Emigracioni shqiptar dhe mundësia e investimit në atdhe…

0
Ibrahim Kabili

Shqipërina e sotme po boshatiset me ritme të frikshme. Ky realitet i ri i pas viteve ’90 po bëhet gjithnjë dhe më shqetësues. Largimi po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha. Të rinjtë dhe truri i kombit po largohen. Po largohen pa kthim nga vendi amë. Në të kundërt, numri i të kthyerve është shumë më i vogël krahasuar me largimet masive të tyre. Fenomeni ka prekur pothuajse çdo familje shqiptare nga të gjitha trevat e saj. Ky fenomeni bëhet edhe më shqetësues në trevat shqiptare jasht Shqipërisë… Kjo përbën një sfidë për të ardhmen e Shqipërisë dhe trevave shqiptare.

Natyrisht në kuadrin e sistemit demokratik, kushteve të hapjes, ekonomisë së tregut dhe globalizimit, ky fenomen mbarë shqiptar ishte i pritshëm. Ne nuk mund të bëjmë përjashtim nga lëvizja e lirë migratore botërore. Aq më shumë kur vendi ynë po kalonte transformime të mëdha ekonomike dhe sociale. Në këto kushte largimi masiv i të rinjve po paraqitet si një problem serioz për zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë. Këto efekte po ndikojnë negativisht në pakësimin e fuqisë punëtore, largimin e trurit nga vendi, rënjen e numrit të popullsisë, plakjen e shpejtë të saj, në uljen drastike të numrit të nxënësve në arsimin parauniversitar, në mbylljen e disa shkollave në zonat rurale, etj.

Disa nga arsyet e largimit të të rinjëve, janë: Papunësia, pagat e ulta, mungesa e shpresës, dëshira për një jetë më të mirë, etj. Në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare, kanë ndikuar: Përndjekja sistematike nga regjimi jugosllav i shqiptarëve, spastrimit etnike të popullsisë shqiptare të Kosovës, dhuna dhe gjenocidi i ushtruar ndaj tyre, largimi për një jetë më të mirë në vendet perëndimore, etj. Si pasojë e emigrimit rezulton se popullsia e Shqipërisë ka pësuar rënje të madhe numerike. Ajo, vit pas viti, po “mplaket” me një shpejtësi të madhe. Para viteve ’90, popullsia e Shqipërisë ishte popullsia me moshën më të re në Ballkan dhe shtimi natyror i saj ishte shumë i lartë. Edhe Kosova kishte një shtim natyror shumë të madh të popullsisë. Kjo çoi në rritjen e numrit të popullsisë së Kosovës. Faktorët e shtimit të popullsisë së Shqipërisë në vitet 1945-’90 ishin; mbyllja e vendit, bllokimi i kufinjëve, mungesa e lëvizjes emigratore, politikat nxitëse ekonomike dhe sociale që ndiqte shteti i kohës për zhvillimin e popullsisë.

Pas viteve ’90 u hapën kufinjtë, filloi lëvizja e lirë, ekonomia e çentralizuar ra, u mbyllën fabrikat, uzinat, kombinatet, etj. Për rrjedhojë kjo solli rritjen drastike të papunësisë, mbylljen e vendeve të punës, migrimin e madh nga fshati në qytet dhe emigrimin masiv të popullsisë drejt vendeve perëndimore dhe jo vetëm. Popullsia e Kosovës gjithnjë ka qenë e lirë në lëvizjet emigratore të saj. Shumë shqiptar të Kosovës kanë emigruar në dekada dhe kjo ka bërë që ato të “bredhin” botën, të krijojnë bizneset e tyre kudo në botë, të krijojnë një mirqenje më të mirë atje dhe të bëhen një mbështetje e madhe për Kosovën. Megjithatë, boshllëku i krijuar nga emigrimi i vazhdueshëm ka pasur edhe efekte negative për Kosovën. Në shumë zona periferike të Kosovës, në Luginë dhe gjetkë, ka një rënje të ndjeshme të numrit të popullsisë shqiptare. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e spastrimeve etnike të shqiptarëve prej pushtuesve serb. Këtë fenomen të dhimbshëm e ka “favorizuar” edhe diferencimi ekonomik i tyre ndaj shqiptarëve.

Sot, trojet shqiptare po rrezikohet nga largimet masive të popullsisë. Sa dotë vazhdojë ky fenomen? Si mund të frenohet ai? A ka shanse për rikthim? Kush mund të rikthehet, etj.? Këto janë tema të mëdha të cilat duan ndërhyrje dhe projekte afatgjata. Vetëm kështu mund të kemi një frenim të ikjeve të reja, një rikthim gradual të një pjese të emigrantëve të larguar. Kjo ringjall shpresën për një të ardhme më të mirë. Kthimi i tyre në atdhe, investimi në vendlindje, fshatin, apo qytetin nga vijnë është zgjidhja. Mundësitë dhe potencialet ekonomike ekzistojnë. Disa janë kthyer, të tjerë do të vijnë… Në Shqipëri ka shumë vende të lira pune të cilat janë plotësuar me shtetas të huaj që vijnë nga lëvizjet emigratore. Kjo është zgjidhje e duhur për to. Për shqiptarët duhet frenuar largimi dhe krijuar kushtet për rikthim. Kjo kërkon punë nga politika dhe shteti. Nuk mjafton vetëm vullneti dhe dëshira e duhur për këtë.

Duhet fuqizuar ekonomia, rriten e shumëfishohen pagat, duhet të hapen vende të reja pune, duhet të funksionojë meritokracia për specialistët e fushave të ndryshme. Diaspora jonë, ashtu si ato të vendeve të gjera, ka qenë themel i suksesit edhe në Shqipëri. Ka ardhur koha që energjia pozitive ekonomike dhe intelektuale e diasporës të vihen në funksion të zhvillomit ekonomik dhe shoqëror të vendit. Miratimi së fundmi i ligjit zgjedhor për votën e emigrantëve është një garanci më tepër, për kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë. Ndihma e intelektualëve, specialistëve dhe e biznesmenëve tanë nga diaspora është vitale. Kjo është një garanci më tepër për zhvillimin e gjithanshëm të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare në Ballkan…

Ibrahim Kabili
Tiranë, 13.09.2024

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.