IDRIZ ZEQIRAJ
Thonë se skena politike në Kosovë është e kontaminuar. Realisht, konstatimi më i saktë do të ishte e kriminalizuar. Ka fare pak hapësirë për të zgjedhur partner të përshtatshëm për bashkëqeverisje. Subjekti i parë fitues i bindshëm i zgjedhjeve, LVV, është shumë afër numrave, për ta kompozuar Qeverinë Kurti – 3. Edhe nëse e arrinë kuotën e duhur, do të jetë një qeveri e brishtë, pa fije sigurie për të mbijetuar deri në fund të mandatit katër vjeçar. Veç kësaj, ndërkombëtarët kanë sugjeruar një qeverisje në koalicion, ngaqë ka procese politike të pa mbyllura me Serbinë dhe ka nevojë për një qeveri solide.
Kur bëhet fjalë për koalicionet, krejt lehtësisht lakohen edhe subjektet politike, kriminalizimi i të cilave është faktik. Për një çerek-shekulli riciklohen eksponentë të SHIK-ut, me derivatet e tij “Shqiponjat e Zeza”, BIA dhe të tjera simotra të zeza. Dhe, askush nuk merakoset pse ata, me të bëmat e tyre kriminale, të paktën, nuk duhet të jenë fytyra publike. Disa eksponentë të krimit, në listat për deputetë të partive të PAN-it, e ndotin Parlamentin e Kosovës. Dhe, megjithatë, mburrën krerët e partive të tyre, se, gjoja, listat e tyre janë të pastra, pa cene, deri në shenjtëri!
Ish-partitë e koalicionuara në torishtën e PAN-it, vazhdojnë të jenë të dyzuara: Të krijojnë qeveri me harna, duke bashkuar subjektet e opozitës, apo të garojnë mes tyre, cila ia fiton zemrën më parë LVV, për ta pranuar në bashkëqeverisje? Partitë e koalicionuara, dikur, në PAN, siç janë: PDK-AAK-NISMA, bartin barrën e rëndë të ekzekutimeve të kundërshtarëve politikë, paraprakisht, të listuar emërorë, pastaj, ngeshëm e me sadizëm të vrarë, duke ia shtuar mijëra jetimër Kosovës tonë halle-madhe.
O njerëz, shikoni fotografinë tmerruese, kur familjarët e këshilltarit të Presidentit Rugova, Xhemajl Mustafa, në dëshpërimin e skajshëm, pranë ark-mortit, me trupin e pajetë të tij, e cila u bë virale dhe pushtoi mediet e botërore! Fort të ngjashme janë edhe 1.825 të ekzekutuarit, nga bandat e “komandantëve” pa ushtarë, por me banda të bollshme.
Kosovës po i ndodhë diçka unike, që nuk i ka ngjarë asnjë populli, asnjë shteti në botë. Qeveria e sotme nuk merr guximin, për ta dërguar një draft-statut të Asociacionit, për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, sepse, duke qenë e kapur nga njerëzit e shantazhuar, të cilët mund të vendosin në favor të Serbisë, si herë të tjera, për raste kontestuese të ngjashme.
Tashmë, dominon mendimi dhe aprovimi i opinionit se rikthimi i një koalicioni në mes të LVV dhe LDK-së, është zgjidhja më e mirë. Prishja e koalicionit, në nismë të qeverisjes Kurti -1, ka qenë e përgaditur nga argatët e Serbisë, Hashim Thaçi, në cilësinë e presidentit të Kosovës dhe Richard Grenell, emisar amerikan për Kosovën si dhe disa të tjerë. Fillimisht, Hashimi i kërkoi kryeministrit Albin Kurtit ta shpallë -gjendjen e jashtëzakonshme-, me pretekstin e COVID-19. Qëllimi i presidentit ishte skajshëm i poshtër, marrjen e kompetencave të qeverisë dinakërisht, për t`i hapur rrugë nënshkrimit të marrëveshjes, për ndarjen e Kosovës, për çka kishin punuar dhe lobuar, mjftueshëm, ministra dhe ambasadorë të emëruar nga Hashimi.
Kurti e refuzoi prerazi propozimi qëllim-keq të Hashim dallaverës. Por ai nuk u tërhoq nga intriga e tij e rrezikshme dhe kërkoi ndihmë nga ministri i Brendshëm i LDK-së, Agim Veliu, i cili e mbështeti idenë e Hashim presidentit, për shpalljen e gjendjes të jashtëzakonshme. Mendoj se Veliu u mashtrua, nuk e kuptoi intrigën ogurzezë të Hashimit. Përndryshe, familjen Veliu, respektivisht, Gashi, e njoh që nga vitet ´60-a, kur shërbeja mësues në zonën e Llapit, si qendresëtare ndaj pushtetit pushtues serbo-sllav.
Hashim Thaçi, tashmë, prej një çerek-shekulli, ishte rekrutuar agjent i dyfishtë. Rekrutimi i parë i tij ishte bërë nga Arnaud Danjear, shef i DGSE, Sherbimi Informativ francez dhe përmes tij edhe i Serbisë. Hashimi kishte marrë obligime të pista dhe nuk i interesonte stabiliteti i Kosovës, në rastin konkret, koalicioni LVV me LDK-në, sepse fuqizonte Institucionet e Kosovës, në përballje me Serbinë. Hashim Thaçi e dinte se edhe Grenell, ishte argat i Serbisë, andaj i kërkoi ndihmën për prishjen e koalicionit LVV-LDK. Dhe, kjo ndodhi, duke realizuar edhe rrëzimin e Qeverisë Kurti -1, madje në kohën zezonë të Pandemisë Covid!
Rrjedhimisht, akuza se kryeministri Albin Kurti prishi, njëanshëm, koalicionin LVV-LDK, nuk qëndron dhe këtë e thonë edhe shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi: “Grenell na dha afat një javë, për ta prishur koalicionin me LVV”. Dhe, më vonë, edhe ish-kryeministri, Isa Mustafa, pranoi: “Unë e prisha koalicionin me LVV-në”. Mendoj se gjithçka është e qartë dhe dikush duhet të kërkojë falje, për akuzat shpifëse ndaj kryeministrit Kurti. se, kinse, ai e prishi koalicionin në fjalë. Realisht, autorë gruporë të prishjes së koalicionit në fjalë, ishin pesëshja e zezë: Hashim Thaçi, Richard Grenell, Aleksander Vuçiq, Edvin Rama dhe Isa Mustafa.
E bëra këtë sqarim, për hirë të së vërtetës, si dhe për të hequr dilemën se kjo prishje nuk ishte vepër as e LVV dhe as e LDK-së, sepse ndërhyrja ishte e jashtme, madje as në interesin e këtyre dy subjekteve politike. Por, ishte skenar e regji e Hashim Thaçit, së bashku me horrakët e përmendur më lart, në interes të Serbisë. Prandaj, kjo ish-prishje të koalicionit, në mes të LVV dhe LDK-së, duhet harruar si një ëndërr e keqe. Dhe, nuk duhet të ndikojë fare, si pengesë e rikthimit të koalicionit, i cili, gjithsesi është në interes të palëve, pra, LVV dhe LDK-së dhe, mbi të gjitha, në interes të Kosovës. Çfarëdo arsyetimi i kundërt, do të ishte në interes të Serbisë.
LDK-ja në Kuvendin e 10 të jashtëzakonshëm të saj, zgjodhi Dr. Lumir Abdixhikun kryetar dhe strukturat përkatëse të partisë. Bujshëm u proklamua për reforma të nevojshme, por pati edhe ngecje dhe tolerancë, në emër të unitetit të LDK-së, gjë që e dëmtuan partinë. Megjithatë, në raport me opozitën PAN-iste, e cila nuk bëri asnjë reformë, LDK-ja bëri disa reforma domëthënëse, të prekshme. Vlen të theksohet, një pjesë e “gardës së vjetër”, e afërt me klanin e ish-kryetarit Mustafa dhe nostalgjikë të koalicionit me PAN-in, kryesisht, PDK-në, ose janë lënë jashtë strukturave vendimmarrëse të partisë, ose kanë humbur forcën dominuese në parti. Kjo është një vlerë shtesë dhe rrethanë lehtësuese, për të rikthyer koalicionin e LDK-së me Lëvizjen Vetëvendosje, duke shpërfillur opinionin e gabuar dhe krejt të qëllimshëm e artificial, se LVV-LDK, kanë provuar dhe kanë “dështuar” në koalicionin në mes tyre! Këtë mendësi, sa të gabuar, aq edhe qëllim-keqe, e thonë kundërshtarët ziliqarë, smirëzi e zuzarë, të cilët nuk ua duan të mirën këtyre dy subjekteve politike, rrjedhimisht, as Kosovës.
Tashmë, ekziston opinioni progresiv se, aktualisht, vetëm koalicioni LVV dhe LDK mund të funksionojë si i favorshëm, i pranueshëm për shqiptarët e Kosovës dhe më gjerë në Shqiptari. Mbi të gjitha, këto dy subjekte nuk kanë as afera vrastare dhe as hajnore. Duhet pranuar se ky koalicion kishte fillim të mbarë, korrekt, funksional dhe profesional, edhe në Qeverinë Kurti – 1. Ishin armiqtë e LVV-LDK dhe, më tej, armiq të Kosovës, ata që e prishën koalicionin në fjalë. Urojmë dhe shpresojmë në ripërtritjen e koalicionit LVV me aleatët e saj besnik, “Alternativa” e “Guxo” dhe LDK!