Me këtë poezi të fuqishme dhe të ngarkuar me emocion, poeti Ymer Adem Llugaliu na lë trashëgim ndjenjat, mendimet dhe ndërgjegjen e një shpirti të burgosur nga një regjim i pamëshirshëm. E, shkruar në vitin 1971 në burgun e Rrëshenit, kjo poezi është një thirrje për liri, për pastërti shpirti dhe për qëndresë morale. Me gjuhë të pastër të dialektit gegë dhe me ndjenjë të thellë, Llugaliu na fton të mos heshtim përballë padrejtësisë Kjo poezi plot ndjenja është një testament shpirtëror.
Ndërgjegje ime që të çmoj
ma shumë se shtëpinë tande
nga natyra dhunti.
Betohem.
Në çfarë?
Në nderin tim!
Jo. Ky asht si ta marrësh
forcë e opinionit
që ndryshon nëpër dekada
si moti nëpër stinë.
Në idealin tim!
dhe ky të zvarrit
o të pajis me flet.
Varet rrethanat
si i percepton
në ç ‘bazë kambën
në nisje mbështet.
Në punën time!
Ma e ndershme do të jetë.
Në madhështinë,
ardhmëninë
e popullit, njerëzisë
që n ‘univers marshon
tue ça rrugë të reja
zbehet ndër çaste
por kurrë nuk shuhet,
kurrë nuk perëndon.
Betohem!
Liri kam me të dhanë
në sqep pende
në maje gjuhe
në çamje buzësh
ndër shendi sysh
që e ke pas dhe ma parë.
Trupi le të vuej
i yti skllav,
i atdheut nji ushtar.
Rrëshen – Mirditë, 1971
* * *
Përgatiti për botim: Arif Ejupi
(Në kujtim dhe nderim të poetit Ymer Adem Llugaliu)
Poezia dhe materiali shoqërues janë përgatitur për botim nga Arif Ejupi, i cili ishte për vite të tëra ruajtës i dorëshkrimeve të të ndjerit Ymer Adem Llugaliu. Sa ishte gjallë, poeti ia kishte besuar atij biografinë e vet, e cila është botuar në shumë gazeta.
Ndër të tjera, Arif Ejupi ka dokumentuar edhe një takim emocional të mbajtur më 24 nëntor 2019 në Podujevë, ku Ymer Llugaliun e vizituan ish-nxënësit e tij nga Krahina e Mirditës, pas 49 vjetësh ndarje. Kjo poezi dhe fotografia që e shoqëron janë pjesë e këtij kujtimi të paharrueshëm.