NDIHMUAN ÇERDHEN E FËMIJËVE “GËZIMI YNË” NË VITI

0
Engjëll Koliqi - ndihmë

Mërgimtarët, duke frymuar me mushkëritë dardane:

Shoqata Integruese Kulturore Humanitare “STUBLLA” me seli në Lecco të Italisë, i dhuroi Çerdhes së Fëmijëve “GËZIMI YNË” në Viti shumën prej 2500 Euro, për rregullimin e një dritareje dhe për blerjen e mjeteve mësimore dhe të lodrave për fëmijët që frekuentojnë në këtë çerdhe.

Engjëll Koliqi Shkruan: Engjëll KOLIQI
Viti, qershor 2022

Me nismën e Shoqatës Integruese Kulturore Humanitare “STUBLLA”, me seli në Lecco të Italisë, Çerdhja e Fëmijëve “GËZIMI YNË”, para më se një viti, ka pranuar një fëmijë, i dyshuar për autizëm.

Kryetari i kësaj shoqate, Pashk Ballabani, disa herë ka ardhur nga Italia, për t’u kujdesur për gjendjen dhe përparimin e fëmijës në fjalë. Secilën herë që ka ardhur Pashku, i shoqëruar nga pedagogë dhe edukatorë vendorë të Stubllës, ka vizituar Çerdhen dhe përveç interesimit për atë fëmijë, janë interesuar edhe për mbarëvajtjen e përgjithshme të Çerdhes.

Në vizitën e fundit, të bërë gjatë muajit maj të këtij viti, Z. Ballabani, i shoqëruar nga vajza e tij Kristina, psikologe, u interesua më shumë se herave të tjera, për mbarëvajtjen e punës në Çerdhe. Pasi i vizitoi të gjitha lokalet e brendshme, ku edukohen e luajnë fëmijët, duke biseduar me drejtoreshën, me logopeden dhe me edukatoret aty, u interesua për gjithçka që kanë nevojë dhe që mungon aty. Duke i parë nevojat dhe mungesat, Ai i premtoi drejtoreshës ndihmë financiare.

Sapo u kthye në Itali, Pashku bisedoi me kryesinë e Shoqatës dhe i sugjeroi Drejtoreshës që t’i drejtohet Shoqatës me një kërkesë me shkrim, sepse do të miratohet e plotësohet. Arriti kërkesa, u mblodh kryesia dhe u miratua kërkesa e brenda pak orësh, nga vullnetarë të shoqatës u tubuan 2500 Euro, për plotësimin e kësaj kërkese.

Unë që, në fund të majit, isha për një vizitë njëjavore në Itali, pata fatin të jap një kontribut të vogël në këtë akcion humanitar të shoqatës, ku dikur isha anëtar, duke i sjellur ato mjete financiare në Viti dhe solemnisht ia dorëzova Drejtoreshës, në praninë edhe të edukatoreve të Çerdhes. Ishte vërtetë një kënaqësi e brendshme shpirtërore, që më bëri të ndjehem jashtëzakonisht mirë, duke qenë i pritur dhe i falënderuar edhe nga Kryetari i Vitisë. Z. Sokol Haliti. U ndjeva krenar edhe i vlefshëm, që edhepse në pleqëri, tashmë pensionist, pata fatin dhe mundësinë të kontribuoj, duke i sjellur këto mjete nga Italia.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.