HIRËSI E FLLUSKUAR: POEZIA E SHPIRTIT DHE FRYMËS SË POETIT

0

Sarë Gjergji

(Mehmetali Rexhepi, Hirësi e flluskuar, Sogjetime, Gjilan, 2017)

Krijimtaria letrare, publicistike dhe shkencore e studiuesit dhe pedagogut Mehmetali Rexhepi, zë fill në vitin 1968. Që atëherë, ajo ka tërhequr vëmendjen e lexuesit e të kritikës letrare tek ne. Vepra e tij në përgjithësi, e, sidomos romani “Hirësi e Motit” (2017) dhe vëllimi poetik “Hirësi e flluskuar” (2017), janë vepra që shquhen e dominohen për nivelin e lartë artistik, për mënyrën e thurjes, shtjellimit dhe ndërtimit të tekstit poetik, për shprehjen poetike, leksikun e rrallë e shumë të pasur.
*
Po çfarë mund të thuhet për vëllimin poetik Hirësi e flluskuar?
Shkrimtari i njohur brazilian, autor i një sërë veprash letrare zhanresh te ndryshme, J. C. De M. Neto, thotë se një poezi e lexuar vetëm një herë është një poezi e lexuar keq. Prandaj sugjeron që ta përsërisim disa herë leximin, në mënyrë që të shtojmë mundësinë për t’i kapur kuptimet e brendshme të vargjeve, fjalorin, strukturën dhe burimet gjuhësore që përbëjnë një vepër të caktuar. Ky pohim i Netos më erdhi ndërmend, gjersa po lexoja poezinë Ai djalë i marrë, me të cilën hapet libri Hirësi e flluskuar. Dhe kemi shumë arsye që t’i përmbahemi sugjerimit të Neto-s.

Librin në fjalë, duhet ta lexojmë më shumë se një herë, sepse ky libër, veç tjerash, shquhet e karakterizohet për gjuhën e kursyer e shumështresore, për përsosmërinë e vargut e të shprehjes artistike dhe brenda vetes ngërthen “dete e korije, polem e magji” (Ai djalë i marrë, f. 5) të pafund vlerash poetike.

*
Poezia Ai djalë i marrë, që del të jetë mjaft sugjestive, ndërkaq, mund të konsiderohet jo vetëm si një prolog i rëndomtë në këtë libër. Para së gjithash, poezinë në fjalë, duhet lexuar, kuptuar e interpretuar si një metapoezi, si një diskurs poetik ku lënda, subjekti ose tema e poezisë është vetë fakti i të shkruarit të poezisë – është vetë poezi dhe, raporti, marrëdhënia që autori ka me tekstin dhe me lexuesin. Si e tillë, ajo ka dy nivele paralele të diskursit. Në të parin, bëhet fjalë për atë që zakonisht kuptojmë me anë të tekstit – poezisë dhe niveli tjetër që shkon paralelisht me të parin dhe ndërthuret me të, poezia reflekton mbi natyrën e vet, origjinën, kushtet dhe rrethanat e tjera (G. Camero):

“lexove një herë
pa kokërr shije
dhe pohove
prerë
këtu nuk paska verë
as det as rërë
as akullore
as jone jodi
as korije

*
pse nuk e do
librin ti
*
ai është zambak
ore zemërak”
(shkëputur nga poezia Ai djalë i marrë)
*
Me një stil unik, të shënuar nga racionalizmi dhe objektiviteti, dhe me një teknikë të veçantë shkrimi, Rexhepi ka kompozuar një poezi përtej modernes, me një gamë të gjerë emocionale dhe tematike, e cila nuk kufizohet brenda një kohe të caktuar. Autori me shumë mjeshtri eksploron e trajton tema të ndryshme që prekin çështje të shumta të dramës nacionale dhe të fatit njerëzor përgjithësisht. Dyzetë e nëntë poezitë e përfshira në librin “Hirësi…”, janë strukturuar e sistemuar në tetë cikle, si: Parashikimi cirilik, Fjalori i diellit, Shpërfytyrime, Kobra e heshtjes, Pena e vërtetë, Kollarja e karafilave, Bukuria e shpifur dhe Gjeniu grish Zotin.

Leximi i këtij vëllimi poetik të intrigon që në titull, të pushton e të bën për vete dhe të grish pareshtur për të vazhduar tutje, ngase teksti, siç do shprehej R. Barthes, nuk është bashkësi shenjash të mbyllura; është vëllim gjurmësh në zhvendosje. Pra, poezia nuk përfundon, por vazhdon tutje në forma e trajta të ndryshme të ligjërimit poetik. Kjo edhe për faktin se nuk ka lexim autentik pa shenjën e lexuesit. Kuptimi i një teksti lind nga dialogu i lexuesit me tekstin dhe për këtë arsye interpretimi i tekstit letrar, pra, edhe i librit Hirësi…, mund të ndryshojë nga lexuesi në lexues, varësisht nga përvoja e leximit dhe bagazhit të tyre kulturor.

Pavarësisht asaj, nëse e marrim ose jo si të mirëqenë pohimin e mësipërm, poezia e librit Hirësi…, në kuptimin e plotë të fjalës, është sa lirike, po aq edhe epike e dramatike. Brenda saj hasen heronj e antiheronj – tradhtarë. (Autori krijon imazhet, shëmbëlltyrat e këtyre të fundit, pa përmendur emra të përveçëm). Ka dritë, hije, terr, tension… Ka poezi brenda poezisë-dyfishim të saj (sidomos në ciklin Fjalori i diellit).

Përmes një sistemi figurash të shumëllojshme, autori krijon imazhe të gjalla që godasin e dalin nga realiteti, duke shpërfaqur e përftuar një realitet të ri dhe krejt origjinal e të qenësishëm artistik.

Boshti rreth të cilit poeti sillet dhe ndërton tekstin poetik dhe e shtjellon atë, është etnia e tij me gjithë mangësitë dhe përparësitë që ka. Është etnia në ballafaqim dhe raport me vetveten dhe të tjerët. Jo vetëm lufta për liri, por, para së gjithash, aspekte të fushës kulturore, shpirtërore, sociale, politike etj.- për të cilat autori qe diferencuar e pushuar nga puna, qe maltretuar dhe u burgos nga ish sistemi – janë akset nëpër të cilat endet autori. Ai thellohet në frymën dhe shpirtin e etnisë së cilës i takon edhe vetë. Këtij shpirti e kësaj fryme i qaset me një gjuhë poetike krejt të veçantë, duke e kundruar dhe pasqyruar atë në kohë e epoka të ndryshme.

Në këtë rrafsh do parë dhe kundruar poezinë e Mehmetali Rexhepit, në të cilën shfaqet një tension i theksuar mes botës së jashtme dhe qenies së poetit. Do thënë se ky tension zë fill që në ciklin e parë, me emërtimin sa simbolik po aq dhe të drejtpërdrejtë: Parashikimi cirilik.

Poezia e këtij cikli na vjen me gjithë përmasën e një shpirti të shqetësuar e plot ankth për gjendjen e atdheut që, në mënyrë të veçantë, është ajo e pas luftës. Bota amë e autorit shpesh del të jetë e zhytur në kaos; e sprovuar nga vështirësi të shumta, në kohë e rrethana të ndryshme socio-kulturore, politike, etj.

Ata që provuan me çdo kusht zhbërjen e etnisë së poetit në të kaluarën (dhe tash në luftën e fundit), ata që vetëm ngjasojnë në njerëz, siç shprehet poeti, vazhdojnë e vishen me të njëjtat gënjeshtra; vazhdojnë të ushqehen me të njëjtën meny: urrejtjen, por që autori, bazuar në mësimet biblike, megjithatë i fal pilatët: “i shëmbëlleva Krishtit/ se i fala pilatët” (Letër e djegur, f.84) Drama personale e autorit, që në fakt është drama nacionale, ndërkaq na vjen përmes një gjuhe simbolike, mendimi të pastër poetik e shprehje të fuqishme, koncize e përplot elegancë, si:

në dorë ende mbaj
lëkurën time të rrjepur
çfarë t’i bëj për t’ia qepur
për t’ia veshur pastaj
anatomisë

Vargjet si këto, kumtojnë e përçojnë shumësi idesh, dhe janë më shumë se një mesazh poetik. Janë dhembje e klithje – janë ftesë për ndërgjegjësim, për më tepër, kur të kihet parasysh përvoja jonë aspak e dëshiruar nga e kaluara historike.
*
Por, duke gërshetuar kohë e motive të ndryshme, theksi i poezisë së Rexhepit bie, gjithashtu, në prirjen e komunikimit dhe përqasjes së historisë (e manifestimeve të saj) me përditshmërinë dhe aktualitetin tonë. E djeshmja (që nga antika) i flet të sotmes, ndërkaq që kjo e fundit sikur jep shenja e sugjeron vizionin për të ardhmen. Ajo nuk është vetëm jehonë e ngjarjeve të kohëve të ndryshme. Për më shumë, një pjesë e mirë e poezisë së vëllimit Hirësi e flluskuar, pasqyron një qëndrim kritik të autorit mbi shumë çështje e ngjarje të caktuara. Si i tillë, arti poetik i Mehmetaliut është shumëkuptimor, shumështresor e shumëdimensional.

Në kontekst të komunikimit dhe përqasjes së historisë me aktualitetin, në mënyrë të veçantë mund të shihet poezia Dom Mikel Tarabulluzi (f.34), e cila na vjen si një prodhim i një ndjeshmërie të veçantë. Autori, përmes një gjuhe metaforike, duke vënë përballë Krujën dhe Stubllën, sikur skanon dhe diagnostifikon dy gjendje, çuditërisht të kundërta. Përderisa në Krujë – në Muzeun Kombëtar të Gj. K. Skënderbeut- në themelet e shtetit shqiptar, ka pllakosur heshtja e nuk dëgjohet kambana, është Stublla – e Martirëve të viteve 1846-48, dhe Stublla e Muzeut të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, 1584-1905 (djepi i dijes dhe dritës) – ajo që jep alarmin për gjendjen e rëndë të qenies sonë; që tregon se Kruja nuk është më ajo Kruja e dikurshme e Gjergjit; janë martirët e Karadakut (të martirizuar dhe flijuar për lirinë e atdheut), ata që mbajnë gjallë frymën dhe shpirtin e etnisë sonë. Vargjet, si:

pirgu sogjeton
kumti mungon
në Muzeun e Gjergjit
shurdhëri e kambanës
*
në Stubëll kambana kumbon
deri te “Martirët e Karadakut”
dhe te mërgata
për lutjet shqip të mëngjesit

paraqesin një Krujë të shpërfytyruar në njërën anë dhe Stubllën, si një shtyllë të fortë vertikale – kujdestare të vlerave, në anën tjetër.
Këtu, ironia e dhembja janë të qarta.

*
Poezi të ngjeshura me mendim e ide, me një diskurs të thellë filozofik, janë edhe ato që portretizojnë figura frymëzuese për autorin e për ne. Poezitë kushtuar Shën Terezës, Demaçit, Beqir Musliut, Mirko Gashit, Ukshin Hotit, Rexhep Malës dhe Zejnullah Halilit sikur shpërfaqin kredon jetësore të poetit tonë, M. Rexhepi. Këto dhe poezia kushtuar studentes në amshim, Valmirë Myrtaj, nxjerrin më së miri në dukje shpirtin subtil e human të tij.
Do thënë se në disa poezi mund të hetohet fryma e B. Musliut dhe M. Gashit, por që asnjëherë dhe për asnjë moment nuk zbeh veçantinë dhe origjinalitetin krijues të Mehmetaliut,
*
Autori i kushton një kujdes të veçantë ndërtimit të tekstit poetik. Mënyra se si e ndërton atë, format e ligjërimit, mjetet stilistike dhe estetike që përdor ai, elementet e shumta shprehëse, e nxjerrin atë mjeshtër të vargut. Fjala, si një kategori më vete, në tekstin e vëllimit poetik Hirësi e flluskuar, nga pikëpamja semantike, ka një ngarkesë e ngjyresë, do thoshim, enciklopedike. Vepra shquhet për kujdesin që tregon autori për gjuhën, siç bënte Bogdani dikur. Bie në sy përzgjedhja e fjalëve që përdor ai në poezi. Janë fjalë të rralla, është një leksik i pasur, i tillë, çfarë mund ta gjejmë vetëm në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, por jo edhe në veprat letrare tek ne (ose shumë rrallë), e as në komunikimin e përditshëm.

Si të thuash, ai nxjerr nga sirtari dhe riaktivizon fjalë (gati) të harruara nga ne, duke i shpërfaqur ato me një kuptim të ri e më të gjerë në vepër, duke hapur e dhënë mundësinë për interpretime të shumta. Poezia e tij kërkon një lexues të përzgjedhur, me kulturë e shije të hollë për artin: një lexues elitar. Ndryshe, një lexues i rëndomtë, do ketë nevojën e vazhdueshme të konsultimit të Fjalorit… për të kuptuar gjithë atë leksik dhe mesazhin që bart ai në veprën e Rexhepit. Autori reinventon gjuhën në mënyrë të tillë që vetëm mjeshtërit e mëdhenj të letërsisë mund ta bëjnë.

Ligjërimi poetik i tij është i përmasës matematikore në kuptimin e precizitetit dhe korrektësisë së gjuhës. Për të, puna poetike nuk është thjesht rezultat i ndonjë frymëzimi, por i një përkushtimi të madh. Siç mund të kuptohet nga opusi i tij krijues, poezia gjendet në ashpërsinë e ndërtimit të saj dhe në organizimin e vetë tekstit. Puna rigoroze me gjuhën, e cila në vepër është tejet konotative, autorin e nxjerr jo vetëm njohës të mirë të gjuhës, por edhe një arkitekt të vërtetë të fjalës (poetike). Kjo e bën atë të veçantë dhe krejt origjinal si autor, do thoshim, në krejt korpusin letrar, veçmas në atë të poezisë së sotme shqipe tek ne.
*
Poezia, në këtë libër, na vjen si një himn në kërkim të sublimes, veshur me një petk solemn: gjuhën – leksikun e pasur; na vjen si një himn edhe atëherë kur shkruan për dukuri të shëmtuara, duke ngjallur një sërë asociacionesh ideo-artistike e estetike tek lexuesi, duke e bërë atë të përsiasë për dukuri e çështje – për botën që trajton.

Ndonëse në vepër mungojnë shenjat e pikësimit, sikundër dhe lidhëzat apo asindeti (si figurë stilistike), megjithatë, ajo nuk vuan për mungesë ritmi, dramaciteti, dinamizmi, gjallërie e intonacioni të fuqishëm.

“Hirësi e flluskuar” është poezia e shpirtit dhe frymës së Mehmetali Rexhepit – është teksti dhe kënga e jetës së Tij.
Leximi dhe asimilimi i kësaj poezie do na bëjë më të pasur shpirtërisht e më të fisnikëruar me vlera kulminante artistike

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.