“MANIFESTIME KULTURORE” ME VESHJE PARTIAKE

0
Kalosh Çeliku - garip

NGA KALOSH ҪELIKU

Vite me radhë, jemi përpjekur të organizojmë një Manifestim Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: “Ditët e Naimit”, në Tetovë (1995). E, më vonë: “Takime nën Rrap”, në Shkup (1997). Dhe, Ditët e Humorit dhe Satirës “XHA DERALLA”, në Kërçovë. Po, nuk e deshi Zoti deri në vitin 1996 dhe 2003 t’ua hudhim themelet këtyre manifestimeve kulturore ndërkombëtare. Institucializojmë në shtetin e “përbashkët”. Vendimin e morëm si Lidhje e Shkrimtarëve Shqiptar që në vitin 1999, për Ditët e Humorit dhe satirës “XHA DERALLA”, në Kërçovë. Pse, e zgjodhëm si qytet mu Kërçovën? E zgjodhëm se, në Cërvicë të Kërçovës ka lindur, jetuar dhe vepruar njëri ndër humoristët dhe satiristët më të mëdhenj shqiptar në “Serbinë e Madhe”: Xha Deralla. Edhe, jeton në gjirin e popullit shqiptar edhe Sotekësajdite: në Maqedoninë e Veriut, Republikën e Kosovës, dhe Shqipëri.

Nastradin Hoxha, nuk dihet me siguri, a ka jetuar dhe në ç’vend ka lindur si humorist dhe satirist botëror?! Aqmëpak, a ka qenë turk, apo shqiptar?! Dyshohet, se: është personalitet i trilluar nga krijimet e popujve të Ballkanit. Edhe, pse: humori dhe anekdotat e tia qarkullojnë ende gojë më gojë në popull. Xha Deralla, ka vendlindje dhe krijime humoristike e satirike në gjirin e popullit shqiptar. Dy: në Kërçovë më shumë se në çdo qytet tjetër ka ende shkrimtarë pasardhës të Xha Derallës. Satiristë, që janë marrë dhe merren ende me humor dhe satirë. Publikimin e veprave satirike. “Armiqë” të popullit, dhe të “rrezikshëm” për shtetin e “përbashkët” të “vëllazërim – bashkimit”. Fatkeqësisht, Sot: një Xha Derallë, nuk e ka Shqipëria. As, Kosova. Po, e ka Sot: Maqedonia e Veriut.

Në vitin 1988/ 1989 shpërtheu edhe Lufta në Kosovë. Probleme kombëtare, politike dhe vështirësi ekonomike, të cilat i përballonte në atë kohë me vështirësi Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar në IRJ të Maqedonisë. Përveçse me organizimin e jetës kulturore në IRJ të Maqedonisë, duheshte të merret edhe me strehimin e shqiptarëve kosovarë të dëbuar nga trojet e tyre etnike në lokalet e saj edhe pa kushte minimale humanitare jetese, as për vete. Reagimeve me anë të kumtesave kundër dhunës ndaj shqiptarëve në mjetet e informacionit, dhe deri tek organizatat e ndryshme botërore. Përkrahjen, që i dha vite me radhë hapjes të Universitetit të Tetovës.

Organizimin e manifestimit kulturor tradicional ndërkombëtar: “Ditët e Naimit për Kosovën” në Kampin e të dëbuarve kosovarë në Ҫegran (1999), dhe themelet e “Takimeve nën Rrap” (1997), që i kishte mbi shpinë. Vite më vonë, edhe Ditët e Humorit dhe Satirës: “XHA DERALLA”, në Kërçovë (2003). Edhe atë dihet, në mes të dy zjarreve: nga njëra anë e “maqedonasve” për “identitet”, dhe nga ana tjetër e mashave politike shqiptare në pushtet, që i ngatërroheshin me vite nëpër këmbë. Themelimin e Shoqatave dhe Klubeve të shkrimtarëve edhe nëpër katunde me përfitime materiale marramendëse pa shkrimtarë. Manifestimet e tyre kulturore artistike partiake, përderisa janë gjallë në pushtet.

Jorastësisht, popullit shqiptar vetëm në Shkup (kryeqytetin Historik në Maqedonisë e Veriut”, përveç partive politike Shqiptare për çdo javë, i lindin vetëm për një shënim kulturor brenda një dite, edhe Shoqata të shkrimtarëve shqiptar, Klube të shkrimtarëve, manifestime kulturore – artistike, revista letrare dhe tre manifestime kulturore paralele brenda një dite: “Ditët e Naimit” 1997 – 2005. Universitetit “Nënë Tereza”, me një ekspozitë figurative politiko – fetare… Instituti Kulturor i Trashëgimisë të Shqiptarëve, fundekrye me veshje partiake – politike, ende me qera pa shtëpi, duke shtegëtuar sokaqeve në Trojet Etnike Shqiptare me paratë e popullit shqiptar, përveç Shkupit, edhe në Prishtinë, Tiranë dhe nëpër botë.

Dihet, edhe të Dy-tri shoqatave të shkrimtarëve shqiptar: Shoqata të Shkrimtarëve, në Tetovë, Klube të shkrimarëve dhe Shoqatave të shkrimtarëve shqiptar edhe nëpër katunde. Larg tyre, nuk është, as Shkupi me po ato shoqata qeveritare dhe të “pavarura”: “humanitare”, arsimore dhe kulturore. Aqsa, Dje: mezi e vidhnin kulturën dhe Letërsinë Shqiptare në sistemin Komunist. Sot, e vjedhin haptas me të dyja duart e këmbët dhe trutë në legen para syve të popullit shqiptar me ndihmën e sistemit Neokomunist. Nuk kemi problem me “maqedonasit”, serbët, grekët, bullgarët… Armiqtë historik… Problem kemi me vetëveten: “shqiptarët”, nëpër instuticionet e shtetit të “përbashkët” këmbetru në legen. Armikun më të mëdh të popullit shqiptar.

Fatkeqësi e Politikës Shqiptare?! Politikë, që nga perandoria osmane, serbe dhe jugosllave e udhëhequr me politikanë nga Gjakova, dhe në Maqedoni, nga Dibra. Fatkeqësi kombëtare, që pas “ndryshimeve” demokratike politika shqiptare u la në dart e politikanëve të Podujevës dhe Tetovës, rrëzë Sharrit Plak?! Politikanë, jo profesionistë në Ditën e Sotshme. Burra, që në sistemin komunist e pushtuan Jugosllavinë me krah pune, dhe ëmbëlsira: boza, limunada, tatëlia, revani dhe tollumba turko-shqiptare. Vetëmse, nuk e pushtuan me politikë madhore. Burra e gra shqiptare, mos e përzini politikën me arsimin, kulturën dhe letërsinë! Themelet, e një shoqërie. Shteti shqiptar. Shkaku, se: partitë politike, çdo katër vite vijnë në pushtet. Edhe, ikin pa gjurmë e nishan nga pushteti. E, arsimi, kultura dhe letërsia janë të përjetshme. Edhe, pas vdekjes.

Megjithatë, qëllimi  Lidhjes të Shkrimtarëve Shqiptar me Shtëpi në Shkup, dihej: Rruga për në “Baba Tomor”. Malin e Perëndive, ku Verë e Dimër pihet vera, lindë Poezia. Dhe, bëhet dashuri me Zanat e Malit te “MRIZI I ZANAVE” të Fishtës. Patjetër, gjallë ose i vdekur, duhet të hipim në “Baba Tomor”. Malin e perëndive, Lufta jonë vazhdon me Penë.

Dhe, kështu nga viti në vit zvarritej dhe shtyhej ky manifestim i veçantë kulturor – artistik të jetë tradicional mes popullit shqiptar: Qeshim, edhe qajmë. Nuk e donin vetë partitë politike shqiptare në pushtet. Nuk e donin, as ato “maqedonase”. Nuk e donte edhe Zoti të hipin shqiptarët në “Baba Tomor”. Malin e perëndive. Qoftë “musliman”, katolik… Ose, i krishterë ortodokës… E, ku më me Fetë e tjera të partitve politike të “ vëllazërim – bashkimit”. Hajdutë, brez pas brezi. Edhe, të pafe edhe Sotek .

Në vitin 2001 plasi lufta edhe në IRJ të Maqedonisë. Edhe një vit humbje. Dhunë. Flakë. Frikë. Varfëri. Kohë lufte, kur nga Shqipëria erdhi një autobus me poetë e targa TR, dhe pranë tankeve u lexuan poezi. Poeti pjesëmarrës,Visar Zhiti e shënoi me një reportazh emocional letrar: Të lexosh poezi pranë tankeve (Tiranë, DITA 3 nëntor 2001).

Viti 2002, me probleme edhe më të mëdha politike dhe ekonomike. Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar, përsëri ballafaqohej me vështirësi të mëdha ekonimike e politike. E vazhdonte jetën mes dy zjarreve, si Lidhje e Shkrimtarëve Shqiptar gjoja si “paralele” në IRJ të Maqedonisë, (maqedonasëve dhe shqiptarëve), ku gati për çdo vit konkuronte në Ministrinë e Kulturës sipas konkursit të hapur me programin e vet vjetor. Në mes të tjerave edhe me këtë manifestim kulturor, Ditët e Humorit dhe Satirës: “XHA DERALLA”, në Kërçovë. Por, fatkeqësisht nuk ndihmohej ky manifstim kulturor i vetëm në IRJ të Maqedonisë, ku vetë një manifestim të këtillë nuk e kishin maqedonasit. E shi, sipas tyre donin ta organizonin shqiptarët. Përmëkeq, e sakatonin me mjete materiale edhe Manifestimin Kulturor Tradicional: TAKIME NËN RRAP, në Shkup, i rrethuar me katunde shqiptarë.

Vite me radhë u shpeshtuan sulmet politike partiake ndaj Lidhjes të Shkrimtarëve Shqiptar. U angazhuan edhe mashat shqiptare të partive politike të strukura në Ministrinë e Kulturës me vende pune partiake dhe honorare marramendëse. Programet e Lidhjes të Shkrimtarëve Shqiptar, edhe pse: ndihmoheshin me shuma materiale qesharake, përsëri paguheshin të cunguara dhe me vonesa të mëdha disa vjeçare. Ose, nuk paguheshin fare.

Në fund, i përveshëm vetë mëngët deri në bërryla, dhe në vitin 2003 për herë të parë i shtimë themelet e Manifestimit të parë Kulturor: Ditët e Humorit dhe Satirës: “XHA DERALLA”, në Kërçovë. Erdhën satiristë nga të katër anët e Atdheut. Edhe, Bota. Kërçova ato ditë kishte festë poetike. Katundarët, e Xha Derallës në mes të fshatit e shtruan edhe Sofrën poetike – satirike: “XHA DERALLA”. Poezitë e tyre i lexuan penat më të njohura të humorit dhe satirës mbarëkombëtare. Artisti i popullit, Him Koça për disa çaste në mesin e fshatarëve i solli për herë të parë edhe vargjet satirike të Ali Asllanit: “Hani, pini dhe rrëmbeni!…”

Dhe, ja pas kaq vitesh lufte me poezi për kulturë dhe letërsi shqiptare, me forcat tona, ndihmën e miqëve poetë, Klubit të Shkrimtarëve “Mugullimi”, në Kërçovë dhe mbështetjen minimale materiale të Ministrisë së Kulturës, pronarit të Hotelit “Kërçova”, dhe pronarit të Restorantit “Roma”, ky manifestim kulturor arriti të mbahet për herë të dytë dhe të shtatë në Kërçovë. Dhashtë Zoti, Nesër të jetë Tradicional Ndëkombëtarë. Njëherit, të tubojë penat më të njohura të humorit dhe satirës nga të gjitha Trojet Etnike Shqiptare, Diaspora, dhe Ndërkombëtare, me të vetmin  qëllim kulturor-artistik: të rritet tradicional dhe ndërkombëtarë, të ketë jetë të gjatë sa malet, edhe më shumë, sesa vetë humoristi dhe satiristi Xha Deralla, brez pas brezi në gjirin e popullit shqiptar. Edhe, Ringjallje te “Çifligu i Xha Derallës”, te “Përroni i Thanës”, ku zogjtë i kanë ndërtuar çerdhet shekullore pranë Burimeve malore. Dhe, për çdo pranverë ia thonë këngës atyre maleve, mes sorrave, skifterëve dhe ujqërve.

Dhashtë Zoti, vitin tjetër që vjen (2024), në fshatin Cërvicë, vendlindjen e Xha Derallës  e përurojmë edhe librin e tij me anekdota “XHA DERALLA”. Dhe, e zbulojmë përmendoren e tij te “Ureja”, në vendlindje. Vendin, e preferuar gjatë verës dhe Dimrit madh, para Portës të “Xha Mazllëmit” në Katund, ku rrinte para porte Plaku mjekërbardhë njëqindvjeçarë, dhe u kishte vënë pusi me anekdota xhandarëve të serbit, dhe Hoxhës “Allahut”, rrëzë maleve të “Çelvjollcës”, në Katundin Cërvicë të Kërçovës me Dy shtama verë të Zanave Malit…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.