Mos-demokratizimi i Serbisë është një nga rreziqet më të mëdha për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Në vend që të largohet nga trashëgimia politike e viteve ’90, Serbia po e riprodhon atë: përmes nacionalizmit, instrumentalizimit të pakicave, kontrollit të mediave dhe ndërthurjes së pushtetit me krimin e organizuar.
Ky model autoritar nuk është vetëm problem i Serbisë, ai prek drejtpërdrejt Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi dhe gjeopolitikën e të gjithë rajonit.
E kaluara e patrajtuar – rrënjë e destabilitetit
Serbia nuk ka kryer kurrë denazifikim politik. Krimet e luftës janë relativizuar, kriminelët janë heroizuar dhe propaganda mediatike vazhdon të ushqejë narrativen e “Serbisë së rrezikuar” nga të gjithë fqinjët e saj. Kjo klimë prodhon armiqësi të vazhdueshme dhe e bën të pamundur ndërtimin e një shoqërie demokratike.
Në vend të reformave, Serbia ka kultivuar një sistem të kapur nga një elitë politike që ndërton legjitimitetin mbi frikën, kërcënimin dhe konfliktet e inskenuara. Ky është burimi i vërtetë i destabilitetit rajonal.
Modeli i pushtetit: autoritarizëm me fasadë demokratike
Serbia funksionon si një demokraci formale, por në thelb është një regjim i centralizuar që kontrollon:
- Mediat
Mbi 80% e tregut mediatik është nën kontroll të qeverisë ose oligarkëve të lidhur me të. Dezinformomi dhe manipulimi janë mjete të përditshme.
- Drejtësinë
Gjyqësori është i politizuar, prokuroria ndjek kritikët, ndërsa aleatët mbrohen; rastet e korrupsionit të nivelit të lartë rrallë trajtohen.
- Pakicat serbe në rajon
Beogradi i përdor pakicat serbe si instrument presioni në Kosovë, Bosnjë dhe Mal të Zi, duke i vendosur ato në qendër të çdo krize të re.
- Aleancat me Rusinë dhe Kinën
Serbia refuzon të bashkohet me politikën e sanksioneve kundër Rusisë dhe i hap dyert ndikimit rus në zemër të Evropës juglindore. Ky pozicion e dëmton stabilitetin rajonal dhe e vonon integrimin e Ballkanit në BE.
Rasti Vukashinoviq – fotografia e vërtetë e kriminalizimit të shtetit
Ngjarja e rëndë e 1 nëntorit 2025, ku u rrëmbye dhe u plagos rëndë Milan Vukashinoviq, qytetar i Kosovës me prejardhje serbe, e ekspozon qartë natyrën e krimit të organizuar brenda strukturave politike të Serbisë.
Vukashinoviq ishte prej vitesh kritik i Listës Serbe dhe i bos-it të saj të padeklaruar, Milan Radoiçiq. Sipas avokatit të njohur serb Marko Niniq, rrëmbimi i tij u organizua sepse Vukashinoviqi refuzonte t’u nënshtrohej presioneve politike dhe kriminale të strukturave të lidhura me Radoiçiqin.
Por detaji më tronditës është se, sipas dëshmisë së avokatit Niniq: Milan Vukashinoviqi u plagos me snajper pikërisht nga vet Milan Radoiçiq, gjatë tentativës për ta kidnapuar.
Ky fakt nuk është incident. Është simptomë e një realiteti:
- grupet kriminale të lidhura me Listën Serbe veprojnë si kartel politik,
- ato godasin kritikët e tyre brenda dhe jashtë Kosovës,
- dhe janë të mbrojtura nga aparati shtetëror i Beogradit.
Rasti Vukashinoviq rrëzon përfundimisht propagandën serbe se strukturat paralele janë “infrastrukturë politike” ato janë mekanizma dhune dhe frike. Një shtet që toleron atentate të tilla jo vetëm që nuk është demokratik, por është burim kërcënimi për mbarë rajonin.
Pasojat për Kosovën, Bosnjën dhe Malin e Zi
Kosova
Serbia mban gjallë tensionet në veri përmes strukturave të saj paralele, incidenteve të inskenuara, sulmeve të armatosura dhe përpjekjeve për destabilizim. Sulmi terrorist në Banjskë në vitin 2023 ishte vetëm një nga episodet. Rasti Vukashinoviq është një tjetër tregues se kush e kontrollon këtë territor.
Bosnja dhe Hercegovina
Beogradi mbështet hapur narrativen separatiste të Dodikut dhe Republika Srpska është vatra më e rrezikshme e potencialit për konflikt të ri. Mos-demokratizimi i Serbisë ushqen hapur rrëfimin e shkëputjes së Bosnjës.
Mal i Zi
Serbia ndërhyn politikisht përmes partive filo-serbe dhe Kishës Ortodokse Serbe, duke krijuar tensione të thella brenda shoqërisë malazeze. Ndikimi rus dhe serb bashkohet për të penguar orientimin e qartë perëndimor të Malit të Zi.
Vonesë e integrimit evropian: Sa herë që Ballkani afrohet me BE-në, Serbia krijon tensione të reja.
Pa demokratizimin e Serbisë, integrimi rajonal është i pamundur.
Pse Serbia reziston demokratizimin?
- Elita aktuale rrezikon pushtetin nëse institucionet demokratizohen.
- Krimi i organizuar është integruar në politikë, veçanërisht në veri të Kosovës.
- Nacionalizmi është mjeti më i lirë dhe më i dobishëm për të mbajtur popullin nën kontroll.
- Marrëdhëniet me Rusinë i japin Serbisë mundësi të manovrojë kundër Perëndimit pa pasoja të menjëhershme.
Këto arsye e mbajnë Serbinë në një cikël të autoritarizmit të ripërtërirë.
Serbia është vendi më i madh në rajon, me pozitë gjeopolitike kyçe. Për këtë arsye, drejtimi që ndjek ai shtet nuk është çështje e brendshme, është çështje evropiane dhe rajonale.
- Një Serbi demokratike do të sillte stabilitet, bashkëpunim dhe integrim euro-atlantik.
- Një Serbi autoritare, e kapur nga struktura kriminale dhe tërësisht e politizuar, do të vazhdojë të prodhojë tensione, frikë dhe kriza.
Rasti i Milan Vukashinoviqit, i cili u plagos me snajper nga një figurë politike dhe kriminale si Milan Radoiçiq, është dëshmi e qartë se shteti serb nuk është më në kontroll të strukturave që vet i ka krijuar.
Kjo është arsyeja pse mos-demokratizimi i Serbisë është dhe mbetet kërcënimi kryesor për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
ARIF EJUPI


