është ndryshimi i mentalitetit për gabimin – ai duhet të shihet si një mjet didaktik i vlefshëm. Nëse një nxënës nuk bën gabime, nuk ka asnjë siguri që ai e kupton vërtet materialin. Dalja e gabimit na tregon sesa të saktë e kemi atë embrionin e nxënies. Kjo qasje duhet të fillojë nga vetë mësuesit, duke i mësuar nxënësit që gabimi është pjesë e të nxënit. Mësuesi për vete e ka frikë gabimin dhe kjo frikë transmetohet tek nxënësi. Nuk ka teori pedagogjike që ndalon gabimin! Një ide praktike – të organizohen cikle leksionesh mbi gabimet e shkencës në histori për të treguar sesi dija evoluon përmes dyshimit dhe korrigjimit të gabimeve. Në momentin që nxënësi heq ndrojtjen e gabimit, i lind ideja e dyshimit të së vërtetës. Ky është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të mendimit kritik. Filozofi Karl Popper thotë:“E vërteta, sa më shpejt të përgënjeshtrohet, aq më mirë është.”

Edukimi i nxënësve për vërtetësinë e informacionit – Në shkolla duhet të analizohen informacione të pasakta nga Wikipedia, për të mësuar nxënësit të dallojnë burimet e besueshme nga ato të dyshimta. Ky edukim do të ndihmojë në zhvillimin e aftësive të mendimit kritik dhe verifikimit të informacionit në internet.

Tekstet shkollore: Nga një studim i bërë del që, 70% e mësuesve ishin pro tekstit unik, pasi e shohin si udhërrëfyesin kryesor të mësimdhënies. Kjo vjen nga ndikimi i kurrikulës së vjetër, ku teksti ishte mjeti kryesor didaktik. Sfida aktuale – Tekstet shpesh kanë gabime ose janë përshtatur nga vende me realitet të ndryshëm arsimor nga i yni. Zgjidhja: Problemin e shohim tek ‘dija ose lënda që sjell mësuesi në klasë, këtu duhet të ketë fleksibilitet në këndveshtrim të personalizimit të nxënies. Duhet t’i permbahemi tekstit sipas nevojave që kanë nxënësit. Në këtë prizem duhet të kemi dinamike të teksteve. Kjo kërkon një përditësim të vazhdueshëm të njohurive dhe praktikave mësimore nga ana e mësuesve.

  1. Investimi real tek burimet njerëzore duke filluar nga figura kryesore e mësuesit
  • Janë bërë dhe vazhdojnë të bëhën ndërhyrje të ndryshme për rritjen profesionale të mësuesit, por akoma gjendja nuk është e mirë.
  • Problemi më i madh është procesi i monitorimit të trajnimeve. Në trajnime nuk ngel asnjë mësues.
  • Duhet shkolla ta shfrytëzojë dhe madje ta ndajë me mësuesit e tjerë modulet trajnuese të bëra.
  • Tematikat e moduleve janë mjaft të ngjashme dhe një numër mjaft i lartë i tyre. Kemi një studim në dorë mbi kompetencën e të mësuesit për të nxënë, janë mbi 500 module trajnuese dhe nuk ekziston asnjë i tillë.
  • Thirrjet për module të reja janë 1 hërë në 4 vite. Duhet gjetur mundësia të futen module të reja trajnuese çdo vit. Madje të përditësohen modulet trajnuese ekzistuese.
  • Ka agjensi trajnuese që kanë konflikt interesi, ketë Ministria e Arsimit nuk duhet ta lejojë.
  1. Kërkimi shkencor dhe lidhja me rrjetet profesionale

Kërkimi shkencor është një problem delikat për vendin tonë, por ka ardhur koha që të bëhet edhe në arsimin parauniversitar. Ju njihet si veprimtari me kredite. Kërkimi shkencor i bërë duhet të ndahet me rrjetet profesionale, ku tani ndahen më shumë gjëra teorike dhe trajnime të bëra brenda dhe jashtë vendit. Nëse flasim për ndryshime në sistemin parauniversitar, është kërkimi shkencor që duhet të na drejtojë për ndryshime të tilla. Një kërkues shkencor duhet të zhveshet nga burokracitë e lejeve për të bërë kërkim shkencor në arsimin parauniversitar.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.