(Poezi kushtuar heroit Agim Ramadani – emri i të cilit, qëndron i pavdekshëm dhe simbolizon poetin, piktorin dhe strategun ushtarak që u shndërrua në legjendë…)

Lindi në një ditë me rreze dielli
që ranë me gëzim mbi dritaret e shtëpisë.
E pagëzuan me emrin Agim –
agim i mëngjeseve
të dëlira e të bardha.
Poet me shpirt të lirë,
ushtarak me disiplinë,
luftëtar legjendar në fushëbeteja.
Kur plagët e Atdheut u hapën sërish,
ti u ktheve si shqiponjë në folenë e lashtë,
si dikur Gjergj Kastrioti Skënderbeu,
për të mbrojtur nderin dhe lavdinë
e Dardanisë dhe Arbërisë.
Flakëve – me flakë iu përgjigje,
si rrufe mbi malet e Kosovës.
U bëre shkëmb në Koshare,
aty ku vetëm pushka foli
për lirinë e kombit.
Me gjakun gurrë të djemve shqiptarë
u rrënuan muret e hekurta
që ndanë vëllain me vëlla
pothuaj një shekull.
U këputën prangat e robërisë
që djali e vajza shqiptare
të ecin lirshëm
drejt Shqipërisë.
Përherë krenare:
Prishtina, Shkupi, Presheva,
Ulqini dhe Tirana.
Agim Ramadani – Katana,
lum që të lindën
babai dhe nëna.
Emri yt – kurrë nuk shuhet
e as kurrë nuk perëndon,
dritë që historinë e kombit ndriçon.
Arif Ejupi
Gjenevë, 5 prill 2026











