Klina shënon 2 Korrikun me turne futbolli

0
KF Klina

Shkruan: Florim Zeqa, 03.07.2025 

Në mbrëmjen e 2 Korrikut në Palestren e Sporteve “Adem Jashari” në Klinë, në ambient impozant, u mbajt turniri revial, i dhjeti më radhë në nderim të 35 vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë, 34 vjetorit të Ligës Komunale, 33 vjetorit të finales së Kupës Komunale në Futboll të Vogël në Sferkë të Klinës dhe 34 vjetorit të Turnirit Tradicional të 2 Korrikut, mbajtur në Bokshiq për tre vjet rresht (1991-1993).

Mbrëmje sportive në një atmosferë festive

Para fillimit të këtij turniri revial me simbolikë të përkujtimit të 2 Korrikut-ngjarjes madhore për vendin, me një minut heshtje u nderuan dy sportist të dalluar të Klinës që ndërruan jetë në harkun kohor brenda dy turnireve, Deli Tigani dhe Qerim Zeqa. Që të dy ishin pjesëmarrës në turnirin e fundit të 2 Korrikut 2024 në Klinë.

Turnirin e hapi organizatori, Dr. Haxhi Ibishi i cili i përshendeti ekipet pjesëmarrëse, mysfirët e nderit: Prof. Anton Kolaj (kryetar i parë i Degës së LDK-së Klinë dhe nënkryetar i kryesisë qendrore në Prishtinë), Zenun Zeqa (veprimtar dhe kryetar i parë i Kuvendit Komunal të ndarë nga Serbia), Miftar Dragidella (refer profesional i futbollit, kryetar i parë i KF Dukagjini dhe bashkorganizator i Ligës Komunale të Futbollit të Vogël), Florim Zeqa një nga ish organizatorët e Ligës së parë të Futbollit të Vogël në Klinë (në nivel të Republikës së Kosovës) dhe organizator i parë dhe i vetëm i Turnirit në Futboll të Vogël, tre vjet radhazi në nivel komunal dhe ndërkomunal në Republikën e Kosovës, mbajtur në Bokshiq më 2 Korrik 1991-1993),  Binak Syla (bashkëthemelues i KF 2 Korriku, aktualisht pjesë e pushtetit komunal) dhe të gjithë të pranishmit në këtë eveniment revial sportiv.

Organizatori Haxhi Ibishi dhe oratorët: Zenun Zeqa, Anton Kolaj, Miftar Dragidella, Binak Sylaj dhe Florim Zeqa evokuan kujtime nga e kaluara historike, duke e vlerësuar 2 Korrikun si ngjarjen më të rëndësishme dhe më të madhe të epokës sonë, e cila i ka vënë gurthemelet e shtetit të Kosovës.

Simbolika e finales historike

Ndeshja e parë  KF Shqiponja-KF 2 Korriku (veteranët) ishte një ndeshje simbolike miqësore në kujtim të finales së madhe të 2 Koorikut 1992 në Sferkë, e cila bashkoi brezat dhe riktheu kujtimet e viteve të krenarisë kombëtare, të viteve të unitetit biblik të shqiptarëve, të humanizmit dhe solidaritetit të paparë deri atëherë në historinë e shqiptarëve.

Kurse ndeshja e dytë Shqiponja Bokshiq-QKMF “Nëna Tereza” (të rinjt), reflektoj kujtime plot nostalgji, vullnet dhe energji, pasion dhe shpresë për një Rini të shëndoshë dhe të ardhmen e sigurtë e të ndritshme në shtetin tonë!

Sot Klinasit përmes këtij turniri revial e shfletuan kujtesën historike, nderuan të kaluarën e tyre të lavdishme të rezistencës paqesore dhe përçuan mesazhin e unitetit dhe qëndresës së pathyeshme të viteve të ’90-ta.

Fituesi simbolik i turnirit, 2 Korriku, nga organizatori u shpërblye me një kupë, të cilën ia dhuroj Prof. Anton Kolaj.

Vlenë për të përshendetur organizatorin e kësaj mbrëmje, sa sportive po aq edhe festive, Dr. Haxhi Ibishin për vendosmërinë dhe konsistencën e përkujtimit të ngjarjeve madhore për vendin dhe atyre sportive që kanë lënë gjurmë në komunën tonë.

Për aq sa është meritor organizatori, meritor janë edhe futbollistët veteran që ishin pjesë e garave sportive në vitet e ’90-ta, të cilët janë bërë pjesë e këtij organizimi revial në kujtim të ngjarjeve sportive të atyre viteve sa të vështira, po aq të lavdishme dhe krenare në komunën e Klinës.

Mbetemi me shpresën për rikthimin e turnirit tradicional për 2 Korrikun në Futboll të Vogël në Komunën e Klinës, i ndërprerë për shkaqe sigurie pas vitit 1993.

Në fund po e shprehi ndjesinë time personale për prezencën në këtë ngjarje sportive pas 30 viteve në qytetin e Klinës, e cila më shkaktoi emocione të papërshkruara më fjalë, më mbushi me energji pozitive dhe kreativitet për vazhdimin e veprimtarisë atdhetare në shërbim të vendit dhe qytetetarëve.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.