KUSHTËZIMET ABSURDE TË NDËRKOMBËTARËVE; BLLOKOJNË KOSOVËN!

1
Asambleja Parlamentare - KE

IDRIZ ZEQIRAJ

Dy javë para takimit të 46 shteteve evropiane, ku pritej pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, Gerald Knaus, nga “Iniciativa Evropiane për Stabilitet”, dha alarmin se “disa shtete po përgaditën të bllokojnë pranimin e Kosovës për organizatën e Këshillit të Evropës!” Në krye të kësaj bllokade, çuditërisht, ishin dy nga shtetet kryesore të Evropës, Gjermania e Franca dhe e gatshme për t`iu bashkangjitur edhe Italia.

Shokuese është rrjeshtimi i Gjermanisë kundër Kosovës, edhe pse butësisht e thotë se “nuk është kundër këtij anëtarësimi!” Por, shton parakushtin shtesë: “Më parë Asociacionin për komunat serbe , pastaj anëtarësimi”, i cili nuk është pjesë e standardeve për këtë anëtarësim. Kancelari Scholz, bashkëhartues i Draft Statutit skandaloz për Asociacionin, që parashikon një lloj autonomie territoriale për komunitetin serb, si trampolinë për të arritur bosnizimin e Kosovës, ngjashëm me atë që është instaluar në Bosnjen e asfikësuar ekonomikisht, politikisht, territorialisht.

Pse kjo metamorfozë dhe strategji e re e këtyre dy shteteve, prijetare të Evropës, ndaj Kosovës?! Opozita e frustruar, e tmerruar nga nisma e qeverisë, për ta jetësuar –VETTINGUN-; deklarimet e pasurive marramendëse, edhe pse gjysmake në deklarim, të disa zyrtarëve kriminelë e makro-hajna, që kanë abuzuar me pushtetin dhe kanë vjedhur shtetin, janë hedhur në sulm frontal, për ta hequr qafe kryeministrin Kurti me qeverinë e tij, qoftë edhe duke e goditur Kosovën, me shpifjet monstrume, duke përligjur kërkesat absurde të ndërkombëtarëve, respektivisht, të Serbisë.

Kjo është një joshje, një thirrje e drejtëpërdrejtë për ndërkombëtarët, që angazhohen në largimin e kryeministrit Kurti. Ecejakët e Escobar në Tiranë, ankesës të Ramës për Kurtin, i dha të drejtë, por, ia kujtoi atij se “Kurti ka mbështetje të madhe në popull”. Në Paris, në bisedë me Ramën, Makron huazoi akuzën e opozitës të çoroditur të Kosovës se “Kurti po mashtron dhe nuk po vepron për Asociacionin!” Koordinimi Escobar-Rama-Macron dhe dështakët e BE-së, Borrel dhe Lajçak, përgjatë gjithë dialogut, fort të flirtueshëm me Serbinë, punuan dhe u lodhën shumë, për ta dështuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Koralisht dhe poshtërsisht vazhdon të trumpetohet se treshja shtetare: Presidentja, Kryeparlamentari, Kryeministri të Kosovës, në letrën dërguar raportueses Bakojanis në Këshillin e Evropës, “premtuan, në mes tjerash, edhe krijimin e Asociacionit, por nuk e zbatuan, pra, mashtruan!” Gënjeshtër e kulluar, e bërë nga opozita me kompani. Letra në fjalë është sintezë e të gjitha deklarimeve të njëtrajtshme, konsistente të kryeministrit Kurti, me bashkështetarët Vjosën, Glaukun, Donikën dhe të zyrtarëve të tjerë të LVV se “Asociacionit do t`i vijë radha, por vetëm pas shqyrtimit të 6 pikave rendore, do të bisedohet për pikën e 7, ku shënohet Asociacioni”. Dhe, asnjë korrigjim, qoftë në përmbajtje apo kohë, nuk është thënë apo bërë.

Dilema e madhe: Drejtësia e kapur nga komandantët e shantazhuar të LPK-PAN-it

Dërgimi i Draft Statutit franko-gjerman apo ndonjë Draft tjetër për Asociacionin, i hartuar nga vet qeveria në Gjykatën Kushtetuese. Sistemi Drejtësisë është dhunuar dhe rrënuar nga disa komandantë, të veshur me pushtet të pamerituar, më sakt, uzurpatorë të dhunshëm të pushtetit, qoftë edhe duke shkelur mbi kufoma shqiptarësh! Kjo “drejtësi” i heshti qindra vrasje politike dhe afera tjera korruptive, për një çerek-shekulli çlirim! Janë qindra arrestime, për krime faktike. Gjykatat e Kosovës, nën presionin e bandave të komandantëve, i kanë liruar me arsyetime fallso, si: krimi i kryer nën efektin të depresionit; dënimi me mbyllje në shtëpi; dënim me para, edhe atëherë kur plagosja me armë zjarri, është cilësuar -tentativë-vrasje; lirim me kush dhe pisllëqe tjera! Edhe atëherë kur janë dënuar, komandantët kanë rihapur gjykimin dhe me përralëzime gjithfarëshe ua kanë zbutur dënimet, duke përgaditur edhe faljen e dënimeve kriminelëve vrastarë!

Sjellim vetëm dy raste të trishtme, të gjykimit të Gjykatës Supreme dhe Kushtetutese të Kosovës, në raport me Serbinë, me ndërhyrjen e politikës:

  1. Gjykata Kushtetuese gjeti 23 shkelje të Kushtetutës, në Asociacionin e nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa të viti 2013. Por e heshti dhe nuk e shpalli të paligjshëm se Kushtetuta nuk e parasheh, nuk e ligjëson Asociacionin njëetnik, siç ishte ai i vitet fatal 2013. Si dhe plot shkelje tjera u heshtën.
  2. Prona shtetërore prej 24 hektarësh tokë-park, të dhuruar me një vendim nga kryekrimineli Millosheviq, ishin Gjykata Supreme dhe ajo Kushtetuese, që aprovuan dhe zbatuan vendimin sa cinik, aq edhe kriminal të Sllobodan Millosheviqit.

Shtrohet pyetja: Cila është siguria e një gjykimi të drejtë e kombëtar, kur dihet se kjo Gjykatë, ashtu si dhe i gjithë Sistemi i Drejtësisë është i kapur nga ish-zyrtarët, ish-pushtetarët e shantazhuar dhe të kërcënuar me dosje krimesh faktike, ekskluzivisht, të vrasjeve politike, të ushtarëve luftëtarë dhe të veprimtarëve atdhetarë.

Aq më e frikshme dhe dyshuese bëhet Gjykata Kushtetuese, kur shihet ngulmimi i ndërkombëtarëve, që Draft Statuti i Asociacionit të dërgohet me nguti dhe menjëherë për shqyrtim në Gjykatën në fjalë. Dhe, kur shohim këtë aprovim e gadishmëri të memëzipritur, të ish-pushtetarëve, zyrtarëve partiakë të PAN-it, me dosje krimesh të faktuara, por të pandëshkuara, hafije të hershëm dhe të vonshëm të Shërbimeve Informative, të shteteve armike të Kosovës, me shantazhim të rrastë, rreziku i një gjykimi e vendimi në favor të Serbisë, është lëndor, real. Dhe, kjo tmerron shqiptarët e Kosovës dhe ata të përbotshëm.

Asociacioni krijesë unike i një shantazhimi të vrazhdët. Presidenti Rugova e dinte këtë dhe e zvarriti për muaj të tërë krijimin e qeverisë së parë ligjore, sepse nuk pranoi ngritjen në pozitë të njeriut të shantazhuar. Ishte kreu i Shërbimit Informativ të Francës, Pierre Seramy, në -TV Canal+, ai që denoncoi rekrutimin e Hashim Thaçit agjent të DGSE, përmes Danjean Arnaud, dhëndër i Serbisë. Ai u kujdes për ngritjen e Hashimit në të gjitha postet, hiç të merituara; në Rambuje u përpoq ta dështonte nënshkrimin e marrëveshjes. I ndodhur nën presionin e shantazhimit, u nënshkrua edhe marrëveshja për Asociacionin në vitin 2013.

Clausula “Rebus Sic Stantibus”, është doktrinë ndërkombëtare, që jepë mundësi të korrigjimit të Marrëveshjeve e kontratave të nënshkruara, nëse rrethanat ndryshojnë, nga koha kur është nënshkruar dhe dëmtojnë ekstremisht njërën palë padrejtësisht.

E para, përveç rrethanave të një shantazhimi ekstrem, me dosje vrastare të oficerëve të FARK-ut dhe të veprimtarëve të LDK-së, për qëllime politike, të marrjes së pushtetit me dhunë, duke kopjuar metodën fashiste të bandës komuniste të Enver Hoxhës, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, nga Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale, respektivisht, komandantët e “UÇK-së” të LPK-së, të instruktuar nga oficerët e Sigurimit Shqiptar, në koordinim me Shërbimet Informative armike të Kosovës.

E dyta, Serbia zyrtare ka shpalosur hapur qëllimin e themelimit të Asociacionit, krejt ngjashëm me krijimin e “Republika Srpska” të Dodikut në Bosnje, me qëllim të shkëputjes të veriut të Mitrovicës, për t`ìa bashkangjitur Serbisë. Si dhe bërjen e saj hisedare në administrimin e komunave serbe brenda Kosovës. E gjithë kjo nuk ka asgjë të përbashkët me Asociacionin e planifikuar nga Ahtisari.

Dhe, këto dy rrethana, shumë domëthënëse, janë të mjaftueshme për ta aktivizuar doktrinën e cituar ndërkombëtare, në korrigjimin e Marrëveshjes për Asociacionin.

Panegjerikët e partive-banda të PAN-it, argat të Hashim Thaçit në ndarjen e Kosovës, tashmë, të prirë nga Edvin Rama, nuk na habisin se janë në një linjë me Vuçiqin. Por, heshtja e këtyre fakteve nga Kurti me qeverinë e tij si dhe LDK-ja e përgjakur nga bandat e kuqe të LPK-së, alias PAN-it, është shokuese. Me Presidentin Macron duhet biseduar hapur e seriozisht, përse Franca rekruton kreun shtetëror të Kosovës agjent të Serbisë?!

Kurti konstaton shkatërrimtarët e Kosovës, por nuk i ndëshkon ata!

Pritshmëria e shqiptarëve që Kurti do të përballet me fajet-krime të shtetarëve të shantazhuar, është zhgënjyese. Ai po mjaftohet vetëm me konstatimin e supër të sakt se “Kosovën e shkatërruan pushtetarët e shantazhuar!” Mosveprimi i tij ligjor, po i kushton Kosovës.

Pjesë e dramës tragjike të Kosovës, është edhe kryeministri shqiptar, Edvin Rama. Në vend që ai, me qeverinë e tij, të angazhohen për zhbërjen e Asociacionit, përkundrazi, ai është bërë argat aktiv i Serbisë. Dhe, ngulmon për krijimin e Asociacionit të njëanshëm në -MIRËBESIM-, pavarësisht se 6 pikat e radhës, para të 7-ës, mbetën peng të Serbisë.

Të bëmat e Ramës përhapin mjegullnajë. Ai ka angazhuar gazetarë matrapazë, në mes tyre edhe Blendi Fevziun, me ecejakët e tij në Hagë, për ta zhbërë Gjykatën Speciale, me qëllim të lirimit të Hashimit me shokë, siç kërkoi Vuçiqi nga Rama, për ndërmjetësim ke amerikanët, për ta vazhduar procesin e ndarjen të filluar të Kosovës, nga Hashimi dhe PAN-i i tij.

Kthimi i Ramës ke Dick Marti, është hipokrizi, është çështje e vdekur, si vet Marty. Vërtet, nuk është mbushamendje transplantimi i organeve, andaj edhe Gjykata e ka lënë jashtë akuzës. Por, e ashtuquajtura “Shtëpia e Verdhë”, si njëra nga dhjetra burgjet rurale, të improvizuara-burgje në Shqipëri dhe Kosovë, është një realitet i pademantueshëm.  Ajo shtëpi-burg është një realitet, në mesin  e shumë shtëpive, shtallave, ahureve, objekteve të braktisuara. Ato kanë qenë dajakosje e deri thertore për ushtarët luftëtarë dhe veprimtarët atdhetarë të LDK-së. Ministri i Mbrojtjes, Halil Bicaj, në një televizion të zëshëm, në mes krimeve tjera të SHP të “UÇK-së” të LPK-së, përmendi edhe vrasjen e të paktën 11 ushtarëve, të nisur në kohë të ndryshme për në Koshare, nuk kanë arritur kurrë në destinacion dhe as nuk janë parë kurrë më në jetë!

Është pranim i vrasjeve politike, nga komandantët me bandat e tyre, arsyetimi i Hashim Thaçit, për krijimin e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë: “Vrasjet e vazhdueshme të dëshmitarëve, për ekzekutimet politike, kushtëzuan themelimin e Gjykatës Speciale”. Këtë të vërtetë, në shkallën sipërore, e deklaroi publikisht, duke qenë në cilësinë e Presidentit të Republikës. Edhe vrasja e shumë gazetarëve në Kosovë, përgjatë dhe pas luftës, denoncues të krimeve të komandantëve, është për të njëjtat motive dhe nga e njëjta Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale.

Historia shqiptare e dy shekujve të fundit, ka qenë tragjike në tavolinat e Fuqive të Mëdha, sepse tokat shqiptare janë përdorur si kusuritje, për t`i kënaqur fqinjtë lakmiqarë. Si duket ka tendenca për përsëritjen e historisë, për vazhdimin e tkurrjes të trojeve shqiptare. Faktori politik gjithëshqiptar duhet të vetëdijësohet për fatin e përbashkët, duke treguar dinjitet dhe integritet, në mbrojtjen e trojeve aktuale.

1 KOMENT

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.