Zymer Mehani:
Përsiatje rreth romanit “Njerëz dhe fate” të shkrimtarit Ruzhdi Gashi
(Botues “Thesari”, Prishtinë, 2022)
Në qendër të interesimit të romanit “Njerëz dhe fate”, shkrimtari Ruzhdi Gashi e vë individin, që është njeri i rëndomtë, por i shkolluar, rreth të cilit dhe për të cilin do të thuret tërë intriga, duke u ndërtuar vetë fabula e romanit në fjalë, që me përmbajtjen tematiko-motivore ngjall interes për t’u lexuar.
Romani “Njerëz dhe fate” i Ruzhdi Gashit për temë trajtimi e ka të keqen, si dukuri negative në shoqëri. Ai, pra do ta shtjellojë një ngjarje që “ka ndodhur” në një ambient dhe lokalitet të caktuar të kryeqytetit. Një intelektual (profesori Visar Bardhi) do të akuzohet për imoralitet ndaj nxënëses së vet (Albina K.).
Njerëzit e panjerëz dhe pa karakter, bashkë me vetë nxënësen në fjalë, do të kurdisin një skenar dhe kurth, në të cilin do të bjerë prof. Bardhi, shëmbëlltyrën e të cilit kësofare do të përpiqen ta njollosin, duke e vënë në pikëpyetje pastërtinë morale të tij. Pra, atij i thuren intriga, nga më të pështirat prej personash të paskrupullt, duke i shkaktuar andralla të papara dhe duke e shpënë buzë greminës, ngase këtu bëhet fjalë për goditjen e pastërtisë së nderit të intelektualit të ri, prof. Bardhit.
Ç’është më e keqja, ata që inskenuan një intrigë të tillë, prof. Visar Bardhi i njeh, ngase, siç thotë redaktori D. Reshiti, ata “ i ka nxënës (Albina K.), kolegë të punës, fqinj dhe familjarë”.
Përshkrimi emocionant dhe ngjyrimi ideo-emocional i karakterit të prof. Bardhit (kryepersonazh i romanit) është bërë me kujdes nga shkrimtari Ruzhdi Gashi, duke përzgjedhur fjalorin dhe duke shpërfaqur zhdërvjellësinë e shprehjes. Mjeshtëria letrare e tij vërehet në përpjekjet që bën për karakterizimin psikologjik të kryepersonazhit të romanit të tij, prof. Bardhit, në veçanti, por edhe të personazheve të tjerë në përgjithësi. Ai me lupën e tij prej vrojtuesi tenton të venerojë botën e tyre të brendshme me të gjitha vyrtytet dhe cenet (të metat) etiko-morale dhe intelektuale e shpirtrore.
Haraçin e një kurdisjeje të tillë e pagoi në radhë të parë njeriu intelektual Visar Bardhi, ngase përveç se atij do t’i ndahet bashkëshortja, ç’është më e dhimbshmja, në atë rast ajo edhe do ta abortojë frytin e dashurisë, duke rënë kështu pre e paragjykimeve dhe e thashethënave të pabazë.
Të gjitha këto të këqija, Visar Bardhi do t’i sfidojë me shpresë dhe me bindje tek e vërteta dhe drejtësia, që atij do t’i japin forcë për të qëndruar deri në fund i pathyeshëm.
S’do mend se kryeprotagonisti prof. Visar Bardhi është në konflikt me personazhet negativë (Albina K., Lulja, Ekremi, ca gjakatës e prokurorë të korruptuar, të burgosur ordinerë), siç është në konflikt edhe me figurat labile (bashkëshortja, xhaxha Qazimi e hallë Hatixhja), që kishin rënë në kurthin e dezinformatave se kinse Visari është fajtor dhe na e paskërka “turpëruar fisin!”
Prof. Visar Bardhi mbrohet, e këta e sulmojnë, madje në pikën më të ndjeshme, siç është nderi dhe pastërtia morale. Këto veprime antihumane, shkrimtarit Ruzhdi Gashi i ofrojnë kënd të veçantë observimi dhe mundësi të reja të shprehjes figurative.
Po t’i shikojmë me kujdes personazhet e romanit në fjalë dhe motivet që i vëjnë në veprim ata, para nesh do të na paraqitet një botë e tërë njerëzish që jetojnë e veprojnë në vorbullën e dinamikës jetësore edhe të aktualitetit, duke u nxitur disa syresh nga motive, pasione, ëndrra dhe shpresa të llojllojshme, nganjëherë edhe të padrejta dhe të papranueshme për çdo mendje të shëndoshë, ngase ato mund të jenë nga veset më të ulëta të qenies njerëzore.
Brikena, e dashura e prof. Visarit dhe motra e tij, Teuta, janë personazhe që reflektojnë me pozitivitet dhe me dashuri të çiltër njerëzore edhe në situata të pazakonta. Ato do të jenë për prof. Visarin prore përkrahëse të tij, edhe për hirë të djaloshit intelektual, por mbi të gjitha për hirë të së vërtetës.
Visar Bardhi do të dënohet padrejtësisht me 5 vjet burg, për t’u liruar vetëm 3 muaj para afatit të kryerjes së atij dënimi të pamerituar!…
Gjatë leximit të romanit “Njerëz dhe fate” të shkrimtarit Ruzhdi Gashi lexuesit do ta ndjejnë dhe përjetojnë thellë fatin e njeriut me hidhërimet dhe ëmbëlsitë e jetës, prandaj s’do mend se do të ngelin të mahnitur me poetikën e këtij romani të mrekullueshëm.