Shkruan Asllan Dibrani-Luani
Në politikën e Kosovës po përsëritet një gabim i vjetër: lufta për pushtet po vendoset mbi interesin e shtetit. Kryeministri Albin Kurti gaboi rëndë kur e injoroi Vjosa Osmanin dhe e shtyu vendin drejt një krize të re institucionale. Por përgjegjësia nuk është vetëm e tij. Edhe opozita po tregon një mungesë serioze vizioni dhe përgjegjësie përballë situatës.
Vjosa Osmani është një figurë e përgatitur dhe e dëshmuar në skenën politike. Ajo ka treguar se di të përfaqësojë institucionet me dinjitet dhe profesionalizëm. Injorimi i saj nuk është vetëm një konflikt personal apo partiak; është një gabim politik që dobëson institucionet e shtetit dhe krijon përçarje të panevojshme.
Por edhe opozita nuk mund të paraqitet si shpëtimtare e situatës. Në vend që të ofrojë zgjidhje dhe përgjegjësi shtetërore, ajo shpesh mjaftohet me kritika dhe kalkulime politike. Kosova nuk ka nevojë për një garë se kush e shfrytëzon më shumë krizën politike, por për një klasë politike që di të vendosë interesin e shtetit mbi interesin e partive.
Vendimi për ta futur vendin përsëri në zgjedhje është një tjetër goditje për qytetarët. Populli është lodhur nga votimet e shpeshta, nga konfliktet e pafundme politike dhe nga mungesa e stabilitetit. Në vend që të ndërtohen institucione të forta dhe funksionale, po krijohet përsëri një atmosferë pasigurie dhe tensioni.
Edhe më shqetësuese është fakti se kjo ndodh në një kohë kur bota po përballet me tensione dhe kriza të mëdha sigurie. Rajoni ynë nuk është i izoluar nga këto zhvillime. Në një moment të tillë, një shtet i vogël si Kosova ka nevojë për stabilitet, unitet institucional dhe lidership të pjekur.
Ta lësh vendin në prag të një krize institucionale dhe pa stabilitet politik është një gabim serioz. Pozita dhe opozita duhet ta vënë gishtin në kokë dhe të reflektojnë. Kosova nuk mund të mbetet peng i ambicieve politike dhe kalkulimeve partiake.
Deri më sot kam përkrahur shumë nga hapat politikë të Albin Kurtit, sepse kam besuar në ndryshim dhe në përgjegjësi. Por përkrahja nuk do të thotë heshtje përballë gabimeve. Kur bëhen vendime që rrezikojnë stabilitetin e shtetit, ato duhet të kritikohen hapur.
Kosova ka nevojë për politikë që bashkon, jo për politikë që e fut vendin në kriza të njëpasnjëshme. Në fund, historia nuk do të gjykojë se kush fitoi një betejë politike, por se kush e mbrojti shtetin dhe interesin e qytetarëve.











