INTERESI MESKIN DHE IDEALIZMI KOMBËTAR

0
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

Shumë krijues bashkëkohorë kanë shkruar për historinë shqiptare të dhimbshme dhe të përsëritur. Kanë shpalosur mungesën e substancës së formuar të qenies. Në këtë kuadër, në vizionin e tyre, as e ardhmja nuk është shpresëdhënëse. Ky vizion i tyre tingëllon aktual edhe sot, në sistemin pluralist të hapësirave shqiptare, si dhe në Kosovën e lirë, demokratike dhe të pavarur. Në këto tridhjetë vitet e pluralizmit në botën shqiptare, sistemi i ndërtuar nuk është as socialist dhe as kapitalist, por gjysmë-barbar. Në botën shqiptare kemi një thellim frikësues të pabarazive shoqërore dhe ekonomike. Pabarazitë sociale shndërrohen edhe në pabarazi politike. Në hapësirat shqiptare s’dihet dot se kush e ka në dorë shtetin: oligarkët apo politikanët?!

Kapitalizmi në Evropë ka filluar të ndërtohet në Itali, para tetëqind vjetësh. Borgjezia shqiptare ndërkaq synon të krijohet brenda natës. Askush në histori nuk ka mundur të krijojë pasuri marramendëse, pa e shfrytëzuar djersën dhe mundin e tjetrit. Askush në rruzullin tokësor nuk është pasuruar shpejt, pa bërë abuzime në dëm të shoqërisë. Askush në botë nuk është pasuruar sakaq, pa kryer veprime të paligjshme, në dëm të interesit të përgjithshëm.

Në rrethana të tilla, në hapësirat shqiptare nuk bëhet politikë politike, por politikë e kapjes së shtetit, e grabitjes dhe e zhvatjes. Midis oligarkëve dhe politikanëve kemi një aleancë të ngushtë. Madje oligarkët e financojnë politikën saqë ajo shndërrohet në instrument të oligarkisë. Në rrethana të tilla edhe organi ligjvënës i shtetit është në duart e oligarkisë. Si i tillë, kuvendi i shtetit figuron dhe funksionon vetëm formalisht.

Në shtetin me pabarazi sociale të thellë, shteti ligjor dhe demokracia nuk janë veçse fasadë. Në një shtet të tillë, i pasuri e blen lirinë e të varfrit, ndërsa i varfëri, për të mbijetuar, detyrohet ta shesë lirinë e vet. Punëtori s’ka guxim të shprehë pakënaqësinë e vet për arsye se sa çel e mbyll sytë, e humb vendin e punës. Gjendja e këtillë cenon edhe dinjitetin dhe integritetin e njeriut. Në shtetin as socialist, as kapitalist s’ka as organizim sindikalist.

Në këtë dance macabre hedhin valle institucionet arsimore dhe shkencore, inteligjencia, kleri fetar, mediumet, studiot televizive, moderatorët, kryeredaktorët, analistët politikë, ndërtuesit e mendimit publik. Këta nuk janë veçse instrumente të verbëta të faktorit parapolitik. Në skenë ndodhen mercenarët dhe kalemxhinjtë.

Për ta sunduar më lehtë popullin, sundimtarët e të gjitha ideologjive qëllimisht e kanë mbajtur atë në varfëri. Satiriku romak Juvenali (Decim Junije Juvenalis, rreth 60 – rreth 130) thotë se parullë e qarqeve sunduese të Romës perandorake ka qenë panem et circenses (bukë dhe argëtim). Me fjalë të tjera, në do ta sundosh popullin pafundësisht, jepi bukë dhe zbavitje.

Politika e bukës dhe e argëtimit në botën shqiptare ndiqet me të madhe.
Në shtetin as socialist as kapitalist korrupsioni dhe nepotizmi janë pjesë e përditshmërisë. Aty ku s’kemi politikë politike, por kemi parapolitikë, profesionalizmi është utopi. Në krye të skenës ndodhet diletantizmi. Shteti që i ka të politizuara dhe të partizuara të gjitha poret e shoqërisë është larg të qenit shtet. Në shtetin e tillë, nocioni “shoqëri” nuk është veçse fiksion dhe iluzion. Në shtetin e tillë mbizotëron fisi e krahina dhe jo kombi e shteti. Politika e shtetit të tillë është politikë fisi dhe krahine dhe jo politikë shteti. Interesi i shtetit të tillë është interes fisi dhe krahine dhe jo interes shteti.

Shteti i tillë udhëhiqet nga mendësia provinciale apo nga psikologjia e fisit. Në shtetin e tillë kriteret vlerësuese janë anakronike, tradicionale dhe konservatore, ndërsa sistemi i vlerave bashkëkohore vështirë ndërtohet. Sistemi i trashëguar i vlerave shembet dhe zëvendësohet me sistem pseudo vlerash. Kjo shpie edhe në nëpërkëmbjen e vlerave të mirëfillta. Në “shoqërinë” e tillë lulëzon kiçi dhe shundi. Personi që mezi lexon, që gjuhën amtare e shkruan ashtu siç nuk duhet, e që nuk di asnjë gjuhë të huaj, merr titull akademik. Kështu lind inteligjencia e shoqërisë, të cilën dikush e quan “elitë intelektuale”. Shteti me klasë intelektuale të tillë, në skenën ndërkombëtare nuk gëzon respekt.

Parapolitika fare nuk çanë kokën për dyndjen masive të rinisë dhe për ikjen e trurit drejt asimilimit. Kombi mbetet pa pjesën vitale të tij. Dobësohet forca prodhuese dhe riprodhuese e kombit. Kapaciteti krijues dhe mbrojtës atrofizohet, ndërsa potenciali biologjik ndrydhet.

Sistemi ekonomik, sistemi i arsimit, sistemi i shëndetësisë dhe sistemi infrastrukturor nuk shënojnë zhvillim të duhur. Investime nuk ka apo ka fare pak. Papunësia rritet, me të edhe varfëria e skamja. Të ardhurat mujore të fuqisë punëtore janë si ato të Evropës së shekullit XIX. Me industri kaçavidash, me tregti qesesh najloni dhe me sistem arsimor të vjetruar, nuk shkohet në hap me kohën.

Shqiptarët duhet të pushojnë që për ngecjen e vet t’i fajësojnë të huajt dhe vetëm të huajt. Ka kohë që shqiptarët janë çliruar nga sundimi i huaj. Që atëherë kanë kaluar mbi njëqind vjet. Fajin për ngecjen e vet shqiptarët duhet ta kërkojnë në vetvete. Në asnjë vend të rajonit nuk kemi një polarizim aq të ashpër midis faktorëve politikë si te shqiptarët. Të rralla janë vendet e botës ku politikanët përdorin ndaj njëri-tjetrit gjuhë degutante, denigruese dhe denoncuese.

Shqiptarët duhet të manifestojnë aftësi shtetformuese, të heqin dorë nga mikrovlerat dhe mikrosistemet, të pushojnë së vepruari në mikroplan. Duhet t’u kthehen makrovlerave dhe makrosistemeve për të vepruar në makroplan.

S’është kohë e patriotizmit folklorik, por e punës së ndershme dhe e të udhëhequrit me idealizëm. Shqiptarët sot, nuk ballafaqohen vetëm me pandemi virusale, por edhe me pandemi politike. E mbërthyer nga parapolitika, shqiptarët do të vazhdojnë të përplasen nga scila në haribdë, tranzicioni ndërkaq do të zgjatë pafundësisht.

Në rrethana të sipërthëna dobësohet substanca e kombit, zbehet idealizmit, goditet rëndë ideali kombëtar, ndërsa ëndrra për një të nesërme më të mirë – shuhet.

Shqiptarët e pritën me entuziazëm pluralizmin politik, ndërsa për çlirimin e Kosovës prej pushtuesve serbë e dhanë edhe jetën, por jo për t’u ndjerë të huaj, të nënshtruar, të nëpërkëmbur, të shfrytëzuar dhe të shpërfillur në gjirin e tokës mëmë.

Shteti ku ka punëtor me 150 euro pagë mujore, ndërsa oligarkët, politikanët dhe bijtë e tyre, fundjavën dhe pushimet i kalojnë nëpër ishujt ezoterikë të rruzullit – nuk mund të quhet shtet. Lumturia nuk është individuale. Ajo është e përgjithshme. Janë të turpshme skenat migjeniane në shtetin evropian të shekullit XXI. Në shtetin e pabarazive sociale të thella shkelen parimet themelore të demokracisë. Aty demokracia diskreditohet.

Varfëri, në tokat e pasura shqiptare! Ç’paradoks! Kush e ka në dorë atë pasuri, ato brigje me diell?!

Më 2 maj 2020

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.