Ky format bisedimesh me Serbinë është i dështuar…

0
Ibrahim Kabili

Bisedimet me Serbinë janë futur në rrugë pa krye. Ata janë pa bosht kurrizor dhe si të tilla nuk do të kenë ndonjë rezultat. Do të dështojnë për sa kohë Serbia i largohet problemit kryesor, njohjes së Kosovës. Do të dështojë sa kohë që Serbia nuk kërkon falje dhe nuk bën dëmshpërblimet e luftës. Me këtë format, bisedimet janë farsë. Do të dështojnë sepse Serbia nuk është serioze dhe nuk i ka kërkuar falje Kosovës për gjenocidin e ushtruar ndaj popullsisë së saj. Serbia dhe Vuçici në “bisedimet” për normalizimin e marrdhënieve me Kosovën vetëm po “blejnë kohë”. Kjo kohë është shumë të çmuar për të mbajtur pushtetin nga ana e tij. Karta më e mirë për ta realizuar këtë ëdhtë ajo e nacionalizmit.

Ai nuk do ta nënshkruaj marrveshjen përfundimtare me Kosovën. Të gjitha marrveshjet e arritura nga bisedimet e Kosovës me Serbinë nuk janë zbatuar nga pala serbe. Vuçiç nuk ka për të nënshkruar marrveshje për njohje reciproke. Kjo është “aksioma” e tij e thënë e stërthënë me qindra herë nga vetë ai. Atëherë çfarë bisedimesh do zhvillohen? Për ulje tensionesh apo për normalizim marrdhënjesh midis Kosovës dhe Serbisë! Këto janë përralla me mbret. Këto tregohen në netët më të gjata të dimrit. Fatkeqësisht ku “dimër i gjatë” bisedimesh po zgjat me vite dhe vite… Po të vazhdohet kështu nuk do të ketë kurrë “pranverë”në këtë drejtim. Nuk do ketë kurrë rezultate në këto bisedime pasi është devijuar qëllimisht problemi kryesor i tyre. Problemi kryesor është njohja reciproke.

Kjo nuk ka për të ardhur kurrë me Vuçiçin dhe drejtuesit e Serbisë së sotme. Ata janë pasues të denjë të Millosheviçit!, dhe ndoshta edhe më “finokë” se ai. Nuk duhet me u habitur për këtë pasi ata janë mjeshtra të stisjeve, mashtrimeve, spekullimeve, etj. Kjo sjellje politike e Serbisë ndaj shqiptarëve i ka rrënjët thellë në histori. Sot ata po tregohen më “tolerantë” pasi brenda në Kosovë janë ndërkombëtarët dhe NATO. Qëndrimi i BE-së ndaj palëve për situatën në veri të Kosovës është shumë i çuditshëm. BE-ja kërkon çtensionim të situatës. Shumë mirë deri këtu, të gjithë e dëshirojnë çtensionimin, veç Serbisë dhe Vuçiçit. Në rast të kundërt thotë BE-ja, palët do përballet me pasojat.

Edhe kjo në pamje të parë duket shumë e mirë. Por BE-ja “harron” që agresori krijon sa herë ti dojë qefi situata të tilla me Kosovën. Dhe për këtë Evropa fajëson Kosovën. Jo, Kosova është viktima. Ajo e ka paguar rëndë çmimin e lirisë….Vetëm një pyetje e thjeshtë retorike mund t’i bëhej Vuçiçit, nga Borelli dhe Lajçaku, në bisedimet maratonë: -“Do ta njohësh Kosovën apo jo, zoti Vuçiç”? Përgjigja e Vuçiçit është e prerë: – Jo, kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Bisedimet këtu duhet të ndërpriteshin. Kjo nuk ndodhi, përkundrazi ata fajësojnë Kurtin! Unë nuk habitem me këtë qëndrim të Evropës sepse ajo e tillë ka qenë në histori ndaj shqiptarëve dhe trojeve të tyre. Vepër e saj është shqyerja dhe kafshimi i trojeve shqiptare gjatë historisë.

Pasojë e qëndrimeve të saj është ndarja e trojeve etnike shqiptare në gjashtë shtete… Por kësaj here unë pata shpresë, dhe vazhdoj të kem ende, tek Amerika dhe interesat e saj gjeopolitike në Ballkan. Gjithësesi qëndrimet në këto bisedime ndaj Serbisë janë të buta. Janë të tipit “tërhiqe” dhe “mos e këput”. Mendoj se synimi i SHBA-së është të tërheqë Vuçiçin dhe Serbinë në anën e saj dhe ta shkëpusë atë nga kthetrat dhe ndikimet ruso- serbe. Kjo, mendoj unë, është e vështirë pasi Serbia është shteti më pro rus në Ballkan. Amerika e din mirë se Serbia nuk njeh gjuhë tjetër veç asaj të forcës. Forca e NATOS dhe e perëndimit e gjunjëzoj Serbinë në vitin 1999. Sot Vuçiçi është i dorëzuar falë perëndimit, SHBA-së dhe pranisë së tyre me trupa ushtarake në Kosovë.

Unë gjithnjë kam besim se SHBA-ja. Ajo nuk do ta lërë vetëm shtetin e Kosovës. Nëpërmjet këtyre shkrimeve të motivuara nga situatat e krijuara atje, unë modestisht, mendoj: 1-SHBA- ja të rivendosë në qendër të bisedimeve Kosovë-Serbi, njohjen reciproke midis dy shteteve. 2-Amerika nuk duhet të lejoj ndarjen e Mitrovicës. Mitrovica dhe tre komunat e tjera në veri janë toka shqiptare. Popullimi i tyre sot me popullsi me shumicë serbe është rrjedhojë e spastrimeve etnike nga ana e Serbisë dhe kolonizimi i këtyre territoreve me serbë. 3-SHBA-ja të ndalë nismën e Serbisë për krijimin e “botës serbe”, si rrezik i madh i paqes në Ballkan.

4-SHBA-ja të mbështesë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në vendosjen e autoritetit të shtetit të Kosovës në veri dhe në luftën kundër krimit të organizuar atje.
5-Albin Kurti si kryeministër i Kosovës është politikani që i duhet vendit. Ai ndryshe nga të tjerët po përpiqet që Kosova të funksionoj si shtet i pavarur dhe sovran në gjithë territorin e saj. Ai nuk po i lëshon pe Serbisë dhe Vuçiçit. Pozicionimi i tij, kundër; ndarjes së Kosovës, shkëmbimit të territoreve dhe “Open Ballkanit”, e bëjnë atë politikanin më të dashur në Kosovë dhe trojet shqiptare, për shumicën e shqiptarëve. Kështu mendoj unë. Do fitojë apo jo me këto veprime dhe qëndrime? Unë shpresoj, se po. Të presim. Fitorja apo dështimi i tij do të varet shumë nga mbështetja e Amerikës dhe e shqiptarëve…

Ibrahim Kabili
Tiranë, më 01.07.2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.