Ish-zyrtari i Pentagonit thotë se mbrojtja kibernetike e infrastrukturës amerikane është në nivel ‘kopshti’, nuk ka asnjë shans kundër aleancës Kinë-Rusi
Nga Teny Sahakian | Fox News – Përktheu Arben Çokaj
Kina tashmë mund të ndajë të dhëna me Rusinë dhe Amerika nuk do të kishte “asnjë shans luftimi“, nëse të dy superfuqitë kombinojnë aftësitë e tyre të luftës kibernetike, tha për Fox News ish-shefi i softuerit të Forcave Ajrore të SHBA.
“Jo shumë kombe do të jenë në gjendje të tërhiqen,” tha Nicolas Chaillan për Fox News. “Unë as nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të tërhiqen, nëse nesër Rusia dhe Kina vendosin të bashkohen kundër nesh.”
“Unë mendoj se do të ishte shumë e vështirë për ne, që të mund të kishim edhe një shans luftimi, e lëre më një komb si Ukraina,” shtoi ai.
Rusia hyri në ditën e tetë të luftimeve, pasi pushtoi Ukrainën më 24 shkurt. Inteligjenca perëndimore parashikoi se superfuqia doe kalonte shpejt fqinjin e saj, por Ukraina ende kontrollon kryeqytetin e saj, Kievin.
Në këtë foto të siguruar nga Shërbimi i Shtypit i Ministrisë së Mbrojtjes Ruse të hënën, 14 shkurt 2022. Një luftëtar MiG-31 i forcave ajrore ruse ngrihet në një bazë ajrore gjatë stërvitjeve ushtarake në rajonin Tver, Rusi. (Shërbimi i Shtypit i Ministrisë së Mbrojtjes Ruse nëpërmjet AP)
Chaillan tha se “kjo nuk është forca e plotë e aftësive ruse“, të cilat ai i quajti “të jashtëzakonshme“.
“Ata nuk i kanë përdorur ende aftësitë më inovative,” tha Chaillan për Fox News. “Ata janë duke u fokusuar në aftësitë më tradicionale të luftimeve.”
“Duhet të jemi të kujdesshëm. Unë i kujtoj gjithmonë njerëzve se presidenti [rus] [Vladimir] Putin nuk është budalla,” tha Chaillan. “Ne mund të mos e kuptojmë ende, se cili ishte plani i tij gjatë gjithë kohës.”
Por ish-zyrtari i Pentagonit tha se ai është “shumë më i frikësuar për Kinën“. Chaillan tha se do të ishte “ndryshim i lojës“, nëse Kina i ofronte Rusisë teknologji të avancuara.
Chaillan beson se Kina fillimisht do t’i jepte Rusisë aftësi për sulm kibernetik.
Ushtarët ukrainas të kapur nga ishulli Zmiinyi, ose ishulli “Gjarpëri”, u sollën në Sevastopol në Krime, më 26 shkurt 2022. Mediat ruse thanë se ushtarakët do të kthehen në Ukrainë në pritje të disa “procedurave ligjore”. (Foto nga Ministria Ruse e Mbrojtjes TASS nëpërmjet Getty Images)
“Ju keni gjithashtu disa aftësi të AI dhe të të mësuarit të makinerive, që mund të përdoren për të parë imazhet satelitore dhe për të gjetur se ku ndodhen trupat, të jeni në gjendje të bëni analiza më të mira në kohë reale të asaj që po ndodh në terren,” tha Chaillan.
Ish-zyrtari i Pentagonit tha se nuk do të habitej nëse Kina tashmë po ndante të dhëna me Rusinë. Por ai paralajmëroi për pasoja të mundshme, nëse SHBA-ja ose vendet e tjera perëndimore do të ofronin të njëjtën mbështetje për Ukrainën.
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, tha Chaillan për Fox News. “Nëse fillojmë të ofrojmë aftësi sulmuese kibernetike, asgjë nuk e ndalon Rusinë të luftojë dhe të ndjekë infrastrukturën tonë kritike.”
Anijet e marinës ruse janë ankoruar në një gji të portit të Sevastopolit të Detit të Zi në Krime, 8 maj 2014. (REUTERS/Stringer/File Photo)
Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike e vendosi SHBA-në si vendin e vetëm në nivelin e tij më të lartë, kur vlerësoi fuqinë kibernetike të 15 vendeve. Kina dhe Rusia u renditën në nivelin e dytë, së bashku me vendet perëndimore si Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.
Por Chaillan tha se mbrojtja kibernetike për infrastrukturën kritike, si sistemet e energjisë dhe ujit, është “në nivelin e kopshtit“.
“Do të kishte shumë ndikim për qytetarët amerikanë, nëse diçka do të ndodhte,” tha Chaillan. “Ata potencialisht mund ta heqin rrjetin për javë, nëse jo muaj.“