IDRIZ ZEQIRAJ
Nuk mjaftoi një çerek-shekulli, për t’i përcaktuar datat historike ditë pushimi, datimet tjera ditë festimi (jo pushimi). Shpallja e Pavarësisë u zyrtarizua para datës së Çlirimit! Dhe, kjo ndodhi se lexuesi i dhunshëm i asaj deklarate e bëri për protagonizëm. Pra, nuk i takonte assesi kryministrit, kur Kosova kishte President dhe kryetar Kuvendi. Kuadrot militantë të PAN-it, e marrin paushall në mbrojtje mujshorin Hashim, përfshirë edhe akademikë, se “ai e ka shpallë pavarësinë!?” Realisht, shpallja e Pavarësisë, më 2 korrik 1990, është datë domëthënëse, meritore për ta zëvendësuar 17 shkurtin 2008.
Dita e Çlirimit u zvarris qëllimshëm, për të zënë vendin që i takon. Komandantët, të cilët e sundonin Kosovën dhunshëm, nuk gjenin një ditë, ku ata do të bëheshin protagonistë të kësaj date të shënuar, sepse nuk kishin bërë asnjë betejë apo luftë ballore. Më në fund kryeministri Albin Kurti deklaroi se -12 Qershori 1999- është dita e Çlirimit e të gjithë Kosovës. Paksa i vonuar, ndonëse Mërgata e përbotshme shqiptare, vazhdon ta kujtojë dhe festojë prej disa vitesh -12 Qershorin si festë të vetme të Çlirimit të Kosovës.
Megjithatë, vazhdon rezistenca mos njohëse e -12 Qershorit-, si datë e çlirimit të tërësishëm të Kosovës, nga komandantët mujshorë e kapadai të “UÇK-së të LPK-së”, alias PAN-it! Ata kanë renditur data imagjinare, në shtrirje nga 10 deri në 20 qershor! Falsifikimin e filluan komandantët e LLapit, respektivisht, Prishtinës, të cilët janë demantuar, madje bindshëm, nga vetë qytetarët okularë vendorë.
Për çudë, Prishtina nuk mbeti e vetme në falsifikimin e datës së Çlirimit. Ajo u pasua nga qytete tjera. Kuqaloshët e ideologjisë ekstreme staliniste të LPK-së, guidë e kanë filosllavin Enver Hoxha, i cili e bashkoi datën e Çlirimit të Shqipërisë, me atë të Jugosllavisë. Në vend të 28 Nëntorit, e bëri më 29 Nëntor! Edhe pas 80 vjetësh çlirim, shqiptarët e Shqipërisë londineze, i festojnë dy data të çlirimit: E djathta shqiptare pro-Perëndimore e feston më 28 Nëntor, ndërsa e majta pro-Lindore e feston 29 Nëntorin, të njëditshëm me Serbinë!
Çfarë thonë shkodranët e mbijetuar dekadash dhe komandantët e çlirimit të Shkodrës, me territorin komunal:
Gjeneral Sadik Bekteshi, Hero i Popullit, me origjinë nga Vuthaj të Gucisë, komandues i Luftës në zonën Lezhë-Shkodër, nismë e mbarim, bashkëvuajtës i njëkohshëm me mua, i Internimit në fshatrat e Beratit, me të drejtë lëvizje 1(një) kilometër dhe në Burgun e torturës të Burrelit, në vitet `70-a dhe `80-a, e fakton se qyteti i fundit i Shqipërisë, Shkodra, është çliruar më 28 Nëntor 1944. Në maje-Malin e Taraboshit, një Batalion gjerman, i koracuar-fortifikuar, ka qëndruar edhe disa ditë apo javë. Por, data e Çlirimit nuk ka ndryshuar. Dhe, atëherë është thënë troç: “Pavarësisht, një dite më parë, po e bashkojmë datën e Çlirimit më vëllezërit jugosllavë!” Dhe, kjo është e shkruar “e zezë në të bardhë”. Megjithatë, përçarja 80-vjeçare vazhdon, cinikisht e turpshëm! Mos po i ndodhë kjo edhe Kosovës?
Festimet e datave falsifikuese çliruese të qyteteve, të komunave, veç e veç, kanë koston e tyre, në humbjen e ditëve të punës. Në ato festime marrin pjesë edhe nxënësit. Dhe, duke llogaritur shumësinë e tyre, janë mijëra orë mësimi të humbura.
Ditë pushimi panevojshëm, është caktuar -Dita e Kushtetutës-. Kjo është kopjuar nga 11 janari, ditës të Kushtetutës të Enver Hoxhës, i cili, me nder – e ka dhjerë-, sepse e ka shkelur atë pamëshirshëm, duke i sakatosur shqiptarët për gjysmë shekulli radhazi, Veç kësaj asgjë të veçantë nuk ka, sepse Kushtetuta është e përbotshme, të gjitha shtetet e kanë. Në vend të kësaj, përkujtim dinjitoz meriton – 7 Shtatori-, Kushtetuta e Kaçanikut, kur në rrethana terrori, u mblodhën delegatët anë e kënd Kosovës, për ta shpallur tekstin kushtetues.
Ditë pushimi është caktuar – Dita e Evropës-, ndërkohë që vetë Evropa nuk e ka këtë datë në kalendarin e festave të saj. Një servilizëm i komandantëve, që jetojnë nën ethet e dosjeve të tyre të krimeve, të bëra përgjatë dhe pas luftës, në Shqipëri dhe Kosovë.
Festa e 1 Majit, – Dita e Punëtorëve-, tingëllon shumë cinike, sepse ato shtete të cilat e imponuan, nuk e kanë respektuar, as për së afërmi, të ashtuquajturën – klasë punëtore-. Vetë Sindikatat e Punëtorëve kanë qenë dhe mbetën vegla të pushtetit. Dhe, në vend të mbrojtjes të drejtave të punëtorëve, përkundrazi, u kanë duartrokitur diktaturave komuniste.
Përkujtimi dinjitoz i – Ditës të Dëshmorëve -, është nderim, mirënjohje e fisnikëri. Shqipëria – Ditë të Dëshmorëve – e ka 5 Majin 1942, datën e vrasjes të udhëheqësit të Rinisë Komuniste Shqiptare, Qemal Stafa, vënë në pritën e armikut, pikërisht, nga Enver Hoxha, i cili ishte i vetmi që e dinte vend-strehimin e Qemalit. Shqiptarët kanë vuajtur mijëra vite burg, përfshirë edhe të fejuarën e Qemalit, Drita Kosturi, e cila vuajti 45 vjet burg dhe internim, pse akuzonin Enver Hoxhën për tradhti.
Kosova ditën e dëshmorëve duhet ta bashkojë me 5 Majin e Shqipërisë, nisur nga masakra e Familjes Jashari, në Prekazin heroik, më 5 Maj 1999. Dhe, kjo ditë vjetore, do t`i shmangte përkujtimet individuale dhe grupore, që bëhen sot, përgjatë tërë vitit. Në Kosovë kanë ndodhur 420 masakra, sepse armata e 60 mijë “luftëtarëve” veteranë në Kosovë, dështojë t`i mbronte qytetarët e pambrojtur. Edhe pse Kosova ka masakra më të mëdha me numër viktimash, vrasja masive e Familjes Jashari, në mes tyre edhe të dy luftëtarëve trima e kryeçetanikë të Drenicës, Hamëz dhe Adem Jashari, është më e veçanta, më e trishtme. Sepse është vrasje e ngeshme, e pritshme dhe skajshëm e dhimbshme. Andaj, në Ditën e 5 Majit nderohen dhe përkujtohen të gjithë dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës.
Edhe ditët e pushimit për festat fetare, duhet reduktuar. Zgjidhja më e mirë, të veprohet si Evropa. Për shembull, për minoritetet pakicë, për ditën e festës së tyre, nxënësit pjesëmarrjen në mësim e kanë fakultative, të vullnetshme. Zakonisht, këtë të drejtë pak e shfrytëzojnë, sepse mësimi mbahet para dite dhe ngrënien e drekës dhe vizitat, fëmijtë shkollarë mjaftueshëm i gëzojnë me familjen.
Ndërsa, nëse festa bie në fund-javë, pushimi të kompensohet në ditën e hënë, është jologjike, për të mos thënë abuzim idiotesk. Sepse në 7 ditë të javës, dy ditë pushim, janë të mjaftueshme.
Realisht, çështjen e ditëve të pushimit zyrtar, si dhe shënimet e festave tjera zyrtare e fetare, duke mos i bërë ditë pushimi, duhet të analizohen mirë dhe të përcaktohen me ligj, për të shmangur çfarëdo anarkie e mujshie, ndividuale apo grupore.