Nga Isak A H M E T I
I. Në vend të hyrjes
Në lagjen e madhe të shkrimtarëve shqiptarë, veçmas të shkrimtarëve të njohur mirditorë , bën pjesë edhe shkrimtari, studiuesi dhe gazetari i njohur Gjon Marku, miku im i shtrenjtë, me të cilin me lidhin kujtime të paharrueshme, edhe për faktin se ai ka realizuar me mua edhe një intervistë, që ështe botuar në disa media të rëndësishme, madje edhe te libri im më i ri:
Isak Ahmeti, Një jetë për artin dhe kulturën e kombit
(Redaktor Zef Noka), Lenagraphic, Prishtinë, 2025.
I afirmuar si prozator por edhe si studiues, përmes veprave zhanresh të ndryshme, të botuara deri më tash, që janë të veçanta në llojin e vet, Gjon Marku zbulon me elegancë artistike pjesë të humbura të qenies njerëzore, kohë të ndryshme fatkeqësish, fate të ngrysura personazhesh e deri udhëtime simbolike në labirintin e historisë sonë të trazuar.
Veprat e këtij krijuesi ngërthejnë vlera shumështresore, me forcë artistike të veçantë potencojnë itirenarin e personazheve, kalvarin e vuajtjeve e rrjedhave të historisë, zhvillimin e vetëdijes kombëtare nëpër të cilën përvijohet fati i njeriut tonë që nga lashtësia deri në ditët tona.
Autori Gjon Marku është i veçantë edhe për faktin se, edhe si prozator edhe si studiues, ka arritur për mrekulli t’i përjetësojë vlerat e Mirditës duke iu dhënë vendin e merituar si vlera kombëtare.
II. Pak biografi për autorin
Lindur më 13 qershor 1967 në Gëziq të Mirditës.
Arsimin fillor dhe tetëvjeçar, e nisi dhe e vijoi në shkollën Gëziq (1973-1981).
Arsimi i mesëm në shkollën e mesme në Reps, Mirditë (1982-1986).
Diplomuar në :
*Universitetin Bujqësor të Tiranës,
*Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, (1992-1997),
*Universiteti Shtetëror i Tiranës, fakulteti i gjuhëve të huaja, mbaron gjuhën angleze 2010,
*Universiteti Bujqësor i Tiranës, fakulteti i bioteknologjisë, mbron Graden Master 2012-2014.
Gjon Marku është autor i këtyre librave:
1. Prozë :
*Njeriu që vinte dhe ikte natën, tregime (1999),
*Varri nën dardhë, tregime (2004),
*Një natë mbret në një vend tjetër, tregime (2011),
*Mëkati përtej detit, tregime (2012).
2. Publicistikë :
*MIRDITA (intervista) I, publicistikë (2000),
*MIRDITA (intervista) II, publicidtikë (2012),
*MIRDITA (intervista) III, publicistikë (2014),
*Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën (2009).
3. Studime :
*Ndërfana, monografi filistorike, 2001, ribotuar më (2008),
*Mirdita në vizionin filatelik, studim, shqip dhe anglisht (2004),
*Mirdita vend i kuvendeve Vetëqeverisëse, studim 2013, ribotim më 2014, ribotim më 2015.
4. Monografi :
*Mësuesi në kujtesë Preng Pjetër Filopati (2004),
*Mark Legisi një jetë midis nxënësve (2008).
Këto vepra kanë gamë të gjerë temash dhe vlerash, ndonëse preokupim themelor, temë bosht, është Mirdita. Veprat e këtij autor, (të cilat ai vetë m’i ka dhuruar me dedikim të veçantë, për çka e falënderoj nga zemra!)i kam shfletuar dhe lexuar me interesim dhe përkushtim të veçantë edhe për faktin se aty, sidomos te vrpra madhore:
ANTOLOGJI E MENDIMIT TË SOTËM PËR MIRDITËN
Intervista, Tiranë, 2009, fq. 747
ku, përmes intervistave parakalon historia dhe kultura e trevës së Mirditës e ku kanë sunduar princë nga Dera e Gjomarkajve. Aty parakalojnë figura të shquara që i kanë dhënë emër kësaj krahine nga më të njohurat në Shqipëri dhe më gjerë.
III. MIRDITA VENDI i kuvendeve vetëqeverisëse
monografi, Tiranë, 2014, fq. 204.
Ky libër, të cilin kësaj radhe po e marrim në shqyrtim të veçantë, është cilësuar si një lloj traktati, i shkruar me përkushtim dhe me shpirt nga Gjon Marku që tashmë njihet si hulumtues, studiues dhe publicist i pasionuar në rrafshin kombëtar dhe më gjerë!
Ky studim monografik për Mirditën, që njihet si :
QENNDËR E QËNDRESËS POPULLORE SHQIPTARE (Tobias Svenningsen)
është shkruar me shumë përkushtim dhe elegancë nga shkrimtari dhe studiuesi i njohur, Gjon Marku.
Në epiqendër të këtij studimi ,që lexohet me një frymë, siç e thotë edhe vetë titulli, është MIRDITA, përkatësisht rëndësia e kuvendeve të Mrditës që ishin institucion tradicional qeverisës i trashëguar ndër breza, vendimet e të cilëve nuk mund të merreshin nëpër këmbë nga askush, pasi kushdo që i cenonte ato, kishte të bënte me Unitetin Krahinor të Mirditës (Vep. e cit. fq. 189)…
PASQYRA E LËNDËS SË LIBRIT
PARATHËNIE (fq. 5),
POPULLI I MIRDITËS ËSHTË ESENCIALISHT SHQIPTAR (fq. 14-25)
KUVENDET E MBAJTURA NË MIRDITË 1570-1912)
(vendi, koha, pjesëmarrësit dhe vendimet e marra në to (37-188).
-Kuvendi i Ndërfanës 1594 (fq. 42),
-Kuvendi i vitit 1602 (fq. 55),
-Kuvendi i vitit 1608 (fq. 69),
-Kuvendi i vitit 1862 (fq. 77),
-Kuvendi i vitit 1873 (fq. 90),
-Kuvendi i vitit 1876 (fq. 98),
-Kuvendi i vitit 1880 (fq. 119)),
-Kuvendi i Shpalit i vitit 1902 (fq. 127),
-Kuvendi i vitit 1908 (fq. 133),
-Kuvendi i Rrëshenit i vitit 1911 (fq. 139),
-Kuvendi i Fanit dhe Qeveria e Kimzës 1911 (fq. 143),
-Kuvendi i Kallmetit, mars 1912 (fq. 154),
-Kuvendi i Shpalit 3 maj 1912 (fq. 159),
-Kuvendi i Rubikut 5 maj 1912 (fq. 163),
-Kuvendi i Perlatit ,15 maj 1912 (fq. 175),
-Kuvendi i Zejmenit 18 maj 1912 (fq. 177),
-Kuvendi i Rubikut 26 qershor 1912 (fq. 179),
-Kuvendi i Rubikut 25 dhjetor 1912 (fq. 185),
-Kuvendi i Blinishtit 6 Nëntor 1944 (fq. 187).
RËNDËSIA E KUVENDEVE TË MIRDITËS (fq. 189 ).
LITERATURA E SHFRYTËZUAR (fq. 200).
Sipas pasqyrës së kësaj lënde kuptojmë se këto kuvende kishin qenë institucioni i kahershëm ku ishin vendosur e sanksionuar ligjet dhe e drejta zakonore shqiptare. E kjo kushtetutë monumentale, pra Kanuni nuk lë asnjë medyshje, nuk njeh skllav, nuk njeh bujkrobër, aty nuk ekziston urrejtja për popuj të tjerë e as për fe të tjera (Vep. e cit fq. 191).
IV. Në përmbyllje
Autori i monografisë:
Mirdita vendi i kuvendeve vetëqeverisëse,
Gjon Marku, duke iu referuar Hahn-it konstaton se fuqia supreme është në dorë të popullit, i cili zbaton me rastin e mbledhjeve të veta që quhen Kuvende.
Ç’është e vërteta, në mungesë të një institucioni civil shtetëror, Mirdita ka gëzuar gjatë kohës së sundimit obskurantist osman, një autonomi krahinore në formë vetëqeverisëse, me element koheziv të dymbëdhjetë bajrakëve, nën një flamur të vetëm, i cili ishte flamuri i Gjergj Kastriotit.
Prandaj falë kësaj vetëdijeje dhe automomie politike, shoqërore, Mirdita u bë qendra kryesore dhe qëndresës së katolicizmit, dhe jo vetëm e katolicizmit por dhe e vetë IDENTITETIT KOMBËTAR, e për këtë një ndër faktorët kryesorë, konstaton me të drejtë autori, janë kuvendet e mbajtura herë pas here në këtë trevë historike (Vep .e cit. fq. 189).