MITET DHE TË VËRTETAT PËR BETEJËN E VITI 1389 NË FUSHË KOSOVË

0

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Historiografia kroate: Në Betejën e Kosovës të vitit 1389, përpos serbëve, shqiptarëve dhe boshnjakëve ka marrë pjesë edhe ushtria kroate si dhe ushtri të   popujve të tjerë të krishterë

Fushë Kosova gjithmonë ka qenë një vend i përshtatshëm për zhvillimin e betejave masive në mesjetë. Në atë zonë janë zhvilluar të paktën dhjetë beteja të mëdha. Në tri beteja, ose prijësit e luftës kanë qenë kroatë, ose pjesa më e madhe e luftëtarëve kanë qenë kroatë.

Një prej atyre betejave në bazë të së cilës serbët e kanë krijuar mitin e vet kombëtar integrues, ka ndodhur më 15/28 qershor 1389 ndërmjet ushtrisë së koalicionit të popujve evropianë dhe osmanlinjve me vasalët e tyre. Data 15 qershor 1389 ka të bëjë me kalendarin e  asaj kohe.

Në anën e krishterëve kanë qenë:

– Ushtria e mbretit të Rashkës, Bosnjës, Dalmacisë, Kroacisë dhe Bregdetit – të Stjepan Tvrëtkos I Kotromaniq (pasardhësit të familjes kroate të rëndësishme Shubiq) nën udhëheqjen e dukës së një pjese të Kroacisë dhe Dalmacisë Vlatko Vukoviq Kosaça (Hraniq);

– Kalorësit kroatë kryqtarë të Urdhrit të Shën Gjonit nën udhëheqjen e priorit (kreut) të Vranës, banit (guvernatorit) kroat-sllavon-dalmatin Ivan Palizhna, si dhe
– ushtrive shqiptare dhe serbe, të lidhura me to.

Kanë qenë rreth 20.000 luftëtarë kroatë nga Bosnja, Hercegovina, Dalmacia dhe nga zotërimet e mbretit Tvërtko (Tvrtko) si dhe kryqtarë kroatë të Ivanish Horvatit.

Rrezikun osman për ekzistencën e shteteve krishtere në Ballkan e kuptoi jo vetëm princi serb Lazari, por edhe miqtë dhe bashkëmendimtarët e tij:

– Mbreti i Bosnjës Stjepan Tvërtko (Stjepan Tvrtko I Kotromanić, rreth vitit 1338 – 10 mars 1391), bani (guvernatori) i fundit i Bosnjës prej vitit 1353 deri në vitin 1377, pastaj i pari mbret i Bosnjës prej vitit 1377 deri në vitin 1391;

– Duka Vlatko Vukoviq Kosaça (? – 1392); ka qenë bujar nga fisi Kosaçë, zotërues i Humit dhe një prej prijësve ushtarakë më të mirë të mbretit Tvërtko I. Në kohën e depërtimit të osmanlinjve në Ballkan, i theu osmanlinjtë në betejën e Bileqes në vitin 1388 si dhe në betejën e Fushë Kosovës të vitit 1389;

Ivanish Horvati (kroatisht: Ivan Horvat; hungarisht: János Horváti; ? – 15 gusht 1394), bujar, me prejardhje nga Kroacia. Në vitet 1375-1383 ka qenë ban (guvernator) i Maçvës. Deri atëherë princ Lazari i siguronte Ivanish Horvatit mbështetje të sigurt dhe

– Ivan Palizhna (? – 1391), i cili si prior i madh kryqtar i Urdhrit të Shën Gjonit në Hungari dhe në Kroaci, sipas pozitës së vet patjetër t’u kundërvihej jobesimtarëve të rrezikshëm që u afroheshin kufijve të shtetit të tij. Ky ka qenë prior kroat, ban (guvernator) hungarez i Dalmacisë dhe i Kroacisë (prej vitit 1385) dhe ban boshnjak në Dalmaci dhe në Kroaci (prej vitit 1388). Në historinë serbe konsiderohej se ka qenë një prej pjesëmarrësve të Betejës së Kosovës, ku ka mbërritur me aradhen kroate të Urdhrit të Shën Gjonit në kuadër të ushtrisë serbo-boshnjake të mbretit Tvërtko I. Sot konsiderohet se ky supozim nuk ka bazë të duhur.

Duka (vojvoda) Vlatko Vukoviq Kosaça (? – 1392) ka qenë bujar nga fisi Kosaçë, zotërues i Humit, prijës lufte dhe mbrojtës i atdheut, vasal i devotshëm i mbretit Tvërtko I, një prej prijësve ushtarakë më të mirë të tij dhe bashkëpunëtor i besueshëm i tij. Bir i Vuk Kosaçit, një prej të parëve të gjinisë të familjes fisnike Kosaç që sundonte në viset jugore të Mbretërisë së Bosnjës, në radhë të parë në Humë dhe në Zahumle (në Hercegovinë).

Vetë Vlatkoja sundonte në Humë në gjysmën e dytë të shekullit XIV, duke trashëguar babanë e vet, dukën e madh – Vukun. I priu ushtrisë së krishterë në fitoren e madhe në Bileqe, kur më 27.08.1388 mundi rreth 18.000 osmanlinj, të cilët në krye me pashain Llalla Shahin (i cili i kishte udhëhequr turqit edhe në Betejën e Maricës më 1871), kishin hyrë në vendin e tij.

I dërguar prej Tvërtkos I, Vlatko Vukoviq Kosaça u ka prirë njësiteve të Hercegovinës në Fushë Kosovë. Duke sulmuar nga krahu i majtë i ushtrisë krishtere të bashkuar që ka qenë nën goditjen e Bajazitit I* (I. Bayezid, 1306 – 08.03.1403), është i vetmi që korri sukses të plotë.

Shënim: Bajaziti I ishte sulltani i katërt i Perandorisë Osmane. Sundoi në vitet 1389-1402. Ishte djalë i sulltan Muratit I (1326 ? – 1389) dhe Gylçiçek Hatun-it (? – 1389), e cila ishte me prejardhje greke.

*   *   *

Vlatkoja solli në betejë edhe një top që e kishte marrrë prej princit të Dubrovnikut me të cilin kishte raporte të mira. Ky top ka qenë e vetmja armë artilerie e krishterëve në Betejën e Kosovës. Kur është kthyer nga beteja e ka njoftuar mbretin Tvërtko për fitoren e të krishterëve. Pas kthimit nga Kosova, ka luftuar kundër ushtrisë hungareze e cila i ka sulmuar bujarët e Kishës boshnjake. Ushtrinë hungareze e ka mundur në dy beteja. Pas kësaj është nisur në drejtim të Vranës ku u është bashkuar forcave të Ivanish Palizhnës.

Beteja fatale e Kosovës e cila do të vendosë për fatin shumëshekullor të mëtejmë të shteteve të Ballkanit, është zhvilluar më 15 qershor 1389.

Palë ndërluftuese kanë qenë:

– ushtria osmane, dhe
– forcat e bashkuara të princ Lazarit*, ushtria boshnjake e udhëhequr nga Vlatko Hraniqi,  ushtria hercegovase e udhëhequr nga Vlatko Vukotiq Kosaça dhe ushtria kroate, e udhëhequr nga ban Ivani.

Shënim: Princi Lazar Hrebelanoviq (1329-1389.) njihet edhe si car Lazari i shenjtë. Ka qenë sundimtar serb. Kryeqendrën e ka pasur në Krushevc. Është vrarë në vitin 1389 në Betejën e Fushë Kosovës. Serbët e kanë shpallur shenjtor.

*   *   *

Është vështirë të dihet saktë se për cilin Ivan bëhet fjalë. Për Ivan Horvatin apo për Ivan Palizhnën. Që të dy e kanë pasur titullin e banit (guvernatorit). Horvati ka qenë ban i Maçvës, kurse Plazhna ka qenë ban kroato-dalmatin. Që të dy kanë qenë aleatë të princ Lazarit, siç ka qenë edhe ai aleat i të dyve. Supozohet se Betejën e Kosovës ka marrë pjesë Ivan Plazhna ngase ai si prior i urdhrit të krishterë ka qenë i thirrur për nga detyra të luftojë kundër armiqve të emrit të krishterë, siç thuhej në atë kohë. Përveç kësaj, ai jo vetëm që kishte qenë ban si Ivanish Horvati, por pushtetin e tillë e ka ushtruar në atë territor që ka mundur ta kontrollonte me ndihmën e Tvërtkos.

Me fjalë të tjera, përpos qyteteve, aty bënte pjesë pothuajse tërë Kroacia kontinentale dhe Dalmacia. Rrjedhimisht, si aleat dhe bashkëmendimtar i Tvërtkos, me siguri ka qenë edhe nismëtar i angazhimit boshnjako-hercegovas në Betejën e Kosovës. Në favor të pohimit se Ivan Plazhna ka marrë pjesë në Betejën e Kosovës shkon edhe fakti se pikërisht në atë kohë ban Ladislavi ka ardhur nga Luçenca në Dalmaci dhe e ka sulmuar Klisin të cilin arrin ta pushtojë. Në atë muaj nuk ka informata për ndonjë kundërveprim të Palizhnës, gjë që e shton gjasën e mungesës së tij në këto vise.

Beteja e Kosovës përfundoi me humbjen e ushtrisë së Lazarit dhe vrasjen e tij, por çetat kroate (boshnjake-hercegovase) nuk janë mundur. Ato në krahun e majtë i kanë mundur osmanlinjtë. Rrjedhimisht, sipas raportimit të Tvërtkos, në Perëndim ka mbizotëruar bindja se të krishterët e kanë mundur ushtrinë osmane (Letra e Tvërtkos dërguar trogirasve më 01.08.1389 me të cilën i njofton se ushtria e tij i ka mundur turqit dhe letra Firencës, përkatësisht përgjigjja e Firencës ndaj letrës së tij e cila e përshëndet për fitoren e shkëlqyer.

Është e pamundur që një kokë me kurorë t’i ketë njoftuar trogirasit rrejshëm, dy muaj e gjysmë pas betejës. Përveç kësaj, trogirasit kanë mundur të njoftohen për këtë betejë edhe në qendrat ballkanike dhe në ato evropian. Në fund të fundit, përse Tvërtkoja të lëvdohej rrejshëm? Ai fare s’ka pasur nevojë për diçka të tillë. Urimi i fiorentinëve mban datën 20.10.1389, d.m.th. katër muaj pas betejës, e atëherë është ditur saktë epilogu i tërë betejës në të gjitha vendet e Evropës. Nuk mund të besohet që një sundimtar i njohur, i fuqishëm dhe i kurorëzuar ta gënjejë Evropën.

Ushtrinë osmane e udhëhiqte sulltan Murati I dhe djemtë e tij – Bajaziti dhe Jakubi. Sullatani dhe i biri Jakubi vriten gjatë betejës. Pas Betejës së Maricës (1371), një pjesë e bujarëve serbë kanë qenë vasalë të osmanlinjve, ndaj kanë luftuar në anën e tyre.

Rrjedha e betejës dhe epilogu përfundimtar edhe sot është i paqartë. Sipas burimeve të dorës së parë që vijnë nga oborri boshnjak i mbretit Tvërtko I, krishterët kanë korrur fitore. Mirëpo dihet se serbët, shpejt pas betejës i kanë paguar sulltanit tatim. Nga kjo mund të konstatohet se kemi të bëjmë me një “fitore të Piros”. Në betejë ka humbur jetën sulltani osman Murati I. Deri atëherë, kjo ka qenë vrasja e parë e një sulltani të Perandorisë Osmane.

Humbjet e osmanlinjve kanë qenë më të mëdha dhe më të rëndësishme me vdekjen e sulltanit dhe djalit të tij – Jakubit. Edhe osmanlinjtë edhe pjesë të ushtrisë krishtere që u kanë ardhur në ndihmë serbëve, janë tërhequr duke menduar se beteja është fituar.

Pas marrjes së lajmit për fitoren mbi osmanlinjtë në Fushë Kosovë që ia ka përcjellë Evropës së krishterë me letër mbreti i Bosnjës Tvërtko, në Paris, për nder të kësaj fitoreje, kanë rënë kambanat e kishës Notre Dame.

Aleati i Tvërtkos, princi serb Lazari, për arsye të panjohura apo për shkak të udhëheqjes së dobët të betejës në pjesën e vet të frontit, është tërhequr nga fushëbeteja i plagosur, ndërsa  fisnikët e tij shpejt janë bërë vasalë dhe aleatë të rëndësishëm të osmanlinjve në betejat vendimtare kundër Evropës së krishterë.

Pavarësisht nga fakti në ka qenë dhe sa ka qenë i saktë lajmi që ia ka përcjellë Perëndimit Tvërtkoja i njoftuar gabimisht, s’ka dyshim se kjo ia ka rritur autoritetin dhe pushtetin, sidomos ndaj qyteteve dalmatine, të cilave tanimë u kishte kaluar afati i përcaktimit për Sigismundin apo për Tvërtkon.

Rreth datës 15 shkurt 1391 mbreti Stjepan Tvërtko vdes. Më 23 mars vdes edhe Ivani i Plazhnës. Me vdekjen e këtyre dy burrave të mëdhenj, shembet ideja që në Ballkanin Perëndimor të krijohet shteti i pavarur i cili në anën perëndimore do të shtrihej deri në detin Adriatik, kurse në atë veriore – deri në lumenjtë Danub dhe Savë. Si i tillë, ndoshta do të mund të mbrohej nga rreziku i inkursioneve osmane.

*   *   *

MË 15 / 28 QERSHOR 1389, NË FUSHËN E MËLLENJAVE, SHQIPTARËT KANË QENË PJESË E KOALICIONIT TË KRISHTERË KUNDËR USHTRIVE OSMANE

Në veprën e historianit otoman Mevlana Mehmet Neshri “Treguesi i botës” (Cihan Numaa) të analizuar dhe të botuar nga orientalisti gjerman Franc Gustav Teçner (Franz Gustav Taeschner; i lindur në Reichenhall, më 08.09.1888 – vdes në Kipfenberg, më 11.11.1967),Die altosmanischen Hroniken des Mevlana Mehmet Neschri”, Lajpcig 1951, bëhet fjalë edhe për pjesëmarrjen e shqiptarëve në Betejën e Kosovës. Në faqen 71 thuhet: “Lazarit i shkuan në ndihmë hungarezët, vllahët, çekët dhe shqiptarët…”. Në faqen 79 ai shkruan: “Midis tyre ishte një i pafe me emrin Jorgji (Gjergji II Balsha) i cili kishte 30 mijë ushtarë”.        

*   *   *

Fushën e Mëllenjave, pak kilometra në veri të Prishtinës, më 28 qershor 1389 u ndeshën ballë për ballë dy palë ushtrish.

Nga njëra anë ushtritë osmane të cilat së bashku me vasalët e tyre joturq, të udhëhequra nga sulltan Murati I, kërkonin të pastronin rrugën për pushtimin e plotë të Gadishullit Ballkanik, në drejtim të Evropës Qendrore.

Nga ana tjetër, forcat e armatosura të koalicionit ballkanik dhe joballkanik me në krye princin serb Lazar, të cilat rendën për të ndaluar marshimin e ushtrive osmane. Ushtarakisht, forcat ballkanike e humbën luftën. Udhëheqësi i koalicionit ballkanik princ Lazari, u zu rob dhe u vra. Në fushëbetejë e humbi jetën edhe kreu i ushtrive osmane, sulltan Murati I, me gjithë të birin Jakupin (Jakub Çelebi, Bursë, 1359 – Fushë Kosovë, 1389). Me gjithë fitoren që korri, sulltani i ri Bajaziti I (rreth 1360 – Akshehir, 08.03.1403) e ndërpreu marshimin e mëtejshëm. Ai u kthye në kryeqytetin e vet, në Edrene. Bajaziti I ka qenë sulltani i katërt i Perandorisë Osmane.

Beteja e Kosovës nuk kishte karakterin e një kryqëzate fetare, as të një ballafaqimi etnik, siç pretendojnë disa historianë serbë, të cilët, për më tepër, disfatën e kanë shndërruar në një mit sikur të ishte një fitore e tyre.

Në Fushën e Mëllenjave nuk u ballafaquan vetëm serbët e krishterë me turqit myslimanë por edhe kombësitë e tjera. Kundër ushtrive osmane luftuan në radhë të parë serbët, shqiptarët, boshnjakët. Krahas tyre morën pjesë reparte vllahe, hungareze, kroate, bullgare, çeke dhe polake. Disa qenë ortodoksë e disa katolikë. Po ashtu, nga pala osmane, krahas ushtrive myslimane, kishte edhe vasalë të krishterë. Ndër vasalët serbë të sulltanit ishin edhe princat serbë Kraleviq Marko (emri i vërtetë Marko Mërnjavçeviq, rreth 1335 – Rovine, Vllahi/Wallachia, 17.05.1395) dhe Konstantin Gjakoviqi.

Sipas historiografisë botërore, Beteja e Kosovës ishte një përleshje ballkanike, një ballafaqim qytetërimesh dhe jo fesh, më saktë një ballafaqim midis qytetërimit evropian dhe atij aziatik.

Shqiptarët morën pjesë në Betejën e Fushë Kosovës ashtu si edhe kombësitë e tjera të Evropës Juglindore, në kushtrimin e shekullit, për të mbrojtur lirinë, pavarësinë, gjuhën dhe trojet e tyre, për të mbrojtur arritjet ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore që i kishin sendërtuar me djersë gjatë shekujve të mesjetës.

Shqiptarët e vlerësuan që në fillim rrezikun e invadimit osman. Për këtë arsye ata morën pjesë që në përleshjet e para që u zhvilluan në Gadishullin Ballkanik kundër ushtrive të sulltanit. Më 1371, shqiptarët, me në krye despotin e Vlorës, qenë të pranishëm në betejën fatkeqe që e zhvilloi koalicioni i parë ballkanik kundër tyre në Çermen, buzë lumit të Maricës.

Më 1385, forcat shqiptare u ndeshën në fushën e Savrës, në afërsi të Lushnjës, ku mbeti i vrarë edhe udhëheqësi i tyre Balsha II (? – Myzeqe, Shqipëri, 08.09.1385), Balsha i Shkodrës.
Më 1387 shqiptarët, në krye me prijësin Gjergj II Balsha (? – Ulqin, prill 1403) dhanë një kontribut të madh në fitoren që korri koalicioni serbo-shqiptaro-boshnjak kundër ushtrive osmane në Ploshnik.

Pjesëmarrja e shqiptarëve në Betejën e Kosovës në vitin 1389 nuk ishte e pa pritur. Ajo ishte në logjikën e interesave shqiptare dhe të politikës shqiptare. Në historiografinë botërore pjesëmarrja e tyre nuk kurrë nuk është vënë në dyshim. Atë e kanë pranuar edhe historianët serbë të shekullit të kaluar. Por, pasi lindi shteti shqiptar në vitin 1912 dhe pasi Kosova u aneksua nga Serbia në vitin 1913, historianët serbë filluan të mohonin pjesëmarrjen e shqiptarëve në Betejën e Kosovës. Motivet janë nacionaliste. Duan të tregojnë se Kosova në mesjetë ka qenë e huaj për shqiptarët. Madje, dy nga flamurtarët më të flaktë të kësaj teze, akademiku Vojislav J. Gjuriq (1912-2006) dhe historiani / akademiku Dimitrije Bogdanoviq (1930-1986) pohojnë pa asnjë argument se në betejën e vitit 1389 shqiptarët kanë qenë vasalë të sulltanit.

Por burimet historike lindore e perëndimore, osmane e bizantine, shqiptare e serbe, flasin të kundërtën. Për pjesëmarrjen e shqiptarëve në betejën e vitit 1389, në anën e koalicionit të krishterë kundër ushtrive osmane flasin kronikat e vjetra osmane. Kronisti i parë osman që e përmend pjesëmarrjen e shqiptarëve në betejën e Kosovës është Shukrullahu (1386-1459). Ai shkruan se thirrjes që e lëshoi princi serb Lazar për të luftuar kundër pushtuesve osmanë iu përgjigjën shumë kombe. Midis tyre i përmend edhe shqiptarët. Pohimin e Shukrullahut e mbështet bashkëkohësi i tij Enveriu. Një tjetër bashkëkohës i tij, Oruç ben Adil, thotë se shumë luftëtarë erdhën edhe nga “vendi i shqiptarëve” (Arnavud ilinden).

Për pjesëmarrjen e shqiptarëve në betejë dëshmon edhe kronisti apo historiani otoman i shekullit XV Mevlana Mehmet Neshri (1450 – Bursa, 1520) në veprën e tij “Treguesi i botës” (Cihan Numaa). Neshri thotë se princi shqiptar Gjergj II Balsha kishte ardhur në front me 30 mijë ushtarë. Mehmet Neshri përmend edhe një udhëheqësi tjetër shqiptar të cilin e quan “Birin e Jundit” (Jund-ogllu). Ky është Dhimitër Jonima (? – 1409), zot i Pedhanës, krahinë midis Lezhës e Milotit, të cilin princ Lazari e vendosi bashku me mbretin e Bosnjës, në krahun e majtë të frontit. Nga njoftimet e Mehmet Neshrit del se në koalicionin ballkanik merrnin pjesë edhe luftëtarë të tjerë shqiptarë, pa i dhënë emrat e krerëve të tyre. Por, emrat e tyre dalin nga burime të tjera mesjetare.

*   *   *

Vepra e Mevlana Mehmet Neshrit “Treguesi i botës” (Cihan Numaa) është analizuar dhe është botuar nga orientalisti gjerman Franc Gustav Teçner (Franz Gustav Taechner, 08.09.1888 – 11.11.1967),Die altosmanischen Hroniken des Mevlana Mehmet Neschri”, Lajpcig 1951. Në faqen 71 të veprës flet për pjesëmarrjen e shqiptarëve në Betejën e Kosovës: “Lazarit i shkuan në ndihmë hungarezët, vllahët, çekët dhe shqiptarët…”. Në faqen 79 ai shkruan: “Midis tyre ishte një i pafe me emrin Jorgji (Gjergji II Balsha) i cili kishte 30 mijë ushtarë”.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.