Fillesat e pasqyrimit të gruas shqiptare në kulturën europiane në shekullin e XIX

0
Gruaja shqiptare në histori

Dorian Koçi

Fillimi i shekullit të XIX përkon me fundin e shekullit të Arsyes dhe fillimin e Romantizmit në Europë. Përmirësimi i kushteve tekonologjike bëri të mundur dhe përhapjen e dukurisë së udhëtimit dhe kontaktit me kulturat e reja. Një nga vendet që sipas Edward Gibbonit, autorit të librit historik me 10 vëllime “Rënia dhe tkurrja e Perandorisë Romake” (1776) ishte një vend që mund të shihet nga brigjet e Italisë, dhe njihet më pak sesa brendësitë e Amerikës[1] (Shënimet e Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq. 204, përkthyer nga Skënder Luarasi) ishte Shqipëria. Në vitin 1809, siparin e udhëtimeve në Shqipëri dhe rizbulimin e saj në Europë e hapin Lord Byron dhe Hobhouse që vizitojnë Ali Pashë Tepelenën në vendlindjen e tij në Tepelenë.

Udhëtari dhe poeti i njohur romantik G. G. Byron (1788-1824) përshtypjet dhe eksperiencat e veta nga udhëtimi i tij në Lindjen e Afërt ku përfshihej dhe Shqipëria e asaj kohe i përjetësoi përgjithmonë në veprën e vet poetike “The Pilgrimage of Child Harold” (1812), vepër e cila e bëri atë të famshëm jo vetëm në rrethet letrare të Londrës por dhe në letërsinë botërore. Ndërmjet referencave dhe përshkrimeve të jetës shqiptare, poeti i madh romantik anglez përshkruan dhe gratë shqiptare. Ky është nga imazhet dhe përshkrimet e para të gruas shqiptare që përcillet në kulturën europiane.

Gruaja shqiptare në atë kohë jetonte në një shoqëri tipike patriakale siç ishte shoqëria e Perandorisë Osmane, ku nuk kishte shumë dallim mes grave të mileteve që përbënin shoqërinë e Perandorisë Osmane. Mes gjithë epiteteve lavdërues për bukurinë e tyre, gjë për të cilën bien dakord pothuajse gjithë udhëtarët e huaj të shekullit të XIX, të bie në sy një përshkrim, që ai i bën tërthorazi statusit social të tyre, ku i përshkruan si “tamed in their cave” (të zbutura në shpellën e tyre) – në kafaz mësuar, një figuracion që vështirë t’i përshtatet natyrës së butë femërore. Në pak rreshta Bajroni rrëfen statusin social të gruas shqiptare që s’del dot vetëm pa shoqëri dhe pothuajse gjithmonë e mbuluar. Në të njëjtën kohë ai gdhend dhe tiparin e besnikërisë dhe përkushtimin ndaj fëmijëve dhe familjes.

Në këtë vend s’i ndihet zëri gruas:
E mbyllur, s’del dot pa çarçaf e rojë,
Mësuar në kafaz, as do të dalë;
Njëjt vetëm ia jep trupin dhe zemrën,
Atij q’e ka pranuar zot e burrë;
E lumtur në detyrë amtare t’ëmbël
— Në më të shenjtën përmbi gjithë ndjenjat
— Me gjin’ e saj e rrit fëmin’ e saj,
E nuk e lë t’u bindet epsheve më t’ulta.
[2]

(Bajron. Çajld Harold. Tiranë: 1973, përkthyer nga Skënder Luarasi)

Në të njëjtën kohë kemi dhe përshtypjet e Konsullit francez në Janinë (1806-1814) Francois Pouqeuville, për femrat shqiptare. Francois Pouqeuville kishte studiuar për teologji, por shpërthimi i Revolucionit Francez e bën që të ndërpresë studimet në seminar dhe të vazhdojë studimet në mjekësi. Ai ishte pjesëtar i ekspeditës shkencore franceze në Egjipt dhe i tërhoqën vëmendjen profesionet e tjera si gjeologji, etnografi, etnopsikologji, histori të disa popujve të Ballkanit, veçmas të grekëve dhe të Greqisë.

Pouqeuville për afër nëntë vjet qëndron pranë Ali Pashë Tepelenës në Janinë (mars 1806-shkurt 1815), si konsull i përgjithshëm frëng, kohë në të cilën shkruan dhe veprën e tij të madhe “Udhëtime në More, Shqipëri dhe Perandorinë Otomane”. Përveçse shënimeve historike, diplomatike e kulturore ai ka lënë dhe disa përshkrime rreth femrës shqiptare, të cilat i shikon si amazona moderne. Përshkrimi i tij sa i përgjigjet realitetetit po aq ka dhe ngjyrime orientalizmi. Në kundërshtim me Bajronin, Pouqeuville nënvizon faktin se ato nuk mbulohen dhe i gdhënd me penën e vet si hyjnesha të bukurisë dhe gjuetisë.

“Armëmbajtëse tek Skipëtarët e Drinit, vështrimi i tyre krenar, ecja kryelartë tregojnë se ato janë bashkëshortet dhe nënat e atyre burrave kalitur në sfilitje, mësuar me rreziqet, që po aq sa nuk njohin kënaqësitë e jetës, po aq shpërfillin edhe vetë vdekjen si të mos ishte gjë. Kur shtegtojnë, me brezin gjithë pisqolla, shoqëruar nga qen të tmerrshëm që i nënshtrohen zërit të tyre, i merr për Dianë a për shoqet e veta… I sheh në luftëra kur vatra atërore kërcënohet, amazona të reja tek zënë vend në radhët e luftëtarëve dhe tek i cysin këta për të bërë kërdinë. Të krishtera apo muhamedane, asnjë prej tyre nuk mban perçen e sajuar nga xhelozia orientale; të bukura, gjithë ndrojë e dëlirësi, veç i kushtohen një familje të shumtë…”[3] (Fotaq Andrea. Pena të arta franceze për shqiptarët. (1332-2007). GentPrint, Tiranë: 2009)

Gjithësesi të dy autorët nënvizojnë faktin e besnikërisë ndaj familjes, klanit dhe fisit të vet. Në vitin 1803 gjatë rrethimit të Sulit kish ndodhur një ngjarje tragjike që frymëzoi dhe piktorët e mëvonshëm europianë pasi lexuan librin e Pouqeuville, “Udhëtime në More, Shqipëri dhe Perandorinë Otomane” dhe Historinë e Sulit. Në datën 25 dhjetor 1803, malësorët trima të Sulit nënshkruan aktin e kapitullimit para Veli pashës, i cili pranoi kushtin që ata të largoheshin jashtë kufijve të pashallëkut. Në këtë pikë të marrëveshjes nisi dhe një nga keqkuptimet më të mëdha, mids Ali Pashës dhe suliotëve, pasi ky dëshironte që ata të vendoseshin brenda kufijve të pashallëkut, pasi e dinte që nëse do të largoheshin , suliotët do të ishin kundërshtarë të përjetshëm të tij.

Ali Pasha premtoi se do t’u krijonte kushte jetese, pune dhe shërbimi, ndërsa suliotët nuk pranuan të ktheheshin dhe filluan luftimet me repartet e Vezirit. Në këto luftime ndodhi dhe heroizmi grave të Sulit, të cilat sakrifikuan veten e tyre sëbashku me gjithë fëmijë duke u hedhur në rrëpirën e shkëmbit të Zalongut. Një dëshmi konkrete e valles së Zalongut iu përshkrua Ibrahim Mansur Efendiut, autorit të “Kujtimeve nga oborri i Ali Pashës” (1828), nga një oficer i ushtrisë së Ali Pashë Tepelenës i quajtur Sulejman Aga.

Ai ishte dëshmitar në ngjarjen e dhimbshme që ndodhi në shkëmbenjtë e Zalongut, në Sul të Çamërisë. Sipas kësaj dëshmie, gratë të mbajtura për dore filluan një valle, e cila ishte e udhëhequr nga një heroizëm i pazakontë, me një frikë nga vdekja dhe duke përforcuar ritmin. Në fund, të lodhura gratë lëshonin një klithmë rrëqethëse që nga shkëmbi në të cilën binin sëbashku me fëmijët e tyre.

Gratë e Sulit ishin nga të parat gra shqiptare që u bënë subjekt i tablove të romantizmit europian për fatin tragjik të tyre. Në vitin 1820 piktori Claude Pinet, realizoi tablonë “Vallja e Zalongut”. Po kështu piktori romantik Ary Scheffer pikturoi tablonë “Femrat Suliote” (1828). Akti tragjik i femrave suliote është regjistruar dhe në memorjen kolektive përmes folklorit.

Lamtumirë, o Sul, i shkretë,
se po ndahemi per jetë.
Lamtumirë, o Sul i shkretë,
se na do t’ikim për jetë.
Ne po vdesim për liri,
se nuk duam skllavëri.
Lamtumirë, ju male e fusha,
na e punoi Pilo Gusha,
I pabesi faqezi,
s’pati turp, as perëndi.
Lamtumirë, o fusha e male,
ne vdesim pa frikë fare.
Jemi bila shqipëtare,
vdesim duke hedhur valle.
Lamtumirë, o Sul i shkretë,
lamtumir’ për gjithë jetë.
[4]

(Mero Rrapaj, Fatos (1983). Këngë popullore nga Çamëria]. Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore. fq. 451).

Që nga ky moment fillon pasqyrimi i femrave shqiptare në artin botëror. Një moment interesant është romanca “La jeune albanaise” apo “Vasha shqiptare”, e shkruar më 1833, me muzikë të Theodore Labarre, kompozitor i njohur francez, konsideruar si virtuoz i harpës, që ka kompozuar opera, balete e mori romancash, si dhe është dekoruar Kalorës i Legjionit të Nderit të Francës më 1862. Teksti i këngës është shkruar nga shkrimtari dhe poeti Ambroise Bétourné, nga Kaeni i Normandisë. Ky poet ka shkruar romanca franceze nga më populloret, që janë përcjellë gojë më gojë për vite të tëra, janë kënduar nëpër festa, ballo e gëzime kolektive, si për shembull romancat “Festa e Madonës”, “Kujtime nga vendlindja”, “Vasha syzezë”, “Zezakja e shkretë”, etj.

“Shqiptarka”

A do të bëhesh mikja ime
Moj Shqiptarka këmbëlehtë?
Eja pra në mal me mua,
Mes rrezikut në më do.
Jo, skllave s’ke pse shko 👎
Për harem të sulltanit,
Më mirë shoqe me një trim,
Ditë lirie do na vinë.
Eja pra, mikja ime,
Moj Shqiptarka këmbëlehtë,
Eja pra, në mal me mua,
Mes rrezikut në më do.
Besim të kesh tek unë,
Veç ty të dua shumë.
Me të gjithë jam gati të luftoj,
Veç eja, eja mikja ime moj!
Lamtumirë kodra, brigje,
E ti qiell përherë qeshur,
Aty në mal të rreptë,
Liria është strehur.
A do të bëhesh mikja ime ….
Arranxhimi:
Lumturinë më në fund gjeta,
Për të, vuajta aq shumë!
Dashuri në shpirt unë kisha,
Por prapë e lumtur s’isha.
Një buzëqeshje e tim trimi,
Sa e ëmbël pamja e tij,
Kur e putha krejt u qesh,
Shpirt’i tij, vetëtimë mes resh!
[5]

(Fotaq Andrea: Romancë franceze e vitit 1833: Moj Shqiptarka këmbëlehtë)

Imazhi i dhënë në këtë romancë i përket tërësisht arketipit romantik të kulturës europiane të ushqyer nga kultura ballkanike e hajdukut/hajdutit të rebeluar dhe vashës së robëruar. Fakti që i kushtohet një vashe shqiptare dëshmon se autori ka qenë në kontakt me elementë të ndryshëm rrëfimtarë të kulturës shqiptare.

Si një simbol i bukurisë fizike së vajzës shqiptare mbahet tabloja “Vajzë e re shqiptare e veshur me kostum popullor duke mbledhur rrush” nga Johann Frankenberger (1846). Johann Frankenberger(1807-1874) ishte një piktor vjenez që realizoi shumë tablo, portrete të aristokracisë vjeneze dhe gjermane dhe të zyrtarëve të lartë nga Lindja e Afërt që shërbenin pranë oborrit perandorak të Vjenës. Ka të ngjarë që vajza shqiptare të jetë e bija e një prej këtyre dinjitatarëve apo ushtarakëve të lartë që shërbenin në ushtrinë austriake. Johann Frankenberger nuk e vizitoi kurrë Shqipërinë dhe tabloja duket se është realizuar mbi përvvojat emocionale të piktorit diku në zotërimet austrike të banuara dhe nga shqiptarë.

Ambjenti i tablosë është dritarja e një pallati të hijshëm ku shquan dhe elementi gjeorgjik nëpërmjet bistakëve të rrushit që mbledh, por mbi të gjitha një përshkrim i veshjes tradicionale ku shquan jeleku i femrave i dekoruar me fije ari. Më vonë jeleku i femrave shqiptare do paraqitet pothuajse në të gjitha tablotë ku paraqiten femra shqiptare. Një jelek i tillë ndodhet në koleksionin Durham në Bankfield Museum në Halifax, pjesë e koleksionit që dhuroi udhëtarja e njohur britanike Edith Durham. Jeleku pa mëngë dhe i qendisur me ar ishte një veshje e aristrokracisë së lartë shqiptare dhe dëshmon për një nivel mirëqënie të shtresave shoqërore që e vishnin. Në të bie në sy sasia e madhe e arit e përdorur për të realizuar ornamentet e ndryshme.

Një nga trajtimet më të plota ë femrës shqiptare në letërsi është poema “Serafina Topia” (1839) e ribotuar më e plotë me titull “Një pasqyrë e jetës njerëzore” (1897) nga Jeronim De Rada. Ajo meriton një vëmendje të veçantë pasi edhe pse De Rada i përket komunitetit arbëresh është krijuar në Itali dhe për rrjedhojë është një këndvështrim europian mbi femrën shqiptare. Ky trajtim është i rëndësishëm pasi vjen si një jehonë e kujtesës kolektive të shqiptarëve të përshtatur në ambjentin europian të mbretërisë së Napolit.

Heroina kryesore e veprës, Serafina Topia përkundet mes ndjenjës dhe sakrifikimit për familjen e atdheun, një temë tipike e romantizmit arbëresh që rrezatoi më vonë dhe në letërsinë shqipe. Serafina Topia mishëron idealin e gruas shqiptare dhe njëkohësisht idealin e njeriut të zhvilluar në mënyrë të gjithanshme.Serafina Topia edhe pse një personazh i krijuar nga De Rada është gdhëndur sipas tipareve kulturore e fizike të bashkësisë arbëreshe duke u shndrruar në një simbol të gruas arbëreshe.

Ndërsa si një simbol i gjenialitetit intelektual mes grave shqiptare mbahet Elena Gjika alias Dora D’Istria, një nga katër gratë më të rëndësishme të Europës në shekullin e XIX. Dora D’istria lindi në Bukuresht më 22 janar 1828 dhe ishte kozmopolite ne formimin e saj kulturor duke njohur shumë mirë kulturën franceze, italiane dhe greke. Origjina e familjes së saj siç e pohon vet Dora D’Istria është shqiptare. Në librin e vet “Shqiptarët në Rumani. Historia e princërve Gjikaj në shekujt XVII, XVIII, XIX”, ajo shkruan se Del Chiaro, shkrimtar, nga ana tjetër është i pasaktë kur pretendonte se Gjikajt janë grekë, por në kundërt ata jashtë çdo dyshimi janë shqiptarë dhe emërtimi Moldav iu dha Gjergjit, në njoftim të Venedikut është për t’iu aplikuar për funksionet që ai ushtronte[6].

(Dora D’Istria. Shqiptarët në Rumani. Historia e princërve Gjikaj në shekujt XVII, XVIII, XIX. Tiranë, 2015. Shtëpia Botuese Kadeli).

Mësimet e para i mori në Konstancë e më pas në Bukuresht, kurse studimet e larta i filloi në Vjenë e pastaj i vazhdoi në Dresden e në Berlin. Në shkurt të vitit 1849, Elena u kthye në Bukuresht. Ajo ishte pajisur me një kulturë të gjerë; njihte mirë frëngjishten, italishten, gjermanishten anglishten, rusishten, greqishten, shqipen(për këtë të fundit ka një debat të hapur) e sidomos rumanishten, gjuhën e saj të nënës nëpërmjet të cilave zgjeroi horizontin e diturisë dhe dha mendime me vlerë në shumë studime e vepra letrare.

E pajisur me këtë kulturë të gjerë, ajo debuton për herë të parë në 1855 në frëngjisht La vie monastique dans l’Église orientale. Nga veprat e saj mund të përmendim: “La nationalite Albanaise d’apres les Chants populaires-Les Albanais des deux Cotes de l’Adriatique” (1866) “Kombësia shqiptare, sipas këngëve popullore, Shqiptarët e dy brigjeve të Adriatikut”, “Les ecrivains Albanais de d’Italia meridionalë” (1867) “Shkrimtarët shqiptarë të Italisë së Jugut”, “Excuisses albanaises” (1869) “Vizatime shqiptare”, “Gli Albanesi in Romania” (1873) “Shqiptarët në Rumani” etj. Ajo ka bashkëpunuar me organe të rëndësishme të kohës si: “Revue de Deux-Mondes”, “Independence hellenique”, “Nuova Antologia”, etj.

Mes gjithë veprave të shumta të saj shquan trajtimi shkencor «Les femmes par une femme». Në këtë vepër ajo ka paraqitur në mënyrë të thellë e shkencore historinë e marrëdhëneive që kanë përcaktuar vendin e femrës në shoqëritë njerëzore. E pajisur me një kulturë të jashtëzakonshme ajo tregon se çdo shoqëri matet me vendin që i ka rezervuar femrës. Ajo analizon me detaje rolin e femrës në shoqëritë europiane dhe progresin e arritur të tyre ia dedikon dhe emancipimit të gruas.

Kështu psh. duke folur për fiset gjermanike ajo tregon se edhe në këta fise gruaja ishte një pronë për të cilën kujdesej babai dhe në mungesë të tij vëllai i madh. Por këto fise dalloheshin prej të tjerëve sepse kishin një pëlqim të veçantë për fjalën e femrës. Sa herë që ajo fliste ata e adhuronin si një sfinks. Kjo shenjë e lashtë paralajmëronte sipas saj një komb të virtytshëm që do të arrinte një progres dhe një qytetërim brilant.[7]

(Mimoza Çika. Dora D’Istria – monumenti historik i femrës në diasporë. Gazeta elektronike Albinfo.ch.)

Figura e gruas shqiptare në kulturën europiane të shekullit të XIX ndonse nuk ka trajtimin e e gjerë që gjetën elementë të tjerë të kulturës shqiptare meriton një vëmendje të veçantë pasi është një dëshmi e rëndësishme antropologjike se cili ishte roli i femrës në shoqërinë patriakale shqiptare dhe sesi ato që ishin të integruara në shoqëritë europiane si rasti i Dora D’Istrias arritën të shquhen në kulturën e kontinetit.

[1] Shënimet e Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 204, përkthyer nga Skënder Luarasi.
[2] (Bajron. Çajld Harold. Tiranë: 1973, përkthyer nga Skënder Luarasi)
[3] Fotaq Andrea. Pena të arta franceze për shqiptarët.(1332-2007). GentPrint, Tiranë: 2009, fq 59
[4] Mero Rrapaj, Fatos (1983). Këngë popullore nga Çamëria]. Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore. fq. 451. “Kjo është «Vallja e Zallongut». Siç dihet, pjesa me e madhe e suljotëve (që s’mundi të hidhej në Korfuz me Foto Xhavellën), e nisur për në Pargë, ndeshet në fillimet e vitit 1804 me forcat e Ali Pashës. Mjaft prej tyre nuk pranojnë të dorëzohen dhe vazhdojnë luftën gjersa shfarosen, ndërsa një grup grash suljote për të mos renë në duar të armikut, në çastin e fundit, dredhin e këndojnë këtë valle lamtumirë, dhe njëra pas tjetrës me fëmijët në krahë hidhen në greminë nga shkëdmbenjt e Zallongut, duke u bërë copë-copë.
[5] Fotaq Andrea: Romancë franceze e vitit 1833: Moj Shqiptarka këmbëlehtë.
[6] Dora D’Istria. Shqiptarët në Rumani. Historia e princërve Gjikaj në shekujt XVII, XVIII, XIX. Tiranë, 2015. Shtëpia Botuese Kadeli, fq 10.
[7] Mimoza Çika. Dora D’Istria – monumenti historik i femrës në diasporë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.