Për brezin tim është i paharrueshëm zëri brilant, i ëmbël dhe tingëllues i këngëtares së mirënjohur, tiranase, Hafsa Zyberi. Këngët e saj na mbanin gjallë dhe na motivonin më shumë në jetën e përditshme. Hafsaja nuk e vetme që këndonte nga kjo familje. Ajo pati një traditë, nga familja që merrej me këngën dhe interpretimin e saj. Kështu në vite, kohë pas kohe, do të formohej “dinastinë” Zyberi. Ajo nxori nga gjiri i saj këngëtarë të një niveli të lartë në interpretimin e këngës popullore të Tiranës dhe Shqipërisë së Mesme.
Nga familja, Zyberi, kanë dalë këto artistë dhe këngëtarë: Ramazani, Hafsaja, Mustafai, Fatma, Lindita, Irma, Fatmiri, dhe mbesa Klotilda Daliu, etj. Këto përbënin një “ansambël” më vete që përcjellin dhe interpretojnë këngën e Shqipërisë së Mesme, me profesionalizëm të lartë. Shtojmë këtu se, këngëtarët e rinj nga familja janë të shkolluar pranë Liceut Artistik dhe Akademisë së Arteve. Shpresojmë që këto, dhe pasardhësit e tyre, ta ruajnë traditën e kësaj kënge dhe ta çojnë më përpara atë…
Këngëtarja e madhe Hafsa Zyberi, këngët e Tiranës dhe të Shqipërisë së Mesme i përcjell me emocione, si asnjë këngëtare tjetër. Ajo është një prej këngëtare që kënaqte zemrën dhe shpirtin e të pranishmëve dhe merrte pa mbarim duartrokitjet e tyre. Hafsa Zyberi për vite me radhë ka sjellë këngë dhe emocione që nuk harrohen kurrë. Hafsaja ishte një bilbil i këngës popullore, mbretëreshë e saj…
Hafsa Zyberi lindi në Tiranë, më 15.05.2928, në një familje me pesë fëmijë, tre motra dhe dy vëllezër. Babai i saj vdiq në moshë të re. Ajo dhe fëmijët e tjerë u rritën nga nëna e saj. Hafsaja qe punonjëse e Ndërmarrjes Artistike “Migjeni”. Krahas punës ajo merrte pjesë në koncertet e grupit artistik të ndëmarrjes, ku bë një nga këngëtaret më me zë të saj. Ajo më pas interpretojë këngët e saj edhe në Ansamblin “Tirana”, në Ansamblin e “Këngëve dhe Valleve Popullore”, etj. Në Tiranë ajo ishte e pranishme në të gjithë koncertet e skenat koncertore. Dyert e tyre ishin të hapura për Të. Ajo arriti në majat e kësaj kënge, ku mund të krahasohej me Fitnete Rexhën, Nexhmije Pagarushën, Naile Hoxhën, etj. Suksesi i saj në skenë ishte i padiskutueshëm.
Krahas skenës, ajo i nterpretonte në familjen e saj, në gëzime familjare, në dasma dhe koncerte të tjera. Cakja, siç e thërrisnin me përkëdheli, kishte një një zë të butë, tepër melodioz, kumbues dhe të mrekullueshëm. Këngët e saj kishin ritmikë dhe të tërhiqnin si magji gjatë interpretimit të tyre. Pjesë e suksesit të saj ishin edhe orkestrat muzikore dhe orkestrantët brilantë të kohës. Krijimet e Muharrem Gurrës, Isuf Myzyrit, Ramazan Zyberit, etj. qenë një ndihmë e madhe për këngëtaren dhe i çuan edhe më përpara arritjet e saj. Hafsaja la si trashëgimi të vetën, vetëm këngën. Ajo u vlerësua nga autoritetet e kohës në vitin 1980, me titullin e lartë “Artiste e Merituar”.
Hafsa Zyberi ka interpretuar shumë këngë, midis të tjerash, përmendim: “Karafili i zambakut”, “Këngë për Kaja Karafilin”, “Kumuri qafëbardhë”, “Mun te ara ke tagjia”, ” Lum e lum se ja mërrita”, “Ditë e zezë gjashtë qershor”, “Kënga e shoqërisë”, “Të pëlqeva ata sy”, “Si më ke sytë, më ke vetullat”, “Mori vjollca që çel në saksi”, “Moj thëllënxa mitare”, “Në bash të qefit e t’muhabetit”, “Balluket e tuaja”, “Të du moj gocë e vogël”, “Hajde moj malenake”, “Çohuni djema shaloni atin”, “Fol nji herë moj shtatselvi”, “Unë ty moj të kam dashtë”, “Më shikon me buzë në gaz”, “Rrall kam pa ksoj bukurie”, “S’paske pas një pikë mëshirë”, “Dritën tate xhevahir”, “Kur pata një lule të bukur”, “Kënga e Kalas Durrësit”, “Valizake”, “Kur ke qenë një herë e re”, “Shkon Skyfteri i zemruem.”, “Artizane e Lumës je”, “Elbasan i bukur”, “Të kom dash, Ije”, “Nuse në Tiranë”, “Dëshmorët e Kavajës”, “Shoqnia”, “Për mjedis pazarit t’Durrësit, etj.
Siç shihet këngëtarja e madhe, Hafsa Zyberi, ka një numër të madh këngësh të kënduara me zërin brilant të saj. Këngët janë njëra më e mirë se tjetra, për nga interpretimi i këngëtares, muzika që i shoqëron dhe tekstet e shkruara për to. Shumica e këngëve janë lirike, tipike qytetare tiranase dhe të Shqipërisë së Mesme. Në to i këndohet; nuses, dhëndrrit, dashurisë, shoqërisë, bukurisë së vajzës, qefit e muhabetit, ahengut tiranas, gëzimeve familjare dhe shoqërore, etj. Po kështu ka edhe disa këngë historike. Në to përshkruhen pjesëza dhe ngjarje të ndryshme historike dhe protagonistët e tyre. Të gjitha këngët e interpretuara nga Hafsaja, kanë brenda tyre ndjenjën dhe shpirtin e saj. Si e tillë ajo do të kujtohet me respekt të madh nga brezat pasardhës…
Ibrahim Kabili
Tiranë, më 25.02.2025