GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (5)

0

Myrvete Dreshaj – Baliu

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha 

Gratë shqiptare në burgjet jugosllave

Kjo dukuri mori përmasa të frikshme sidomos gjatë dekadës 1981–1991. Vetëm në komunën e Ferizajt, dokumentohet se mbi 53 gra u ekspozuan ndaj këtyre trajtimeve çnjerëzore. Viktimat nuk ishin vetëm aktiviste politike, por edhe nëna të thjeshta, nxënëse dhe gra që nuk kishin asnjë angazhim të dukshëm publik – çka dëshmon për përmasën e gjerë të represionit dhe natyrën e tij arbitrare.

Për më tepër, gjatë pesëvjeçarit të dytë të kësaj periudhe, intensiteti i maltretimeve jo vetëm nuk u zbut, por përkundrazi, u përshkallëzua. Gruaja shqiptare, përveç që u gjend mes të arrestuarve dhe të përndjekurve, shpeshherë u bë objekt i dhunës së drejtpërdrejtë edhe nën pretekstin e kërkimit të armëve. Në veçanti, kjo ndodhte në familjet ku ajo ishte kryefamiljare – një rol që në shumë raste e kishte marrë për shkak të mungesës apo burgosjes së burrave. Në këto rrethana, gruaja nuk përballej vetëm me dhunën fizike e psikike, por edhe me barrën e ruajtjes së dinjitetit familjar dhe të qëndrueshmërisë morale përballë një trysnie të shumëfishtë.

Në këtë mënyrë, dhuna e strukturuar ndaj grave shqiptare nuk ishte vetëm një instrument i frikësimit dhe kontrollit, por edhe një mjet për të goditur qëndrueshmërinë sociale dhe shpirtërore të një populli. Përgjatë këtyre viteve, gruaja shqiptare nuk ishte vetëm viktimë e dhunës shtetërore, por edhe dëshmitare e gjallë e qëndresës, e sakrificës dhe e përpjekjes për të ruajtur dinjitetin individual dhe kolektiv në kohë të errëta të historisë.

Në artikullin e titulluar “Partia, zbërthen planet rankoviqiane”, të botuar në gazetën ilegale “Kosovarja e Re” gjatë viteve të represionit të thelluar politik, autori/ja hedh dritë mbi karakterin brutal të politikave shoviniste serbe që u intensifikuan pas demonstratave studentore të pranverës së vitit 1981 në Kosovë. Në këtë shkrim shpaloset një analizë e thellë e realitetit politik të kohës, ku denoncohet verbëria ideologjike dhe arroganca e politikës serbomadhe, e cila, e nxitur nga frika dhe urrejtja, nuk arriti më të ruante as fasadën e një barazie formale në kuadër të federatës jugosllave.

Në vend që të kamuflonte projektet e veta diskriminuese, shteti serb u shfaq hapur me synimet e tij për ta shtypur identitetin shqiptar dhe për ta shuar çdo aspiratë për barazi e liri. Sipas analizës së autorit/es, populli shqiptar në ish-Jugosllavi ishte i privuar nga të drejtat më elementare – qoftë ato njerëzore, qoftë kombëtare. Në këtë kuptim, reagimi politik dhe shoqëror i shqiptarëve, përmes organizimit ilegal, ishte një përgjigje legjitime dhe e domosdoshme ndaj padrejtësisë sistematike.

Kërkesa për shpalljen e Kosovës Republikë nuk paraqiste një kapërcim ekstremist, por një përpjekje të thellë për të sintetizuar nevojën për çlirim klasor nga shtypja ekonomike e ideologjike, si dhe për të siguruar pavarësi dhe barazi kombëtare brenda strukturave të atëhershme të RSFJ-së. Në thelb, kjo kërkesë synonte eliminimin e shfrytëzimit, ndaljen e politikave asimiluese dhe ndërtimin e një perspektive të re zhvillimi për Kosovën – një perspektivë të bazuar në dinjitet, drejtësi dhe sovranitet popullor.

Ky diskurs, i përhapur në forma ilegale, përbënte një akt të guximshëm intelektual dhe politik, në një kohë kur çdo fjalë e shkruar apo e thënë ndryshe nga dogmat e regjimit, barazohej me tradhti ndaj shtetit. Në këtë mënyrë, fjala e lirë e artikuluar përmes kësaj gazete ilegale nuk ishte vetëm një mjet komunikimi, por edhe një akt qëndrese dhe dëshmi e ndërgjegjes kombëtare të pashuar.

Në kontekstin e një robërie të gjatë dhe të dhimbshme që përjetonte Kosova, përpjekja për çlirim nuk ishte më një zgjedhje e lirë, por një imperativ historik dhe moral i kohës. Lufta e shqiptarëve për të dalë nga prangat e shtypjes u bë jo vetëm e domosdoshme, por edhe rruga e vetme drejt dinjitetit kolektiv dhe të ardhmes së lirë. Në momentin që kërkesa për liri dhe vetëvendosje u formulua mbi parime të shëndosha njerëzore dhe politike, ajo gjeti jehonë dhe mbështetje edhe përtej kufijve të Kosovës, në qarqe të caktuara të opinionit publik të Republikës së Kroacisë dhe të Sllovenisë – dy njësi federale që gjithashtu kishin nisur të ndjenin peshën e centralizmit shtypës të Beogradit.

Megjithatë, kjo kërkesë legjitime u përball me një kundërshtim brutal nga klasa politike shoviniste e Beogradit, e cila, së bashku me disa struktura udhëheqëse maqedonase dhe malazeze, reagoi me një agresivitet të egër, duke përdorur të gjitha mjetet represive të një shteti të militarizuar. Dhuna, frika dhe terrori u kthyen në instrumente të përditshme të sundimit, duke e shndërruar Kosovën në një fushë të përgjakshme të përplasjes ndërmjet aspiratës për liri dhe makinerisë represive të regjimit jugosllav.

Kjo përgjigje e egër jo vetëm që bie ndesh me çdo parim të së drejtës ndërkombëtare, por edhe me vetë rendin kushtetues të federatës jugosllave, e cila në parim njihte barazinë dhe të drejtën e vetëvendosjes për të gjitha kombet. E megjithatë, kur kërkesa vinte nga shqiptarët e Kosovës, ajo interpretohej si rrezik, si kërcënim për status quo-në shoviniste dhe për privilegjet e një elite sunduese. Prandaj, për të ruajtur këtë rend të padrejtë, makineria shtetërore nuk ngurroi të derdhte gjak, të mbyllte gojët liridashëse dhe të shuante me zjarr çdo fjalë për barazi.

Në këtë përballje dramatike, kërkesa për Republikë nuk ishte thjesht një aspiratë politike, por një thirrje për drejtësi, për jetë me dinjitet dhe për një vend ku çdo popull të jetonte i barabartë me të tjerët. Kjo thirrje, edhe pse u tentua të mbytet me dhunë, nuk u shua. Përkundrazi, u bë edhe më e fortë, më e qartë dhe më e domosdoshme.

Ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë nuk ishin thjesht një shpërthim i beftë i pakënaqësisë sociale apo politike, por një kapitull tjetër në ciklin tragjik të historisë shqiptare, që kishte nisur shumë më herët dhe po përsëritej me të njëjtën logjikë të dhunës dhe mohimit kombëtar. Historia e 1981-shit mbartte në vetvete gjurmët e plagëve të mëdha të së kaluarës, që fillojnë që nga viti 1878, kur pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, Serbia e parë hyri dhunshëm në trojet shqiptare, duke sjellë spastrimet e para dhe ndryshimin e dhunshëm të strukturës etnike në disa krahina.

E njëjta dramë u përsërit në vitin 1913, me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, ku Serbia e dytë u fuqizua si entitet shtetëror, duke përvetësuar edhe më shumë territore shqiptare dhe duke vazhduar represionin ndaj popullsisë autoktone. Ndërsa pas Luftës së Parë Botërore, me krijimin e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, më pas Jugosllavisë së Kralit, shqiptarët përjetuan një tjetër formë të sundimit shtypës, këtë herë të kamufluar me aparatin institucional monarkik që përdorte të gjitha mjetet për të shuar çdo aspiratë për vetëvendosje.

Hyjra e tretë e Serbisë në Kosovë, që ndodhi pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shënoi ndoshta një nga periudhat më të rënda të spastrimit dhe të masakrave kolektive. Në vend që të sillte çlirim, antifashizmi jugosllav solli për shqiptarët një tjetër robëri, të mbështetur mbi ideologjinë komuniste, por të përshkuar nga po e njëjta logjikë e mohimit të të drejtave dhe e shuarjes së çdo identiteti tjetër që sfidonte dominimin sllav.

Në këtë kontekst, viti 1981 duhet parë jo si një incident, por si një vijimësi historike, një pasqyrim i saktë i skenarëve të mëhershëm të imponimit dhe pushtimit. Kosova u bë sërish skenë e përpjekjes për ta mbuluar zërin e lirë të shqiptarëve, por kjo përpjekje u ndesh me një vetëdije historike dhe një qëndresë që nuk ishin më të heshtura. Shqiptarët e vitit 1981 e njohën mirë historinë e hyrjeve të Serbisë dhe këtë herë zgjodhën të mos jenë më viktima të heshtura, por bartës të një kauze që kishte rrënjë të thella në padrejtësitë e kumulative historike.

Pas represionit të përgjakshëm ndaj demonstratave të vitit 1981, regjimi jugosllav nuk u mjaftua me mbylljen në burgje të mijëra të rinjve e të rejave shqiptare, por ndërmori hapa edhe më të errët e më perfidë për të goditur themelet e identitetit kombëtar shqiptar. Në mënyrë të strukturuar dhe të planifikuar, filloi kufizimi sistematik i të drejtave më elementare të shqiptarëve në të gjitha fushat jetësore — në politikë, në ekonomi dhe në kulturë. Këto masa nuk ishin thjesht kufizime të përkohshme, por pjesë e një strategjie afatgjatë për dobësimin e shtresës intelektuale, për çrrënjosjen e vetëdijes kombëtare dhe për marginalizimin e shqiptarëve si subjekt politik dhe kulturor në Kosovë.

Më alarmante akoma ishte ndërhyrja e hapur në fushën e natalitetit, përmes politikave që synonin kufizimin e rritjes së popullsisë shqiptare. Nën maskën e “planifikimit familjar” dhe “zhvillimit racional të popullsisë”, autoritetet nisën të imponojnë masa që synonin frenimin e shtimit natyror të shqiptarëve, duke e trajtuar këtë si një kërcënim demografik ndaj shumicës sllave. Kjo ishte një ndërhyrje brutale në të drejtën biologjike dhe njerëzore të ekzistencës dhe vazhdimësisë së një populli.

Paralelisht, u shfaq një propagandë e egër mbi gjoja shpërnguljen e serbëve dhe malazezëve nga Kosova, duke paraqitur shqiptarët si faktor destabilizues dhe kërcënim për sigurinë e shtetit. Në të vërtetë, ky ishte vetëm një justifikim i mirëkalkuluar për të realizuar rikolonizimin e Kosovës me popullsi sllave, duke ndryshuar në mënyrë artificiale përbërjen etnike të rajonit dhe duke i zëvendësuar shqiptarët me kolonë të rinj që do të garantonin kontrollin e përhershëm të Beogradit mbi këtë hapësirë.

Këto politika nuk ishin thjesht shkelje të të drejtave individuale apo kolektive, por një përpjekje e hapur për asimilim kulturor, shtypje të identitetit dhe fshirje të gjurmëve të një populli autokton në tokën e tij. Në këtë mënyrë, fati i shqiptarëve në Kosovë nuk përcaktohej më vetëm me dhunë fizike, por me mekanizma institucionalë, demografikë dhe psikologjikë, që synonin shkatërrimin gradual, por të sigurt, të qenies së tyre kombëtare.

Politika e shkombëtarizimit të shqiptarëve nuk mbaroi me dhunën fizike dhe represionin institucional. Përkundrazi, ajo mori përmasa të reja dhe më të sofistikuara përmes një fushate të gjerë dezinformuese, e cila kishte për qëllim të manipulonte jo vetëm opinionin e brendshëm jugosllav, por edhe atë ndërkombëtar. Në shërbim të këtij qëllimi u vu në lëvizje një makineri e fuqishme propagandistike, që nuk reshti së trumbetuari për gjoja rrezikun nacional-irredentist që përfaqësonin shqiptarët e Kosovës. Sipas këtij diskursi të shtrembëruar, autoritetet jugosllave nuk po ushtronin dhunë, por po mbronin rendin kushtetues nga tendencat separatiste shqiptare.

Mirëpo, realiteti në terren fliste një gjuhë tjetër. Shqiptarët, si brenda Kosovës, ashtu edhe nga Shqipëria, përpiqeshin të demaskonin këto manipulime dhe të nxirrnin në pah të vërtetën: se po zhvillohej një politikë e organizuar për zhdukjen e identitetit kombëtar dhe të të drejtave themelore të shqiptarëve në Jugosllavi. Edhe pse reagimi ndërkombëtar ishte i ngadaltë dhe shpeshherë i ngathët, me kalimin e kohës, republikat e tjera të ish-Jugosllavisë filluan të shohin qartë qëllimet e vërteta të Beogradit. Ato e kuptuan se synimi i vërtetë i politikave serbe nuk ishte ruajtja e rendit dhe paqes, por zgjerimi i hegjemonisë mbi territore të tjera dhe shuarja e zërave autonomë brenda federatës.

Nazire Curri

Kjo politikë e egër nuk ishte e re në historinë serbe. Ajo ishte vazhdimësi e një strategjie të ndjekur që nga periudha e Kongresit të Berlinit dhe Konferencës së Londrës, një logjikë ekspansioniste që kishte për synim jo vetëm tokat shqiptare, por edhe territoret e republikave të tjera si Kroacia, Sllovenia, e më vonë Bosnja dhe Hercegovina. Historia e vonshme e Ballkanit e dëshmoi qartësisht se Serbia nuk kishte ndalur kurrë së menduari në terma të sundimit etnik e gjeopolitik. Luftërat shkatërruese të viteve ’90 ishin vetëm manifestimi më brutal i kësaj strategjie të kamufluar për dekada nën mantelin e “vëllazërim-bashkimit”.

Në këtë kontekst, qëndresa shqiptare ndaj propagandës serbe nuk ishte thjesht reagim ndaj një fushate shpifëse, por një përpjekje për të mbrojtur të vërtetën historike dhe për të ruajtur dinjitetin kombëtar në një rrethim ideologjik e diplomatik sa brutal aq edhe tinëzar.

Gjatë dekadave të fundit të shekullit njëzet, Kosova ishte shndërruar në një terren të elektrizuar politikisht, ku tensioni qëndronte pezull mbi çdo frymëmarrje. Ajo i ngjante një fuçie baruti që priste vetëm një shkëndijë për të shpërthyer me gjithë fuqinë e saj, duke përfshirë jo vetëm Kosovën, por të gjitha viset shqiptare që ndanin të njëjtën plagë historike. Jeta për shqiptarët ishte bërë e rëndë dhe shpesh e padurueshme, e mbushur me ndjenja të një mospërmbushjeje të përhershme, nën shtypjen e vazhdueshme politike, kulturore dhe kombëtare.

Në këtë realitet të mbrapshtë, ishte gruaja shqiptare ajo që përjetonte më thellë dhe më dhimbshëm gjithë tragjedinë e mungesës së lirisë. Ajo e ndiente dhimbjen në të gjitha dimensionet e saj – si nënë, që i rrëmbenin djalin; si motër, që përcillte vëllanë në burg apo në mërgim; si bashkëshorte, që përballej me mungesën e burrit të saj; dhe mbi të gjitha si një qenie e vetëdijshme për robërinë që e mbyste kombin. Kjo ndjeshmëri, e përkthyer në qëndresë morale dhe shpirtërore, ishte një nga shtyllat më të forta që e mbante gjallë ndërgjegjen kombëtare.

Teuta Bekteshi dhe Teuta Hadri

Nuk ishte rastësi që kërkesat studentore të vitit 1968, lëvizjet masive të vitit 1981 dhe protestat gjithëpopullore të vitit 1989 ishin të ngarkuara me përmbajtje të thellë politike e kombëtare. Ato nuk ishin thjesht artikulime rinore apo thirrje spontane për reformë, por shpërthime të një pakënaqësie të grumbulluar ndër vite, zëra të një populli që kërkonte me ngulm të drejtën e vet për ekzistencë të lirë, për identitet dhe për barazi në mesin e kombeve të tjera. Ishin kërkesa që dilnin nga shpirti i një populli të robëruar, por që refuzonte të përkulet përpara padrejtësisë. Në këtë përpjekje të pandalshme për liri, gruaja shqiptare nuk ishte vetëm dëshmitare, por aktore e denjë e historisë sonë të përbashkët.

Gruaja shqiptare, në kapërcyell të historisë dhe nën trysninë e kohëve të vështira, nuk mbeti asnjëherë në hije. Ajo ishte dhe mbetet pjesëmarrëse e palëkundur në të gjitha zhvillimet shoqërore, politike e kombëtare. Në çdo etapë vendimtare për fatin e vendit, e gjejmë aktive, të angazhuar, guximtare dhe të vetëdijshme për misionin e saj. Që nga organizimi i protestave kundër përpjekjeve për ndryshime të dhunshme kushtetuese që cenonin statusin e Kosovës, deri te përfshirja e saj e drejtpërdrejtë në demonstratat gjithëpopullore të vitit 1989, gruaja shqiptare qëndroi në ballë të rezistencës.

Por kulmi i këtij angazhimi erdhi në momentet më delikate për kombin. Ajo nuk u step as kur e ftoi historia të marrë pjesë në institucionet më të larta përfaqësuese. Në sallat e Kuvendit të Kosovës, me guxim dhe dinjitet, ajo ngriti dy gishtat në shenjë të votës përkundër pushtuesit serb, e vetëdijshme se pas atij akti të dinjitetshëm mund ta prisnin burgjet e regjimit. Ajo nuk votoi vetëm me mendje, por me zemër, me ndërgjegje të lartë kombëtare dhe me përkushtim të plotë ndaj idealit të lirisë.

Edhe në Kuvendin e Kaçanikut, kur u shpall Republika e Kosovës, gruaja shqiptare ishte aty – jo si spektatore, por si delegate e barabartë me burrat, si zë i vendosur i gjysmës tjetër të kombit. Pa frikë, pa hezitim, ajo i dha legjitimitet një ndër aktet më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës, duke dëshmuar se sakrifica dhe trimëria nuk janë vetëm vlera të burrave, por pasuri e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht gjinisë. Gruaja shqiptare, nëpërmjet këtij angazhimi, u shndërrua në një simbol të rezistencës aktive dhe të shpresës për një të ardhme të lirë dhe të drejtë.

Në etapën historike të Referendumit gjithëpopullor, gruaja shqiptare nuk ishte thjesht votuese, por aktore e ndërgjegjshme dhe përgjegjëse e procesit kombëtar. Ajo nuk e pa pjesëmarrjen si një detyrim formal, por si një amanet të shenjtë që populli ia besoi – amanetin për të dëshmuar vullnetin kolektiv për liri, pavarësi dhe vetëvendosje. Me përkushtim të palëkundur dhe dinjitet të lartë, ajo qëndroi në krah të burrave, në mbrojtje të së drejtës historike të popullit shqiptar për të qenë zot në trojet e veta.

Por më i dukshëm dhe më prekës ishte roli i saj në Lëvizjen e madhe për pajtimin e gjaqeve në vitet 1990–1991. Në një kohë kur vendi po përgatitej për përballje të reja dhe të rënda, gruaja shqiptare doli sërish në ballë të procesit të humanizimit dhe të bashkimit shpirtëror të popullit. Ajo nuk ishte vetëm ndërmjetësuese e fjalës së urtë, por edhe bartëse e fuqishme e mesazhit të faljes dhe solidaritetit, duke shkrirë shekuj të tërë gjakmarrjeje për hir të një ideali më të lartë – bashkimit kombëtar.

Gjatë viteve të përgjakshme 1998-1999, gruaja shqiptare nuk ishte thjesht një dëshmitare e historisë, por aktore e denjë dhe pjesëmarrëse e pandashme në të gjitha frontet e luftës për çlirim. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ajo nuk mbeti në margjina – përkundrazi, mori mbi vete barrën dhe nderin e përfshirjes së drejtpërdrejtë në betejën për liri. Ajo ishte aty ku kërkohej sakrificë, nëpër malet e Kosovës, në istikame, në ndihmën e plagosurve, në furnizimin e luftëtarëve, në ruajtjen e lidhjes mes popullit dhe rezistencës së armatosur.

Me uniformë ushtarake apo me petkun e thjeshtë të nënës e motrës shqiptare, gruaja jonë qëndroi si shtyllë e fortë në përballje me një makineri brutale shtypëse. Angazhimi i saj në luftë nuk ishte vetëm një akt i domosdoshëm mbijetese, por një përkushtim i thellë ndaj atdheut, një gjest i pastër i dashurisë për lirinë dhe të ardhmen e kombit. Ajo dëshmoi se trimëria nuk ka gjini dhe se kontributi i saj është i pashlyeshëm në mozaikun e historisë sonë kombëtare.

Sot, në epokën e proceseve demokratike dhe të ndërgjegjësimit të përbashkët, gruaja shqiptare vazhdon të jetë një forcë transformuese. Ajo nuk është vetëm pjesëmarrëse, por një shtyllë e mendimit dhe veprimit shoqëror. Nëpërmjet aktivitetit të saj të palodhur, ajo po kontribuon në mënyrë të pazëvendësueshme në rrëzimin e barrierës së fundit në Evropë – murit të ndarjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, i ngritur me dhunë dhe arrogancë nga pushtuesi serb. Ky “mur i Arbrit”, që për dekada ndau gjakun nga gjaku, gjuhën nga gjuha, ëndrrën nga realiteti, po shembet falë përpjekjes së përbashkët, ku gruaja shqiptare ka rolin e saj të ndritur dhe të patjetërsueshëm.

Literatura:

  1. Krah për krah me burrat, Kosovarja e Re, nr. 1. 1982, f, 2.
  2. Sabile Keçmezi-Basha,“Gruaja shqiptare në shërbim të çështjes kombëtare” (fejton 5 vazhdime),”Bujku” 24-28 janar 1996
  3. Mediha Shuteriqi, Gruaja shqiptare në luftë për çlirim kombëtar, (Simpoziumi për Skënderbeun, 9-12 maj 1968), Prishtinë 1969, f, 405-406
  4. Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985, f. 761
  5. Shkelzen Raça, Marrëdhëniet shqiptaro-greke 1829-1881, f. 201, Prishtinë
  6. Zenepe Dibra, Fjalor enciklopedik i gruas shqiptare,  Shkodër, 2009, 86.
  7. Akademik Ali Hadri, Gjakova në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, Prishtinë 1974., 86
  8. http://www.al-today.com/index.php?news=447
  9. Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f, 1077.
  10. Hyrije Hana, Kujtime, Prishtinë 2008, 8.
  11. Selatin Novosella, Demonstratat e Gjashtëdhjetetetës, 1, Monografi, Prishtinë, 2008, 150
  12. Sabile Keçmezi-Basha,“Demonstratat studentore ’81- kthesë e madhe në historinë më të re të Kosovës”, (fejton), Epoka e Re, 8-10 maj 2006,  8 maj, 2006.
  13. Partia zbërthen planet rankoviqiste, Kosovarja e Re, nr. 1, 1982, f, 3.

(Vijon)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.