Shkruan: Florim Zeqa, 22.06.2024
Faza fillestare e kampionatit evropian të futbollit Euro 2024 në Gjermani nxori në shesh nacionalizmat ndëretnik të ushqyer nga politika ultranacionaliste e kthyer në urrejtje ndëretnike. Brohoritjet nacionaliste të shoqëruara me flamuj dhe pankarta me përmbajtje nacionaliste vërshuan stadiumet e futbollit në shtetin më të zhvilluar dhe më demokratik të Bashkimit Evropian.
Përditshmëria ballkanike në Euro 2024
Ajo që po ndodhë në kampionatin evropian të futbollit në Gjermani nuk është diçka e re, e paparë dhe e padëgjuar në hapësirat ballkanike, por është trishtuese kur kjo ndodhë në një ngjarje kaq madhore të futbollit, siq është kampionati evropian.
Shpërfaqja e miqësive dhe armiqësive, aleancave dhe kundërshtive mes shteteve dhe popujve sipas qëndrimeve dhe përcaktimeve politike të kombeve pjesëmarrëse në këtë kampionat paraqet anën më të errët të këtij kampionati.
Fansat e kombëtareve ballkanike në Gjermani po tregojnë kulturë miqësore me vendasit gjerman dhe kulturë armiqësore me fqinjët e tyre! Përmes këngëve nacionaliste e shfaqin urrejtjen ndëretnike dhe armiqësitë e vjtera dhe të ndërsjella.
Kur urrejtja dhe armiqësia shfaqen para respektit ndërfqinjësor atëhere kemi të bëjmë me mesazhin më të keq të mundshëm në një ngjarje sportive që promovon paqen dhe unitetin mes popujve dhe shteteve.
Rasti më negativ i kampionatit ai përdorimit të fyerjeve dhe sharjeve, duke shprehur urrejtjen dhe mllefin ndaj tjerëve. Kjo tregon se deri ku ka arritur politika ultranacionaliste që të kontaminojë me urrejtje masat e gjëra popullore ndaj popujve tjerë, në veçanti ndaj fqinjëve të tyre tradicional.
Sporti si mënyra më e mirë e unifikimit të popujve dhe shteteve e shpërfaqi njëkohësisht edhe të vërtetën e hidhur të armiqësive mes popujve të ballkanit dhe jo vetëm, i nxori në shesh edhe skenarët politik me largim nga kampionati veropian, sikur ky të ishte parlament i një shteti multietnik!
Shpërfaqja e mentalitetit ballkanik në kamiponatin evropian apo euronacionalizmi 2024 janë tregues i nacionalizmave në rritje në hapësirat ballkanike, e në veçanti në shtetet e dalura nga ish fetderata jugosllave, i cili mund të kulmojë me luftëra ndëretnike sikurse në vitet e ’90-ta!