“Ndodhem në familjen e Jasharëve, atje ku nisi një flakë e madhërishme, flaka e lirisë që e ndriçoi krejt Prekazin, e pas tij Drenicën, e pas saj mbarë Kosovën. Ajo shkreptimë e zgjoi nga gjumi Evropën e botën. Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë për të, nuk zbehet kurrë. Ndodhem këtu i prekur thellë, si rrallëherë në jetën time. Marr prej kësaj shtëpie një kumt që çdonjëri kujton se e di, por që ka nevojë përherë të përsëritet. Ju faleminderit, pasardhës të Jasharëve legjendarë” (Ismail Kadare).
Them Adem
Dhe nuk kam nevojë
Për asnjë metaforë
Për asnjë krahasim
Më ngre në qiell
Estetika e Lirisë
Bukuria e gjakut tim
Shoh Kosovën
Në Drenicë tek merr zjarr
Për t’u ngrohur në janar
Mbi Drenicë është qielli i lirisë
Dhe aty kam shkruar Adem
Gjë tjetër nuk them
Në sytë e lirisë lexoj
Adem Prekaz Drenicë…
Në sytë e lirisë
Në qiellin mbi Drenicë
Lexoj Lirinë
Në lartësinë e qiellit të kaltër
Mbi Drenicë
Lexoj jetëshkrimin e Lirisë
Në Prekaz në Drenicë…
ZJARRI I JASHARËVE
Në fillim të marsit 1998
Kosovës pak qiell
I kishte mbetur mbi kokë
Nuk jetohej aq ngushtë
Pa dritë pa blerim
Dhe Ademi me Jasharë
Tokë e shpirt mbushën me zjarr
Të zhbëhej zhbërja që kishim mbi prag
Dhe Kosova bëri qiell për diell
Në fillim të marsit 1998
Qielli digjte saç
Qielli deshi t’i binte
Kosovës përmbi kokë
Por sakaq
Qielli që digjte saç mbi Prekaz
Si një shqiponjë fluturoi lart
Pas mijëra vjetësh
Një Promete tjetër
Për liri bënte zjarr
Adem Jashari
Në Prekaz ndër Jasharë











