IM ATË, SHËNJTËRIA IME

0
Miftar Mara

MIFTAR BRAHIM MARA (1900 – 1986)

Ka më shumë se tre dekada që është larguar nga jeta,por në çdo moment është me shpirtë brenda meje. Ishte baba me dhëmshuri nëne. Im At Miftar Brahim Mara kishte lindur në lagjen Komlysh Kropisht në vitin 1900. Babai tij Brahim Mara kishte lindur në fshatin Bashaj Smokthinë, por kishte mbetur jetim pa baba. Nëna e tij e kishte sjellë në Kropisht në moshën 4 vjeçe së bashku me vëllan e tij 2 vjeç sepse burrat e fisit Mara ishin vrarë në fushën e betejës, gjatë kryengritjes kundër reformave të Tanzimatit.

Im At kishte kaluar fëmijëri të hidhur. Në moshën 5 vjeçare kishte mbetuar pa nënë.Në moshën 10 vjeçare mbeti edhe pa baba. Së bashku me vëllan më të vogël e motrën e vogël mbetën jetim pa prindër duke mbetur në kujdestari të xhaxhait… Tre jetimët e kaluan fëmininë me trishtime, me dhimbjen e madhe të mungesës së prindërve… Jetimi Miftar Mara në moshën 10 vjeçare kujdesej me dashuri për jetimët më të vegjël, vëllan dhe motrën ..Midis tyre kishte shumë dhëmbshuri. Im At kish filluar shkollën, dhe kishte shkëlqyer me rezultate të larta.Më tregonte se ishte më i miri klasës.

Mësuesi shpesh herë e nxirrte para klasës që të godiste me pëllëmbë ata që nuk mësonin. Por ai asnjëherë nuk godiste shokët. .Kishte dashur që të vazhdonte shkollën e mesme, por xhaxhai i tij i ashpër jetimin pa babë e nënë e kishte detyruar të punonte. Im At në moshën 14 vjeçare kishte filluar punën për të lëruar tokat me qe. Ai ishte i pafuqishëm që të mbante me duar parmënden që e tërhiqnin qetë e arës. Kishte punuar disa vjet në punët e bujqësisë, duke u rropatur si hymeqarë gjithë ditën dhe çdo ditë kishte ëndëruar për të vazhduar shkollën.

Në ndihmë të tij i kishte ardhur djali i tezes, Shehu i xhamisë së Vlorës Adilau nga Armeni i Vlorës. E kishte dërguar në shkollë për teologji,të cilin e kishte mbaruar me rezultate të larta. Ishte formuar me një kulturë të gjërë si teolog duke marrë edhe titullin Imam. Dashuria për vendin dhe për njerëzit kishin kishin qenë motivi frymëzues i tij, për të shërbyer në xhaminë e fshatit Kropisht… E kishte filluar shërbimin fetar në vitin 1929 në xhaminë e Kropishtit, e cila ishte ndërtuar në lartësinë e kodrës së lagjes Komlysh. Ai kishte fituar respektin e të gjithëve për sjelljen e urtë qëndrimin e tij korrekt në zbatimin e traditave e zakoneve. Djali tezes Shehu i xhamisë së Vlorës e kishte ndihmuar për të ndërtuar shtëpinë në lagjen “Kala”, disa metra larg çezmës poshtë mureve të kështjellës mesjetare.

Im At vazhdoi të shërbente hoxhë i fshatit Kropisht deri në vitin 1946 .Ishte larguar me dëshirën e tij duke kërkuar toka nga reforma agrare, sepse fëmijët nuk mund ti ushqente me profesionin e hoxhës. Kishte filluar aktivitetin bujqësor dhe blegtoral. Kishte marrë toka edhe në zonën kodrinore edhe në zonën fushore në luginën e Vllahinës ,që punoheshin me parmendë. Punët e stinës ishin të pandërprera e të vështira…

Së bashku me bashkshorten, nënën time kishin punuar natë e ditë për të kryer punët e stinës në bujqësi. Përballonte një volum të madh pune të lodhëshme si në prodhimet bujqësore e blegtorale. Me sedër e vullnetë të hekurt kishin punuar tokat duke mbjellë kulturat bujqësore në grurë, misër dhe fasule. Kishin siguruar një mirëqënje të mirë ekonomike duke shlyer edhe detyrimet ndaj shtetit. Disa nga prodhimet bujqësore e blegtorale i shiste në tregun e Vlorës. Prodhimet në gurë e misër i grumbullonte duke i ruajtër në hambarin e shtëpisë.

Kur isha fëmijë në klasën e parë fillore e shikoja vazhdimisht duke punuar. Organizonte e planifikonte punët në bujqësi me njohuri si një agronom i kualifikuar. Kishte raste që punonte gjithë natën që dita e nxehtë e verës të mos dëmtonte prodhimet bujqësore. Njëkohësisht kishte krijuar tufën me bagëti të imta-dele e bagëti të trasha, lopë, qetë e arës dhe kuaj. Jeta ecte e gëzuar se në familje kishim prodhime buqësore, e produktet blegtorale, mishin, qumshtin, gjalpin, por shumë shpejtë erdhi lubia socialiste e kolektivizimit.  Ima At ishte shumë bujarë…

Të gjithë të deleguarit që vinin në Kropisht shkonin në shtëpinë e Miftar Brahim Mara, e cila pothuaj ishte shndërruar në menxë të kooperativës. Autoritetet drejtuese të partisë e shfrytëzonin bujarinë e tij duke dërguar vazhdimisht të deleguarit nga qyteti Vlorës.Duke premtuar se jeta do të përmirësohej e njerëzit do të hanin me lugën e florinjtë. Ata e kishin kthyer shtëpinë e Miftar Brahimit në një hotel dhe restorant për të pritur e nderuar të deleguarit e rrethit Vlorë. Të gjitha harxhimet ushqimore bëheshin nga ekonomia e familjes të Miftar Brahim Mara.

Im At ishte shumë i gëzuar që unë isha nxënës shumë i mirë në shkollë dhe kur isha në klasën e gjashtë më kërkoi të mësoja kuranin në gjuhën arabe. Disa kapituj të lutjeve të kuranit i mësova përmëndesh dhe shpesh herë i recitoja me shokët e mi në shkollë. Im At kur këndonte kuranin të drithëronte me zerin e tij melodioz që ndjehej sikur lidhej me shpirtin hyjnor të Zotit. Im At u shqetësua shumë se kur mbarova shkollën 7 vjeçare me notat më të mira bëra kërkesë për të drejtë studimi në shkollën pedagogjike nuk më miratuan të drejtën e studimit sepse fisi Mara u godit ashpër nga lufta e klasave me të gjitha mënyrat dhe mjetet e përjashtimit komunist.

Na kishin cilësuar fis armik e kulak. Rrebeshet e luftërave në shekullin XIX, që larguan fisin Mara nga Bashaj, duke e shpërndarë në drejtime të paditura, ndodhën edhe gjatë shekullit XX, madje më të egra, me diktaturën komuniste sllaviste staliniste. Pushteti diktatoriak depsotik, jo vetëm na dënoi djalin e xhaxhait të tim Eti, Sherif Mara i burgosur politik, por kërkoi ta pushkatonte, sepse kishte aspirata demokratike dhe përballoi burgun politik.  Babai kërkoi ndihmën e disa miqve në Vlorë, të cilët siguruan të drejtën e studimit për në shkollën 2 vjeçare pedagogjike. Kur erdhi njoftimi se duhej të shkoja në shkollën pedagogjike të Fierit, babai më tha se më kishin akorduar të drejtë studimi me gjysmë bursë nga shteti. Babai i gëzuar më shoqëroi për në Fier.

Kur mbritëm në sekretari për t’u rregjistruar, megjithëse unë isha në krah të kundërt me rregjistrat e emrave të nxënësve, dallova vetëtimthi emrin tim dhe lexova fjalën me bursë shteti. Babai i kishte grumbulluar parat që të paguante gjysmën e bursës Ata që lajmëruan për gjysmë bursë nuk treguan që ishte bursa e plotë, ndoshta kishin menduar se meqë ishim shumë fëmijë, nuk do të vazhdoja shkollën me gjysmë bursë. Por prindërit e mi nuk i zinte gjumi për të më shkolluar mua, ata ishin gati edhe pa gjysmë burse të më paguanin lekët e të drejtës së studimit.U ndava me babanë me lotë në sy. Nuk folëm dot asnjë fjalë. Ai ishte në moshën 63 vjeç dhe kishte kaluar shumë halle në jetë. Atë çastë që u nda nga mua më përkëdheli me shumë dashuri dhe iku i lumturuar që më rregjistroi në shkollë për mësues

.Kur më emëruan mësues në vendlindjen time Kropisht babai më këshilloi që të punoja sa më mirë.Si rrufe goditi fjalimi 6 shkurtit 1967, revolucionarizimi gjithë jetës së vendit.U acarua lufta e klasave, prishën kisha dhe xhami,.Filloi presioni ideologjik i luftës së klasave edhe në familje. Im At u pezmatua kur grupet revolucionare të rinisë i kërkuan të digjte librat fetar që i kishte ruajtur nga djeget e shkatërrimet e luftës botërore. Ruajti fshehur nën jastëkun ku flinte vetëm kuranin , për të cilin para se të largohej nga jeta e la amanet ta vendosnin në banesën e tij të fundit. Ai gjente kurajo për të frymëzuar fëmijët për të vazhduar shkollat e mesme.Nga padrejtësitë që i ishin bërë gjatë jetës së tij përdorte shpesh shprehjet: “Ruaju nga e rrëma se sa nga e bëma. O drejtë plaç të preftë, o e shtrembër lepe si urdhëron !.

Im At u trishtua shumë kur mua në mënyrë të befasishme më pezulluan nga puna dhe më arrestuan për agjitacion e propangandë armiqësore.Përfundova në hetuesi. Babai e nëna më shikonin të trishtuar, por më jepnin forcë duke më këshilluar të qëndroja me guxim para hetuesve. Ata nuk flinin gjumë por prisnin me ankth kthimin tim nga organet e hetuesisë. Në këto momente të vështira të jetës të gjithë të afërmit që kishin biografi komuniste me braktisën por vetëm prindërit më qëndruan pranë me shumë dashuri. Hetuesia e mbajti dosjen time të hapur, nuk e dërgoi për në gjykatë, sepse ishin “zbuluar” disa agjente të tjerë dyshohej “lidhja ime me ata”. Organet administrative të pushtetit nën drejtimin instruktorëve të forumeve të partisë të rrethit Vlorë, organizuan një mbledhje publike për të më shpallur “armik” dhe “Kulak të ri”. Babai im atë ditë që do të bëhej mbledhja nuk kishte fjetur gjumë por duke pirë pa ndërpreje duhan rrinte i heshtur.

Në mbledhjen e organizuar nga drejtuesit e partisë të gjithë të pranishmit si heshtja e gurëve të varreve mbanin sytë përdhe, nuk guxonin të diskutonin . Ishte krijuar enkas një brigadë me të dënuar politik që punonin me detyrim në hapjen e tuneleve strehuese për popullatën,. Punonim në masa pasigurie, në thellësi të tuneleve të zihej fryma nga mungesa e ajrit. Midis ish të dënuarve politikë , unë isha më i riu. Ata më trajtuan si djalin e tyre, duke më ndihmuar të punoja me karrocë dore për të nxjerrë dheun jashtë tunelit.

Im At e përjetonte me dhimbje dënimin tim politik, kur shikonte që jastëku im ishte lagur nga lotët e mi . Çdo natë vinte tek dhoma ime duke më dhënë kurajo për të mos humbur shpresën se do të fitoja pafajsinë. Isha i ri,nuk i kisha mbushur akoma 18 vjeç. Dhe erdhi dita që fitova pafajsinë dhe më larguan nga vendlindja.Jetova larg prindërve të dashur. Edhe kur shkoja për ti takuar në ditët e pushimit të djelave pezmatohesha me varfërinë që solli ekonomia kooperativiste.

Im At në vitet e tufëzimit të bagëtive ndjeu shumë mungesën e qumshtit,i cili në qytete jepej me racion ndërsa në fshatra mungonte fare. Ai që dikur mbushte vedrat me qumësht duke prodhuar gjalpë e djathë nuk kishte një filxhan qumësht për ta pirë kur ishte sëmurë. Ai që therte dy tre dele për miqtë,nuk kishte një kg mish nga jeta e ferrit koperativist. Një tmerr i vërtet ishte buka e misërt hibride që ishte e fortë si tullat e ndërtimit të mureve dhe kishte hidhërim kur e fusje me zor në gojë, e nuk përtypej dot nga nofullat. Në këto kushte të vështira varfërie apo mjerimi babai shikonte nga dera e shtëpisë kur shkonim ne fëmijët e tij duke i çuar bukë gruri.

Mënyra e jetesës në koperativë ishte bërë e padurueshme.Flitej në emër të popullit, individi trajtohej si një “bulonë” shtrënguese në “mekanizmin” e interesit të përgjithshëm. Edhe pse varfëria ishte shtuar në mungesën e ushqimeve kryesore,propanganda komuniste mashtronte duke thënë “ Bota vdes nga uria. Uli çmimet Shqipëria”.

Në këto kushte të vështira ,Im At mbylli sytë përjetsisht në 14 mars 1986,i rrethuar nga fëmijtë , nipër,mbesa , miqtë e dashmirësit e shumtë të tij.Cermonia mortore u zhvillua me shumë pjesmarrës nga zona e Gorrishtit, Koculit, Treblovës, Vezhdanishtit, Selenicës,Drashovicës, Vranishtit e qytetit të Vlorës etj. Me hidhërim fola në cermoninë mortore duke e përcjellë me dhimbje në banesën e fundit: Theksova vlerat morale të babait, i cili si një nënë e dashur kishte treguar dashamirësi ndaj të gjithëve atyre që kishte njohur. U ndava me lotë me vëllezërit e mi duke e ndjerë shumë mungesën e babait që na bashkonte duke na këshillur të ishim gjithmonë në harmoni vllazërore me mirkuptim e respekt ndaj njëri-tjetrit.

Im At, më iku vetëm fizikisht, sepse shpirtin e tij e kam brenda meje në çdo kohë. Edhe kur isha nëpër spitale më shfaqej çdo natë duke më dhënë shpresë se do të jetoja, Në të dy operacionet e trasplantit të zemrës, në enderr më frymëzonte të sfidoja me guxim kërcënimet e vdekjes. Kujtimet e babait më nxitën të shkruaja e të botoja librin “Fisi Mara Kropisht në rrjedhjen e kohës”.

Nuk e shkrova librin thjeshtë për të pasur një histori familjare e farefisnore të hedhur në letër, por ky libër të ishte dhe një monografi me vlerë për luftën e njeriut të thjeshtë për të mbetur krenar në ngulmimet e tij, në etjen e tij për të ndryshuar rrjedhat e vështira dhe të pamundura në favor të një jete më të mirë, më dinjitoze, të vlerave më qenësore të ekzistencës njerëzore, si nderi, dinjiteti, besa e bujaria, të cilat babai im i kishte të shenjta në karakterin e tij.

Im At kishte udhëtuar në kohë me një profil të spikatur dhuntishë dhe virtytesh,me të cilat me shumë dashuri më edukoi mua për të përballuar vështirësitë e jetës. Këshillat e porositë e tij më kanë mbrujtur nga koha në kohë duke u kthyer në modelime psiko-shpirtërore në rrugëtimin tim të jetës.

Im At, rriti me shumë sakrifica 15 fëmijë. Tre fëmijë i kishte me gruan e parë nga Mavrova që i kishte vdekuar, duke lënë tre fëmijë jetim nga mosha 8 vjeç deri 2 vjeç. 12 fëmijë lindën e rritën me nënën time nga Vranishti dhe punuan natë e ditë pa u mposhtur nga vështirësitë e shumta për të rritur e arsimuar fëmijët.

Im At ,kishte ditur të prekte “plagët” e gjithkujt që njohu gjatë 86 viteve të jetës së tij të vështirë dhe shëmbulli tij më fymëzonte e më fymëzon edhe sot që jetoj me një zemër të trasplantuar. Im At, është Shënjtëria ime!

 Qatip Mara

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.