Gjenerale Manushaqe Shehu. Foto: mod.gov.al
Fatjona Mejdini, Tirana, BIRN, 22 nëntor 2016
Manushaqe Shehu, gruaja e parë në Ballkan që u bë Gjenerale, thotë se ia detyron suksesin e saj mbështetjes së familjes së saj – ndërsa mbështetet gjithashtu në një moto të heroit të luftës së Amerikës.
Manushaqe Shehu u bë Gjenerale e forcave të armatosura shqiptare më 16 nëntor.
Ky ishte një moment historik si në historinë e Shqipërisë ashtu edhe në atë të Ballkanit. Në moshën 51 vjeç, ish-koloneli është gruaja e parë që arrin këto lartësi në 104 vjet të ekzistencës së Shqipërisë si shtet i pavarur.
Ndërkohë, Shqipëria ka fituar nderin të bëhet vendi i parë në Ballkan që promovon një grua në gradën e Gjenerales.
Ajo iu bashkua ushtrisë shqiptare 32 vjet më parë, kur ishte 19 vjeç, duke ndjekur gjurmët e anëtarëve të tjerë të familjes, tha ajo për BIRN në një intervistë.
“Unë vij nga një familje ushtarake. Babai im, xhaxhai im dhe dy vëllezërit e mi ishin pjesë e ushtrisë”, tha ajo.
Gjeneral Shehu i tha BIRN se i mbijetoi vështirësive të jetës si grua në një garnizon ushtarak me një vullnet të fortë dhe me krenarinë që merrte nga pjesëmarrja në aktivitete të rëndësishme ushtarake.
Megjithatë, ajo thotë se gjatë karrierës së saj të gjatë në ushtri u përball me momente të vështira kur nevojiteshin jo vetëm rezerva të forta fizike, por edhe mendore.
“Ka pasur shumë momente të vështira në punën time. Më kujtohet një herë kur më është dashur të marshoj për 24 orë në shi me 40 kg pajisje”, kujtoi ajo.
“Një nga situatat më kritike ishte në fshatin Pjecë në vitin 1988. Ne u vendosëm atje në tenda, por për shkak të një stuhie dëbore mbetëm të bllokuar atje për një muaj”, shtoi ajo.
Shqipëria u bë anëtare e aleancës së NATO-s në vitin 2009 dhe që atëherë ushtria shqiptare ka mbështetur vazhdimisht misionet e aleancës me trupa dhe shërbime të tjera.
Në përputhje me standardet e NATO-s, vendi nuk ka më një ushtri të madhe me rekrutë, por një ushtri profesionale me 8,500 personel, rreth 14 përqind e të cilëve janë gra.
Nënë e dy fëmijëve, Shehu thotë se mbështetja e familjes së saj ka qenë thelbësore për suksesin e karrierës së saj.
“Dy fëmijët e mi dhe burri im kanë qenë një frymëzim për mua për të bërë më shumë në karrierën time. Pa ndihmën e tyre, nuk do të kisha arritur kurrë aty ku jam,” tha ajo.
Megjithatë, ndonjëherë jeta e ngjeshur në ushtri ka një çmim. Gjeneralja Shehu pranon se nuk ka qenë pranë fëmijëve të saj sa herë që ata kanë pasur nevojë për të si rezultat i angazhimeve të saj në punë.
“Si nënë, momentet e vështira kanë qenë të shumta, përgjithësisht ato kur fëmijët e mi kishin nevojë për mua dhe unë nuk isha në gjendje të isha pranë tyre,” tha Shehu.
Ajo gjithashtu pranon se donte të bëhej gjenerale që nga momenti që u bë oficere.
Megjithatë, ajo filloi të besonte se kjo ëndërr ishte e mundur vetëm në vitin 2010, kur u gradua në gradën e Kolonelit, pas përfundimit të studimeve të masterit në sigurinë kombëtare.
Ajo beson se shanset e saj për t’u ngjitur më lart në shkallët e karrierës deri në gradën e Gjeneralit u përmirësuan përsëri kur Shqipëria e bëri Mimi Kodhelin ministren e saj të parë femër të Mbrojtjes në vitin 2013.
“Pata një shans të madh që nga momenti që Mimi Kodheli u emërua ministre, megjithëse pasi u bëra kolonele fillova të besoja vërtet se mund të ecja përpara në karrierën ushtarake”, tha ajo.
Në jetë dhe në punë, ajo udhëhiqet nga fjalët e një gjenerali tjetër, më të famshëm, heroit të Luftës së Dytë Botërore të Amerikës dhe presidentit të mëvonshëm, Dwight “Ike” Eisenhower, maksima e të cilit ishte: “Planet nuk janë asgjë; planifikimi është gjithçka”.
Skënder Karaçica:
Në Shqipëri po fluturojnë shqiponjat në mbrojtje të atdheut:Në forcat e Armatosura të Shqipërisë,na erdhën nga fronti i mbrojtjes dy Gjenerale:Manushaqe Shehu,Gjeneral Brigade dhe Vebije Kuti,Gjeneral Major,Zv.komandante të Forcës së Armatosur të Shqipërisë,krenaria e atdheut dhe të kombit shqiptar!Për këtë ditë të pritur një shekull,urtaku i Drenicës,Tahir Berisha,pati thënë:Kur vjen koha që femra shqiptare duke i përkundur djepat,i thotë njërit nga fëmijët,shkoni e blema gazetën dhe,kur femra shqiptare do të bëhet pilote(gjenerale e ushtrisë),atëherë do të na njoh bota…!Ditë e gëzuar në Festën e Flamurit Kuqezi,Shqipëria jonë…! Nëntor të motit 2025











