Intervistë imagjinare me Ismail Kadare

0
Adena Muqa

Adena Muqa

(si rikujtim në përvejtorin e parë te vdekjes)

Një kafene buzë një liqeni të qetë. Është një nga ato mëngjeset e rralla kur gjithçka duket sikur ka ndalur. Pemët përkulen lehtë mbi sipërfaqen e ujit, dhe zërat e njerëzve humbasin në sfond. Nën hijen e një bliri, ulur në një tavolinë të vetme, Ismail Kadare vështron liqenin me një filxhan kafeje që avullon përpara tij.

Afrohem me zemrën që më rreh fort — jo nga frika, por nga ndjeshmëria që më zgjon prania e tij.

Unë: Mirëmëngjes, zoti Kadare. Do të ishte një nder i jashtëzakonshëm të pimë një kafe së bashku.
Kadare (me një buzëqeshje të lehtë): Nëse kafja shoqërohet me një bisedë të mirë, atëherë është gjithmonë e mirëseardhur. Ulu.

Ulem përballë tij. Shikimi i tij është i qetë, por i thellë – si të shihte përtej tavolinës, përtej ditës së sotme.

Unë: Shpesh njerëzit pyesin: “Çfarë mendon një shkrimtar?” Por unë dua të di: çfarë ndjen një shkrimtar si ju kur shkruan?
Kadare: Ndjej mungesë. Gjithmonë mungesën e diçkaje që nuk e them dot me zë. Kur shkruaj, është si të kërkoj një gjuhë tjetër – më të thellë, më të heshtur – për të shprehur atë që zakonisht njeriu e mban brenda vetes. Letërsia nuk lind nga ajo që kemi, por nga ajo që na mungon.

Në atë moment, një re kalon mbi liqen dhe bie pika e parë e shiut. Kadare vështron qiellin, pa u habitur. E ndjej sikur edhe koha i bindet pranisë së tij.

Unë: Sa rastësi – sot po bie shi. Kam vënë re që shiu është shpesh i pranishëm në veprat tuaja. Pse pikërisht shiu, zoti Kadare?
Kadare: Sepse shiu është një metaforë e përhershme. Ai nuk ka nevojë të trokasë – hyn në zemrën e njeriut pa leje. Shiu mbart kujtesë, ndjenjë, mall, por edhe harresë. Në romanet e mia, shiu është një personazh i heshtur, por gjithmonë i pranishëm. Kur bie shi, diçka brenda njeriut ndryshon. Dhe unë shkruaj pikërisht për atë ndryshim të papritur, që nuk e vëmë re, por që na lëviz shpirtin.

Unë: Do të doja shumë t’ju dëgjoja duke recituar vargje, tani që po bie shi…

(Në atë moment fryn erë dhe Kadare fillon.)

Ca pika shiu ranë mbi qelq
Për ty unë befas ndjeva mall
Jetojmë të dy në një qytet
Dhe rrallë shihemi sa rrallë…
Edhe mu duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylber në mes.
Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç mu kujtua sot për dreq:
‘Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç…’
Në ç´ëndërr kemi rënë kaq keq
Që dot spo zgjohemi ne vallë?
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.