Autore: Elife Luzha
Duke ndjekur fushatën zgjedhore të 12 tetorit, bie në sy pjesëmarrja e zbehtë e grave në aktivitetet politike. Ky realitet është zhgënjyes, sidomos kur kemi parasysh se gratë shqiptare nuk kanë munguar kurrë në momentet vendimtare të historisë. Ato kanë qenë pjesë e lëvizjes çlirimtare, kanë protestuar, kanë luftuar për lirinë – me armë dhe me fjalë, e megjithatë, siç thotë Anna de Lellio: “askush nuk i ka njohur, sepse askush nuk i ka treguar”.
Kjo padrejtësi nuk është vetëm shqiptare. Ajo është e lashtë dhe universale. Për ta kuptuar më mirë këtë fenomen, le të kujtojmë një nga figurat më ikonike të historisë europiane — Zhanën e Orleanit — një vajzë që ndryshoi rrjedhën e një lufte, por që u përball me një nga padrejtësitë më të mëdha gjinore dhe njerëzore.
Historia e Zhanës
Në fillim të shekullit 15-të, Franca ishte pushtuar nga Anglia dhe mbreti Karl VII ishte detyruar të largohej nga froni. Populli francez ishte dorëzuar dhe kishte humbur çdo shpresë për rezistencë. Në këto momente dëshpërimi kombëtar, një vajzë 17-të vjeçare, Zhana, kërkoi ndihmën e disa komandantëve për çlirimin e qytetit të Orleanit, ku ndodhej selia mbretërore.
Ajo u përball me përçmim dhe tallje, vetëm sepse ishte grua dhe e re. Por nuk u dorëzua. Mblodhi një grup luftëtarësh, organizoi një ofensivë të fuqishme dhe, përtej çdo pritshmërie, mposhti anglezët, çliroi Orleanin dhe ia ktheu fronin mbretit.
Trimëria e saj u përhap në gjithë Francën dhe Zhana u shpall heroin kombëtare. Por, suksesi i saj tronditi rendin patriarkal. Inkuzicioni, i lidhur ngushtë me pushtetin mashkullor, nuk mund ta pranonte një sfidë të tillë.
Zhana ishte e mençur dhe e vetëdijshme për rreziqet. Ajo e njihte mirë makinerinë e inkuzicionit, dhe përpiqej t’i shmangej kurtheve. Por, kur anglezet kuptuan se nuk mund ta kapnin me forcë, negociuan me mbretin Karl dhe e mashtruan që ta dorëzonte.
Në fund të fundit – “ajo ishte veçse një grua” thoshin ata.
Më 30 maj 1431, pas një gjyqi të manipuluar, teologu Nikolas Midi lexoi aktgjykimin dhe Zhana u dogj në turrën e druve. Ky ishte “shpërblimi” që mori nga mbreti për të cilin kishte luftuar.
Manipulimi i figurës së Zhanës
Figura e Zhanës ka frymëzuar mijëra vepra letrare dhe historike. Ajo është shndërruar në simbol të forcës dhe guximit të gruas në një botë të dominuar nga burrat. Për të janë shkruar mbi dhjetë mijë libra. Megjithatë, edhe këtu historia nuk u tregua e drejtë.
Në përshkrimet e disa prej mendjeve më të ndritura të kohës – si Shekspiri dhe Shilleri – vihet re një shtrembërim i thellë i figurës së saj.
Shekspiri (William Shekspir), në dramën “Henriku VI” e paraqet Zhanën si një shtrigë manipuluese që synonte të poshtëronte qytetërimin anglez – një interpretim i motivuar politikisht nga nevoja për të kënaqur elitën britanike dhe për të forcuar narrativën kombëtare, duke deformuar realitetin historik.
Sa do gjeni të jetë Shekspiri, në këtë rast ai vuri artin në shërbim të interesave të kohës.
Shilleri (Fridrih Shilleri)), nga ana tjetër, në dramën “Virgjëresha nga Orleansi”, i mohon Zhanës feminitetin. Ai e përshkruan si një “burrë me fytyrë gruaje” duke thënë se vetëm një burrë mund të kishte bërë atë që bëri ajo. Sipas disa kritikëve, Shilleri nuk mund të pranonte që një grua të ngrihej mbi një histori lavdimadhe franceze të dominuar nga burrat.
Të dy autorët – sado të mëdhenj në letërsi – dëshmuan paaftësinë për të pranuar madhështinë e një gruaje.
Në kontekstin shqiptar, njësoj si Zhanën, shumë gra kanë dhënë kontribute të çmuara në çlirimin, ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit, por rrallë kanë marrë vlerësimin e merituar – madje as nga burrat që kanë përfituar nga puna, sakrifica dhe vizioni i tyre.
Mungesa e mbështetjes institucionale dhe sociale, shumë prej tyre, i ka shtyrë drejt heshtjes dhe margjinalizimit. Si pasojë, pjesëmarrja e tyre në politikë mbetet e kufizuar, zëri i tyre i neglizhuar dhe kontributi i tyre i pa vlerësuar – një realitet që kërkon reflektim dhe ndryshim.
Historia e Zhanës, nuk është vetëm një kujtesë për një heroinë të harruar. Ajo është një thirrje për të mos lejuar që gratë të injorohen. Është thirrje që kontributi i tyre të mos harrohet, as nga historia as nga shoqëria, e aq më pak nga politika.











