Mehmet Elezi
VETES NUK MUND T’I FSHIHESH KURRË!
Në një tryezë me miq të huaj mund të kuptosh kombësinë e secilit, sapo të marrësh vesh emrat e tyre. Çka mund të jenë tjetër një Fransuá e një Hans, përveçse njëri francez dhe tjetri gjerman ose austriak?
E njëjta gjë te fqinjët tanë. Për të dalluar cili është grek e cili serb, mjafton me ua dëgjue emrat.
Emri shpreh vetvetësi (identitet) kombëtare.
Mbi onomastikën shqiptare kanë lënë vraga të rënda pushtimet dhe fetë. Pas Luftës së Dytë, ka lënë vraga të thella diktatura.
Ngujimi i lodhi e i kompleksoi njerëzit. Prindi parapëlqente për fëmijën gjithfarë emrash që i kapte veshi duke ndjekur ekipe të huaja futbolli ose telenovela tejet mediokre, vetëm pse ata emra i dukeshin si perëndimorë. Shpirti shqiptar lëshonte një klithmë, ani pse nuk ishte kjo mënyra e duhur. Takohej virtualisht me Europën e mohuar. Mos na harroni, jemi si ju, europianë.
Shumë emra që kishin mbijetuar nëpër qindvjeçarë u zhvlerësuan. Në artin e realizmit socialist nxitej përçmim për ata dhe për trevat ku gjallonin ata. Figurat që personifikonin prapambetjen, “reaksionin”, tipizoheshin me emra të përdorur në viset veriore me besimtarë katolikë. Dhe bash katolicizmi shqiptar kish qenë mbrojtës e përçues pa kompromis i vlerave kombëtare dhe europiane.
Në qoftë se një burrë quhej Llesh, ai do të ishte “malok”, “i trashë” e “i pagdhendur”. Por në qoftë se quhej Aleks, ishte i qytetëruar. Ani pse emri Llesh, ashtu si dhe Lekë, nuk janë tjetër veçse trajta shqiptare të Aleks (Aleksandër).
Nëse një vajzë quhej Prendë ose Drande, do të ishte “e prapambetur”, familja e saj “konservatore” dhe “fanatike”. Nëse po kjo vajzë quhej Venera, Afërdita ose Roza, do të ishte “moderne, e përparuar”. Ani pse Prenda nuk është tjetër veçse perëndesha e bukurisë te Ilirët, njësoj si Venera/Venusi te romaket dhe Afërdita te grekët e lashtë. Dhe Drande është shkurtim i emrit trandafil, pra ka të njëjtën domethënie si Roza.
Në Kosovë e në vise të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, edhe pse nën pushtimin serb, emrat e bukur shqiptarë tingëllonin gjithandej. Shumë më tepër se në Shqipërinë Londineze.
Rrethanat janë të tjera, problemi nuk është kapërcyer. As i zbutur nuk duket. Rastësisht më ra në dorë lista me emrat e fëmijëve të një klase, në një shkollë të Tiranës. Nga 26 djem e vajza, njëri kishte emër të mirëfilltë shqiptar, dy kishin emra ilirë. Për një të huaj, 23 emrat e tjerë mund të kallëzonin gjithçka, vetëm lidhje me Shqipërinë jo. Hutuese gara për bashkëtingëlloren xh: Xhoi, Xhoni, Xhino, Rexhin (djalë), Xhordan, Xhulian, Xheni, Xhensina, Xhensila (mungonin një Xhoja dhe një Xhesika, por mund t’i gjeje në klasat e tjera). Nëse i drejtoheshe njërit, tërë xh-të kthenin kryet përnjëherësh, si me komandë.
Inferioriteti politik dhe ekonomik përballë Perëndimit, shkaktuar nga vonesa historike, i mundon njerëzit edhe psikologjikisht. Bën që disa vlera të veta identitare t’i çmojnë me kundrojën e të tjerëve, që këqyrin nga lart. Dhe shpëtimi? Arratisu nga vetvetja!
Mbase gjithkujt mund t’i fshihesh në këtë botë, vetes jo. Sidney Poitier, i pari aktor afrikano-amerikan, që ka marrë çmimin Oscar (1964) thoshte: “Për të qenë më i mirë sesa ishe, s’ka nevojë me u ba diçka që nuk je“.
(Me shkurtime, nga parathënia e “Fjalor me emra njerëzish“)