Autore: Elife Luzha, 05.10.2025
Në rrjedhën e trazuar të zhvillimeve shoqërore dhe politike, komunikimi ka qenë gjithmonë një ndër shtyllat themelore në formësimin dhe orientimin e opinionit publik. Me kalimin e kohës, ky ndikim është institucionalizuar përmes mediave, të cilat sot nuk janë vetëm kanale informimi, por edhe mjete edukimi politik, mekanizma të mbikëqyrjes së pushtetit dhe nxitëse të qytetarisë aktive. Ndaj, nuk është rastësi që, Edmund Bruke, e cilësoi median si “pushtetin e katërt” (pas legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit) – një forcë që nuk sundon me armë, por me fjalë. E fjala, më shumë se çdo forcë tjetër, ka fuqinë të ndërtojë ose të rrënojë.
Nga shtypi i shkruar tradicional, deri te platformat digjitale dhe rrjetet sociale, media është bërë pjesë e pandashme e jetës moderne. Përveç funksionit informues, ajo luanë një rol kyç në ngritjen e vetëdijes shoqërore dhe politike. Megjithatë, si çdo mekanizëm me ndikim të gjerë, edhe media ka potencialin për keqpërdorim, qoftë për qëllime propagandistike, qoftë për përfitime të ngushta politike, klanore apo ekonomike.
Prandaj, edukimi mediatik dhe vetëdijesimi qytetar janë thelbësor për mbrojtjen e së vërtetës, sidomos në kohën kur ajo po sfidohet çdo ditë.
Komunikimi politik dhe zëri i qytetarit
Komunikimit politik, si një fushë që ndërthur shkencat politike me teorinë e komunikimit, ka ekzistuar që nga format më të hershme të organizimit shoqëror. Megjithatë, ai mori një formë më të artikuluar gjatë shekujve 17-të dhe 18-të, kur – siç argumenton Jurgen Habermas – debati dhe kritika politike u bënë pjesë e hapësirës publike.
Përkufizimi i komunikimit politik ka qenë dhe mbete temë debatesh teorike, por pyetja se kush ka të drejtë të marrë pjesë në këtë proces është shtruar që dy mijë vjet më parë nga gjeniu i mendimit politik, Aristoteli, i cili në veprat e tij pohonte se “njeriu është qenie politike” dhe “nga natyra, është një qenie shoqërore”. Kjo nënkupton se çdo individ, ka të drejtë të marrë pjesë në komunikimin politik, të ndikoj dhe të orientoj drejtimet e politikës.
Ndryshe nga komunikimi i përditshëm, komunikimi politik është strategjik – një përpjekje për të ndikuar, për të bindur dhe mobilizuar opinionin publik.
Imagologjia: kur dukja mbizotëron
Në Kosovë, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore, si ajo e 12 tetorit, vërehet një intensifikim i diskursit politik në media. Politikanët, duke shfrytëzuar të gjitha format e komunikimit – nga televizionet tradicionale te rrjetet sociale – përpiqen të ndërtojnë narrativa që u përshtaten interesave të grupeve të caktuara të elektoratit. Shpesh ata paraqiten si “produkte politike” me imazhe të stilizuara dhe premtime të ricikluara.
Këtu hyn në lojë koncepti i “imagologjisë”, siç e shtjellon shkrimtari çek Milan Kundera në veprën “Pavdeksia”. Sipas tij, imagologjia është një ideologji moderne ku pamja e zëvendëson përmbajtjen – një realitet ku imazhi bëhet më i besueshëm sesa vetë realiteti. Ky lloj komunikimi, nuk synon të bindë përmes argumenteve, por të impresionojë përmes aparencës.
Ky fenomen është shumë i pranishëm në fushatat elektorale në Kosovë, ku politikanët rrallëherë ofrojnë programe konkrete, por ndërtojnë figura të idealizuara të vetes si “shpëtimtarë”, “reformatorë” apo “zë i popullit” – edhe kur lidhja me popullin është thuajse inekzistente. Ndërkohë, kundërshtarët politikë, shpesh portretizohen si “ pengues të zhvillimit”, pa ndonjë argument.
Autorja sllovene Nataša Hribar, në një analizë mbi komunikimin politik në Slloveni, vëren se funksionarët politikë përdorin komunikimin politik për përfitime personale: për të siguruar vota, për të avancuar interesat e partisë, apo për të konsoliduar pushtetin (2009). Ky fenomen është i pranishëm edhe në Kosovë, ku komunikimi politik rrallëherë përdoret për të ndërtuar një dialogu të sinqertë me qytetarët.
Komunikimi politik nuk duhet reduktuar në një mjet për grumbullimin e votave. Qytetarët, nuk mund të mbeten dëgjues pasiv; ata duhet të jenë vlerësues kritik dhe pjesëmarrës aktiv në debatin publik. Komunikimi politik duhet të çlirohet nga zinxhirët e imagologjisë. Politikanët duhet të komunikojnë përmes vizioneve jo vetëm përmes sloganeve apo pamjeve të lëmuara televizive. Ndërsa mediat duhet të jenë më shumë se kamera të një spektakli. Ato duhet të jenë ndërgjegjja që flet.
Edukimi mediatik, është thelbësor për kohën që po jetojmë – një edukim ku ideja mbizotëron mbi imazhin dhe ku mbrohet e vërteta. Përndryshe, rrezikojmë të jetojmë në një realitet ku ajo që “duket” do të ketë më shumë vlerë se ajo që “është”. E kjo, siç paralajmëron Kundera, është një pavdekësi e rreme – një rrugë drejt një shoqërie të manipuluar, por jo të lirë.


