Në realitetin e jetës përballemi me një kategori njerëzish, të cilët janë të veçantë sepse kanë plot vlera e virtyte. Ndoshta janë të rrallë, por nëse i ke prezentë në jetë do të kuptosh që botës i ka mbetur paksa vlerë fisnikërie e vitytesh sapo i sheh fytyrat e tyre. Një njeri i cili ka në mendje dhe në shpirt sinqertitetin është padyshim person i rrallë nga i cili mund të presësh vetëm mirësi, përkushtim e të vërteta.Prezenca e një njeriu të sinqertë të jep shumë shpresë dhe të bën të kuptosh që edhe pse jemi në një botë ku mbizotëron gënjeshtra e mashtrimi, përsëri sinqeriteti mbetet “Mbret i të gjithë kohrave” sepse është i veçantë, i rrallë dhe vetëm gjërat e veçanta mund ta rrëmbejnë zemrën dhe vëmendjen e të gjithëve.
Një njeri i tillë i veçantë ishte edhe i ndjeri, i paharruari Lilo Abazaj, të cilin e kam njohur në rininë time kur sapo kisha filluar punën mësues në shkollën Armen Vlorë. Isha në moshën 20 vjeçare me vrulle rinore dhe me mungesë përvoje e pjekurie. Krahas punës si mësues më kishin caktuar të drejtoja organizatën e rinisë të fshatit të bukur Armen, i cili kishte gjallëri me shumë aktivitete artistike-folklorike e sportive. Kur e takova për herë të parë u emocionova nga biseda dashamirëse atërore që bëri me mua si një prind i dashur. Me një qetësi e urtësi më këshillonte. Në fytyrën e tij të qeshur, në sytë e tij rrezatohej sinqeritet,mirësi e ndershmëri. Ishte shumë i thjeshtë në komunikim me të gjithë. Punonte me përkushtim. Me një durim të veçantë drejtonte mbledhjet me kooperativistët për zgjidhjen e mosmarrveshjeve apo konflikteve të ndryshme. Me urtësi e dashamirësi kritikonte të metat për të forcuar disiplinën në punë.
Kur punoja mësues në shkollat e qytetit Selenicë Vlorë i ndjeri Lilo Abazaj ishte emëruar drejtues i institucionit të komitetit të partisë të qytetit Selenicë, të cilën e drejtonte me shumë përkushtim e ndershmëri. I ndjeri Lilo Abazaj me karakterin e tij të fortë e solid, me personalitetin e ndritur nga virtytet më të mira ishte frymëzues në jetën shoqërore, ekonomike, arsimore e kulturore të qytetit të Selenicës, që në atë kohë kishte rreth 10 mijë banorë, 2 mijë punëtor në minierën e bitumit , mijra punonjëse në fermën frutore -bujqësore – blegtorale e të bimëve medicinale të Selenicës, dy shkolla 8 vjeçare,shkollë të mesme të përgjithshme, e bujqësore, teknikum miniere,dhe disa kopshte parashkollore,ku jepnin mësim mbi 100 mësues me rreth 2 mijë nxënës
Zemërmiri Lilo Abazi me komunikimin e thjeshtë,të butë të embel lehtësonte shqetësimet që lindnin gjatë asaj kohe tek qytetarët e familjet selenicare për punësim e strehim. Në atë kohë kishte një dashamirësi të veçantë të rrallë në qytetin e minatorëve Selenicë. Kjo dashamirësi buronte nga mirësia shpirtërore qytetare selenicare, por ishte ndoshta edhe për shkak të dimensioneve gjeografike, ku Selenica ishte si një shtëpi e madhe për banorët e vet, që silleshin si pjestarë të një familjeje, gjithashtu të madhe.
I ndjeri Lilo Abazaj ishte i pranishëm jo vetem në të gjitha institucionet qytetit, por edhe në sektorët e minierës, në ndërmarrjen e furnizimit tregtar, në shkollat e qytetit, në veprimtaritë artistike kulturore si edhe në familjet qytetare Ishte drejtues korrekt në punë, me integritet moral, me ndërgjegje të lartë sillej me shumë dashamirësi e me veprime të virtytshme, ishte i motivuar vetëm për të bërë të mira. Ishte inkurajues, përkrahës i përvojës të përparuar në të gjitha sektorët e punëve të ndryshme. I gëzonte shpirti kur shikonte të tjerët të gëzuar. Me fjalën e tij të qetë mbillte dashuri për të gjithë. Shpesh vinte edhe në mbledhjet e kolektivave pedagogjike të shkollave në analizat e punës mësimore–edukative duke bërë diskutime edukative për të forcuar proçesin mësimor në çdo orë mësimi.
I ndjeri shpirtëmirë Lilo Abazaj ishte edhe një përkrahës i veprimtarive kulturore-artistike të pallatit të kulturës të qytetit minator të Selenicë. Kur organizoheshin festivale, konkurse, takime midis qendrave të punës, interesohej për të ndihmuar drejtuesit e pallatit të kulturës në grumbullimin e amatorëve pjesmarrës në veprimtaritë kulturore artistike si edhe për të dhënë shfaqje edhe në qytete të tjera.
E kujtoj me respekte e mirënjohje të ndjerin Lilo Abazaj sepse ishte shumë dashamirës,burim frymëzimi për mua. Kur punoja për të krijuar muzeun e qytetit minator të Selenicës më ofronte ndihmesën e tij duke u interesuar tek organet e pushtetit për fondet financiare për stendat e muzeut të qytetit si dhe më dërgoi që të studjoja dokumetat në akrivin qëndror të shtetit në Tiranë. Në qendrimet e tij karakterizohej nga maturia, sinqeriteti, ndershmeria që janë virtutet më të mira njerëzore. Ai mendonte e vepronte me zemër nëne në zgjidhjen e kërkesave e ankesave të qytetarëve, I dëgjonte me vemendje hallet e shumta dhe këmbëngulte për tu dhënë të drejtën sejcilit. Motivi tij ishte zbatimi i drejtësisë për këdo.
I ndjeri Lilo Abazaj ishte një prind shembullor në familje që së bashku me bashkshorten Dylbere Abazaj (Strati) lindën, rritën dhe edukuan katër fëmijë me sjellje shëmbullore në shkollë e shoqëri.Djemtë Ferdinadi, Shkëlqimi, Iliri dhe vajza Mimoza Abazaj respektonin me shumë dashuri prindërit e tyre të dashur. Prindërit e tyre i edukuan të bëheshin të denjë e të dobishëm për vete, për familjen, shoqërinë e atdheun, Familja e të ndjerit Lilo Abazaj ishte model shëmbullor i jetës familjare në harmoni e kulturë qytetare Kisha fatin që banoja me familjen time përballë me hyrjen e familjes të mrekullueshme Lilo Abazaj. Aty njoha më mirë zemrën e madhe të prindit Lilo Abazaj që jepte shumë dashuri njerëzore.
Vajzat e mia u rritën edhe me dashurinë e familjes Dylbere e Lilo Abazaj, të cilët ishin shumë bujarë, human e mikpritës. Hynim si në shtëpinë tonë sepse na prisnin të gjithë me shumë dashamirësi. Nëna e mrekullueshme Bestrova na priste me shumë dashuri. Ajo e priste me merak e shumë mall djalin e saj të vetëm Lilo Abazaj kur vonohej nga veprimtaritë e shumta të përditshme. Me dhimbje të madhe i ndjeri Lilo Abazaj përcolli në banesën e fundit nënën e shtrenjtë Bestrova Abazaj.
Kaluan shpejtë vitet dhe fëmijët e dashur të kryefamiljarit Lilo Abazaj krijuan familje duke lumturuar prindërit e tyre të shtrenjtë. Emigracioni i hidhur na largoi nga atdheu nëpër botë për një jetë më të mirë duke na ndarë për së gjalli nga njerëzit tanë të dashur. Ndjeva shumë dhimbje pikëlluese kur mësova në largësi se ishte larguar nga jeta para kohe i miri më të mirëve zemërmirë Lilo Abazaj. Ai kishte diell në zemrën e tij bamirëse…
Duke shkruar këtë përkujtimore nderoj me respekte mirënjohje kujtimin e të ndjerit Lilo Abazaj, i cili është larguar nga jeta para kohe në moshën 66 vjeçare. Sëmundja tinzare e ndau nga familja e tij e shtrenjtë që ai e donte aq shumë..
Nderime kujtimit të të të mirit Lilo Abazaj!
Qatip Mara
North Carolina, USA, 15 qershor 2024