GJERGJ LUCA dhe KOSOVARËT

0
Gjergj Luca

Arben Çokaj - gazetar Arben Çokaj

Kush ka të drejtë? T’i themi gjërat hapur. Gjergj Luca është një biznesmen që zë peshk, e përpunon dhe e shet, mban mijëra punëtorë me bukë dhe i paguan shtetit shqiptar taksa.

Qeverisja e Saliut desh e falimentoi, kurse qeverisja e Ramës, e ndihmoi dhe e përkrahu e Gjergji po ecën mirë, po punon e prodhon e shet në vende të ndryshme, që nga Serbia deri në Skandinavi.

Gjergji shet në Serbi, nuk blen si kosovarët. Kosovarët blejnë, rreth 35 milion Euro në muaj mallra e produkte nga Serbia, sipas gazetarit Milaim Zeka. Tani a është më mirë me i shitë Serbisë apo me i ble? Buxheti i Serbisë përfiton para në një muaj nga kosovarët, sa për të blerë një avion luftarak F-35. E kosovarët thonë: Serbia po armatoset. Po, me paratë tuaja.

Nëse themi se Rusia mund ta fitojë luftën në Ukrainë, kosovarët patriota sa s’ka, nuk duan të dëgjojnë, të shpallin pro-rus, aforfe! Nëse themi se Ballkani i Hapur i ndihmon edhe shqiptarët në Ballkan, kosovarët e Albinit të shpallin pro-serb, tradhëtar. Ka diçka që nuk shkon këtu. Ne nuk po kemi dëshirë me fitua Rusia në Ukrainë, por duhet pranuar realiteti, dhe me Serbinë nuk duam biznes vetëm për të blerë si Kosova, por edhe për të shitur në Serbi, si Gjergj Luca! Si dalin more kosovarët patriota, që blejnë, e Gjergj Luca legen, tradhëtar se shet?! Këtë nuk e kuptoj… Këtë e kuptojnë vetëm patriotat…

Gjergj Luca ka biznesin e tij, ai detyrohet të kalojë nga Maqedonia për të shkuar në Serbi. Dhe ankohet, pse Kosova nuk krijon lehtësi për kalimin e kufirit pa vonesa si Maqedonia, që kamionat e tij të shkojnë më shpejt në destinacion. Gjergj Luca revoltohet, por kosovarët tallen me të, i thonë Gjergj Luci. Se kosovarët e kanë shpallë veten patriota, pavarësisht se çfarë bëjnë, e Gjergjin tradhëtar, se shet peshk në Serbi.

Gjergj Lucën e urrejnë edhe disa që mbahen për të djathtë e nacionalista. Pse? Se po merret me Ramën… Jo more Gjergji duhej të falimentomte se ashtu deshi Saliu… (?!) E pra, janë ata që persekutoi Enveri, dhe që mbahen si të djathtë, të mirë, se Enveri ishte i keq. Po ku është e mira e tyre, kur urrejnë biznesin vendas?! Ata duan vetëm vetveten…

Më pati ndodhë edhe mua, student i Dhjetorit ’90-të, që e ndihmova PD-në e deputetin e atëhershëm Ramiz Çobaj të vinte në pushtet. Ata ia bënë mutin, le që punë nuk të gjenin, as pronën nuk ma njohën, pa u dhënë lekë, dhe aty u implikua edhe Lorenc Luka, benjamini i atëhershëm i Jozefinës, por më hynë edhe në punët e mia personale, e po talleshin me gjërat, që unë i kisha të rëndësishme. Kjo për të treguar pushtet. Ishte pra një pushtet i korruptuar. E ashtu si ndodhë kur gjërat shkojnë keq, unë reagova kundër, si reagoj tani kundër disa marrinave, që bëjnë kosovarët e Albinit, që kanë çuar në prishjen e marëdhënive Kosovë – Shqipëri, e më gjerë – dhe mund t’i kushtojë Kosovës shtrenjtë.

Kur erdhi Rama në pushtet, të cilin e ndihmova edhe unë me shkrimet e mia, i mora pronat e mia, pa patur nevojë të paguaja para nën dorë për to. Me Saliun kisha humbur shpresë… Dalin tani laperat e Saliut e thonë “kuqalosh”, etj. Çfarë t’u them, nanën ku ta keni. Po tani, a do duhej unë të mbesja pa pronat e mia, se ju jeni rrusha a?! Për hir të ish-komunistit Sali, që u bë demokrat, dhe qeverisë së tij… ?!

E ti thua në fund, ky popull është i çmendur. Gjergji shet mall në Serbi dhe bëhet luc e pro-serb, etj. kurse kosovarët i mbushin buxhetin Serbisë, për çdo muaj dhe shesin përditë patriotizëm deri në neveri! Si ta quajmë këtë? Mirë, ta pranojmë ashtu si është, se Albini shet patriotizëm, pasi nuk e pranon Ballkanin e Hapur, se ka kunj me Ramën?! E ai e Vjosa Prezidente janë patriota, që i rrinë Serbisë me nofulla, kurse Rama, që shikon me ulë tensionet në Ballkan e merret edhe me Vuçiqin qenka tradhëtar? Po zgjidhni pra punët ju o patriota, jepni, vetëm mos na qani, mos na u ankoni, “nuk po na njeh Serbia“…

Kosovarë mos e turpëroni veten, mos blini mallra në Serbi dhe ne do u kuptojmë se jeni patriota! Dhe do ju respektojmë më shumë! Deri atëherë, a po e mbyllni gojën me ato marrina e dëshira për me e shua Serbinë e Rusinë, se dëshirat tuaja nuk shuajnë askënd. Prodhoni e shitni edhe ju si Gjergj Luca, pastaj flasim. Për me i shua tjerët duhet me pasë forcë, ne nuk jemi SHBA për të shuar Serbinë e Rusinë, janë më të fortë se ne.

Edhe Ukraina dëshiron të marrë Krimenë e të shuajë Rusinë, por a do të mundet vallë? Kam frikë se Ukraina do e humbë luftën dhe do i humbë edhe disa territore më shumë. Unë nuk jam patriot për me e rrejtë veten. Unë jam me Ukrainën, jo me Rusinë, por kam qenë për zgjidhje paqësore, e që lufta të shmanget. Ashtu e kam vlerësuar unë, se Ukraina do dilte më e fituar.

Kosova nga ana tjetër, nuk i ka punët mirë, është një shtet i kërcënuar, nga serbët.

Kosovës i duhet forcë, që nuk e ka, për më tepër i duhen mend, që nuk i ka, fatkeqësisht. Prandaj Kosova duhet të tregohet e kujdeshme. Kosova ka përfitim si vendet e tjera me Ballkanin e Hapur, besoj, dhe me Serbinë pa biseduar, nuk mund të merret vesh. Ashtu si merret vesh për të blerë mallra nga Serbia, ashtu ta gjejë gjuhën e komunikimit dhe të kërkojë edhe njohjen, ta detyrojë Serbinë që të kërkojë falje për krimet që ka bërë në Kosovë, etj. etj. Tema këto që diskutohemn me sukses në dialogun Kosovë – Serbi, mes Albinit e Vuçiqit. Aty Albini ta shfaqë edhe zotësinë e tij politike e oratorike. Jo të gjejë si pretendim, për mos-pranimin e Ballkanit të Hapur, faktin se nuk e njeh Serbia.

Kosova ka plotësisht të drejtë që të kërkojë të drejtat e saj nga Serbia, por duke bllokuar procesin e Ballkanit të Hapur, tregun e përbashkët rajonal, Kosova nuk po i bën ndonjë shërbim të mirë vetes e rajonit, se mundet të hyjnë 5 shtete në Ballkanin e Hapur e Kosova mbetet si delja e zezë jashtë. E si me Lidhjen e Prizrenit, 1878, kur Kosova nuk iu bë bashkë linjës europiane kundër Perandorisë Osmane, kur Europa i kishte kërkuar Turqisë të largohet nga Ballkani, edhe në këtë rast, Kosova po del kundër rrjedhës. Dhe kjo mund ta dëmtojë më shumë Kosovën, se Kosova me kaçikun e saj e dëmton Serbinë dhe të tjerët.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.