Nëse standardi letrar nuk hapet ndaj gegënishtes, do të bëhet i panevojshëm për shumicën e shqiptarëve
Nga Skënder Mehmet Buçpapaj
Në qoftë se gjuha letrare do të vazhdojë të zhvillohet si toskërishte e mirëfilltë letrare apo joletrare, atëherë, duam apo nuk duam ne mirëdashësit e një gjuhe të njësuar letrare shqipe, punët një ditë do të kenë shkuar aq larg sa ne të fillojmë të mendojmë për një version tjetër të gjuhës letrare në pajtim me realitetin gjuhësor, ku jeton pjesa më e madhe e kombit dhe ku zhvillohet në vazhdimësi tradita e kultivuar e shqipes. Kur gegërishtja dhe toskërishtja janë kaq afër, pse ta thellojnë hendekun mes tyre nëpërmjet një gjuhe të njësuar të mbyllur ndaj njërit dialekt, kur mund të kemi një gjuhë të njësuar e cila të jetë e hapur ndaj të dyja dialekteve, të pasurohet prej tyre, të ndikojë te ato nëpërmjet ndikimit tek folësit e tjerë. Mendoj se në këtë rrafsh duhet të mendojnë gjuhëtarët, institucionet arsimore, institucionet botuese e të tjera, ndërsa ne lëvruesit e gjuhës, të mendojmë vetëm si ta përkryejmë komunikimin tonë me lexuesin në gjuhën amtare kudo që ndodhet ai dhe për një kohë sa më të largët, në mënyrë që të mos ketë arsye që dikush të ndërhyjë midis nesh dhe lexuesit për aspektin gjuhësor, ndërhyrja të jetë vetëm për interpretime filozofike e estetike.
Po e sjell më poshtë shkrimin e plotë:
Më 7 nëntor 2010 kam botuar në Bota Sot shkrimin e mëposhtëm rreth shqetësimeve të mia rreth gjendjes së gjuhës së sotme shqipe, parë nga perspektiva e afrimit të 40 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972). Në një shënim të mëvonshëm në facebook ndaj komenteve, unë kam shkruar:
Mbas rreth 2 vjetësh do të jetë 40 vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Ky tubim shkencor gjithëkombëtar u mbajt në Tiranë nga 20-25 nëntor 1972, pesë vjet pas botimit të projektit “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”, i shndërruar në normë nga Kongresi. Rezoluta, e cilësuar “një sintezë e mendimit dhe e vullnetit të përbashkët, të shkencës dhe të kulturës shqiptare, u fi rmos nga 87 delegatët e ardhur nga Republika e Shqipërisë, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Arbëreshët e Italisë, “studiues dhe pedagogë të gjuhës shqipe, mësues, shkrimtarë, publicistë, botues, veteranë të kulturës dhe arsimit e tjerë”.
Me mbajtjen e Kongresit të Drejtshkrimit mëtohet se niste periudha e një gjuhe letrare të vetme të njësuar, kurorëzuar kjo me vendimin e posaçëm të Këshillit të Ministrave “Mbi masat për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe” me numër 50 dhe me datë 8 mars 1974.
Kongresi, thuhet në zërin përkatës të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (botim i vitit 2008), prej nga unë i citoj apo i perifrazoj të dhënat e përdorura në këtë shkrim, “ishte kurorëzim i përpjekjeve të vijueshme të gjuhëtarëve e të inteligjiencës shqiptare për afrimin e shkallëshkallshëm të varianteve letrare të mëparshme dhe për formimin e një norme letrare kombëtare të njësuar”. Në dritën e këtij 40 vjetori, unë iu propozoj firmëtarëve të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 që të mblidhen në një kohë sa më të shpejtë të mundshme, më së miri në Tiranë, për të krijuar një forum të shënimit të këtij përvjetori.
Këtë propozim, këtë ft esë – edhe kështu po e quaj-, e bëj edhe në një dritë tjetër: Këto ditë mblidhet po në kryeqytetin e Shqipërisë një tubim shkencor për të diskutuar për çështjet më të mpreha të shtruar nga zhvillimet e gjuhës së sotme shqipe veçanërisht pas hapjes së shqiptarëve, pra shqipfolësve burimorë, ndaj botës, kështu edhe hapjes së shqipes ndaj gjuhëve të tjera, hapjes së kulturës shqiptare ndaj kulturave të huaja.
Gjuhëtarët në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë si dhe të tjerët në Institutin Albanologjik të Prishtinës nuk iu përgjigjën ftesës, duke lënë të kuptohet se njohin vetëm institucionin e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972.
Ftesa ime, natyrisht, është për firmëtarët e mbijetuar. Ndër më të rinjtë nga radhët e tyre ka qenë brezi i Ismail Kadaresë. Nëse këta atëherë ishin rreth tridhjetë e sa vjeçarë, tash janë rreth tetëdhjetëvjeçarë.
Vetë Androkli Kostallari, mbajtësi i raportit “Gjuha letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj”, si dhe autoritete të tjera gjuhësore të asaj kohe, si Eqrem Çabej, Mahir Domi e tjerë, nuk janë më, por janë kolegët e tyre të mendimit. Iu takon atyre më energjikëve, më aktivëve, mendoj unë, të thërrasin forumin për shënimin, pas dy vjetësh, të 40 vjetorit të Kongresit, përkatësisht ngjarjes më të madhe të gjuhës shqipe, pavarësisht sa e diskutueshme është ajo.
Mendimi im është që forumi të jetë tërësisht në fushëveprimin e këtyre fi rmëtarëve të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, pa lejuar trysni apo ndërhyrje nga faktorë të tjerë. Në kuadrin e këtij forumi mendoj se do të ishte e udhës që të bëhej një bilanc i 40 viteve të normës letare, sidomos në drejtim të përballjes së saj me dukuritë e dala pas vitit 1990, si dhe me ato të parashikueshme për një të ardhme të kapshme nga pikëvështrimi i zhvillimeve të derisotme.
Do të ishte gjithnjë punë e këtyre fi rmëtarëve se kë do të thërrisnin në forum nga pasuesit e mendimit të Androkli Kostallarit, të Eqrem Çabejt, të Selman Rizës apo të tjerëve. Është pranuar, dërkohë, se gjuhëtarët shqiptarë nga emigracioni politik nuk e kanë zbatuar Kongresin. Pra, del se në gjuhësinë shqiptare, krahas rrymave të brendshme të pasqyruara apo të përfshira në Kongres, ka pasur edhe rryma të papërfshira, të përjashtuara. Dhe ato përfaqësoheshin nga autoritete si Arshi Pipa, Martin Camaj e tjerë.
Me të drejtë konstatohet sot prej ish delegatësh të Kongresit se, me rikthimin e lirisë fetare, gjuha letare e njësuar u shtri edhe në botime dhe praktikat fetare. Por sa është tkurrur ajo, sa është shpërfi llur, sa është shmangur, sa është rrudhur e tëhumbur në fusha të tjera të lëvrimit, dhe çfarë duhet pasur parasysh e kush duhet kërkuar në ndihmë për shëndoshjen apo përmirësimin e zbatimit të gjuhës letrare të njësuar – këtë mendoj se ishte e udhës ta trajtonte forumi në fj alë.
Një e metë e madhe e gjuhës letrare të njësuar zyrtarisht më 1972 është se ajo ishte tej mase përjashtuese ndaj gegërishtes. Kjo përmasë ka dalë në pah shumë pas vitit 1990 jo për reaksion të folësve të këtij dialekti, por të folësve të dialektit tjetër – këta nuk e përfi llin më në përdorimet e folura apo të shkruara as grupzanorin ue, as ato pak raste të ruajtjes së a-së hundore e të kufi zimit të rotacizmit, duke e toskërizuar kështu në mënyrë sa më përfundimtare gjuhën letrare të njësuar, duke e çuar në tejskaj edhe paragjykimin e gegërishtes.
Pas mbarimit të Luft ës së Ftohtë pikëtakimet e shqiptarëve me shkencat e huaja gjuhësore kanë qenë të mëdha. Dhe përmasë e pamungueshme e tyre është hapja e plotë e gjuhëve të njësuara ndaj dialekteve, nëndialekteve, të folmeve, zhargoneve, po ashtu edhe ndaj gjuhëve të tjera. Gjuhën letrare të njësuar shqipe e mbronin infrastruktura të tëra të detyrimit ligjor në periudhën e komunizmit, duke ia kushtëzuar frymëmarrjen asaj. Në mungesë të tyre, sa i ka përballuar e si mund t’i përballojë më mirë letrarishtja sfi dat e ardhshme?
Kështu del se e meta tjetër e madhe e gjuhës letrare të njësuar është shndërrimi i saj në grumbull dogmash. Dogmatizimi i tejskajshëm çon pashmangshëm në braktisje. Dhe drojat e daljes së normave të tjera krahas asaj të vitit 1972 do të bëheshin reale, çka do të çonte në kaos pa krye. Dhe fajin do ta mbante kush nuk pranon të dalë nga guaska e normës së vitit 1972.
Në këtë kontekst, sfi dën më të madhe për gjuhën letrare të njësuar e përbën rënia e Mureve të Berlinit midis shqiptarëve, për rrjedhojë edhe midis shqipes. Ndonëse jashtë Republikës së Shqipërisë gjuha që doli nga Kongresi u përqafua, norma atje u zbatua në mënyrë origjinale. Ky origjinalitet deri ku do të shkojë? Vetë titulli i shkrimit tim, madje, do të lexohej në dy trajta, “Drejt dyzetvjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe” dhe “Drejt katërdhjetëvjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe”.
Ndërgjegja gjuhësore e folësit dhe lëvruesit të shqipes jashtë Republikës së Shqipërisë nuk pajtohet me gjithçka të dalë nga Kongresi.
(Botuar në Bota Sot më 7 nëntor 2010 – marrë nga Nacional)