KUÇEDRA
Meti Rexhepi
U zgjua kuçedra qindra mijëra krerësh e
etni-ngrënësja prore e pangopur
nuk i shuhet e tmerrshmja etje
as në Baltik as në Detin e Zi
as në Adriatik as në Dardanele
as në Ujdhesat Kurile
as në Gjirin e Derrave
*
logjikën dhe zorrët përplot gaz
jashtëqitjet nga lart
ndotin dhe djegin të llamarintin pullaz
*
(vi)rusët mëtojnë diellin dhe akujt siberian
t`i shtrijnë në çdo skutë në çdo anë
dhe nuk kanë të ngopur
uri e (vi)rusëve drithëron Evropën
ankthe me tyta përtej gjumë-ethesh Ukraina
turbullohet truri kapësen barqet rrudhet shpina
*
nuk avullohet truri
porse Ukrainës i tymon mllefi
kallinjve njerëzorë u zhvishen
miliarda kokrrash gruri
*
me flakë tytash e predha
dëfton zgjimin kuçedra
*
u zgjua kuçedra ruse
me përmasa kontinentale gllabëruese
u zgjua ariu polar një akullthyes grabitqar
paraleleve meridianëve globale helmuese
*
këlysh tigrash të sojit të vet
ushqen dhe rritë në një qytet
injeksione tërbimi Qytetit të Bardhë
ndërsen kafshime kanibalësh mbi shqip-farë
*
u zgjua kuçedra mbi lumenj e puse
dridhu Evropë e plakura nuse
paqen e bëje gjithandej Ilirikut
mbi të mbjellat e lashta të shqip “arkaikut”
*
u zgjua kuçedra një dite të nxirë
veçse kur t`i shtangen nofullat
gjokset e kokat
metali do t`ua ketë shkrirë
*
u zgjua kuçedra
që të thyej eshtra
*
le t`i merret çekani
t`i lihet vetëm drapri
që në vatra
të korrë disfata
*
por gllabërimet e lakmuara
kufijtë i kanë deri te krupa
dialektika solli ligje të ndërsjella
gjithçka e patretur kthehet me të vjella
*
ja ku doli doli-doli kuçedra
e mendje-shpellave të zeza
Gjilan, 14 shkurt 2022