ISHTE SHUMË RRËQETHËSE, ISHTE TRISHTIM, ISHTE…

0
Grua kosovare e dhunuar nga serbët

Gani I. Mehmeti

Të kemi marrë e të kemi prurë këtu, që të dëshmosh se në çfarë mënyre kemi ekzekutuar shqiptarët, që kërkojnë pavarësi dhe se, kështu do t’ua bëjmë të gjithë atyre që do t’i zëmë. Nuk kanë ku të shkojnë“.

Në njërën nga lagjet e Podujevës patën mbetur pa lëvizur nga vendi dhjetë pleq, plaka e të sëmurë. Kishin vendosur të qëndronin aty edhe po qe se të vriteshin, të torturoheshin e çkado tjetër, por nuk patën pranuar të gjallë ta lëshojnë Podujevën. Ata qenë tubuar në një shtëpi. Ishin të pesë shtëpive, të gjithë fqinj. “Unë nuk shoh tash, jam edhe plak. Gati i kam shkelur të nëntëdhjetë vjetët, pse ta lëshojë shtëpinë time?!” – thoshte njëri.

“Po, edhe unë i kam kaluar të tetëdhjetat, çfarë më duhet jeta më? Kurrë s’dal pa m’qit dikush zhag!” – thoshte tjetri. Kështu edhe disa të sëmurë, pakëz më të rinj, u bënë shoqëri këtyre pleqve dhe mbetën. Kurrë nuk na ka shkuar mendja se do t’i gjejmë gjallë! Njeriu kur është në gjendje të vështirë, nuk di të mendojë mirë. Po, për fat, këta i gjetëm të gjithë shëndosh e mirë, pasi u kthyem pas Koliqi, nga Prishtina e nga Shajkofci. Por, që dha Zoti dhe u kthyem dhe i gjetëm shëndosh e mirë të gjithë ata që kishin vendosur të vdisnin, pa ditur mënyrën se si do të vdisnin.

Pas ekzeklutimit të të rinjve meshkuj, ka mbetur ajo vajza e re

Në ditët e para të kthimit, njëri nga fqinjët, ai që i ka kaluar të tetëdhjetat, po kalonte pranë dyerëve të mia. Më pa dhe m’u afrua. hyri brenda në oborr, u ulëm, dhe disi me ndrojtje e mendueshëm, ia nisi të rrëfejë për krejt atë skenën që e kishte parë! ishte shumë rrëqethëse, ishte trishtim, ishte….

Vërtet, ne ishim përqafuar edhe herë të tjera më parë me të, por kësaj radhe atij i rridhnin edhe lotët dhe, ashtu si ngjarja, edhe ky ishte i shqetësuar. “Unë po të tregoj. Por njëherë për njëherë të mos shkojë më larg. Më vonë të shohim! – më pati thënë. Dhe unë heshta. Më vonë qe i interesuar të të rrëfejë edhe para kamerave dhe gazetarëve, por pos premtimeve, s’doli gjë. Pikërisht për këtë arsye, unë dua ta publikojë me lejen e këtij dësshmitari.

– Jeta jonë, këtu ku mbetëm ka qenë shumë e vështirë, po megjithatë, se si po kalonim ne këtë e shihnim dhe e dinim. Brengoseshim për ju, për të gjithë ata që ishin detyruar t’i lëshojnë shtëpitë e tyre.

Asnjëherë nuk na shkonte mendja për të mirë. Mendonim vetëm keq për ju dhe për vete

Dëgjuam se ju erdhët më afër, u kthyet deri në kampin e përqëndrimit në Sfeçël, Shajkoc e disa fshatra të tjera përreth. Jetën e kam pasur të vështirë pas ditës së Shëngjergjit, pas datës 6 maj 1999. Ashtu si ishim duke ndenjur, erdhën e trokitën në derë disa policë. Dolëm me plot drithërima. Më morën mua me vete. Thanë se kishin punë me mua. Ç’të bëja? Duhej të shkoja. Mendova se më nuk do të kthehem, por nga ajo që përjetova, beso, më mirë do të kishte qenë të mos kthehesha kurrë. Rrugës më thanë se të kemi marrë për dëshmitar, që ti vetë, të shohësh me sytë tuaj se si dimë të sillemi ne me shqiptarët! Të shohësh me sytë tuaj, se pa e parë, nuk mund të besosh! Dhe shkuam.

Shkuam në oborrin e Shkollës Fillore “Shaban Shala” (prej vitit 1990 ajo ka qenë e pushtuar nga serbët).

Aty ishin grumbulluar përplotë policë serbë. Kishte oficerë, ushtarë, policë, paramilitarë. Një shporet ishte i ndezur në orborrin e shkollës. Njëzetepesë të rinj, me sa dukeshin, se nuk munda t’i dallojë mirë, qëndronin në këmbë të rreshtuar, po me çorapë në fytyrë që të mos mund t’i njihja. Në fund të tyre qëndronte një vajzë e re, edhe ajo në këmbë. Nuk e njihja fare.

Disa serbë i njihja, por nuk të tregoj se cilët kanë qenë. Unë nuk e dija se ata me çorape në fytyrë po shihnin apo jo, por, pa vonuar shumë, e kanë marrë njërin prej tyre, atë të parin. Pa e larguar shumë prej të tjerëve, njëri nga shkiet gozhdën e skuqur në zjarr, ia nguli në majë të kokës!… Nuk e di si kam mundur të qëndrojë. Nuk e kam dëgjuar asnjë zë, vetëm e kam parë gjakun kur i ka dalë për hundësh.

Kështu kanë vepruar edhe me të gjithë të tjerët me radhë. Të gjithë kanë qëndruar. Të gjithë i kanë ekzekutuar në të njëjtën mënyrë. Unë e kam ulur kokën herë pas here ngase nuk kam mundur t’i shihja. Një oficer më tha: “E sheh se çka dimë ne”? Le të kthehen shqiptarët në Podujevë, edhe ma zi kemi për t’ua bërë! Ikni thuaju nga këtu sa më larg!”

Pas ekzekutimit të të rinjve meshkuj, ka mbetur ajo vajza e re. Ajo nuk ka pasur fare çorapë në kokë, por unë nuk e njihja. E kam pasur të ndaluar të flasë. Vajzën e kanë pyetur, nëse e do jetën a vdekjen, por me kusht që, nëse e do jetën, ajo duhet të shkojë me shkie në Serbi dhe të bëhej nuse e tyre, t’u shërbente atyre me besnikëri gjatë tërë jetës, përndryshe, edhe atë do ta gjente fati atyre 25 të rinjve.

Vajza u është përgjiogjur prerë: “Gjithçka tjetër pranoj, por të jetojë me armikun tim e t’i shërbejë atij – kurrë! Të jetojë me ata që vrasin rininë shqiptare, që vrasin popullin shqiptar…! Unë jam shqiptare! Çka më duhet mua jeta? Nuk i frikësohem vdekjes. Vdekja më e madhe, vdekja më e turpshme për mua është të jetoj me ju! Dhe, sa më shumë i shtoni zullumet, aq më afër është Liria. Nuk është me rëndësi për mua, e rëndësishme është jeta e popullit tim, liria e popullit tim!” Pas këtyre fjalëve, edhe këtë e kanë ekzekutuar sikur të tjerët – me gozhdën e skuqur në zjarr, që ia kanë futur në majë të kokës! – rrëfen dëshmitari.

Autori i këtij rrëfimi shpesh pushon si i humbur nga krimi që kishte parë me sytë e tij. Edhe marrja e tij nga policë e ushtarakë serbë për të parë mënyrën e ekzekutimit të të rinjve e të rejave shqiptare – është një krim.

“Mjaft, mjaft të lutem, mos më rrëfe më tutje!”

Derisa po i rrëfente një anglezi me grada të larta ushtarake, ai në një moment u ndal dhe e pyeti: “A je në veti ti?” – Jo, i përgjigjet dëshmitari. Unë nuk jam fare normal pas asaj që kam parë me sytë e mi, aq sa edhe ti nuk je normal në këto momente që unë po të rrëfej. Ja, shiko se çfarë dhe sa barnat i përdor unë për ta frenuar veten!” “Mjaft, mjaft! Të lutem, mos më rrëfe më tutje!” – kërkon anglezi ndërprerjen e rrëfimit. “Po zotëri, unë s’kam bërë gjë. Këto janë të atyre që deshën të na shfarosin në tokën tonë pa zgjedhur mjete e metoda, por duke i përdorur ato më të egrat, më të poshtrat e më të rëndat, që vetëm mendja e tyre di t’i pjellë.

Mandej, nuk jam fajtor unë që kam parë dhe që sot, vërtet jam një dëshmitar, fatkeqësisht, për të gjitha ato të këqia që i kanë bërë keqbërësit. Fajtorë janë ata që më morën e më dërguan në vendin e krimit, e unë, pse nuk kam mundur t’i ndalë, më duket sikur e kam një pjesë të fajit. ishin skena të tilla, që kurrë nuk më hiqen nga mendja, skena që tërë jetën do të më përcjellin.

Dhe vazhdon rrëfimin për kufomat, për të cilat një oficer i lartë serb (emër i njohur në redaksi) i kishte urdhëruar t’i ngarkonin në kamoin dhe t’i dërgonin në furrë të gëlqeres për t’i djegur. I kanë ngarkuar e, për ku i kanë dërguar, nuk e di. prej këtu e këtej, vetëm kam menduar se si ta shihja dikend e t’i thoja që kurrë më të mos kthehen shqiptarët në Podujevë, sepse ata më patën thënë se të gjithë shqiptarëve do t’ua bënin ashtu sikur atyre 26-tëve.

Dëshmitar i rrëfimit është plaku i urtë e i mençur, pleqnari i njohur në Llap e Kosovë, Jahir Islami – Potoku (tani i ndjerë), i cili është në gjendje të dëshmojë për këtë çka ka parë kudo dhe para kujtdo, deri edhe në Gjykatën e Hagës. ky i ka njohur edhe disa nga serbët që kanë marrë pjesë në këto krime me një metodë, ndoshta, të panjohur deri tani.

Shënim: Artikuilli është botuar në “BOTA SOT”, më 15 dhjetor 2000, faqe 9, në Prishtinë. Dëshmitari ndërroi jetë më 15 tetor 2013.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.