Krimi dhe dhuna ndaj grave një fenomen shqetësues për shoqërinë shqiptare…

0
Ibrahim Kabili

Krimi dhe dhuna ndaj grave fatkeqësisht po bëhet një fenomen shqetësues! Rastet po shtohen dhe kurba është në rritje. Në dy muajt e parë të këtij viti kemi tre gra të vrara! Tre nëna të vdekura. Tre familje të shkatërruara! Disa fëmijë jetim për nënat e tyre, aq shumë të domosdoshëm per to! Disa fëmijë që pavarësisht moshës së tyre do t’ju mungojë kujdesi amëror! Disa familje të ardheshme do jene me edukim të cunguar falë vdekjes së prindit kryesor, nënës! Ajo është e shenjtë për fëmijët dhe e pazevendësueshme për ata.

Ky tranzicion i gjatë për shoqërinë shqiptare po na çon në rënie, po na çon në humnerë, po na degradon si shoqëri, po na humbet vlerat e krijuara në kohë, po na shthur deri në qelizën më të rëndësishme të shoqërisë sonë, familjen, po na bën me probleme si shoqëri… Them tranzicioni, pasi nuk ka funksionuar siç duhet gjygjësori. Unë shpresoj shumë në organet e reja të drejtësisë që po dalin nga reforma dhe vetingu… Rezultatet tani po duken…

Po të vazhdonim me ato “po të” e mësipërme rreshtat dhe klithmat e këtyre “pove” do të shkonin deri në hapesiren planetare, deri në vesh të perëndisë… Po përse kështu? Çfarë zgjidh vrasja? Asgjë! Atëherë përse? Për burrëri! Çfarë burri je ti vrasës? Një burracak je, një kriminel frikacak je, asgjë më shumë! Ndaj ndërpriteni këtë fenomen.

Ka zgjidhje alternative. Mjaft më! Familja është djepi i shoqërisë. Po u cënua ajo, shoqëria është e destinuar të vdesë. Të vdesë në mos sot, nesër… Ata që vrasin gratë duhen dënuar me dënim kapital! Ata janë meshkuj që ngjasojnë me “sojin” e tyre në të gjithë hapsirën organike… Ata janë pa koshiencë, pa personalitet, pa dinjitet, thjesht ngjasojnë me paraardhësit e tyre të hershëm…

Disa shkaqe që të çojnë këtu janë:
▪︎ Mungesa e arsimimit apo dhe arsimimi i cunguar.
▪︎ Mungesa e kulturës së përgjithëshme.
▪︎ Sjellja prej bajraktari në familje e burrit ndaj gruas.
▪︎ Instalimi i kulturës së dhunës në familje.
▪︎ Gjendja e vështirë ekonomike dhe papunesia.
▪︎ Përdorimi i pijeve alkoolike, futja dhe përdorimi i drogës, prostitucioni, etj.
▪︎ Mungesa e socializimit në shoqëri.
▪︎ Braktisja e shkollës nga moshat e reja, që më pas me kohe do të ndërtojnë familjet e tyre.
▪︎ Indiferenca vrastare e shoqërisë.
▪︎ Mungesa e emisioneve edukative në mediat televizive dhe ato të shkruara.
▪︎ Shikimi i filmave horror, telenovelave dhe emisioneve jo edukative që jepen dhe propagandohen sot në studio të ndryshme televizive etj. etj…

Rasti i fundit i vrasjes së datës 07.02.2022 në Sheq i Madh të Fierit, i gruas 50 vjeçare Valdete Manaj prej bashkëshortit të saj Petrit Manaj, qe një krim makabër. Vrasja që bëri 56 vjeçari Petrit Manaj tronditi opinionin shqiptar. E tronditi më shumë për mënyrën e vrasjes me gjakftohtësi të viktimës dhe krijimin e alibisë që ky nuk ishte në banesë kur u “vetëvra”, gruaja e tij. Monstra, në kuptimin më etik të fjalës, pasi vrau bashkëshorten u mundua të fsheh krimin. Pasi piu kafe apo hëngri mëngjes në lokal, pas krimit që bëri, kthehet me gjakftohtësi në shtëpi dhe njofton vëllain për “fatkeqësinë” që i kishte ndodhur, pasi bashkëshortja na qenka “vetvrarë”.

Ky monstër nuk është i pari që vret bashkëshorten por shpresojmë të jetë i fundit… Dhe kjo mbetet dëshirë… Unë nuk i di arsyet, nuk i di shkaqet, nuk i di motivet që çuan në vrasjen e Valdetes po di të them se ky është një krim makabër. Për rastin në fjalë autori është në duart e drejtësisë. Ai e ka pranuar krimin dhe drejtësia duhet ti japë atij dënimin maksimal sipas ligjeve në fuqi. Dënimi më i mirë për burrin kriminel do ishte dënimi me burgim të përjetshëm. Kjo do të ishte alternativa më e saktë, në pamundësi të dënimit me vdekje.

Pavarësisht problemeve që mund të kenë familjet, si:
▪︎ Probleme të varfërisë.
▪︎ Probleme sociale.
▪︎ Grindjet në familje.
▪︎ Mosmarrveshjet midis çifteve.
▪︎ Qoftë edhe tradhëtisë bashkëshortore etj.

Asnjëherë nuk duhet të arrihet në krim. Krimet në familje, nuk mund të justifikohen me asgjë, me asnjë problem që mund të kenë bashkëshortët. Problemi më i rëndë nga ato të mësipërmit është tradhëtia bashkëshortore. Edhe ajo e ka zgjidhjen e saj, divorcin. Vrasja është krim. Divorci është zgjidhja më ideale. Jo vrasje! Nuk ke të drejtë t’ja marrësh jetën tjetrit. Vrasja i lë fëmijët pa nënë. Vrasja sjell shumë probleme sociale në familje dhe shoqëri. Respektoje të drejtën e jetës së tjetrit, o njeri! Ndaj stop krimit dhe dhunës ndaj femrave, grave, nënave…

Ibrahim Kabili
Tiranë më 09.02.2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.