Kokën lartë MARCO – Muharrem Salihu!

0
Muharrem Salihu

Shkruan: Florim Zeqa, 12.06.2024

Meqë jam nga ata që e mbështetën me fjalë dhe me votë, në aspektin moral dhe praktik Muharrem Salihun, e kam të drejtën morale që ta vlerësoj në aspektin analitik humbjen e kandidatit të parë shqiptarë nga koalicioni “Stati Uniti D’Europa” për Parlamentin Evropian.

Fushatë dinjitoze e kandidatit shqiptar

Edhe pse për shkaqe shëndetësore nuk kam mundur të isha prezent të tubimet elektorale, nga distanca përmes rrjeteve sociale dhe mediumeve të ndryshme elektronike e kam përcjellur në vijimësi fushatën elektorale të Marco-Muharrem Salihu.

Ishte mesi i fushatës elektorale, saktësisht ishte data 26 Maj 2024 kur z. Muharrem Salihu m’u lajmërua në mesengjer me këto fjalë: “Përshendetje Florim, do kisha dashur të bashkëbisedojmë në lidhje me kandidaturen time për deputet nga Italia ne Parlamentin Europian,…mund të kontriboni me shkrime nga rrjetet e tua…!

Unë menjëherë të nesërmen, më 27 Maj 2024 dola me shkrimin autorial në mbështetje të kandidatit shqiptar, Muharrem Salihu- Marco me titull “Ta votojmë shqiptarin Muharrem Salihu për deputet në Parlamentin Evropian”. https://fjala.info/ta-votojme-shqiptarin-muharrem-salihu-per-deputet-ne-parlamentin-evropian/

Pas publikimit të shkrimit, kandidati Muharrem Salihu më kishte premtuar se do të më njoftoj në njërin nga tubimet, por ai erdhi disa herë në Treviso dhe e përfundoj fushatën pa m’u lajmëruar fare!!!

Unë nuk e kam ndërmend t’i kërkojë llogari bashkatdhetarit tim, por dëshiroj t’i bëjë një ftesë publike për të pirë kafe së bashku në llogarinë time, për të analizuar në detaje fushatën dhe të gjitha aspektet e procesit zgjedhor.

Muharremin e tradhtuan shqiptarët, Marco-n nuk e votuan italianët

Bashkombasi ynë, sipërmarrësi më i suksesshëm shqiptar në pjesën veriore të Italisë, z. Muharrem Salihu me akronomin Marco kandidoj në zonën zgjedhore Nord Est, përkatësisht në regjionet; Trentino Alto Adige, Emilia Romagna, Veneto dhe Friuli Venezia Giulia.

Shqiptarët me vendbanim në regjionet e sipërcekura e kishin mundësinë historike që më votën e tyre ta çojnë zërin e shqiptarëve në Parlamentin Europian.

Fushata elektorale e Muharrem Salihut ishte e ndershme dhe dinjitoze, me vullnet dhe besim të madh në fitore, e përditshme dhe tërheqëse për bashkatdhetarët.

Sigurisht që fushata elektorale e kandidatit shqiptar e kishte edhe koston e lartë financiare, të cilën e di vetëm kandidati në fjalë dhe askush tjetër!

Përveq meje që e mbështeta pa asnjë kusht dhe në mënyrë vullnetare, të gjithë të tjerëve, Muharremi ka të drejtë t’ju kërkojë llogari për voten e premtuar! Pasi të gjithë hëngrën e pinë në tubimet e tij elektorale, por jo të gjithë i qëndruan besnik premtimit të dhënë!

Pavarësisht faktit se Marco-Muharrem Salihu nuk arriti të bëhet pjesë e Parlamentit Evropian, ai e bëri historinë në shtetin italian, si kandidati i parë i shqiptarë në këtë shtet që kandidoj për postin e deputetit në Parlamentin Evropian!

Faktorët e humbjes së Marco-Muharrem Salihu janë të shumtë, por në radhë të parë është faktori shqiptar ai i cili nuk e mbështeti ashtu siq e premtoj gjatë fushatës elektorale me “barkun plot”, gojën e lagur nga pijet freskuese dhe mendjen e turbulluar nga pijet alkoolike!

Një faktor tjetër, që Marco nuk e ka lexuar mirë para dhe gjatë fshatës ishte edhe fakti që shumica e pjesëmarrësve në tubime elektorale ishin shqiptar pa të drejt vote në shtetin italian.

Do të mjaftonte vota e shqiptarëve që sot Muharremi të ishte deputet në PE

Krahasuar me numrin e votave të nevojshme që Muharremi i llogariste si të mjaftueshme (30 mijë) për të shkuar në Parlamentin Evropian, më shumë se gjysma e tyre do duhej të grumbulloheshin vetëm në Provincën Treviso, ku ka përqendrim enorm të mërgatës shqiptare nga të gjitha trojet etnike.

Andaj, Marco nuk ka pse të hidhërohet në italianët origjinal, por në italianët e natyralizuar (shqiptarë) që e mashtruan keq gjatë fushatës zgjedhore Muharrem Salihun në të gjitha regjionet dhe provincat, e në veçanti në Provincën e Treviso-s!

Këtë që e themë dëshirojë ta argumentoj me fakte. Në tërë Provincën e Treviso-s Muharrem Salihu i ka marrë gjithsejt 828 vota. Për ta kuptuar edhe më qartë mashtrimin që i bën shqiptarët Muharremit, në komunën e Treviso-s me mijëra shqiptarë me të drejt vote, ai i ka marrë vetëm 59 vota, kurse në komunën më të vogël të provincës (në të cilën unë banoj), pra në Orsago më dhjetra shqiptarë me të drejt vote, Muharrem Salihu i ka marrë 23 vota.

Nëse e krahasojmë komunën e Treviso-s me 85000 banor dhe mijëra shqiptarë me të drejt vote dhe Orsago-n me vetëm 3800 banor me vetëm dhjetra shqiptarë me të drejt vote, atëherë është thjesht e kuptueshme, se kush e gënjeu dhe kush tjetër e ndihmoj me votë Muharrem Salihun. E vërteta nuk është gjithnjë e bukur! Por gënjeshtra është gjithmonë e shëmtuar! (Hermann Hesse).

Unë do t’i thoja nga këtu kandidatit shqiptar; “Testa alta Marco”, kokën lartë Muharrem Salihu për guximin e treguar, për mudësinë e artë dhe të papërseritshme që iu dhe shqiptarëve që ta votojnë kandidatin e parë shqiptar për Parlamentin Evropian.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.