Hajdin Morina
KUR E SHALOJNË ATIN
kur e shalojnë atin
nga e hëna
deri në tjetrën
e prej tjetrës
në të hënën
e vitit tjetër
e kështu
nëpër të gjitha
të premtet
e të dielat
e secilit vit
aq të gjatë
e pa mbarim
e kur të hipin
ty
mbi shpinë
shtatë ditë në javë
e shtatëqind
unë si një fëmijë pa shtëpi
njëqind vjet ndër varre rri
duke i pyetur
me zërin e ngjirur
ata që aty janë shtrirë
pse ende nuk u zgjuan
pse ende aty rrinë
PAS FESTËS
e menjëherë nesër
pas festës
fryu erë
e avazit të vjetër
secili partinë mbi tavolinë
dhe një flamur të vogël
kuqezi
për hipokrizi
e dhimbja na kapi
e njëjta
sikur të sëmurin
kur e lëshon ëndrra
STINË BEJTEXHINJSH
rrezet e syve
t’i kanë nxirë
bejtexhinjtë
prej vargut të tyre
dil e ik
te një krua
që t’i ruan sytë
mbushu frymë
zbukurohu njëherë
si atëherë.
ZËVENDËSIMI I TË LASHTAVE
Ata urov e jonxhë mbjellin,
grashinë, okër e egjër.
Ata askurrë s’pendohen
pse nuk mbjellin grurë
e pse nuk mbollën.