KF Llapi i Podujevës – histori shekulli e përmbledhur në monografi

0
Fatmir Sejdiu - KF Llapi

Pardje, në Podujevë, në ambientet e Motel “Diamond” u bë promovimi i librit “KF Llapi – Vit pas viti”, i autorit Esad R. Ejupi.

Në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe sportive morën pjesë personalitete të njohura nga fusha të ndryshme, si dhe shumica e trajnerëve dhe lojtarëve të Llapit, të cilët ndër vite bartën me krenari fanellën e kësaj skuadre. Veçmas ra në sy prania e profesorëve universitarë Ejup Sahiti, Fatmir Sejdiu, si dhe e editorit të Shtëpisë Botuese “Faik Konica”, z. Nazmi Rrahmani, dhe njërit prej recensentëve të monografisë, Sylejman I. Blaku.

Me këtë rast, fjalë rasti mbajti prof. dr. Fatmir Sejdiu, President i Republikës së Kosovës, gjatë viteve 2006–2010, i cili përmes kujtimesh plot mall rikujtoi kohën e fëmijërisë së tij, kur me bashkëmoshatarët përcillte ndeshjet e Llapit – skuadër që e adhuronte atëherë dhe që vazhdon ta adhurojë edhe sot.

Në cilësinë e bashkërecensentit, edhe pse kisha ftesë të veçantë për të qenë i pranishëm në këtë solemnitet, për arsye objektive nuk munda të jem në mesin e shumë miqve dhe kolegëve, me të cilët prej vitesh na ka ndarë mërgimi.

Andaj, kujtimet e mia dhe vlerësimin për monografinë “KF Llapi – Vit pas viti”, të dërguara autorit dhe organizatorëve, po i ndaj me ju, lexues të dashur dhe dashamirës të futbollit, përmes kësaj letre.

Të nderuar të pranishëm, dashamirë të sportit dhe të historisë sonë ndër vite,
të gjithë ju që jeni prezentë dhe ata që, për shkaqe të ndryshme, nuk kanë mundur të jenë të pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, ju përshëndes përzemërsisht nga Gjeneva.

Që në momentin kur Esad R. Ejupi, autor i kësaj monografie, e shtroi idenë për të përmbledhur në një libër të vetëm historikun e Klubit Futbollistik Llapi të Podujevës, i kam premtuar se do ta ketë përkrahjen time të parezervë.

Kjo përkrahje nuk buron vetëm nga raporti miqësor e profesional me autorin, por nga bindja e thellë se historia e këtij klubi e meriton një trajtim serioz, të dokumentuar dhe të qëndrueshëm në kohë.

Duke qenë mbi katër dekada aktiv në gazetari dhe publicistikë, kam qenë i lidhur ngushtë jo vetëm me zhvillimet sportive në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë me klubin e zemrës – Llapin e Podujevës.

Ky klub nuk ka qenë thjesht një skuadër futbolli, por një institucion sportiv e shoqëror, një vatër formimi për breza të tërë futbollistësh dhe sportdashësish.

KF Llapi është klubi që nxori futbollistë të jashtëzakonshëm si: Fadil Vokrri, Esad Mehmeti, Bedri Muçolli, Selatin Vokrri, Shukri Shabani, Remzi Muçolli, Ruzhdi Berberi, Agim Berisha, Shefqet Osmani, Islam Ajeti, Islam Visoka, Bedrudin Havolli, Emin Ajvazi, Yzeir Mustafa, Sabri Miftari, Luan Salihu, Isak Ibrahimi, Ragip Stubulla, Fehmi dhe Rrustem Podvorica, Fidaim Konushevci, Shukri Paçarada, Avni Stubulla, Adil Vokrri, Rasim Ymeri, Fadil Kodraliu, Isa Blakçori, Naser Hyseni, Xhavit Havolli, Bekim Muliqi – emra që për dekada na përfaqësuan me dinjitet dhe sukses në fushat e futbollit, brenda Kosovës dhe në hapësirën e ish-Jugosllavisë.

Përveç fanellës bardhë e kaltër të KF Llapit, shumë prej këtyre futbollistëve bartën edhe fanellën e klubeve të tjera të njohura si: Prishtina, Trepça, Vardari, Liria, Partizani, Vëllaznimi, Timoku i Zajeçarit, Crvena Zvezda e Gjilanit, KNI “Ramiz Sadiku”, Kosova e Vushtrrisë, Flamurtari, Besëlidhja dhe Rudniku i Kishnicës, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit tonë.

Me origjinë nga Llapi janë edhe futbollistët e njohur Favzi Rama, Selim Islam Ejupi, Isak M. Ejupi dhe Sami Podvorica, të cilët kanë luajtur për klubet KF Prishtina, Flamurtari, Kristal dhe Besa e Pejës.

Megjithatë, të paharrueshëm për mua, por edhe për historinë e këtij klubi, do të mbeten gjithmonë edhe besnikët e Llapit: Rifat Blaku, Abdullah Vokrri, Hajrush Rama, vëllezërit Hashim e Bislim Aliu, Fazli Llugaliu – “Garinça”, Sylejman Mehmeti, Ahmet Haxhiu, Shaban Hajrullahu, Shaban Hajdari, Rifat Raçi, Idriz Mehmeti, Muhamet Vokrri, Emin Simnica, Basri Muçolli, Rifat Hajdari, Naser Ibrahimi, Muhamet Hoxha, Ismet Haliti, Tafil Ajvazi, si dhe dhjetëra të tjerë, të cilët për dekada me radhë e mbajtën Llapin në toplistën e klubeve më të suksesshme të Republikës së Kosovës.

Këta emra nuk janë thjesht kujtime personale apo statistikë sportive; ata janë kapituj të gjallë të historisë sonë të bujshme në futboll.

Në këtë monografi përmblidhet historia gati një shekullore e klubit të Llapit, me synimin që të dokumentohen ngjarjet ndër vite dhe t’u përcillen brezave që vijnë.

Një moment tjetër i paharrueshëm, i gdhendur thellë në kujtesën time, lidhet me vitin 1988, kur së bashku me kushëririn tim, Emrush Ejupi, mbrojtës i majtë i KF Llapi, udhëtuam në Bllacë të Serbisë. Në atë kohë, Llapi, si anëtar i Ligës së Parë të Kosovës, po zhvillonte fazën përgatitore jashtë vendit.

Me këtë rast, në cilësinë e gazetarit të Radio Prishtinës, përgatita një kronikë sportive që u transmetua në emisionin shumë të dëgjuar “Pasditja sportive”. Ajo kronikë nuk ishte thjesht një raportim profesional, por një pasqyrim i gjallë i atmosferës, përkushtimit dhe seriozitetit me të cilin KF Llapi i qasej garës dhe përgatitjeve për kampionat.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tri dekada, nuk e harroj mikpritjen, korrektësinë dhe profesionalizmin e trajnerëve të atëhershëm, Emin Ajvazi dhe Emin Simnica, të cilët lanë mbresa të thella jo vetëm si njohës të futbollit, por edhe si njerëz fisnikë e bujarë.
Llapi, i cili edhe sot konsiderohet ndër klubet më të suksesshme të futbollit në Kosovë dhe që në periudhën e pasluftës i ka dhënë futbollistë të dalluar edhe Kombëtares së Kosovës, u mbajt financiarisht dhe u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme falë përkushtimit dhe vizionit të vëllezërve Tahir, Bejtush, Beqir dhe Amrush Batatina.

Ata e morën KF Llapin nga një fushë me baltë dhe e shndërruan në një arenë moderne futbolli, me standarde të pranuara nga FIFA dhe UEFA. Pikërisht në këtë stadium u zhvilluan më pas edhe ndeshje kualifikuese për Kupat e Evropës, duke e bërë atë simbol të transformimit dhe vizionit në futbollin kosovar.

Sakrifica dhe puna e palodhshme e vëllezërve Batatina meritojnë mirënjohje dhe duartrokitje nga të gjithë ne. Kontributi i tyre është shembull i rrallë i dashurisë për vendlindjen dhe për klubin e zemrës – KF Llapi.

Ndërkaq, autorin e kësaj monografie, Esad R. Ejupi, e përgëzojmë sinqerisht për zellin, përkushtimin dhe seriozitetin në realizimin e kësaj vepre. Kjo është monografia e dytë e tij brenda një viti, pas botimit të veprës “100-vjet Klubi i Futbollit Prishtina”, çka dëshmon për një angazhim të vazhdueshëm dhe të admirueshëm në dokumentimin e historisë së sportit tonë.

Me këtë punë këmbëngulëse, autori ka dhënë një kontribut të çmuar në ruajtjen e një thesari të vlefshëm kombëtar, duke u dhënë vendin e merituar këtyre dy klubeve ikonë të futbollit shqiptar.

ARIF EJUPI
Gjenevë, 5 janar 2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.